Hipokrizia me “konfliktualitetin”

0
36

Nga Mero Baze, 14 Tetor 2011

Referimi tek “konfliktualiteti” i klasës politike shqiptare po bëhet një refren i neveritshëm. Sa herë dështon Shqipëria, sa herë ne nuk arrijmë të plotësojmë dot detyrimet për të qenë një vend me statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Evropian, apo sa herë në vend rritet tensioni politik, gjithmonë shfaqet receta e neveritshme e “konfliktualitetit” që formulohet jo vetëm nga diplomatë të huaj, por dhe shqiptarët.

Kjo situatë nuk është vetëm tani, por ka qenë po kaq e pështirë dhe kur dualiteti në vend ka qenë mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës.

Së pari, nga pikëpamja politike, termi konfliktualitet nuk mund të konsiderohet i dëmshëm në një demokraci të shëndoshë. Debati politik, bile dhe tonet e ngritura, nuk i bëjnë aspak keq demokracisë, nëse ajo funksionon dhe impakti i opinionit publik reflektohet në zgjedhje të lira.

Problemi që ka Shqipëria nuk është konfliktualiteti politik, por mos respektimi i rregullave të lojës, të cilat do të vazhdojnë të prodhojnë gjithë jetën konflikt.

Le t’i hedhim një sy historisë të të ashtuquajturit konfliktualitet “Berisha- Rama”. Konflikti i tyre i parë ka pasur të bëjë me përpjekjen e Berishës për të diktuar autoritetin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke anuluar dhe prishur një vepër publike siç ishte mbikalimi tek Zogu i Zi. Në themel të konfliktit ishte një interes privat i Familjes Berisha për një pronë që ia ulte vlerën mbikalimi, por në opinion publik u paraqit si një përpjekje e Berishës për të diktuar pushtetin lokal të Ramës. Konflikti shkoi nga rruga në Gjykatë Kushtetuese dhe ajo i dha të drejtë Edi Ramës. Por pasojat mbetën. Askush nuk kërkoi që Berisha të paguante për këtë që bëri për interes të shoferit të djalit të vet.

Konflikti i dytë i madh politik mes tyre kanë qenë zgjedhjet lokale të vitit 2006, të cilat u shtynë për vitin 2007 nën dyshimet e Edi Ramës se Berisha nuk po jepte garanci për standarde zgjedhjesh të lira. Berisha pranoi të ulej në bisedime pasi konsumoi në krah të tij dhe Fatos Nanon, dhe i humbi thellë zgjedhjet në Tiranë.

Konflikti i tretë i rëndësishëm i tyre ka të bëjë me zgjedhjet e vitit 2009, ku pas një krize më shumë se një vjeçare, Berisha nuk pranoi as të hapte kutitë dhe as materialet zgjedhore të atij procesi të manipuluar. Falë koalicionit me LSI, Berisha arriti të bëjë numrat për të qeverisur dhe diktoi gjithë shmangien e procesit të transparencës së zgjedhjeve. Askush nuk këmbënguli që Berisha duhet të paguante për këtë poshtërim publik të opozitës dhe dhunim të parimit të transparencës së zgjedhjeve.

Zemërimi popullor u rrit ndaj qeverisjes së pushtetit të Familjes dhe më 21 Janar mijëra njerëz dolën në rrugë të zemëruar dhe thuajse jashtë kontrollit të opozitës. Ata u përplasën dhunshëm me policinë, e cila i shpërndau lehtësisht, dhe pikërisht kur demonstrata po përfundonte, dy njerëz burracakë të fshehur pas xhamave të blinduar të kryeministrisë, Sali Berisha dhe Lulëzim Basha dhanë urdhër të qëllohej për të vrarë. Katër vetë mbetën të vdekur dhe dhjetëra të tjerë i ruajti Zoti dhe vetëm i plagosën. Dhjetë fëmijë kanë mbetur jetimë nga urdhri mizor i Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës.

Ata janë të vetmit jetimë në botë që kanë parë me sytë i tyre si ua kanë vrarë prindërit. Ndryshe nga jetimët që s’dinë ku e kanë nënën apo babanë, ata jetimë jo vetëm dinë si u janë vrarë prindërit, por dhe kush ua ka vrarë. Jam i sigurt se silueta e hijes së dy burracakëve pas xhamit të blinduar nuk ka për t’i ikur kurrë nga mendja secilit prej atyre fëmijëve dhe kur të bëhen burra derisa të ndahen nga kjo jetë. Unë nuk di ndonjë arsye tjetër më të madhe se kaq për të qenë në konflikt pala e vrarë me vrasësin.

Pas këtij krimi të shëmtuar dhe të pashembullt në asnjë vend të Evropës Lindore dhe Perëndimore pas vitit 1990, Sali Berisha jo vetëm nuk u ndëshkua, por dhunoi hapur kryeprokuroren e Përgjithshme duke e kthyer në letër higjienike urdhrin e arrestit për gjashtë gardistë të akuzuar si të dyshuar për vrasës. Ai po ashtu nuk ngurroi ta quajë kryeprokuroren lavire, Presidentin horr, kryetarin e SHISH-it puçist dhe gazetarët pjesë të pucit. Të gjithë, sidomos disa diplomatë perëndimorë, harruan standardin e demokracisë, harruan viktimat dhe u përqendruan tek kujdesi për të qetësuar vrasësin. Të gjithë kishin hall si të qetësonin Sali Berishën se mos çmendej akoma më shumë. Të vrarët në një demonstratë në demokraci u tentua të harrohen dhe filloi të njëvleftësohej ankesa e të vrarit me ulërimat e vrasësit duke u quajtur konfliktualitet.

Nën këtë klimë të pështirë amorale që barazonte viktimën me xhelatin, u shkua në zgjedhjet e 8 Majit, të cilat u fituan në gjithë qytetet e Shqipërisë në mënyrë plebishitare nga opozita. Sali Berisha futi duart në zonat e errëta të vendit, në fshatrat e braktisura dhe të pashpresa, duke blerë dhe manipuluar rezultatin e duke kthyer Aleancën për Qytetarin në një fitore në zonat fshatare të Shqipërisë, në mënyrë të pamerituar. Në Tiranë, me gjithë industrinë e manipulimit të votave, Edi Rama u shpall fitues me dhjetë vota para. Pa asnjë mëshirë dhe turp, Berisha përmbysi rezultatin me një Kolegj Zgjedhor të ndëshkuar ndërkombëtarisht nga raporti i ODIHR.

Përsëri asnjë pasojë. Përsëri filloi të relativizohet e keqja dhe të legalizohet vjedhja. Njeriu që kish vrarë katër muaj më parë, tashmë filloi të buzëqeshë nga zyra e vjedhur në qendër të Tiranës dhe të organizojë aktivitete servile me qëllim të përfshinte diplomatët e huaj në fotografi në krah të tij. Disa i thirri në zyrë e të tjerë i begenisi duke u organizuar festa në bulevard dhe i mori ato fotografi. I mori, por konflikti mbeti. Vjedhja mbeti. Të vrarët mbetën. Jetimet janë po aty.

Dhe tash kur kthen kokën pas për të parë përse ka “konfliktualitet” mes Berishës dhe Ramës, shikojmë se ka vetëm për vota të vjedhura, për pasuri publike të shpërdoruara, për interesa të Familjes Berisha dhe për të pushkatuar politik në mes të bulevardit. Për histori të tilla “ky që quhet konfliktualitet” në Shqipëri është një luks. Për të pushkatuar politik dhe zgjedhje të lira, njerëzit kanë përmbysur vendin. Është pikërisht ky relativizim që i bëhet shkaqeve të konfliktualetit, që bën që ne të kemi faktorë të dobët opozitarë në vend dhe të përpiqemi të mbysim opozitën zyrtare në një lugë ujë.

Shqipërinë e ka penalizuar pikërisht mungesa e një opozite të fortë, mungesa e një infrastrukture opozitare që duhet të mbyste revanshin anti-perëndimor të Sali Berishës. Dhe kjo s’ka të bëjë me opozitën zyrtare. Ajo është viktimë e këtij procesi. Ajo është vjedhur dhe vrarë dhe shumica e atyre që flasin për demokraci dhe Evropë Perëndimore e kanë lënë në baltë. Nëse media, shoqëria shqiptare dhe diplomatët do të ishin në një zë se Sali Berishës nuk do t’i falej vjedhja e votës, nuk do diskutonim sot për konfliktualitet. Nëse të gjithë do ishim dakord se Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës nuk do t’i falej gjaku i katër të vrarëve për arsye politike, sot nuk do flisnim për konfliktualitet.

Nëse do binim dakord se Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës nuk do t’i falej përmbysja e rezultatit në tavolinë, kapja e shtetit dhe drejtësisë dhe përpjekja për të eliminuar opozitën, sot nuk do flisnim për konfliktualitet. Konfliktualiteti ka kuptim në një shoqëri ku dy palët janë bashkëfajtore dhe bashkëpërgjegjëse dhe krijojnë konflikt artificial për të tërhequr vëmendjen nga përgjegjësia. Këtu një palë është hajdute dhe tjetra e vjedhur, një palë është vrasëse dhe tjetra e vrarë dhe askush nuk mund të barazojë brohorimat e atyre që u gëzohen vrasjeve dhe vjedhjeve me rënkimet dhe dhimbjen e të vjedhurve dhe të vrarëve.

Ky vend do të shkojë drejt Perëndimit kur ta meritojë dhe do ta meritojë kur t’ia bëjë të padurueshëm jo vetëm qëndrimin në pushtet, por dhe qëndrimin në liri Sali Berishës, Lulëzim Bashës dhe gjithë atyre që kanë vjedhur për të qeverisur dhe kanë vrarë për të mbajtur me dhunë pushtetin. Asgjë me perëndimore se konflikti me këtë specie nuk ka për Shqipërinë dhe asgjë më anti-perëndimore se barazimi i viktimës me xhelatin nuk ka në këtë histori.