Mimoza Dervishi
Kam kaq kohë që dua të filloj një cikël shkrimesh me temë “Shqipëria si e lashë, e si e gjeta” dhe dua të falënderoj Henri Çilin që më dha ngacmimin e duhur me “Himara si m’u duk” botuar në gazetën “Mapo”. Kam kaq kohë që dua të nxjerr jashtë vetes atë që pashë dhe përjetova në Shqipërinë e vitit 2010, pasi e kisha lënë këtë vend në prag të mileniumit të ri, në një ditë me re të fillimdhjetorit 1999.
Kam provuar një lloj bllokimi të trishtë, që nuk e di nga se ka ardhur, ndoshta nga befasia për atë që prisja e atë që gjeta, në vendin që më kishte dalë nëpër ëndrra po që nuk e prekja dot, në vendin që e quaja shtëpia ime, ku kisha mundësi të flisja, qeshja dhe qaja gjuhën time, në vendin ku prehen eshtrat e tim eti, ku rrojnë e gëzojnë ata që i quaj miq, në vendin ku e kaluara mund të duket aq e afërt sa e ardhmja dhe ku buka është më ëmbël se mjalta.
Bllokimi më ka ardhur dhe nga një lloj droje patriotike për të mos thënë një fjalë të keqe për gjithë këtë përshkrim dashurie të mësipërm. Por unë jam shqiptare dhe s’ka nevojë të provoj patriotizmin duke heshtur, përveçse mendoj që patriotizmi provohet krejt ndryshe. Po e filloj me jugun, meqë ne gjithmonë jemi krenuar për atë mrekulli, ku Zoti dhe natyra janë treguar shpirtmirë me ne, por edhe sepse për shkaqe gjenetike, jugu është shumë afër zemrës sime.
Pasi pashë e përjetova Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Fierin e me radhë, në momentin që i hyra jugut, me dëshirën e qershisë mbi tortë, (paçka se torta ishte e prishur) nuk mund ta mohoj që rruga e shtruar përzier me erën e çajit të malit, më dhanë emocionet e para, se këtu edhe mund të vihet. Me, sigurisht pritshmërinë e madhe se perla mbetet një perlë dhe se katrahura betonuese që ka kapur për fyti Shqipërinë do ta kishte falur këtë mrekulli.
Le ta themi që në fillim, se ngaqë Shqipëria është një vend i dëshiruar për rrugë të mira, kur tek-tuk gjen të tilla, aty duket sikur mbaron dhe pritshmëria e shqiptarëve. Në fakt e bukura është dhe duhet të jetë komplekse dhe personalisht nuk e shoh zhvillimin te betoni, e sidomos në ato vende ku s’ka ç’të duhet betoni. Nëse do kisha jetuar 10 vitet e fundit në një vend pak ose aspak të zhvilluar, edhe mund ta vetëvija në dyshim idenë time për zhvillimin.
Por jeta më ka sjellë në një nga zonat më të mrekullueshme të Uashingtonit, që sa herë e lë, për një kohë të gjatë apo qoftë dhe për gjysmë dite, kur kthehem befasohem njësoj si herën e parë me hijeshinë dhe bukurinë e saj. Por këtu nuk kam ndërmend të flas për Amerikën, për bukurinë dhe hijeshinë e të cilës unë nuk kam shumë gisht, sepse e gjeta të tillë. Por dua të flas për Shqipërinë e 2010-s, që nuk ma kishte marrë mendja kurrë, që pasi ta shihja dhe jetoja, do thërrisja kushedi sa herë me mendje, se është më keq se ka qenë.
Për t’iu kthyer konkluzionit ku arrin miku im Henri: po Himara mund të preket më lehtë se dikur dhe rruga nuk është aq e mundimshme. Por përtej rrugës, kur flitet për infrastrukturën, këtu ndahemi dhe ndahemi “keq”. Ato që kishin mbetur në kujtesën time, ai bregdet mahnitës gati i virgjër, rrethuar me lule dhe fusha të gjelbëruara, kanë mbetur tashmë në kujtesën e të gjithëve. Unë gjeta në Himarë betonizim, plehra, buldozerë në përpjekje të betonizimeve të reja dhe kanale me ujëra të ndotur, që ta rrudhnin fytyrën që pa gdhirë dita, qysh në atë moment kur t’i doje të shijoje lindjen e diellit buzë detit…
Edhe aty ku dikush ca vite më parë kish ngritur një hotel më qëllimin primar të hoteleve bregdetare, afër dhe me pamje nga deti, para se të shihje detin, të duhej të shihje hotelin përballë i sapongritur apo në ngritje e sipër, me pirgje dheu e betoni para dhe gjithë ç’sjell një ndërtim alla shqiptar: mjafton ç’ka brenda pragu i derës, po se ku shkel kur kalon pragun, kjo nuk është puna e të zotit të shtëpisë (hotelit).
Të linin pa mend ca tubacione plastike që gjarpëronin gjithandej e që siç më thanë më vonë, ishin bërë nga pronarët e lokaleve dhe hoteleve për të sjellë ujin e pijshëm. Po të shtojmë dhe kaosin e parkimit të makinave, të cilat në shumë raste në Dhërmi të linin të bllokuar në një vend, deri sa dikush të mbaronte plazhin dhe drekën që të lironte rrugën, infrastruktura merr një pamje krejt tjetër nga ajo që paraqitet në shkrimin e Çilit. Ka shumë detaje të vogla e të mëdha, që jam e sigurt se kush bëri apo ka bërë pushime asaj ane, i ka parë e provuar dhe të cilat mua personalisht më krijuan një zhgënjim e trishtim për të ardhmen e kësaj perle shqiptare.
E mbështes fort iniciativën private si kryesorja që sjell zhvillim dhe e dua zvogëlimin e rolit të shtetit, që do të nxiste më shumë këto lloj iniciativash. Por shteti ka detyrat e tij për të bërë në çdo vend kapitalist dhe garantimi i infrastrukturës, roli rregullues dhe kontrollues i tij, janë A-ja e madhe e detyrave të tij. Shteti shqiptar jo vetëm nuk i ka kryer këto funksione, por duket që korrupsioni shtetëror i ka dhënë një dorë të fortë shpërfytyrimit të kësaj zone, si çdo pjese tjetër të Shqipërisë. Bregdeti në kushtet që është dhe në rrugën që po shkon, duket si një han pa zot, ku secili mund të zhvillojë fantazinë e tij, sado e shëmtuar të jetë, pa i hyrë gjemb në këmbë, me pretekstin se është në pronën e tij. Në fakt, pasuritë natyrore i përkasin çdo shqiptari dhe të gjithë kemi përgjegjësinë t’i ruajmë nga huliganizmi.
Shteti shqiptar si administrator i këtij vendi, jo vetëm s’ka bërë punën e tij, por ka qenë promotori i këtij zhvillimi të mbrapshtë. Mendoj që do t’i bënim një shërbim më të mirë publikut, po t’i themi me zë të lartë këto gjëra, me shpresën se kjo do zgjonte sadopak ndërgjegjen kombëtare në mbrojtje të kësaj pasurie, se sa të përkëdhelim qeverinë e Berishës për rrugën e shtruar që na çon më shpejt atje. Këto zona kanë nevojë për një shtet me vizion të qartë zhvillimi dhe jo për çeta hajdutësh të lëshuar kush të kapë më parë një copë nga kjo pasuri, pa e vrarë mendjen se çfarë dëmesh kolosale po i krijojnë turizmit shqiptar dhe ekonomisë së këtij vendi.
Kryeministri para se të lajmërojë statistikat marramendëse të numrit të pushuesve që po vizitojnë Shqipërinë, duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për kaosin ku e ka futur turizmin, për bregdetin e zbrazur nga varkat turistike që nuk po e shohin dot ujin dhe për jahtet luksoze që me sa duket ligji i Berishës nuk i ndalon dot. Duhet të kërkoj falje për të gjithë ata që u helmuan në restorantet me ushqim të pakontrolluar të bregdetit dhe për gjithë ata pushues që morën viruse infektive në detin tonë të ndotur nga ujërat e zeza.
Me keqardhje e them, por Himara dhe jugu nuk u kanë shpëtuar dot gjithë dukurive të këtij dhjetëvjeçari: beton, plehra, llaç, baltë dhe ujëra me erë. E sidomos një mentaliteti të keq në ndërtim. Këtu nuk e kam fjalën vetëm te shija, te ruajtja e së vjetrës së bukur gërshetuar me modernen. Për këtë as që bëhet fjalë. E kam fjalën për diçka fare elementare, të cilën e kam thënë qysh sa mbërrita në Shqipëri shtatorin e kaluar te “Deja vu”-ja e Mustafa Nanos. Ishte përshtypja e parë e çuditërisht dhe për fat të keq, mbeti të jetë e fundit. Shqiptarët kanë ndërtuar keq dhe duke i lënë fëmijët jashtë, pa menduar për argëtimin dhe mirërritjen e tyre, e sidomos për sigurinë e tyre.
Ishte kaq e vështirë të gjeje në Himarën e afërt të Henrit një hotel me pak kushte për fëmijë. Edhe më i shtrenjti hotel kishte veçse një pishinë të vogël për të argëtuar të vegjlit dhe përtej saj asgjë tjetër, qoftë dhe një meny për stilin dhe llojin e tyre. Sa e vështirë është kjo??? Shqiptarët ndërtojnë dhe jetojnë sikur të mos kishin fëmijë dhe familje, po kështu edhe pushojnë. Duke parashkruar kështu të ardhmen e tyre, ku sigurisht hyn edhe e ardhmja e turizmit.
Për t’iu kthyer Himarës, po, ka një asfalt të ri pa gropa që të çon atje, por Himara sot është larguar nga vetja e detyrimisht dhe nga pushuesit më shumë se dje.