Histori me shërbime sekrete

0
25

Analiza

Afrim Krasniqi

NGA: AFRIM KRASNIQI

Situate duket sa groteske e absurde aq edhe shqetësuese. Absurde, sepse disa deputetë të ardhur nga përvojat jo shume profesionale te avokatisë apo listat shumëpartiake të militantëve partiake, dalin dhe thurin lavde për draftin e ri ligjor duke mburrur standardet e mëdha ndërkombëtare, kurse vetë ndërkombëtarët, dalin po publikisht dhe thonë të kundërtën, se ligji I ri nuk plotëson standardet, madje minon pozitën shqiptare në raport me NATO dhe SHBA. Groteske sepse ndonëse vetë autorët e ndryshimeve ligjore, të formuar kulturalisht në periudhën famëkeqe të revolucionit kinez të viteve 60-70 tentojnë të bëjnë karshillëk duke iu përgjigjur SHBA, BE dhe NATO-s me fletërrufe të lexuara me pasion në selinë e partisë kryesore qeveritare apo te kuvendit.

Shqetësuese, sepse mesazhi që marrin institucionet dhe qytetarët është ai që nuk duhet: një vend me 93% mbështetje në integrimin euro atlantik, për shkak të një projekti politik të disa individëve, rrezikon miqësinë dhe sidomos besimin dhe partneritetin e qëndrueshëm të vetë institucioneve euroatlantike.
Debati nuk është teknik, është diplomatik dhe thellësisht politik e kushtetues. Gjermanët kanë në shprehje që vlen edhe në rastin tonë: «në detaje fshihet djalli». Bazuar në këto detaje, ndryshimet ligjore në ligjin për shërbimin sekret nuk prekin detaje të organizimit më të mirë të aktivitetit të tij, por vetë thelbin, integritetin, mandatin, pavarësinë, axhendën dhe besueshmërinë. Natyrisht që debati nuk mund të jetë teknik. Për shembull, nuk ka shumë rëndësi nëse drejtuesi i SHISH do të ketë mandat 5 apo 6 vjet, por rëndësi ka se çfarë do të përfaqësojë mandati i tij, cili institucion do ta drejtojë SHISH, një drejtor i pavarur apo një kryetar partie, një skuadër ekspertësh që veprojnë me bindje ndaj kushtetutës apo një ekip të deleguarish politikë, të cilët marrin planet e punës çdo javë.

Për një sërë motivesh debati aktual është politik dhe ka të bëjë me konceptet e organeve të sigurisë në një sistem demokratik, parimin e ndarjes së pushteteve dhe nivelin e qeverisjes në raport me standardet perëndimore. Historia e shërbimit sekret është e shkurtër, por flet shumë. Pas një periudhe të gjatë në diktaturë të përdorimit ekstrem të saj për qëllime politike dhe kriminale të partisë – shtet, në periudhën e tranzicionit modeli i SHISH pësoi ndryshime të thella. Në vitin 1991 ai u përdor politikisht kundër opozitës së djathtë, në vitet 1992-1996 u përdor qartësisht për interesa politike të pushtetit, të njëjtin mision kreu edhe gjatë viteve 1997-2001 dhe më 2002 për herë të parë u arrit të clirohet nga drejtimi politik duke kaluar në një formulë konsensuale drejtimi. Drejtori i SHISH i përket propozimit të qeverisë, zëvendësi i tij i përket propozimeve të opozitës. Më 2005 rotacioni i pushtetit solli forcim të komponentit balancues politik. Kryeministri i dha kompetenca të mëdha inspektorit të përgjithshëm të SHISH (emërim prej tij) dhe më pas emërimit edhe të drejtorit të personelit, gjithashtu propozim i qeverisë.

Më 2005 një përpjekje zyrtare për ndryshime ligjore për kalimin e SHISH në varësi të Ministrisë së Brendshme dështoi dhe një nga arsyet bazë ishte reagimi refuzues i Presidentit të Republikës dhe njëherësh i SHBA dhe BE. Pas 5 vjetësh jemi në të njëjtën pikë, vetëm se tani nuk kërkohet kalimi në Ministrinë e Brendshme, por kontrolli politik i axhendës dhe vendimmarrjes së tij profesionale. Edhe në këtë rast SHBA dhe BE janë kritike, madje shumë kritike, kurse Presidenti ende nuk është shprehur. Në dy rastet nismat janë të shpejta, jo transparente, nuk marrin në konsideratë vetë mendimet e institucionit që preket dhe manifestojnë shpërfillje arrogante ndaj ekspertizës ndërkombëtare.

Natyrisht që SHISH duhet të ketë rol aktiv në luftën ndaj korrupsionit, ndaj krimit të organizuar, ndaj terrorizimit, ndaj akteve kriminale që lidhen me sistemin tonë të sigurisë kombëtare. Argumenti se SHISH nuk ka potenciale e mjete për këtë mision, nuk është shumë serioz. Serioze është ndryshimi i balancës së emërimit, kontrollit, urdhërimit dhe drejtimit strategjik të SHISH. Në praktikat demokratike gjenden raste të rolit thelbësor presidencial, parlamentar apo ekzekutiv, por rastet kur një individ politik në ekzekutiv merr përgjegjësitë kryesore për monopolin e informacioneve sekrete, autorizimin e mbledhjes së informacioneve për shërbimet e tjera sekrete, për autorizimin e operacioneve të zakonshme dhe çdo aspekt tjetër të aktivitetit të këtij shërbimi, janë minimale.

Ligji i ri parashikon raportime javore tek titullari i qeverisë, duke eliminuar ushtrimin e të njëjtës të drejtë nga presidenti (kryetari i shtetit) apo institucioni i sovranit (parlamenti). Emërtesa nuk është me përgjegjësi e dy institucioneve kushtetuese balancuese por e vetëm njërit pushtet, atij politik. Ndryshimet e reja cenojnë edhe çështje të standardeve të sigurisë në raport me NATO dhe shtetet partnere, dhe në thelb, e shndërrojnë SHISH në një organ me probabilitet të madh përdorimi nga politika e ditës, qoftë përmes pushtetit individual, pushtetit ekzekutiv, policisë së shtetit apo institucioneve të tjera me udhëheqje politike. Mund të ndodhë që politika edhe me ligjin e ri të qëndrojë larg SHISH, por përvoja, rrethanat, praktikat aktuale dhe njohja e peshës që ka sistemi partiak mbi atë kushtetues nuk na lënë shpresë për një mundësi të tillë. Kjo është bindja që shtyn edhe vetë SHBA, ti cilësojë këto ndryshime «minim» të standardeve të NATO-s, një qëndrim i mjaftueshëm për të kuptuar «detajet» dhe thellësinë e pasojave të tyre.

Cila është zgjidhja? Në raste të tilla zgjidhjet janë të njohura. SHBA dhe NATO kërkojnë kohë dhe mundësi për të shprehur pikëpamjet e tyre mbi ligjin. Angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë e detyrojnë atë që për çdo ligj të bëjë ballafaqimin e tij me legjislacionin komunitar. Çështja është nëse mazhoranca do ta pranojë këtë hap normal e të kushtëzuar pa u investuar kundër këshillës perëndimore apo do të ndjekë parimin e faktit të kryer, me idenë që konsultimi të vijë pasi të ketë emëruar krerët e rinj të SHISH. Teorikisht ligji mund të kalojë, Presidenti ta dekretojë ose jo, çështja të kthehet në krizë në marrëdhëniet Shqipëri – NATO – SHBA dhe në një fazë tjetër, mazhoranca të tërhiqet për të gjetur një zgjidhje kompromisi. Siç ndodhi me ligjin e dosjeve, siç ndodhi më 2005 me nismën mbi ndryshimet në statutin e shërbimit sekret.

Praktikisht debati mund të prodhojë një linjë paralele të konfliktit politik, të ketë pasoja në raportet perëndimore të shtetit shqiptar dhe të sjellë një rritje të kritikave diplomatike ndaj Tiranës zyrtare. Mund të ketë politikanë që edhe në dështime arrijnë të fitojnë kapitale politike të brendshme «në emër të sovranitetit, kundër guvernatorëve të huaj», por në thelb, në dy rastet Shqipëria, shoqëria dhe shteti shqiptar nuk kanë ndonjë përfitim, vetëm humbje në kohë, në energji, në besim dhe imazh. Qoftë edhe për çmim të lartë për vendin, kjo nismë ligjore dhe gjithçka lidhet me të duhen rishikuar, duke i dhënë fund historive dhe mentaliteteve ballkanike me shërbime sekrete, të cilat tradicionalisht nisin me premtime të mëdha për mbrojtjen e atdheut dhe përfundojnë në eksperimente të dështuara në shërbim të projekteve personale të një ose një grupi individësh. Duket e ashpër por çdo ditë bindemi se është e vërtetë. Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen, kanë zgjedhur NATO-n, BE-në, SHBA-të dhe sistemin demokratik, tani është një nga ato raste kur edhe politika/politikanët duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre të radhës për të mos lejuar që kjo zgjedhje të njolloset nga sjellje të padenja për një demokraci parlamentare dhe shtet anëtar në NATO e kandidat potencial për në BE.

(GSH/BalkanWeb)