Heshtje e imponuar nga mafia

0
65

Nga Mero Baze

Qeveria shqiptare po përpiqet të injorojë botimin e kabllogrameve të ambasadës së SHBA-së në Tiranë nga media shqiptare, duke tentuar të krijojë idenë se në këtë pikë pajtohet me qeverinë amerikane. Në të vërtetë, qeveria amerikane ka mbajtur qëndrim dinjitoz ndaj mënyrës se si kanë përfunduar këto dokumente sekrete në duart e shtypit, por nuk ka injoruar problemet e nxjerra prej tyre.

Ndryshe prej saj, qeveria shqiptare ka heshtur qysh ditën e parë dhe ka nxitur heshtjen dhe në medie, e cila thuajse kontrollohet e gjitha prej saj. Arsyet përse hesht qeveria shqiptare janë të kuptueshme. Gjithë fryma e korrenspodencës zyrtare të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, përcjell qëndrim krejt të kundërt të Uashingtonit me qeverinë shqiptare dhe ky është përfundimi i parë i dëmshëm për qeverinë shqiptare. Përfundime të tjera të ngjashme për nga cilësia, janë dhe vështrimi kritik dhe realist që diplomatët amerikanë kanë pasur dhe ndaj zhvillimeve të politikave qeverisëse, përtej lirive politike apo lirisë së medies.

Por, për të kuptuar më mirë sa larg është optika e qeverisë shqiptare ndaj qeverisë dhe politikës amerikane, duhet të shikojmë kontrollin e saj të frikshëm mbi heshtjen ndaj këtyre skandaleve të botuara. Një qeveri e cila arrin të vendosë kontroll mbi medien dhe opinionin publik në këtë mënyrë si e ka vendosur qeveria shqiptare, është një qeveri më e rrezikshme dhe e dëmshme për qytetarët e vet, se ajo qeveri naive që bën gabime në qeverisje apo nuk shmang dot korrupsionin në qeverisje.

Një qeveri që kontrollon debatin publik dhe e orienton atë sipas dëshirave të saj, është një qeveri që ka përvetësuar liritë e vendit që qeveris dhe qytetarëve të saj. Ky përfundim është më i frikshëm se sa distanca që qeveria shqiptare ka me atë amerikane, apo dalja në shesh e shumë horllëqeve të kryeministrit lidhur me shumë skandale që ka tentuar t’i mbulojë si i mbështetur nga SHBA, ku shquan ai i rrugës Durrës-Kukës.

Shqipëria është ndër vendet e fundit që preket nga stuhia e Wikileaks. Në fillim SHBA dhe më pas qeveri të mëdha perëndimore, u goditën nga publikimi i sekreteve, që është padyshim e dëmshme për punën e diplomacisë serioze, por e pazëvendësueshme për medien, e cila ka mundësi të verifikojë qëndrimet e saj lidhur me shumë çështje të nxehta në të cilat është prezente politika amerikane.

Në të gjitha këto vende, jo vetëm që pati debate të ashpra dhe të gjata, por u paguan dhe miliona euro për publikimin e këtyre raporteve nga gazetat prestigjioze të atyre vendeve. Mjafon të kujtojmë se medie të tilla si “New York Times”, “Guardian”, “Spiegel” apo medie spanjolle, paguan miliona euro për të pasur ekskluzivitet në ato kabllograme. Ky është vitaliteti i lirisë në ato vende dhe shenjë e qartë se gabimet në qeverisje apo skandalet e brendshme, nuk kanë prekur sistemin e demokracisë.

Heshtja e frikshme që shoqëron botimin e këtyre skandaleve në medien shqiptare, është shenjë se rregjimi është bërë i frikshëm dhe imponon heshtjen ndaj çështjeve që prekin mbijetesën e tij. Në këtë vend, media vrapon pas marrëzive të kryeministrit, i cili deklaron se qëndroi 2 orë e gjysëm në ujë dhe debaton me zjarr për marrëzinë e tij. Kjo medie po ashtu, debaton mbi lajthitje të tij ideologjike apo njerëzore, boton çdo vulgaritet të tij në mbledhje të qeverisë, dhe hesht ndaj të vetmeve të vërteta që kanë dal ndonjë herë në dritë nga një burim i besueshëm për këtë qeveri.

Kjo është shenjë serioze e mungesës së lirisë për t’i thënë shoqërisë të vërtetën dhe si e tillë, është një akuzë shumë më e rëndë se sa vjedhja e parave në rrugën Durës-Kukës, përfshirja e djalit të kryeministrit në fabrikën e vdekjes në Gërdec, privatizimet mafioze, apo rrënimi i sistemit gjyqësor. Futja e shoqërisë nën thundrën e frikës për të debatuar, është një standart i rregjimeve mafioze dhe diktaturave feudale dhe shoqëria shqiptare po jep shenja të qarta të këtij standarti, me qëndrimin që po mban ndaj këtij fenomeni.

Kryeministri vazhdon të flasë nëpër mledhje qeverie dhe media vazhdon të flasë për marrëzitë e tij, duke i bërë jehonë pa pasur kurajo të mendojë për ato që thotë. Dje për shembull, ai shpiku një ide të re, për të bërë një muze të diktaturës komuniste në burgun famëkeq të Spaçit në Bulqizë, që sipas tij, njerëzit të shikojnë të shkuarën e këtij vendi. Dhe, askush nuk ngrihet të thotë të vërtetën e hidhur se ky njeri kërkon të zhdukë çdo kujtim të hidhur të komunizmit nga sytë e opinionit publik.

Simboli perfekt i kohës së komunizmit dhe vendi perfekt për t’i edukuar njerëzit me të shkuarën e zezë të këtij vendi, është Piramida në qendër të Tiranës. Ai është objekti ideal për t’u bërë një muze që të dëshmojë krimet e komunizmit dhe rregjimeve autoritare në këtë vend. Sali Berisha kërkon ta fshijë kujtimin e saj dhe atë që ajo përfaqëson, dhe mendon se na mbush mendjen duke ngritur një “vatër kulture” në Spaç kundër komunizmit. Në Spaç nuk shkojnë më as zogjtë për të parë çfarë ka mbi rrënojat e ish burgut. Tirana është qyteti simbol dhe i ndriçuar për ta bërë atë që duhet bërë kundër komunizmit dhe Piramida është objekti i duhur për ta ndëshkuar atë rregjim.

Sali Berisha, i cili në të vërtetë frikësohet nga pesha që do zërë në muzeun e rregjimeve autoritare në këtë vend, kërkon ta lërë këtë vend pa histori dhe pa debat rreth historisë. Për krimet e komunizmit mendon të bëjë një kasolle në Spaç, që gjithçka të harrohet, ndërsa për devijimet e rënda deri në degradim të qeverisjes së tij, po dikton me sukses heshtje të opinionit publik.

Ky është në të vërtetë muzeu i gjallë i një rregjimi, i cili po rrënon vendin. Sjellja e tij është manekini më i mirë ilustrues i rregjimit të frikës dhe antivlerave që po triumfojnë në këtë vend. Sado larg ta çojë hijen e diktatorit Sali Beirsha, ajo po rritet e dukshme dhe e gjallë në zyrën e tij, në ndërtesën e qeverisë, në atë vend, ku pak muaj më parë është vrarë për të qëndruar në pushtet.