Mero Baze, 18.03.2011
Dje kish dy debate në mbrëmje, dhe në të dy debatet diskutohej pak a shumë për profilin e lartë politik të Edi Ramës që po rikandidon për Bashkinë e Tiranës. Kritikët e tij, ku siç është bërë zakon shpiken me shumicë në këto debate, thonë se Rama meriton më shumë se sa kryetar bashkie dhe nuk duhet të kandidojë, pasi kjo është një garë për qytetin. Për Lulëzim Bashën nuk thuhej gati asnjë fjalë, sikur nuk ekzistonte.
I gjithë ky debat mbart në vetvete një hipokrizi të madhe për qytetin.Është hipokrizi t’i thuash Tiranës se kryebashkiaku që ke votuar tri herë, herën e katërt nuk do të mendojë për ty, por për politikën. Por më hipokrizi është që të nxjerrësh në garë një ministër mbi të cilin rëndojnë katër vrasje politike dhe që po përpiqet të përdorë këtë proces elektoral për të bërë fakt të kryer mungesën e përgjegjësisë së tij mbi krimin politik në bulevard.
Pra, kritikët e kandidimit të Ramës e quajnë mëkat kandidimin e tij pasi sipas tyre është figurë e lartë politike, ndërsa kandidimin e Lulëzim Bashës që përveçse është profil tërësisht politik, po kandidon për tu garantuar politikisht, nuk e zënë në gojë.
Çfarë garancish ka një Tiranë me Lulëzim Bashën që nuk e ka me Edi Ramën për tu qeverisur më mirë? Ende pa filluar fushata elektorale ai po merret me shpërnguljen e votuesve nga Bathorja në Tiranë me shpresë t’i ngushtohet diferenca.
Ende pa nisur fushata ai po merret me banda të Ku Klus Klanit që po djegin shtëpi romësh për të hapur tokë për ndërtimet e tyre, në shkëmbim të mbështetjes që do t’i japin si kandidat. Ende pa filluar fushata ai po përdor policinë për të frikësuar militantët e opozitës nëpër lagje të Tiranës që të bëjnë kujdes më 8 maj.
Pra, ende pa filluar fushata ne kemi një kandidat që po mendon vetëm politikisht për Tiranën, për të përmbysur apo për të ngushtuar sa më shumë diferencën me rivalin përmes ndryshimit të gjeografisë politike të kryeqytetit, përmes sjelljes së shtetasve të Kosovës që kanë shtetësi shqiptare për të votuar, përmes regjistrimit të banorëve të Bathores në Laprakë, Don Bosko apo Shkollë e Bashkaur dhe për të frikësuar militantët e opozitës. Kur këta kritikë kanë shqetësim real për qytetin, përse nuk lobojnë për ndonjë profil teknik nga shumica?
Gjergj Bojaxhiun e përdorin për të prerë tela dhe për të shembur shtëpi duke e lavdëruar si teknicien, por kur vjen puna për “qytetin” përdorin një figurinë politike, që mendon se kryeqyteti do t’i falë katër të vdekur për t’i shpëtuar lëkurën.
Unë jam dakord që Edi Rama është një figurë me profil të lartë politik dhe do të jetë shumë shpejt kryeministër i vendit, por rrethanat e jashtëzakonshme politike që prodhoi manipulimi i zgjedhjeve të shkuara dhe klima e rëndë që po i krijohet lirisë në këtë vend, kërkon doemos betejë politike për të ndëshkuar politikisht Berishën dhe për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja.
Berisha jo vetëm që e ka konsideruar këtë fushatë një betejë politike, por ka përzgjedhur jo pak, por tri figura të rëndësishme politike për tri qytete, në Vlorë, Durrës dhe Tiranë. Nuk besoj se Kollozi në Vlorë, Xhaferi në Durrës apo Basha në Tiranë, po lënë qeverinë dhe parlamentin se u dhimbset qyteti, por po i lënë ato për të bërë betejë politike.
Në këto rrethana e vetmja gjë pa lidhje është të debatosh për rrezikun e betejës politike nga opozita në zgjedhjet vendore. Betejën politike e bëri Berisha, jo vetëm me krizën politike dyvjeçare, por dhe me përpjekjen për t’i përdorur zgjedhjet si një shans për eliminimin historik të opozitës.
Tani unë e kuptoj që Bashës i ka ikur zëri dhe figura nga kandidati përballë tij, por beteja politike i ka këto risqe. I vetmi argument që është në favor të kritikëve të betejës politike mbetet fakti që Basha është kandidaturë e dobët për shkak të problemit që ka me vrasjet në Tiranë dhe historinë e mungesës së personalitetit politik që ka rrezatuar deri më sot, si një politikan i dalë nga fustani i familjes Berisha.
Shumë militantë të PD-së po ashtu njohin dhe anën e tij të errët, betejën e fëlliqur që Basha ka bërë në vitin 2007 kundër një kandidature po politike në Bashkinë e Tiranës, Sokol Olldashi, me shpresë se do ta eliminonte politikisht.
Është emblematike se si në zonën ku Basha ishte deputet, PD fitoi minibashkinë dhe votat e partisë dhe humbi thellë vetëm votat për Olldashin. Mungesa e personalitetit që ai rrezaton, kulisat që ai mendon se janë të rëndësishme për karrierë, servilizmi që ai mendon se është rruga e sigurt për të ecur, janë tipare të cilat atij ja njeh PD dhe për këtë ja bën ajo gjyqin. Tirana e njeh atë si një ushtar politik të Berishës, dhe nuk është faji i opozitës që Berisha zgjedh edhe betejë politike, edhe me një ushtar të vdekur.
Ky qytet ndoshta meritonte një betejë me figura të reja teknicienësh apo administratorësh, por ky është një luks që e prodhon një politikë normale dhe jo një krizë politike si kjo që ne kemi nëpër këmbë.
Ja qaj hallin Lulëzim Bashës që do mbetet rrugëve pas 8 Majit, por nuk është për t’i qarë hallin Tiranës që ka shansin të shpëtoj këtë radhe prej betejës politike për të mos rënë në duart e çakejve të pushtetit që po presin të zënë dhe cepat bosh të barakave të romëve për të vazhduar zaptimin e kryeqytetit. Ata që derdhin lot krokodili për Tiranën, është mirë t’i ruajnë për Bashën. Ai është në ditë të këqija, por jo më të këqijat e tij. Ato pas kësaj do të vijnë.
Diferenca ndermjet nje gjeniu dhe nje te marri eshte se gjeniu ka limite.
Gazetare te pakorruptuar ekzistojne, por kushtojne me shume.
Comments are closed.