HISTORIA DO BËMA, E JO DËNGLA

1
44

Mustafa Nano

Mustafa Nano

Zululand
Me siguri, të gjithë politikanët e rëndësishëm të botës, për sa kohë janë gjallë, gjejnë kohë herë pas here për të pyetur veten, se ç’vend do t’u rezervohet në histori pas vdekjes. Dhe kjo nuk ndodh vetëm me politikanët; në përmasa të tjera ndodh me të gjithë ata, që kanë një rol të spikatur publik, shtetëror e kombëtar.

Shkojnë nga shkojnë, bëjnë çfarë bëjnë dhe fap, kapen nga kërshëria spitullaqe e vanitoze: a do të mbahem mend? Si do të mbahen mend? Për çfarë do të mbahen mend? Andej nga vitet e para të dekadës së shkuar, për ata që e cysnin për t’u futur në politikë, Ismail Kadare e kishte të gatshme përgjigjen: E pse u dashka të bëhem ministër, kryeministër apo president? Hë, dini të më thoni se kush ka qenë mbret i Anglisë në kohën e Shakespeare-it?

Por le të kthehemi te politikanët, apo shtetarët, të cilët kurrë nuk do të mund ta zgjidhin qysh në të gjallë rebusin e fatit të tyre postum. Historia është sqimatare e tekanjoze. Përveç kësaj, ajo matet mirë përpara se ta thotë fjalën e vet dhe kështu, nuk para ndodh shpesh që dikujt t’i mjaftojë jeta e vet për të marrë vesh verdiktin e historisë mbi bëmat e tij. Por është vetë historia që një gjë na e ka mësuar, megjithatë. Historia nuk nderon domosdoshmërisht ata që rrinë gjatë në komandë të qeverive apo të shteteve të tyre. Historia nderon ata, të cilët guxojnë, të cilët bëjnë reforma e të cilët ia dalin t’ua ndërrojnë faqen vendeve të tyre.

Në ndryshim nga presidentët e tjerë, Franklin Roosevelt-i qëndroi mbi tre mandate në Shtëpinë e Bardhë. Nuk ka dyshim që është një figurë e madhe e shekullit XX. Por historia nuk e ka arkivuar si Presidentin më të mirë; përkundrazi, këtë kurorë ua ka vënë të tjerëve, të cilët nuk kanë arritur të rrinë në krye të shtetit amerikan më shumë se një apo dy mandate.

Duke u zhvendosur në kohë e në hapësirë, zbulojmë se në Anglinë e gjysmës së dytë të shekullit XIX, Benjamin Disraeli ka qëndruar në pushtet më pak se sa rivali i tij, Gladstone. Por historia “ka marrë me të mirë” të parin. Pse? Sepse ai reformoi Partinë e vet Konservatore, reformoi vendin, theksoi e zgjeroi dominimin britanik nëpër botë etj., etj.

Dhe kështu shembujt nuk kanë të sosur; e që të gjithë tregojnë të njëjtën gjë: historia nderon bëmat e jo dënglat. Dhe bëmat nuk është e thënë të kryhen nga ata, që rrinë gjatë në krye të punëve të shtetit. Kur është puna për të kryer vepra të mëdha, edhe pak vite dalin e teprojnë. Kush kërkon kohë më tepër, nuk e ka mendjen te veprat e reformat, përkundrazi, e ka mendjen te pushteti. Për pushtet.

Historia ka treguar se i ka zët këta politikanë.

1 COMMENT

  1. Zoti M. Nano!
    E shkuara ka vetem nje vlere – ajo sherben si nje mesim per te ardhmen, e cila do te jete ashtu si ne do ta ndertojme. Historine e bejne ekstremet, neve qe qendrojme ne mes jemi te detyruar te shkojme pas rrotes se tyre.
    Nuk jane vetem idet qe kane rendesi, por edhe njerezit, sepse njerezit nuk jane aq te interesuar per idete abstrakte, sesa jane te interesuar per individet qe i paraqesin ato.
    Ju flisni per mbajtjen mend te njeriut dhe une do t’ju kujtoj thenien e gjeneralit J. Loten. Kollins-“Nuk ka rendesi se sa i mrekullueshem mund te jete nje burre, ai kurre nuk do te fitoje besimin e bashkepuntorve ose te vartesve te te tij nese atij i mungon: Ndershmeria dhe kurajoja morale.” E vetmja gje qe kthehet prej varrit,duke ecur me vajtuesit dhe qe refuzon te varroset eshte karakteri i nje njeriu.”
    Morali eshte nje art, ai eshte nje nga mashtrimet me dinake dhe perfitues. Morali njerezor nuk eshte gje tjeter veçse nje fraksion i egoizmit.
    Mendja njerezore eshte e çuditshme: Ajo ka fuqi per te pare vetem ate qe korespondon me opinionin aktual dhe qe deshton per te pare gjithçka qe e kundershton ate, jo me ane te refuzimit (te ndergjegjshem, te arsyeshem), por me ane te paaftesise se çuditshme.
    Ju flisni per politikanet, por duhet te kujtoni qe politika perbehet nga principe dhe vlera, nga pasione dhe ndjenja, perbehet nga ide dhe nuk eshte vetem menaxhim.
    Sarkozy, pyetjes se bere ” Napoleoni apo De Gaulle ?”, ju pergjigj-“As njeri dhe as tjetri. Duke shkuar drejt detit, lumi i qendron besnik burimit.”
    Une mendoj se nuk duhet ti mohojme njeriut “Nevojen qe njeriu ka pasur gjithmon, te besoje dhe te shpresoje.”

Comments are closed.