Himara zgjedh vetë

0
89


Aleksandër Çipa, 10.05.2011

Himara zgjodhi në datën 8 maj 2011, më parë se gjithë qytetet e Shqipërisë, kryebashkiakun e saj të ri. Një zgjedhje që të le shijen e së ndryshmes, ose më saktë, e rikthimit në të drejtën e komunitetit për të nxjerrë me votë shumice, atë qeverisës që do. Kjo zgjedhje është e zakonshme, por i zgjedhuri është shumë i rëndësishëm për atë që do të përfaqësojë në raportet mes administratës lokale të krahinës dhe asaj qendrore në Tiranë. Në raport me zhurmën që gjeneronte paraardhësi, kryebashkiaku i ri i Himarës, ka favorin për ta nisur nga kontrasti. Kjo është puna e parë dalluese e zotit Goro, si një prurje e re prej vetëzgjedhjes së himarjotëve. Sjellja e pritshme e tij, si një i zgjedhur që e konsideron të shenjtë unitetin me ligjin dhe tërësinë tjetër administrative të vendit, e bashkëshoqëruar me një vokal të plotë kërkues dhe mbështetës ndaj shtetit, do të shndërrohet pashmangshmërisht, në një ndihmesë prosperuese për shtatë fshatrat dhe qytezën. Përmes kësaj prurjeje vetëzgjedhëse, Himara po fiton kapitullin e ri të daljes nga fatkeqësia e “kazusit politiko-etnik” që promovoi dhe mbajti në fuqi kryebashkiaku i rizgjedhur dhe i rrëzuar së fundi.

Paraardhësi me mandat të dubluar i zotit Goro, mbetet individi politik më provokator që ka pasur historia e kësaj krahine në raportet brenda për brenda fshatrave të kësaj krahine, si dhe në ato shqiptaro-greke. Ai u shfaq dhe u soll, si një uzurpator provincial i mandatit të qeverisjes vendore, u armatos me një malinjitet dritëshkurtër të rekrutit politiko-etnik dhe dha provat e një keqbërësi me kohë të pallogaritshme, për aktualitetin dhe të ardhmen disavjeçare të Himarës. Përmes largimit dhe zgjedhjes së pasardhësit me votë të pakontestuar, banorët e kësaj zone, në shumicë në emigracion, kanë konfirmuar dëshirën për të pasur një kapitull të ri me qeverisës dhe qeverisje të re vendore. Prej këtij fakti, e kësaj ndërgjegjeje të shpallur, e ka saponisur marrëdhënien e vet të komunikimit me publikun dhe votuesit e tij, zoti Goro. “Himara me një administrator dhe, jo me një politikan që prodhon vetëm politikë”. Në këtë mënyrë e ka përcaktuar drejt Goro misionin e tij dhe thelbin e asaj që nevojitet për të justifikuar mandatin e sapobesuar të qeverisësit lokal në këtë krahinë me histori të adhuruar dhe të përfolur ballkanase dhe europiane.

Kjo është një përmbajtje e cila parathotë, mandat kohor të ri qeverisjeje, për banorët e krahinës më të përfolur shqiptare të 20 viteve të fundit.

Shumëkush ndan mendimin se është krahina më e përdorur politikisht në relacionet mes dy shteteve, përkatësisht Shqipërisë dhe Greqisë si dhe konjukturave që gjenerojnë tri parti politike në këtë vend. Marrëdhënia e saj me zhurmën promovuese të individit që shkoi, përbën rastin më tipologjik të shoqërive dhe sidomos komuniteteve periferike ballkanase në të tillë tranzicion. Kohëvonesa që jep roli i individëve si “modeli” Bollano, për krahinën dhe, sidomos komunitetin njerëzor të saj, do të jetë së afërmi, bilanci i parë pendestar me peshë dhe vlerë të konsiderueshme negacioni dhe vetëpësimi, për ndërgjegjen dhe drejtzgjedhjet e ardhme të këtij komuniteti autentik.

Himara pas zgjedhjeve të 8 majit, jep shenjën se ka dalë përfundimisht nga koha e një prove të keqe përdorimi. Pësimi prej këtij përdorimi, është më i thellë nga sa shfaqet. Për shkak të tij koha e ardhme rezervon një rrjedhë të re, qëndrim të ri dhe sidomos, perspektivë të re integruese. Kryebashkiaku i ri i Himarës, pas kësaj historie të gjatë sajimesh dhe përdorimesh, ka nevojë të mbështetet dhe të dijësohet për misionin dhe modelin e ri të qeverisjes që aspiron të sendërtojë. Ngjyra partiake e tij nuk është arsye penguese për asgjë. Detyrimi i administratës publike qendrore për zhvillimin dhe ruajtjen e vlerave të Himarës është imediat dhe këtë ajo duhet ta investojë së pari si mbështetje pa kompleks. Kësaj vetëzgjedhjeje në Himarë, i duhen përgjigjur me ndërgjegjshmëri dhe respekt të dyja forcat kryesore politike të vendit,PD-ja si qeveri dhe PS-ja si opozitë fituese. Ky ndryshim le të shërbejë si recetë e vetme për mosrikthim në kazuset elektorale të tipit “Bollano”, të cilat mavijosen si “hall” kombëtar.

Në këtë vis të republikës sonë, ekziston dhe vetëvepron ndërgjegjja reale kombëtare dhe qytetare e banorëve. Në këtë krahinë vlera e konkurrimit pluralist është rikonfirmuar pas një periudhe të gjatë pengmbajtjeje dhe bllokimi për arsye të korrupsionit politiko-etnik. Matanë ardhjes së kryebashkiakut të ri Goro në Himarë, le të shohin edhe zoti Rama dhe zoti Berisha, se selitë e tyre partiake dhe degët e tyre në këtë zonë, vlejnë jo si zyra të vobekta, por si prezencë reale e shtetit unik dhe e institucioneve që mundësojnë vitalizimin e vlerave dhe qeverisjes lokale në tërësi. Në këtë mënyrë, Himara nuk do të gjenerojë më politikë për zhurmë dhe shqetësim kombëtar, por do të zgjedhë qeverisës për vete.