Nga Leart Kola, 25 Dhjetor 2012
Liderët frikacakë i përdorin të gjitha për të zgjatur qëndrimin e tyre në pushtet. Ky është dhe rasti i këtij inkursioni energjik të Berishës në territorin sa komod, po aq dhe kompleks të nacionalizmit. Por për fat të keq të tij, ky do t’i rezultojë dhe si gabimi i fundit fatal në përmbylljen e karrierës së tij aspak të lavdishme.
Berisha nuk është i ri, as në moshë e as në politikë, e për këtë kalibër politikani historia është më e rëndësishme se deklaratat e lidhura me aktualitetin. Për të kuptuar blofin e ri të Berishës, mjafton të shohim në retrospektivë marrëdhëniet e tij historike me shqiptarët jashtë territorit politik të republikës.
Në fillimvitet ‘90, Shqipëria ishte i vetmi vend që thyente embargon e vendosur nga perëndimi me Jugosllavinë. Shkodra ishte kryeqendra e kontrabandës së naftës, e cila bëhej me duart e agjentëve të të famshmit SHIK të Gazidedes me bekimin, patjetër të Berishës, asokohe president. Shteti shqiptar në këtë mënyre u vu në shërbim të mbajtjes gjallë të makinerisë së luftës serbe, që qëllim kryesor kishte pikërisht asgjësimin e shqiptarëve të Kosovës. Aq të mira ishin marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me Beogradin, sa shpeshherë në trojet tona shëtiste i qetë dhe nën mbrojtjen e shtetit dhe krimineli i famshëm Arkan, i cili drejtonte operacionet e kontrabandës së kohës dhe të masakrës së shqiptarëve më pas, me shumë mundësi më makinën që ecte përpara me naftën e kontrabanduar nga territori ynë.
Nuk ka dyshim që periudha e konferencës së Rambujesë dhe qëndrimi i mbajtur nga Berisha i kohës tregon dhe një herë për koordinimin e përkryer që ai kishte me Millosheviçin. Të dy këta ishin kundër nënshkrimit të Rambujesë, e cila do përkthehej në më shumë shqiptarë të Kosovës të vrarë e ndoshta dhe me zhdukjen përfundimtare të Kosovës si koncept politik. Historia është e pamëshirshme me politikanët e është treguesi i vetëm korrekt i të tashmes.
Kjo forcohet dhe më shumë kur shohim veprimet politike të Berishës së pas 2005-ës. Aktivizimi i tij energjik kundra interesave të shqiptarëve të Kosovës është faktik dhe evident. Prej vitesh tanimë ai nuk nënshkruan me gjermanët kontratën për linjat e interkonjeksionit, të cilat do ia hiqnin përfundimisht Kosovës varësinë ndaj Serbisë. Kurrfarë argumenti nuk i ka ofruar shoqërisë përse nuk e bën këtë veprim që do ishte jo vetëm patriotik, por mbi të gjitha logjik, përveç faktit që për Saliun misioni kryesor politik është ai antishqiptar.
Edhe njerëzit me të cilët rrethohet janë të njohur për vepra aspak patriotike në Kosovë. Lulzim Basha, njeriu më i afërt i kryeministrit njihet në Prishtinë si ai që “qëndiste” dokumentet për dënimin e luftëtarëve të UÇK. Për këtë paguhej me një rrogë shumë të majme nga ndërkombëtarët. Sa për të kuptuar nivelin e hipokrizisë të këtij njeriu që sot drejton vendin, Luli i Saliut ishte njeriu që sistemoi letrat për dënimin e komandantëve të Dukagjinit, njeri prej të cilëve dhe vëllai i Ramush Haradinajt, që u prit me aq “respekt” nga kryeministri, Daut Haradinajt.
Ne 21 vjet histori politike, Saliu kurrë nuk ka shërbyer si faktor bashkues për shqiptarët jashtë kufijve politikë, ai kurdoherë ka mbjellë përçarje mes tyre e ka shërbyer si një frymëzues dhe i korruptimit të politikës së shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni, tamam ashtu siç ka bërë dhe në Shqipëri.
Ky është profili faktik i politikanit Berisha dhe qëndrimeve që ai ka mbajtur me vullnet të lirë në kundërshtim me çfarëdo interesi kombëtar. Kjo është historia, pjesa tjetër janë vetëm pallavra që mundohen të përgjumin instinktin analitik të popullit duke ia vënë përpara këtë nacionalizëm turbo-folk që i shërben të gjithëve përveç shqiptarëve.
Prandaj dhe loja me nënshtetësinë është thjesht një blof i një politikani që e ndjen që s’ka rrugë shpëtimi. Ai mundohet sot që të “fshehë” poshtë flamurit kushtet e vështira ekonomike në të cilat gjendet vendi. Ku ka më bukur për të se futja e popullit në një spartakiade mediatike boshe me temë kush është më nacionalist e shmangia kështu e thelbit të problematikës shoqërore që është ekonomia. Makineria shtetërore po mundohet të na bombardojë me trysninë e “o sa mirë me qenë shqiptar” për të shmangur pyetjet pse sot Shqipëria numëron 1 milion të papunë ku shumica janë të rinj? Pse sot në Shqipëri 20% të anëtarëve të shoqërisë tonë janë të dënuar me vdekje sepse nuk sigurojnë dot as bukën e gojës? Kush është përgjegjës për këtë shkatërrim total të së ardhmes ekonomike të vendit, ku janë shitur e plaçkitur gjithçka në 8 vjet?
Janë këto blofe të vjetra të një politikani të vjetër, që po mban sot jo vetëm një shtet, por një komb të tërë peng të manisë së tij të pangopshme për pushtet personal. Çlirimi prej tij do shënjojë dhe çlirimin e politikës nga këto metoda të vjetra në gjithë hapësirën kombëtare politike shqiptare. Për fat të mirë tonin e të keq të tij, dita është e afërt.