Historia e qeverisjes në shtatë minuta

0
51


Preç Zogaj, 13.01.2011

Berisha nuk foli dje në lidhje me videon e trasmetuar nga “Fiks fare”. Heshtja e tij, që nuk dihet a do të vijojë edhe sot, është plotësisht e pajustifikueshme për shumë arsye. Në kohën kur kanë zhvilluar këtë bisedë, Meta dhe Prifti kanë qenë që të dy ministra shumë të rëndësishëm të kabinetit të tij.

Meta është akoma, madje më i fuqishëm se atëherë kur i duhej t’i lutej apo të urdhëronte Dritan Priftin. Biseda, e denjë për stanet e mafias, – siç do të shprehej vetë Berisha po të ishte në opozitë, – zhvillohet në zyrën e një Ministrie të shtetit shqiptar. Çeshtjet që diskutohen janë tërësisht administrative-qeveritare, pra jo partiake.

Në këto kushte, as që bëhët fjalë se duke marrë një qëndrim, kryeministri do të ndërhynte në punët e brëndshme të një partie tjetër. Berisha nuk mund të përdorë as justifikimin e kapjes në befasi.

Dritan Prifti, njihej si kanakari i tij, e ka vënë në dijeni
me kohë se ka një filmim. Së fundi, përballë një skandali të tillë, kryetari i qeverisë ka shumë për të thënë, pa qenë nevoja të presë apo të dublojë prokurorinë. Do të mjaftonte kaq sa thamë që Berisha, i cili e tepron me daljet para mediave edhe kur s’ duhet, – të
mos mungonte dje kur duhej.

Por arsyeja themelore që e thërret në kauzë dhe që e bën gjithnjë e me shqetësuese heshtjen e tij, sa më shumë zgjat ajo, është përmbajtja e bisedës së filmuar me figurë dhe zë. Aty qytetari shqiptar dëgjon dhe sheh me çfarë lehtësie dhe arrogance interesi klientelist, klanor dhe vetjak injoron, shkel dhe shtyp si të ishte një krimb Ligjin, shtetin ligjor.

Aty qytetari sheh se si abuzimi me pushtetin është një normë e sjelljes, se si interesi klientelist dhe vetjak sundon i gjithëfuqishëm mbi interesin publik; se si korrupsioni mbyt drejtësinë. I gjithë ky shpërfytyrim përmban patjetër edhe origjinalitetin e zevendëskryeministrit Ilir Meta. Ky i permend në formë të shkurtuar emrat e klientelës.

Ky e merr në telefon në çast Gimin dhe ia kalon menjëherë, pa i kërkuar leje
ministrit, ” foli ministrit këtu”, sigurisht për t’i treguar atij dhe Gimit se kush është kapoja aty. Por do të ishte e padrejtë po të mendonimm apo po të thoshnim se Ilir Meta është
një fenomen i shkëputur i arbitraritetit në këtë qeverisje.

Ai është origjinal, por jo i vetmi. Në videon e famshme ai luan vetveten, por njëkohësisht edhe tipin e qeveritarit dhe liderit politik shqiptar, pra më shumë se vetveten. Ajo video është një histori e qeverisjes në shtatë minuta.

Asnjë regjisor nuk do ta bënte më mirë. Aftësia krijuese duket e varfër përballë realitetit. Shtatë minutat e filmit me figurë dhe zë përfaqësojnë mostrën më të ngjeshur të kalbëzimit të qeverisjes shqiptare nepër vite. Kryeministri aktual nuk e ka luksin për të heshtur.

Ca më pak mund të shpresojë në mrekullinë e çudive që zgjasin
tre ditë. Videoja na tregon një gjendje, jo një çudi. Shumica dermuese e shqiptarëve nuk janë të befasuar me atë që kanë parë e dëgjuar në video. E vetmja intrigë në këtë histori, për një pjesë të opinionit publik, ka lidhje me qëndrimin politik, moral dhe etik që do të
mbajë Berisha.

Çdo vonesë e kompromenton atë, në mos si mbështetësin dhe frymëzuesin e paligjshmërisë, në një politikan që ka braktisur skrupujt për hir të karriges. Shqiptarët e kanë pas qortuar gjithnjë Berishën për qëndrime autoritariste, por deri vonë shumë prej tyre mendonin se autoritarizmi i tij ka edhe një anë pozitive se tremb ministrat dhe zyrtarët e lartë të bëjnë pazare me pushtetin. Duke parë e dëgjuar videon dhe duke kujtuar edhe raste të tjera të korrupsionit me stampë qeveritare e kupton se kjo legjendë ka vdekur.

Në fakt pazaret në zyrat e administrates së lartë janë një sfidë e pashembullt për “duart e pastra” të kryeminstrit. E kam nëvizuar edhe më parë dhe dua ta
përsëris se gabimi i madh ka nisur menjeherë pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 kur Berisha nuk lexoi barazimin si verdikt të zgjedhësve shqiptarë dhe nuk veproi në bazë të këtij verdikti.

Këto që kanë ndodhur e po ndodhin janë pasoja të shkeljes së ligjesive. Nëqoftëse Berisha dhe Meta do të kërkojnë të vazhdojnë, tashmë “për inat të opozitës” , pasojat do të jenë akoma më të rënda në të ardhmen. Malavita, plehrat, arbitrariteti, korrupsioni dhe demagogjia nuk mund të vënë poshtë qytetarët shqiptarë. E kanë shumë gabim ata që mendojnë të kundërtën.

Meta është në një pozitë shumë të vështir tani. Në pamjen e jashtmë të gjerave ai është i detyruar të zvogëlohet nën sqetullën e Berishës. Por problemi që u hap, shumë shpejt do të fitojë përmasa të reja.

Berisha do të jetë i detyruar të marrë një qëndrim. Marrja në mbrojtje e skandalit është e barazvlefshme me legjitimimin e një gjendjeje si ajo që paraqitet në video. Kjo do ta afishonte atë hapur jo si penguesin, por si garantin e shpërdorimit të pushtetit.

Qëndrimi tjetër është distancimi politik nga skandali dhe marrrja e përgjegjesive për pasojat e natyrshme të këtij akti. Një gjë është e qartë: Pas historisë së treguar në shtatë minutat e videos shokuese, shqiptarët dëshërojnë me shumë se kurrë të shkrujnë një histori të re të qverisjes së tyre. Historinë e sundimit të ligjit.