Hetimet për Ruzhdien, detyrim paraqitje për 5 komisionerët e djathtë

0
56

Shekulli Online, 02.03.2010

FIER – Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë, detyrim paraqitje për 5 komisionerët e djathtë, të akuzuar për manipulime në zgjedhjet në fshatin e famshëm Ruzhdie.

Gjatë procesit të nisur, gjyqtarja Irena Maneku në datën 12 shkurt ka vendosur që 5 komisionerët janë të detyruar të paraqiten deri në nisjen e procesit penal ndaj tyre, me akuzën e shpërdorimit të detyrës më shumë se 1 herë.

Hapja e kutive të fshatit Ruzhdie është realizuar nga prokuroria e Fierit, ndersa të akuzuarit për manipulime në procesin e votimit, janë Bujar Kararaj, kryetar i komisionit, Pëllumb Myrtaj zëvendëskretar dhe anëtarët e komisionit Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj.

Sekuestrimi dhe verifikimi i kutisë së materialeve të qendrës së votimit 3052 vërtetoi se nga 592 zgjedhës në listë kishin votuar 525 prej tyre, ku në fakt 111 votues, ishin emigratë jashtë vendit, por që rezultonin se kishin votuar.

Të dhënat e kufirit nga sistemi TIMS vërtetuan saktë faktin se 111 persona nga ky fshat, në moshë për të votuar kanë qenë jashtë vendit dhe nga këta 80 persona rezultonin që të kishin votuar.

——

Bomba e Ruzhdijes – Prova e manipulimit të zgjedhjeve

Në fillim ishte fshati Dushk që i dha emrin fenomenit të pandryshueshëm të trukimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Tani, me të gjitha gjasat, një gjë të tillë do ta bëjë Ruzhdija, një fshat i vogël në qarkun e Fierit. Një hetim penal i prokurorisë ka nxjerrë prova befasuese për manipulimin e zgjedhjeve: votues që nuk kanë qenë fare në Shqipëri në 28 qershor 2009 dhe jo vetëm firma të fallsifikuara. Revista MAPO dëshmon misterin e asaj që ka ndodhur tetë muaj më parë. KQZ konfirmon: kemi bashkëpunuar me prokurorinë. Çfarë ka ndodhur në Ruzhdije që është kaq e rëndësishme edhe për Berishën, edhe për Ramën që jua kanë treguar dhe evropianëve?

Në datën 28 qershor 2009, u duk si një lajm i zakonshëm për terrenin shqiptar të zgjedhjeve, tetë muaj më pas, në shkurt 2010 ka vlerën e një kali të hekurt beteje për opozitën. Një hetim i dyfishtë penal për “kanosje mes komisionerësh” dhe “braktisje detyre nga komisionerë”, ka nxjerrë paraprakisht në dritë fakte të jashtëzakonshme për atë çfarë ndryjnë brenda kutitë e mbyllura të votimit. Dhe nëse i besohet aksiomës së vjetër se “nuk duhet pirë gjithë uji i detit për të mësuar që ai është ujë i kripur”, atëherë për publikun shqiptar ka një arsye më shumë dhe shteruese për të besuar se kutitë e Lundrës, lundrojnë në një det të pafundëm pasaktësish. Të cilat, nëse zbardhen të gjitha, do të kishin padyshim efektin e një tërmeti politik për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen e politikës shqiptare. Dhe epiqendra e këtij tërmeti është Ruzhdija, një fshat i vogël në qarkun e Fierit, që ashtu si fshati Dushk që vite më parë i dha emrin e tij metaforës së trukimit të zgjedhjeve, Ruzhdija do të jetë metafora e re për atë çfarë mbajnë kyçur kutitë e mbyllura të votimit.

Hetimi penal i Prokurorisë së Fierit për “qendrën e votimit në Ruzhdie”, në mënyrë indirekte provon të shndërrohet, kështu, në shpatën që do të këpusë nyjen e sherreve PD-PS. Individë që ndodheshin jashtë shtetit në datën 28 qershor 2009 dhe që megjithatë kanë votuar, firma të fallsifikuara komisionerësh e “faulle” të tjera elektoralë kanë dalë befas në dritë. Zyrtarisht KQZ pohon se ka pasur një letërkëmbim të disahershëm me Prokurorinë e Fierit dhe se ka vënë në dispozicion të hetimit të saj kutitë e materialeve zgjedhore. Burime të rezervuara konfirmojnë mbylljen e hetimit penal të prokurorisë së Fierit dhe dërgimin e dosjes së gjykatë për gjykim. Por përpara se të ndodhte një gjë e tillë, tani Ruzhdija ishte përmendur nga dy protagonistët kryesorë të politikës, Berisha dhe Rama.

Politika, Rama përballë Berishës

Edi Rama, kryetar i PS-së e përmendi emrin e “harruar” të fshatit fierak fillimisht në takimin me delegacionin evropian që erdhi fundjavën e kaluar për të negociuar për zgjidhjen e krizës së rëndë politike në vend. “Hap Ruzhijen time dhe Ruzhdiet e tua dhe të bëjmë transparencë”! Batuta e hidhur e liderit socialist nuk la më shumë për të kuptuar në atë moment të parë. “Kutia brenda ka fakte skandaloze. Kur këto të dhëna ua paraqitëm anëtarëve të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ata u skandalizuan. Dokumentet e shkruara ua vumë në dispozicion mbrëmjen e dy ditëve më parë, (të shtunën e kaluar), ndërsa në takim u vumë përpara provat e faktet”, citohet nga Gazeta Shqiptare një deputet socialist, dëshmitar i këtij dialogu, të nesërmen e këtij takimi. Më herët ende, në datën 13 shkurt, emrin e Ruzhdijes e kishte përmendur edhe kryeministri Sali Berisha në tryezën e Presidentit Topi. Pas takimit, zyrtarisht, Berisha tha se “Gjykata e Apelit shpalli të pavlefshme, me kërkesë të PS-së, 512 votat e komunës Rushdije vetëm pse fletët e votimit nuk kishin dy vula, por vetëm një për arsye se njërën vulë e mori komisioneri i Partisë Socialiste që u largua nga Qendra e Votimit gjithë ditës. Dhe, në këtë mënyrë i dha mandatin Partisë Socialiste… Unë nuk kam akuzuar zotin Rama se më grabiti mandatin për Ruzhdijen. Jo! Mandati ju mor Partisë Demokratike nga Gjykata e Apelit, dhe unë e kam pranuar këtë vendim”, tha Berisha për mediat.

Kaq ka mjaftuar që Ruzhdija të bëhej papritur një mister i vërtetë. Dhe në këtë mister, ka peshën dhe vlerën e saj edhe fakti i sekretimit të plotë i gjithë procesit të hetimit për atë çfarë ka ngjarë aty në 28 qershor 2009 dhe sidomos “sinkroni” i pazakontë i Berishës dhe Ramës dhe citimi i atypëratyshëm, njëri pas tjetrit, i emrit të të njëjtit fshat.

Revista MAPO ka konsultuar një numër të madh burimesh të pavaruara nga njëra-tjetra dhe në fund të tyre, mundi të dallojë një dalje në këtë labirint. Edhe Presidenca konfirmon jozyrtarisht se në takime është përmendur shumë shpesh emri i fshatit, por përtej këtij konfirmimi, selia e zotit Topi qëndron krejt hermetike.

Si ka nisur historia?

Pak përpara mesditës së datës 28 qershor 2009 – gjykuar nga ora kur ankesa zyrtare ka mbërritur në KQZ – në selinë e PS-së u dha njoftimi i parë se në fshatin Ruzhije, të qarkut të Fierit kishte pasur një incident. Pak çaste në pas, pothuaj në kohë reale me incidentin në vijim e sipër, stafi politik dhe teknik i PS-së, në selinë e saj qëndrore, përgatiti një ankesë në KQZ. Dhe shumë shpejt edhe një të dytë, konfirmojnë burime nga KQZ-ja. Thelbi dy ankesave ishte se për pak ishte shmangur një përplasje e armatosur: anëtarë të komisionit të qendrës së votimit, që mbronin ngjyrat e PD-së kishin kanosur me armë “kolegët” e tyre socialistë. Edhe rrotull qendrës së votimit ishin verifikuar gjithashtu, lëvizje personash të armatosur, siç thuhet në ankesat e depozituara në KQZ. Tre anëtarët socialistë të komisionit u larguan nga qendra e votimit duke e pezulluar procesin e hedhjes së votës. Një vendim i ndërmjetëm i KQZ në Tiranë lejoi vijimin e procesit, në fund të të cilit, rezultati i numëruar PD-PS për kutinë e Ruzhdijes u fiksua në shifrat 420 me 12. Gjithsej në kuti ndodhen 512 vota, kurse pjesmarrja në votim ishte pothuaj dyfishi i asaj në shkallë vendi: kishin “votuar” rreth 90 për qind e votuesve.
Fillimisht, KZAZ, me shumicë të majtë, fletët e votimit me një vulë dhe ato që kishin shënime në pjesën e prapme të tyre i konsideroi të pavlefshme. Në këto rrethana, PD-ja bëri kërkesë në KQZ dhe kërkoi rinumurim dhe rivlerësim të votave të Ruzhdijes. Kryetari i KQZ-së Ristani atëherë kërkoi aplikimin e nenit të famshëm 138, (neni për rinumurimin e votave, me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ-së). Mbas debatesh të ashpra, çështja u hodh në votim dhe me rezultat 4 me 3, KQZ-ja vendosi hapjen e kutisë së kësaj qendre votimi. Po me këtë rezultat u vlerësua vlefshmëria e votave të vulosura vetëm me një vulë. Mbas këtij numurimi, rezultati paraprak i shpallur u ngushtua me deri 150 vota diferencë në favor të PD-së, të pamjaftueshme për të mbajtur mandatin shtesë që kjo parti kërkonte në Fier. Më pas, edhe Kolegji Zgjedhor, la në fuqi të njëjtin verdikt – ndërkohë ishte e qartë që mandati i nëntë në Fier ishte për Partinë Socialiste dhe kështu, u konfirmua mandati i deputetit të sapobetuar Piro Lutaj.

Hetimi i prokurorisë

Por nuk kishte përfunduar këtu. Ajo që në fillim ngjan si një histori e zakonshme shqiptare zgjedhjesh, në fakt sapo kishte filluar. Komisionerët socialistë bënë një kallëzim penal në Prokurinë e Fierit për “kanosje për shkak të detyrës”, të cilës ju bashkangjit kallëzimi tjetër, kësaj rradhe në dëm të tyre “për braktisje të detyrës shtetërore”. Që atëherë, në heshtje dhe në fshehtësi të plotë, prokuroria e Fierit ka hetuar ngjarjen e rëndë. Të paktën tre shkresa zyrtare i janë drejtuar nga prokuroria kryetarit të KQZ-së Arben Ristani dhe nënkryetares Dëshira Subashi për t´i vënë në dispozicion të saj, për llogari të hetimit, të materialeve zgjedhore të kësaj qendre. Vetë kryetari Ristani konfirmon për revistën MAPO se një gjë e tillë ka ndodhur dhe se prokurorisë i është afruar kutia e materialeve zgjedhore të Ruzhdijes. Edhe Dëshira Subashi, nënkryetare e KQZ-së pohon të njëjtin fakt. “Po, kemi pasur një letërkëmbim me prokurorinë e Fierit dhe kemi vënë në dispozicion të saj materialet e kërkuara”. Që, sipas Kodit Zgjedhor, nuk janë as më pak dhe as më shumë, por listat e zgjedhësve të regjistruar në 28 qershor për të votuar, fletët e votimit, të përdorura dhe të papërdorura dhe kancelari të ndryshme. Ndërsa në kutitë e votimit, po sipas Kodit Zgjedhor, ndodhet procesverbali i rezultatit dhe fletët e votimit të hedhura në kuti nga votuesit. Dhe ka mjaftuar vetëm kjo kuti, që hetimi i prokurorisë të merrte një drejtim krejt tjetër dhe ndoshta të paparashikuar.

Burime të rezervuara pohojnë për revistën MAPO se nuk mund të japin detaje të hollësishme për hetimin, por disa elementë të tij janë vërtet dramatikë. Një kontroll fare i thjeshtë në sistemin TIMS (verifikon hyrje-daljet e shtetasve në Republikën e Shqipërisë), jep të dhënën e parë: kanë marrë pjesë në votim rreth 80 qytetarë të regjistruar në fshatin Ruzhdie, të cilët në datën 28 qershor 2009 ndodheshin jashtë shtetit. Pra, të paktën 80 vota të fallsifikuara. Por ka dhe më shumë. Ka edhe më keq. Firmat e “votuesve” të supozuar, që gjykuar nga rezultati përfundimtar kanë qenë votues të Partisë Demokratike, janë të fallsifikuara. Dhe këtu hyn në lojë laboratori qëndror i kriminalistikës. Prokuroria ka kërkuar dhe ekspertim ligjor të firmave të hedhura në listën e votuesve. Përfundimi ishte ngjethës: autorët e vërtetë të atyre firmave në listën e votuesve ishin vetë komisionerët e Partisë Demokratike. Elementi i tretë janë mospërputhjet e shumta të numrave serialë të dokumentave të identifikimit, pasaporta apo karta identiteti, që janë përdorur në listën e votuesve. Vetëm një sasi fare e vogël në numrin e votuesve, kanë përputhje, kurse të tjerat janë thjesht inekzistente.

Zyrtarisht nuk ka asnjë të dhënë për rezultatin e hetimit që tashmë ka mbaruar. Dosja ka përfunduar në gjykatë, nga ku ajo mund të bëhet, sipas ligjit, lehtësisht publike.

Efekti “anësor”

Eshtë padyshim efekti i një bombe të vërtetë politike, siç e konsideroi media e shkruar provën për parregullsitë në zgjedhje në zonën e Ruzhdijes. Një provë që tashmë ndodhet përfundimisht në dorë të Edi Ramës. Shtypi ka cituar se kjo dosje i është vënë në dispozicion edhe delegacionit evropian që vizitoi Shqipërinë në fundjavën e kaluar, cili, sipas të njëjtit burim, ka prekur “i skandalizuar dhe me habi” faktet e paraqitura nga Edi Rama. “Për këtë arsye kërkojmë hapjen e kutive, dhe nuk tërhiqemi nga kjo betejë”, ka thënë Rama menjëherë mbasi u tregoi bashkëbiseduesve njërën nga provat që ai tashmë disponon.

Tetë muaj mbas përfundimit të zgjedhjeve dhe me një Kuvend të kompozuar me të dy krahët politikë vetëm këtë mesjavë dhe me një kërkesë konstante të PS-së për transparencë të zgjedhjeve e hapje të kutive të votimit, duket se është prodhuar “padashur” prova që vërteton tezën e socialistëve. Një vendim i mundshëm i gjykatës që legalizon akuzën e prokurorisë, e bën pothuaj krejt të kotë moralisht mbrojtjen e palës tjetër, PD-së, për moshapjen e kutive. Sepse përvoja popullore ka vërtetuar që nuk ja vlen të pihet gjithë uji i detit për të mësuar që ai është ujë i kripur. Çka do të thotë, se mjafton dhe vetëm kutia e Ruzhdijes për të parë sesa pis duhet të jetë “uji” që mbajnë mbyllur kutitë e votimit në Lundër.