Hipokrizia politike e integrimit europian

0
30

Nga Alban SEJDINI

Mbi 90 përqind e banorëve të këtij vendi përgjigjen nëpër sondazhe, se dëshirojnë ta shikojnë Shqipërinë të integruar në Bashkimin Europian. Në këto shifra, që politikanët e vendeve anëtare të BE-së nuk i shikojnë as në ëndrrat e mëngjesit të së dielës, përfshihen shumica e nënshtetasve përveç atyre, që vërtet i njohin të drejtat dhe detyrimet e të qenit vend anëtar i BE-së. Këta mund të renditin plot argumente pro e kundër integrimit dhe në fund të mbajnë një qëndrim të justifikuar mbi bazë bindjesh, njohurish dhe informacioni. Ca më shumë e ca më pak ia kanë haberin edhe politikanët e këtij vendi, të cilët, ndryshe nga ç’thonë për arsye elektorale, duket se nuk e kanë fort me qejf integrimin, ndoshta sepse nuk u leverdis ta bëjnë “Shqipërinë si gjithë Europa”. Kjo specie politikanësh është zhdukur njëlloj si dinosaurët dhe vajzat e virgjëra në shumicën e vendeve anëtare të BE-së, prandaj këta tanët nuk duan të bëhen gjithashtu për rrahmet.

Po të pyesësh ndonjë prej banorëve të zonave të izoluara nga akullnajat e këtij dimri apo nga përmbytjet e dimrave të kaluar, me siguri që di se Shqipëria duhet të integrohet në Bashkimin Europian dhe nuk di çfarë shijeje ka mishi i gatuar me vaj tartufi, që i pëlqen aq shumë çiftit Bumçi-Zhulali. Këta njerëz pa dhëmbë në gojë, që jetojnë në varfëri nga ato të pasluftës dhe që nuk i shijojnë asgjë jetës, dinë që remitancat vijnë nga vendet e Europës dhe që të huajt e Tiranës flasin bukur në televizor. Në këto kushte e kanë normale të shprehen në favor të integrimit në BE shumica e këtyre personave, të cilët gjenden po kaq me shumicë në atdheun tonë.

Ndryshe e argumentojnë qëndrimin e tyre ata pak shqiptarë, që kanë më tepër informacion apo që kanë studiuar pak apo shumë për Bashkimin Europian. Këta janë të vetëdijshëm se BE-ja nuk është vetëm mbështetje financiare për pabarazinë sociale apo punësim jashtë, por edhe marrje e një sërë direktivash fillimisht nga Brukseli dhe vetëm pastaj nga liderri, si edhe integrim total i tregut të brendshëm në atë europian. Sepse anëtarësimi në BE nënkupton cedim të një pjese të konsiderueshme të sovranitetit kombëtar në favor të atij mbikombëtar me qendër në kryeqytetin e Belgjikës.

Sepse lëvizja e lirë e punëtorëve në vendet anëtare është një proces tjetër po aq i gjatë, ngaqë ajo do të mund të përfitohet të paktën shtatë vite pasi të bëhesh anëtar me të drejta të plota. Po të llogariten këtu edhe vitet që duhen për t’u anëtarësuar plotësisht, një tjetër brez shqiptarësh do ta ketë kaluar lumin Stiks me ndihmën e varkëtarit Kharon. Sepse përballë konkurrencës së standardeve europiane, prodhimet shqiptare, si për shembull ato të bëra me napë në kushte katoqesh apo ato që ndonjëherë kanë edhe përbërje mishi, do të detyrohet të përshtaten me standardet e larta ose të shpallin falimentin. E vërteta është se standardet e cilësisë dhe sigurisë ushqimore në Shqipëri janë po aq larg atyre të shumicës së anëtareve të BE-së sa edhe kopjacët e Enverit nga realiteti i varfër popullor. Megjithatë është e ligjshme që secili të krijojë mendimin e tij për integrimin në BE, gjithmonë nëse mbështetet mbi argumenta, njohuri dhe informacion.

Politikanët pluralistë janë kategoria më e veçantë e këtij populli. Në këto dy dekada nuk mbahet mend ndonjë përfaqësues i kësaj shtrese, që të ketë paraqitur standarde europiane. Shembulli më tipik është vetë kriza financiare globale. Në shumicën e vendeve të BE-së, qeveritarët pranuan se ekonomia ishte në krizë, por se po punohej ditë e natë për të dalë nga kriza. Në Shqipëri i ranë më shkurt se Aleksandri i Madh në rastin e nyjes gordiane. Për nja dy-tre vite pas rënies së bankës së vëllezërve Lehman, ata që fituan zgjedhjet e 2009 parrullosnin se nuk qemë prekur nga kriza. Vetëm së fundmi, kur edhe në kryeqendra të dy gishtave lart si Kruja pëdëistët fanatikë po ulërijnë nga skamja, qeveritarët po flasin se jemi prekur pak, lehtshëm apo tërthorazi nga efektet e saj dhe jo nga vetë zonja krizë. Nëse këtë lojë fjalësh me qëllime mashtruese do ta bënte një politikan në ato vendet e BE-së, fillimisht do të reagonte shtypi, më pas sondazhet dhe në fund populli: gjithçka, përfshirë edhe dorëheqjen e mundshme, do të ndodhte brenda disa ditësh, se katërminutëshi me rehabilitim pas zgjedhjeve është standard unik i këtyre tanëve.

Kjo specie, që është sot apo që ishte dje në qeveri, nuk mund të ketë interes për ta integruar vendin në Bashkimin Europian. Jo se nuk i duan fondet financiare të BE-së për zonat e varfëra, sepse këto janë një mundësi e mirë për zgrrapje njëlloj si ndihmat për të përmbyturit e Shkodrës. Jo se u prishet gjumi natën për prodhuesit e shkretë, që do të falimentojnë nga konkurrenca më e fortë e mallrave europiane. Thjesht nuk duan që veprimet e tyre ligjore dhe sidomos anti-ligjore të vihen nën kontrollin e rreptë të institucioneve europiane. Këto të fundit nuk bëjnë asnjë tolerim kur bëhet fjalë për shkelje të traktateve themeluese të BE-së, prandaj do të demaskoheshin mashtrimet e shifrave (siç i ndodhi Greqisë) dhe nuk do të lejohej aprovimi i ligjeve në thelb kundër dinjitetit qytetar e profesional. Përveç këtyre, integrimi i Shqipërisë në BE do t’i shërbente shqiptarëve për të hapur edhe më tepër sytë, për të kuptuar më shumë se çfarë është demokracia, shteti ligjor dhe sidomos politika e bërë ashtu si duhet.

Ata do të punonin më shumë, do të arsimoheshin më mirë dhe në fund do të ktheheshin në shumicë të qytetëruar e me vetëdije qytetetare. E gjendur përballë një shumice, që di ta bëjë diferencën midis mallit cilësor dhe atij të skaduar, kjo specie politike do të shkonte dalëngadalë drejt zhdukjes përfundimtare, për të mbetur në librat e historisë si shembulli i asaj që nuk duhet bërë, i atyre që nuk duhen zgjedhur dhe i asaj që duhet ndëshkuar jo thjesht me votë. Kjo specie do të arrijë kështu t’i bëjë të paktën një shërbim këtij kombi: pas një milion vitesh, pasardhësit tanë do t’u gjejnë fosilet e ngurtësuara në turp e harresë dhe do t’i studiojnë nëpër laboratore, që të kuptojnë si, qysh, tek.