Historia e Kosovës jashtë shablloneve

0
30

Nga Enver Robelli

Historiani zviceran Oliver Jens Schmitt ka shkruar një libër brilant mbi historinë e Kosovës. Analizimi i ngjarjeve, faktet e prezantuara dhe mprehtësia e gjykimit e bëjnë këtë vepër jashtëzakonisht të rëndësishme jo vetëm për opinionin gjermanofolës, të cilit i dedikohet, në radhë të parë. Ky libër do duhej të përkthehej edhe në gjuhën shqipe

1. Pingpong shkencor

Para disa javësh në Prishtinë qëndroi Oliver Jens Schmitt, një historian zviceran, i cili është profesor në Universitetin e Vjenës. Ai ishte i ftuar nga organizatorët e Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili për çdo vit mbahet në Prishtinë. Ndonëse për cilësinë e disa kumtesave që mbahen në këtë seminar mund të mos kemi ndonjë mendim entuziast, megjithatë seminari është një ngjarje me rëndësi të madhe kulturore, sepse bashkon shumicën e shkencëtarëve që merren me çështje të gjuhës, kulturës, letërsisë dhe historisë së shqiptarëve në Ballkan dhe më gjerë. Prandaj, ftesa që organizatorët ia bënë Oliver Jens Schmitt-it ishte vërtet e qëlluar.

Institucionet kulturore në Tiranë nuk i kanë bërë një ftesë të tillë, për fat të keq. Në Prishtinë Schmitt foli për mënyrën e shkrimit të historisë në Kosovë, për mangësitë e shumta dhe për shumë fusha që ende nuk janë trajtuar dhe lëvruar nga historianët shqiptarë. Kritika më e ashpër dhe gjithsesi e vërtetë që Schmitt ua bëri kolegëve të tij në Prishtinë ishte se shpeshherë trajtesat e tyre historike i kanë shkruar si përgjigje ndaj pamfleteve serbe dhe jo si përpjekje serioze shkencore. Me fjalë të tjera: Mes historianëve serbë dhe shqiptarë është luajtur një lloj pingpongu kuazishkencor me qëllim që argumentet përjashtuese të tjetrit të goditen stuhishëm. Natyrisht Schmitt kritikën e tij e formuloi me modestinë dhe kujdesin e njohur, që i karakterizon shumë zviceranë, sidomos ata të qarqeve akademike dhe publicistike.

2. Skënderbeu

Oliver Jens Schmitt është autor i biografisë së parë kritike të Skënderbeut. Botimi i këtij libri në Tiranë kishte ngjallur debate mjaft të ashpra. Intelektualë senilë dhe baballarë të vetëshpallur të kombit pa e lexuar fare librin hodhën kritika të ashpra kundër autorit, duke e akuzuar se e kishte njollosur figurën e Skënderbeut, sepse kishte përmendur lidhjet e familjes së tij me sllavët dhe kishte shkruar se njëri nga motivet e luftës së Gjergj Kastriotit kundër osmanëve kishte qenë edhe hakmarrja për shkak se osmanët ia kishin vrarë të atin. Nuk ia vlen të merremi këtu me debatin shqiptar që u zhvillua lidhur me librin e Schmitt-it për Skënderbeun. Ka ende intelektualë shqiptarë bjerraditës dhe „aktivistë të çështjes kombëtare“ që vërtet besojnë se kur një historian apo publicist i huaj formulon ndonjë kritikë ndaj shqiptarëve, ai këtë e bën me „porosi“ të Beogradit.

Nuk ia vlen të merremi këtu as me ata intelektualë provincialë të Prishtinës, të cilët kur Schmitt e mbajti ligjëratën shprehnin habi se historiani qenka „një djalë i ri“, se po „flitka shumë mirë gjuhën shqipe“ etj. Jo pak historianë të Prishtinës preferuan ta bojkotonin ligjëratën e Schmitt-it. Njëri prej tyre deklaroi në media se nuk e kishte ndjekur ligjëratën për shkak se nuk dëshironte t’i jepte rëndësi autorit. Kritikat e tilla ndaj Schmitt-it e kanë shtyrë madje edhe historianin britanik Noel Malcolm të intervenojë dhe t’ia tërheq vëmendjen opinionit shpesh injorant shqiptar se Schmitt është një historian serioz dhe njëri prej njohësve më të mirë të historisë së shqiptarëve.

Krahas biografisë së Skënderbeut Schmitt ka shkruar dhe botuar në vitin 2008 një libër mbi historinë e Kosovës, vlera e të cilit është shumë e madhe. Gjatë ligjëratës së Schmitt-it në Prishtinë i vetmi që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve mbi rëndësinë e këtij libri ishte akademik Rexhep Ismajli, i cili është njëri prej shkencëtarëve të rrallë të Kosovës që jo vetëm i përcjell, por edhe i lexon botimet mbi çështjet shqiptare në botën perëndimore. Libri i Schmitt-it i dedikohet, në radhë të parë, opinionit të interesuar gjermanishtfolës, por do të ishte shumë me rëndësi që kjo vepër të përkthehej edhe në gjuhën shqipe, sepse është një analizë brilante e historisë, e paanshme dhe e shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, larg vokabularit të mërzitshëm shkencor (ose “fachchinesisch”, siç thuhet në gjermanisht, pra kinezishte për ekspertë).

3. Një trevë ballkanike

Libri i profesor Schmitt-it për historinë e Kosovës mban këtë titull: “Kosovo – Kurze Geschichte einer zentralbalkanischen Landschaft” (në shqip: “Kosova – Histori e shkurtër e një trevë qendrore ballkanike”). Autori që në hyrje të librit e shpjegon se nocioni “trevë qendrore ballkanike” mbështetet në një formulim të ngjashëm të historianit Edgar Hösch, i cili me këtë emërtim i përthekon, para së gjithash, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Greqinë Veriore. Në libër Kosova nuk trajtohet si zonë e izoluar, por si trevë e Ballkanit, e cila gjatë historisë ka pasur kufij të ndryshëm, fundja, siç e theksoi Schmitt edhe gjatë ligjëratës në Prishtinë, Kosova në kufijtë e tanishëm ekziston tek pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Librit i paraprinë një paraqitje e imazheve historike të serbëve dhe shqiptarëve mbi Kosovën, imazhe këto që e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Grindja për atë se kush ka lindur i pari në Kosovë vazhdon të jetë pjesë e pandashme e konfliktit serbo-shqiptar. Kjo grindje në gjermanisht quhet “Streit um das Erstgeburtsrecht” (grindje për atë së kush ka lindur i pari në një vend) dhe është nocion i njohur për përshkrimin e konflikteve të ngjashme si ky në Kosovë. Siç u tha, kufijtë e tanishëm të Kosovës janë skicuar tek pas vitit 1945. Si zonë administrative Kosova u bë e njohur tek në vitin 1877 me krijimin e Vilajetit të Kosovës, i cili përfshinte pjesë të Maqedonisë, Serbisë dhe të Malit të Zi të sotëm. Qendër e Vilajetit fillimisht ishte Prishtina, më vonë Shkupi. Sipas profesor Schmitt kufiri i sotëm i Kosovës me Shqipërinë ishte caktuar në vitin 1913 duke pranuar interesat strategjike serbe.

4. Në fillim na ishte Dardania

Perandoria Romake e pushtoi territorin e Kosovës së sotme tek në vitin 44 pas Krishtit (ose Erës së Re) dhe u takua me fise të ndryshme ilire, prej të cilëve më i njohuri ishte fisi i dardanëve. Gjeografët antikë dhe historianët i përshkruanin dardanët si barbarë: të pandershëm, të egër, por edhe të guximshëm dhe kryengritës. Perandoria Romake stacionoi një legjion në Shkupin e sotëm dhe filloi të rekrutojë dardanët për ushtrinë romake. Një njësi e tillë u vendos në Naissus (në Nishin e sotëm). Perandori romak Mark Aurel i përmend “plaçkitësit dardanë”. Bashkë me pushtimin romak filloi edhe kristianizimi i dardanëve; kjo ndodhte sidomos gjatë shërbimit në ushtrinë romake.

Ai që përqafonte fenë e krishterë integrohej më lehtë në Perandori. Schmitt shkruan se për shkak të mungesës së burimeve periudha mes përfundimit të sundimit romak (rreth vitit 600) dhe integrimit të Kosovës në Perandorinë Bizantine (1018) është pothuaj e pakapshme. Për këtë periudhë nuk ka asnjë dëshmi të pranisë së sllavëve në Kosovë. Supozohet se para shekullit të 9-të në Kosovë nuk ka pasur ndonjë sistem të gjerë administrativ. Po ashtu, sipas Schmitt-it, duhet theksuar se Perandoria Bullgare, e cila shtrihej në territorin e Kosovës, në shekullin e 9-të nuk ka qenë sllave; ajo ishte themeluar nga protobullgarët, të cilët flisnin një gjuhë turke. Protobullgarët u sllavizuan tek në shekullin e 10-të. Bizanti e zaptoi rajonin e Kosovës në vitin 1018, kur tashmë ishte zhbërë tradita romake dhe gjuha greke tashmë s’ishte e njohur.

Popullsia i përkiste fesë ortodokse, por jo traditës së saj bizantino-greke, por bullgaro-sllave. Për t’u mbrojtur nga sulmet sllave Bizanti vendosi garnizone ushtarake në Lipjan dhe Prizren. Kriza e Perandorisë Bizantine e detyroi atë të tërhiqet drejt jugut. Në vitet 1093/94 zhupani serb Vukan pushtoi Kështjellën e Lipjanit, por pas një kohe ai u detyrua të ikte drejt veriut. Në shekullin e 12-të serbët arritën të depërtojnë luginës së lumit Ibër dhe të pushtojnë Kështjellën e Zveqanit. Deri në fund të shekullit të 12-të serbët mbajtën veriun, ndërsa rrafshin e Kosovës e kontrollonin bizantinët. Pak a shumë sikur sot: Serbët sundojnë veriun, në pjesën tjetër qeverisin autoritetet e Prishtinës. Tek në vitin 1190 serbët arritën të depërtojnë deri te Malet e Sharrit. Shkatërrimi i Bizantit i mundësoi serbëve që për 180 vjet të sundojnë në Kosovë.

5. Nën serbë

Schmitt thekson se nga pikëpamja historike sundimi serb në Kosovë është shumë i shkurtër, prandaj ai në librin e tij këtë periudhë nuk e trajton si pushtim imperial. Të tilla konsiderohen pushtimet romake, bizantine dhe osmane. Për serbët pushtimi i Kosovës dhe Maqedonisë ishte zbulim i një bote të panjohur për ta. Schmitt shkruan se serbët e kanë parë për herë të parë kulturën qytetare bizantine tek pas pushtimit të rajoneve të Kosovës dhe Maqedonisë. Për kurorën serbe pushtimi i Kosovës ishte një shans i mirë për përparim ekonomik, sepse rajoni kishte fusha pjellore dhe miniera argjendi në Trepçë dhe Novobërdë. E njohur përtej rajonit në atë kohë ishte sidomos Novobërda (në gjermanisht: Neuberg, në italisht: Novomonte), e cila në atë kohë kishte një legjislacion të qytetit, gjë që ishte diçka e rrallë në Ballkan. Meqë serbët nuk kishin as kapital, as teknologji për të punuar në miniera, ata angazhuan tregtarë nga Dubrovniku dhe minatorë gjermanë nga Sllovakia e sotme.

Schmitt shkruan se me zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe me përfitimet që nxirrnin nga minierat Mbretërit serbë arritën të financojnë ndërtimin e shumë objekteve fetare në Kosovë. Përmes këtyre ndërtimeve serbët e asaj kohe lanë më shumë gjurmë në Kosovë se sa bizantinët. Schmitt në trajtimin e kësaj periudhe bën një dallim të qartë mes dinjitarëve dhe Mbretërve serbë nga njëra anë dhe popullsisë sllave në Kosovë në anën tjetër. Sipas tij nuk ekzistojnë burime mbi identitetin etnik të sllavëve të asaj kohe në Kosovë, pra nuk mund të thuhet se ata kanë qenë (vetëm) serbë. Me një fjalë: Elita ishte padyshim serbe, por kjo nuk mund të thuhet pa asnjë dyshim për popullsinë fshatare.