Prof. Gjon Frani Ivezaj
Pjetër Nua Ujka Mernjaçaj, ka lindur më 7 tetor 1930, në lagjen Pshtan në Selcë të Kelmendit. Familja e tij, ka qenë e mëkuar tradicionalisht me ndjenja dhe frymë të thellë atdhetare gjatë shekujve. Ai fillon dhe mbaron shkollën 8-vjeçare në vendlindje dhe më pas, kur mbush 20 vjeç shkon në shërbim ushtarak nga viti 1950-1952.
Gjatë kohës që Pjetri, po kryente shërbimin ushtarak, ai meson, se në vitin 1951 vëllain e tij Nikollën e kanë arrestuar dhe fut në burgun famkeq të Shkodrës ose sikurse njihet asokohe si Dega e Punëve të Brendshme (sot pronë e Kuvendit Francëskan dhe muze historik me qeli e burgje origjinale të kohës së diktaturës komunisto-ateiste, e cila vizitohet nga breza të ndryshëm, mbas viteve 1990, shënimi im Prof. Gj.F.I.). Ai aty merret në pyetje nga hetuesit komuniste të Sigurimit të Shtetit të diktaturës komuniste të antishqiptarit Enver Hoxha. Mbas hetuesisë dhe rrahjeve të rënda në burgun e Shkodrës, ai dërgohet në burgjet e tjera të Shqipërisë, ku kalon vuatje dhe tmerre të hatashme për disa dekada me radhë.
Sikurse mësojmë nga më të moshuarit, që e kanë njohur nga afër këtë familje me zë, në shumë breza kjo derë e nderuar dhe respektuar e Malësisë, ka qenë në ballë të luftrave dhe përpjekjeve të pareshtura kundër pushtuesve shumëshekullorë turq dhe armiqve të vjetër të kombit tonë shovinistët serbo-malazias.
Karakteristikë e Marnjaçajve është se ata, gjithnjë kanë qenë dalluar për bujari e shprehur në çdo rast, që njerëzit i kanë kërkuar ndihmë; mikpritje me zemër të pastër shqiptari për të gjithë miqtë, dashamirësit dhe bujtësit e rastit, që kanë qëndruar në konakun e mbushur çdo mbrëmje me malësorë; trimëri e shprehur në çdo luftë dhe përpjekje për të ruajtur me dashuri trojet e të parëve tanë etj.
Historikisht, në çdo kohë dhe rast, brez mbas brezi, familje atdhetare Mernjaçaj, falë traditës së trashëguar në shumë gjenerata, nuk ka kursyer asgjë për të mirën e Atdheut dhe të kombit tonë.
Me fakte konkrete historike, Pjetri, sikurse edhe vëllezërit e tjerë, kanë treguar gjithnjë shembull pozitiv, për të mirën e vendlindjes dhe kombit shqiptar, duke luftuar gjithnjë, për liri dhe demokraci edhe në emigracionin e largët të SHBA-së.
Ata nuk i janë trembur dhe nënshtruar asnjëherë rregjimit të egër të diktaturës komuniste, që me gjak e lau tokën e pafajshme shqiptare, për shumë dekada të sundimit antishqiptar, prej vitëve të errëta 1944-1990.
Për të parë më mirë dhe saktë respektin, që kanë gëzuar të gjithë vëllezërit Mernjaçaj në emigracionin e largët në SHBA, po sjellim për ilustrim një shkrim vlerësues, me titull: “Dëshmori i parë i mërgatës shqiptare në luftë aktive kundër komunizmit”, elegji lexuar para trupit të ndjerë të nipit të tij Nikë Marashi Mernjaçaj, shkruar nga pinjolli i familjes së famshme të Mirakajve ish i arratisuri nga ferri komunist i Shqipërisë, poeti dhe publicisti antikomunist Zef P. Mirakaj:
“E pikëlluemja, por e ndershmja dhe shum kryenalta Famlja Mernjaçaj me t’afërm, kumbarë, miq e dashamirë…
Shum prej nesh, tue çmue dhe admirue vendosmërinë deri në theorizëm të këtij djaloshi, për t’u përpjekë për liri e drejtësi të popullit të vet të shtypun, me lotë në sy, me zemër të plasun dhe me buzë tue na u dridhë prej emocionit, pyesim:
Pse!?…
Nika i respektoi dhe lartësoi shumë herojt dhe protoganistët e vendit të tij.
Ai i naltësoi e i kujtoi me respekt dhe dashuni. Fakti e dishmon se atyne (herojve të atdheut) u pati ba edhe betimin se rrugën qi kishin përcaktue, përpjekjet për liri politike e kombëtare, do ti vazhdonte deri në vdekje.
Dhe ishte pikërisht kjo besë e dhanun dhe e mbajtun, qi e shtyni atë me dalë (me krejt pjesëtarët e familjes) në përkrahje të popullit tonë të përdhunuem politikisht, ekonomikisht, shpirtnisht e fizikisht n’atdhe (ma egërsisht).”
Atdhetari i palodhur i çështjes shqiptare, malësori sypatrembur e trim Pjetër Mernjaçaj, ka ikur në ish Jugosllavi më 22 tetor të vitit 1958. Ai sëbashku me nëntë antarë të familjes Mernjaçaj, duke rrezikuar kokën para ushtrisë së armatosur të Sigurimit të Shtetit komunist.
Me shumë mundime, ata kanë kaluar nëpër shtigje të vështira malore. Ata natën për 14 orë ecin papushim dhe me një kujdes të madh, që të mos zbulohen nga forcat e Ndjekjes së kufirit. Në grupin prej nëntë vetëve ishin: nëna dhe babai, tre vëllezërit Mernjaçaj, dy kunatat me dy fëmijë të vegjel. Mes vështirësive të mëdha të motit dhe terrenit të thyer malor të Alpeve Shqiptare të Veriut, Pjetri me 9 antarë të tjerë të familjes së tij, kalojnë kufirin dhe i afrohen katundit Bekaj të Trieshit.
Ashtu sikurse ishin të lodhur dhe raskapitur mbas atij udhëtimi të vështirë, ata janë ulur të pushojnë pak dhe kanë ndezur një zjarr. Mbas disa orëve një çoban i rastit ka parë tymin dhe më pas është afruar tek njerezit, që po qëndronin pranë flakës së zjarrit.
Çobani i quajtur Tomë Kolë Preka Gashaj, u afrua e i pyet njerëzit, që po ngroheshin rreth flakës së zjarrit: “Kush jeni ju burra që po ndezni zjarr aty dhe po rrini në këtë mal të ftohtë!?” Ai kur i ka parë në atë gjendje të lodhur që ishin 9 antarët kelmendas e ikur nga Shqipëria, sipas traditës së hershme shqiptare i ka ftuar në shtëpinë e vet, duke i shtruar darkë. Aty ata kanë qendruar për disa orë deri në orën 11 të mbrëmjes.
I zoti i shtëpisë Tomë Kolë Preka Gashaj, mbasi kanë hangër pirë dhe pushuar të gjithë, u ka thanë, se: “Miq të dashur, u kërkoj falje, se është rregull dhe ligj shtetëror se më duhet të lajmëroj rojen e kufirit për ardhjen tuaj në shtëpinë time.”
Të porsardhurit kanë qenë dakord me fjalët e drejta të të zotit të shtepisë mikpritëse, që të lajmërohen forcat e rendit në Podgoricë për ardhjen e tyre. Mbas dy orëve kanë ardhur makina ushtarake dhe i kanë marrë dhe dërguar në stacionin policor të Podgoricës. Ata janë rregjistruar dhe marrë normalisht në pyetje rutine nga forcat e policisë malaziase dhe mbas gjysmë ore, sërisht nëna Mrika, babai Nua dhe dy gratë me fëmijët e vegjel të Marashit, i lejuan të rikthehen në Bekaj të Trieshit, tek daja Preloc Marku, kurse tre vëllezërit i nisen në Leshkopole, ku qëndruar për shtatë javë.
Mbas përfundimit të procedurave të pyetjeve të ndryshme, ata i kanë lejuar të lëvizin lirshëm kudo që dëshironin të udhetonin, punonin dhe jetonin brenda Jugosllavisë. Ata i ndihmuan shqiptarët e ardhur nga Kelmendi i Shqipërisë, duke i dhënë ndihmë financiare prej 40 mijë dinarësh në muaj, si ndihmë që vinte nga e Drejta e Komisionit Internacional. Mbas një ore Marashi e Rroku, shuan tek daja në Triesh, kurse Pjetri u ndal në Shipshanik të Tuzit.
Ditët kalojnë dhe familja e Mernjaçajve fillon dhe sistemohet, ku njeri pas tjetrit vëllezërit fillojnë punën dhe më pas ata gjetën një shtëpi me qira me Piper, afër Pordgoricës (ish Titogradit) dhe kështu filloj një jetë normale për të gjithë. Mbas pesë vjetëve ata blejnë një shtëpi në Maslina të Podgoricës, ku qëndruan për shumë vite.
Pjetri, duke mos qenë dakord me sistemin komunist jugosllav, ai kishte një plan të caktuar me disa shokë të tij, që të largohen në drejtim të botës së lirë demokratike të Europës Perëndimore.
Kështu një ditë me 8 qershor të vitit 1966, ata u larguan përfundimitsht në Trieste të Italisë, ku aty qendruan për disa muaj dhe më pas kalojnë në disa kampe të tjera intenacionale të emigracionit, si në Pua Cassertta të Italisë, ku aty fituan azilin politik për të ikur drejt Shteteve të Bekuara të Amerikës në vitin 1967, ku në fillim si shumë të tjerë shqiptaro-amerikanë u vendos në Bronx të New York-ut.
Pjetri, mbas disa kohe, gjen punë dhe strehim dhe gradualisht fillon të marrë kontakt me intelektualë dhe njerëz dashamirë të komunitetit shqiptaro-amerikanë. Ai kishte mik meshtarin e shquar Dr. Mons Zef Oroshin (1912-1989), me të cilin flinin shpesh për hallet dhe shqtësimet e popullit shqiptar, që po kalonte natën e zezë të përsekutimit komunist në Shqipëri.
Pjetri, ka marrë pjesë në çdo demostratë antikomuniste që për shumë kohë janë zhvilluar në New York dhe disa shtete të tjera të Amerikës. Ai, ka qenë një activist i palodhur edhe në ndihmë të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”) dhe ka bashkëpunuar gjithnjë me klerikët katolikë shqiptarë. Pjetri, e ka mbështetur gjithnjë shtypin e lirë katolik në Amerikë dhe posacërisht revistën “Jeta Katolike Shqiptare”, e cila fillon të botohet për herë të parë në vitin 1966.
Mbas disa kohe, Pjetri, interesohet për vëllanë e vet Marashin me gruan dhe fëmijët, që si azilantë politikë të vijnë në Amerikë në shtëpinë e tij.
Vitet kalojnë dhe Pjetri, një ditë të bukur martohet më 12 dhjetor 1967 në Bronx, me një vajzë fisnike malësore Lenen e Zef Dedit Micakaj, prej një shtëpie të ndershme, fisnike, bujare e respektuar dhe nderuar në Bekaj të Trieshit. Kjo shtëpi tipike shqiptare, dallohej gjithnjë për besë, nderë dhe bujari, ku më sëshumti dallohen Zef Dedi me vëllezërit e vet Nikollë Dedi, Palok Dedi, Luc Dedi e Gjokë Dedi.
Kurorën e martesës Pjetri me Lenen e vendosin në Kishën Katolike Monte Karnella në Bronx, New York, me një ceremoni, ku, morën pjesë shumë bashkëatdhetarë nga Kelmendi dhe trojet e tjera shqiptare. Kurorën e martesës ia vendos meshtari i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikanë anikomunisti i vendosur Dr. Mons Zef Oroshi.
Gruaja e Pjetër Mernjaçaj, Lena është një grua fisnike e Malësisë, e cila asnjëherë nuk është lodhur për të mirën e familjes, duke qenë një krah i djathtë i bashkëshortit të vet. Familja e Pjetrit, ishte dhe mbetet edhe sot një shtëpi e madhe bujare, që ka pritur dhe përcjell me mijëra bashkëatdhetarë, ka ndihmuar shumë në çeshtjen kombëtare me bashkëshortën e vet Lenen, e cila ishte dhe është gruaja dhe nëna më e nderuar dhe respektuar në komunitetin shqiptar.
Krimet e kohës së komunizmit në vendet e Europës Lindore dhe në veçanti në Shqipëri, krahasohen me ato të periudhës së egër naziste, ku, gjermanët zhduken apo vranë mbi 6 milion ebrej dhe me radhë miliona femijë, pleq dhe të rinj nga shumë kombe dhe vende të tjera të botës.
Historianët dhe analistët me famë botërore, kanë arritur në konkluzionin e pamohueshëm se nazizmi dhe komunizmi, kanë vrarë dhe përsekutuar mbi 157 milionë, dhe nga këto shifra 57 milion, janë vrarë, ekzekutuar barbarisht dhe zhdukur gjatë kohës së Luftës së II Botërore.
Krimet e doktrines mashtruese komuniste, fillojnë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe mbas saj deri në vitin 1990. Nga analiza e fakteve historike, del se 100 milion njerëz janë vrarë, pushkatuar pa gjyq ose me gjyq fallco të montuar, zhdukur dhe kanë vdekur në kampet e përqendrimit gjatë kohës së sundimit të sistemit komunist në Europën Lindore dhe në shumë shtete të tjera të botës.
Po ashtu qeveria e dikatorit kriminel të Enver Hoxhës, arreston të gjithë antarët e familjes, si gruan dhe djalin dhe i internojnë në kampin famkeq në Savër të Lushnjës. Në këtë kamp mizerje të përqendrimit, kanë lindur shumë fëmijë në kushte mizerabë, kanë vdekur shumë fëmijë për mungesë të ushqimit dhe përkujdesit mjekësor, janë rritur në barakat përdhese, ku shiu dhe balta ishte e pandarë me mijëra të rinj dhe kanë vdekur pa mundur të hapin familje me qindar prej tyre, janë keqtrajtuar dhe kërcenuar me vdekje me qindra familje të internuara me dënime të përjetshme, duke u bërë kështu Savra e Lushnjës një burg me fam të keqe në të gjithë Shqipërinë dhe vendet e Kampit Komunist të Europës Lindore…
Rregjimi mizor komunist, i bëri shqiptarët të lënë me dhimbje vatanin, atë gjë nuk ia detyroi asnjë pushtues i huaj.
Të rinjtë shqiptarë që merrnin rrugën e arratisjes në kufi ruheshin mos të merrnin plumbin e pamëshirshëm të “vëllezërve” shqiptarë komunist, që i kishin mbushur armët me fishëkë, për të vrarë jo pushtuesit e huaj, por bashkëkombasit e vet dhe në këtë rast Shqipëria, i ngjasonte një burg të madh me tela të rrethuar në 28 kilometra katrorë, aq sa ishte edhe gjatësia e kufrit të saj me shtetet fqinj.
Pjetri, sot e rikujton me detaje momentin kur u largua nga trojet shqiptare, për t’i shpëtuar masakrës kolektive komuniste, për një jetë më të mirë me dinjitet dhe prosperitet, për liri dhe demokraci. Ikja e tij, ishte një lajm i mirë për t’i dhënë zemër edhe të rinjve shqiptarë, që me këtë formë ti bëjnë sfidë sistemit absurd komunist, që vriste dhe gjakoste popullin e vet, në emër të ideologjisë boshe komuniste, të importuar nga Rusia e Leninit dhe Stalinit.
Babai i Pjetrit, Nua Ujka Mernjaçaj, ndërron jetë dhe varroset me ceremoni dhe respekt nga të gjithë të afërmit dhe vendasit, pranë varrezave të Malësisë në fshatin Shishpanik në Tuz. Shumë vite më vonë, më 1984, nëna me djalin e saj Rrokun erdhën në SHBA dhe u vendosën në Neë York.
Asokohe ishte koha e Presidentit Ford, kur këto emigrant shqiptarë u bënë shtetas amerikanë, duke gëzuar edhe një pension për gjithë jetën. Për herë të parë në jetën e tyre, bashkëkombasit tanë dhe në veçanti familja Mernjaçaj e përndjekur politikisht nga sistemi komunist, e ndjenë vetën të barabartë, sikurse shtetasit amerikanë të lindur dhe rritur në Amerikë. Në atë kohë disa gazeta amerikane shkruan për historinë e kësaj familje kelmendase të arratisur ferri i zi komunist i diktatorit të egër antishqiptar Enver Hoxha.
Mbas 5 vjet të vendosjes në Amerikë, nëna e Pjetrit vdes. Ajo u varros me ceremoni fetare nga familja, të afërmit dhe shumë miq e shokë bashkëatdhetarë kelmendas dhe meshtari i shquar shqiptar Dr. Mons Zef Oroshi, i cili, foli fjalët më të mira për këtë fisnike dhe bij të nderuar të Malësisë.
Pjetri, qysh i ri në Kelmend, sikurse kujtojnë shumë miq e shokë të tij, ka pas përzemër ndjenjat e zjarrta atdhetare, fliste me passion dhe respekt për historinë e lavdishme të burrave të shquar të Kelmendit, heroizmin e tyre ndër shekuj, dëshirat e zjarrta për liri dhe pavarësi. Ai kishte dhe ka ende sot një dashuri të madhe për të parët e tij, familjen, nënën dhe babain, vëllezërit dhe të gjithë të afërmit e tjerë, të cilët mundi t’i takonte pas emigrimit të gjatë në SHBA, kur demokracia vendoset në vendin e shqiponjave.
Pjetri, si aktivist i madh e i palodhur i cështjes shqiptare në SHBA dhe posacërisht në New York, mori pjesë aktive në shumë demostrata antikomuniste, që organizoheshin para OKB-së dhe Shtëpisë së Bardhë në Washington, DC.
Ai me shumë bashkëathetarë të tij, kërkonte drejtësi dhe ndalimin e persekutimit të egër komunist kundër familjes së tij, Kelmendit, Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, lirinë fetare, lirinë dhe kthimin në shtëpitë e tyre të të gjithë personave, që padrejtësisht janë të syrgjynosur e keqtrajtuar nëpër kampet e internimit dhe burgjet e ferrit komunist.
Shqiptaro-amerikani i palodhur i çështjes kombëtare Pjetër Marnjaçaj, kërkonte përmbysjen e sistemit të egër barbar komunist dhe vendosjen e demokracisë për Atdheun e tij të vuajtur nga pushtimet e njëpasnjishme të huaja dhe sëfundi nga ripushtimi barbar, më i pashpirt komunist, që vriste dhe torturonte, masakronte dhe internonte shtetasit e vet më të mirë, për hir të ideve absurd proletare, të komunizmit deshtak rus dhe më vonë atij kinez.
Për shumë dekada Shqipqria ndoqi një vijë të ashpër të komunizmit eksperimental, duke u izoluar nga e gjithe bota përparimtare dhe nga vetë vendet komuniste liberale, sikurse u bënë më vonë ish Bashkimi Sovjetik dhe Kina.
Kushdo, që e ka njohur dhe e kujton sot veprimtarin e palodhur energjik Pjetër Marnjaçaj, tregon se ai përmes mesazheve në tubimet e shqiptarëve të SHBA-së, kërkonte që shqiptarët të jetojnë në paqe, prosperitet dhe të bashkuar pa dallim feje, krahine dhe ideje, brenda Atdheut të lënë trashëgim nga të parët tanë iliro-arbërorët.
Ky bir kelmendas, që vjen nga një familje shumë e mirë e Malësisë së Madhe, gjithnjë kërkonte që në Shqipëri të vendoset sistemi përparimtar pruralist demokratik, me votë të lire, për të gjithë shtresat e shoqërisë shqiptare, ku, populli të vendos vetë fatin e tij, permes funksionimit të shumë partive politike, sipas modelit të në shumë vendeve perëndimore të botës së përparuar dhe kampionit të demokracisë SHBA-së.
Ata në tubime antikomuniste i bënin thirrje qeverisë komuniste të Tiranës së kuqe, që të lejonte lirinë e fjalës, lirinë e besimit fetar, mbasi deri në vitet 1990 vendi përmes një Kushtetute ateiste e kishte shpallur vendin si shtet ateist dhe përsekutonte pamëshirë çdo klerik fetar dhe popullin, që të besonte në Zot.
Pjetër Mernjaçaj në demostratat antikomuniste para Selisë së Misionit të Shqipërisë në New York
Duke biseduar shpesh me aktivistin e palodhur të komunitetit shqiptaro-amerikanë zotin Pjetër Mernjaçaj, mëson se ai gjithnjë ka qenë i pandarë në shumë demostrata antikomuniste para Misionit të Shqipërisë Komuniste të diktatorit Enver Hoxha në Manhattan, New York.
Me qetësi dhe modesti, ai flet tubimet antikomuniste dhe të ofron për të parë nga afër dokumente, fjalime, fonde financiare, të mbledhura me zemër nga bashkëatdhetarët, që e donin me gjithë shpirt vendlindjen e tyre, pa dallim feje, krahine ideje.
Atyre u vinte keq për mizorinë ku e kishte plandosur komunizmi vendin e shqiponjave, tregon se si organizoheshin shumë veprimtari me frymë patriotike dhe shumë nisma të tjera asokohe, kur Shqipëria e tij vuante persekutimin e gjatë dhe të egër komunist prej shumë dekadash.
Duke biseduar ngrohtësisht me mikun tim Pjetër Mernjaçajn, mëson shumë ngjarje dhe figura publike të rëndësishme në komunitetin tonë, tek lexon shënime dhe ditarin e pasur të demostratave nacionaliste të komunitetit shqiptaro-amerikanë, për disa dekada në SHBA, por më shumti në New York, Washington DC, etj.
Në disa takime të rëndësishme, ai ka mbajtur ligjeta me përmajtje dhe frymë të thekshme atdhedashurie dhe antikomuniste, për të sensibilizuar opinionin amerikanë, mediat, senatorët, kongresistët qeverinë dhe Presidentët e SHBA-së gjatë viteve të ndryshme.
Ai ka hypur disa herë në podiumet e demostratave antikomuniste të improvizuar dhe ka folur hapur para bashkëatdhetarëve të vet. Kështu, në një tubim, që mban datën 9 shkurt 1990, ndër të tjera (sot mbas 25 vjetëve, duke lexuar kujtimet e tij të ruajtura me shumë kujdes në familje, shënimi im Gj.F.I.), shkruan:
“…Me datën 11 dhe 14 Kallnuer rinia e qytetit të Shkodrës, të paisun me cekiqa e vegla të tjera u tubuen rreth shtatores së Stalinit dhe hodhën rrota prej gome të bicikletave duke thirrë të gjithë me zë të lartë: “Liri-Demokraci!”, “Poshtë diktatori Enver Hoxha!”, “Enver-Hitler!”, “Poshtë komunizmi!” etj. Forcat e Policisë së Degës së Punëve të Brendshme dhe Sigurimit famkeq, menjiherë erdhën dhe filluen të rrahnin me shkopinj gome të rinjtë antikomunistë dhe arrestuen shumë prej të tyne.
Vllazen e motra!
Në nji kohë kur kampi socialist po djegin e shkatrrojnë vëllimet e fundit të librave me përralla të Marksit, Leninit e Stalinit, Qeveria e kuqe komuniste e Tiranës po mbush burgjet me gjenerata të reja shqiptare dhe po ndërton burgje të reja për të burgosun popullin shqiptar. Humben shpresat e parashikueme me vdekjen e xhelatit Enver Hoxha, se gjoja Ramiz Alia do të ndryshoj kurs karrocës komuniste nga diktatura në demokraci mbas 46-vjetve…”
I kudogjenduri, aktivisti i palodhur bashkëatdhetari ynë Pjetër Mernjaçaj, është inisiatori dhe mbështetësi kryesor, për krijimin e Klubit Kulturorë kuptimplotë “At Gjergj Fishta”, me veprimtari në Neë York (957 McLeen Avenue, Yonkers, Neë York).
Pjetri, sëbashku me shumë shokë dhe miq të tjerë bashkatdhetarë bëjnë fushat, për grumbullimin e fondeve financiare për shpenzimet fillestare për ngritjen e Klubit Kulturorë “At Gjergj Fishta” në Yonkers, New York.
Qëllimit të mirë fisnik të zemrës së Pjetrit, iu përgjigjën edhe shumë miq të tij bashkëatdhetarë, si: Zef Tomë Pepaj, Marash Marnjaçaj, Malot Malota, Luan Isufi, Zef Selca, Lek Gojcaj, Dedë Mark Dedaj, Paulin Mernjaçaj. Ata treguan bujarinë karakterstike fisnike shqiptare, për të kontribuar sëbashku me punë vullnetare. Kështu, ata arritën të mbledhin fonde, për ngritjen e tribunës, pagesën, për zbukurimin e truallit, karrigat, tavolinat, qiraja mujore, etj.
Në një peticion drejtuar Presidentit George Bush, kur ai po garonte për tu bërë President i SHBA-së, Pjetri dhe Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, përmes ish kongresistit republikan Joe DioGuardi, kërkon, që Qeveria Amerikane të bënte presion në rrugë diplomatike, ndaj qeverisë shqiptare e Tiranës komuniste, e cila në mënyrë flagrante shkelte dhe persekutonte liritë dhe te drejtat e njeriut prej disa dekadash.
Por nga ana e tjetër, aty kërkohet, që Qeveria Amerikane dhe ai si President i SHBA-së ti kërkonte Qeverisë Jugosllave, të respektonte Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, për popullin martir të Kosovës, që po keqtrajtohet barbarisht nga makina ushtarake e pushtuesve serb.
Pjetri, ruan me kujdes edhe një korrespondencë të pasur, që ka pasur me aktivistin e palodhur të cështjes shqiptare, ish kongresistin republikan Joseph J. DioGuardi (Mmber of Congress, 1985-1989).
Ai mbasi e falenderon z. GioGuardi për gjithçka, që ka bërë dhe po vijon pa u lodhur të kontribuoj për çeshtjen shqiptare, i kërkon bordit drejtues të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, që të kërkojnë të bëjnë të gjithë sëbashku me shumë për cështjen e Kosovës, duke sensibilizuar mediat amerikane, që të shkruajnë për shtypjen dhe dhunën sistematike, që po bëhen hapur nga Qeveria e Serbisë.
Pjetri, në emër të Organizatës “Zani i Rinis Shqiptare në Mërgim” (Yonkers, Neë York, 957 McLeen Avenue), në një letër-mesazh, që i dërgon më 25 Mars të vitit 1992, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë zotit Pjetër Arbnori, ndër të tjera, ai tregon se si komuniteti shqiptaro-amerikanë organizon tubime të rëndësishme, për ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar përkrah flamurit amerikan.
Në këto tubime të përbashkëta marrin pjesë edhe shumë zyrtarë të lartë të Bashkisë së Yonkers-it si dhe kongresistë dhe senator amerikanë, që kanë kontribuar gjithnjë me zemër për çështjen shqiptare dhe atë të Kosovës në veçanti.
Pjetri, i kujton zotit Arbnori, se data 25 Prilli, është dita që i kushtohet ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar në shenjë respektit dhe kujtimit të nipit të tij Nikë Mernjaçaj, ceremoni e cila ka vite që po bëhet traditë, si një e drejtë ligjore e administratës së qytetit të Yonkers-it dhe për të gjithë gjeneratat e ardhshme shqiptare dhe amerikane.
Menjëherë mbas hapjes së Shqipërisë dhe rrëzimit të komunizmit, në vitet në vijim Pjetri, sikurse shumë bashkëatdhetarë të tjerë shqiptaro-amerikanë, ka patur shpesh ftesa, për të marrë pjesë në shumë aktivitete kulturore dhe patriotike në vendlindje.
Kështu, në një ftesë drejtuar nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Besa”, me qendër në Shkodër, me kryetar zotin Dashamir Uruçin, për nder të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me rastin e 80-vjetorit, Pjetër Mernjaçaj ftohet që të vizitoj Shqipërinë, sëbashku me bashkëatdhetarët e tjerë, si: Prof. Sami Repishti, Ekrem Bardha, Anthony Athanas, Prof. Peter Prifti, Prof. Eric Hamp. Ai i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese dhe kur kthehet nga vendlindja shkruan përshtypjet e tij për udhëtimin në Shqipëri dhe përjetimin e demokracinë e brishtë atje.
Në vazhdën e punës së pandërprerë atdhetare, në ndihmë të pakursyer ndaj komunitetit shqiptaro-amerikanë dhe për të rivlerësuar edhe më shumë figurat e rëndëishme të kombit shqiptar, Organizata “Zëri i Rinisë Shqiptare në Mërgim” (The Voice of Young Albanians in Exile), kolegjiumi i redaksisë së saj, si: Paulin Mernjaçaj, Halil Lita, Gjovalin Nikçi, Luan H. Gashi, Nikolla Pjetri, Pjetër Marnjaçaj dhe Vasel Camaj, të ndihmuar me këshillat e tyre të vlefshme edhe nga Dr. Hamdi Oruçi, Dom Rrok Mirdita (sot Shkëlqësia e Tij Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metroplit i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës), Dom Pjetër A. Popaj dhe ish Kryetari i Këshillit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” zoti Tonin Mirakaj, riboton të plotë, pa asnjë ndryshim tekstin origjinal “Shqyptarët dhe të Drejtat e Tyne”, shkruar nga Poeti Komëbtar At Gjergj Fishta O.F.M. dhe mbajtur në gjuhën franceze në sallën e madhe të Universitetit Katolik në Paris nga Shkëlqësia e Tij Imzot Luigj Bumçi, Ipeshkëv i Lezhës.