Heshtja nga frika e “Familjes”

0
47

Nga Mero Baze

Tri ditë më parë një efektiv i Gardës së Republikës, në dispozicion të personaliteteve të larta, ka qenë pjesë e një konflikti banal, ku është përdorur armë kundër një djali të ri të punësuar si kamerier, i cili po lufton me vdekjen në Spital Ushtarak. I akuzuari kryesor për goditje me armë është një person, i cili megjithëse për Gardën është një oficer “në grupin e shoqërimit të Personaliteteve të larta”, për opinionin publik që ka sy dhe memorie në këtë qytet, është thjesht shoferi i Shkëlzen Berishës. Nuk dua të paragjykoj rrethanat e krimit, dhe të ndaj sherrin banal në të cilën është përdorur arma, por ndihem tashmë i kërcënuar dhe si gazetar nga shkaku se media shqiptare përveç gazetës Shekulli dhe TemA ka heshtur për këtë monstruozitet.

Sikur gazeta Shekulli të mos kishte shkuar më tej në hetimet e saj dhe të kishte detyruar Gardën e Republikës të shprehej për autorin në fjalë, ne sot do të kishim vetëm një 21 vjeçar që përpëlitet mes plagëve të plumbit në Spital Ushtarak dhe një legjendë urbane krimi në qytet, për një njeri që vret në mes të ditës dhe s’ka kush t’i bëjë asgjë, se është njeri i Familjes.

Jam i tronditur nga heshtja e News 24, stacionit i cili mban dhe radio policie në redaksi për të qenë para policisë në vendngjarje. E vërtetë është se policia reagoi me shumë vonesë dhe përtesë për këtë krim, por kjo nuk justifikon stacionin kampion të kronikës së zezë, të heshtë për ngjarjen. Heshtën bashkë me të dhe Top Channel, gazeta Shqip, Gazeta Shqiptare dhe media të tjera, të cilët së paku formalisht nuk kanë detyrime për të “respektuar” kaq shumë njerëzit e Familjes, të cilët përzihen në krime ordinere. Heshtën dhe jo për faj të gazetarëve dhe kolegëve të mi, nga të cilët unë e mora vesh lajmin. Heshtën se shefat e tyre duan t’i bëjnë ndonjë nder të vogël Familjes kur vjen fjala për punë të pista të saj. Heshtën se kanë dëshirë të quhen media opozitare vetëm duke lavdëruar Edi Ramën, por jo duke sulmuar Sali Berishën.

Por tronditja e dytë më e madhe është heshtja e opozitës, ose më mirë të themi mungesa e instinkteve të saj për një gjest të tillë. Nuk është fjala vetëm tek fati i një 21- vjeçari të plagosur, pasi ai tani me siguri është aq i frikësuar sa më shumë mund të më marrë mua inat që po ia përmend agresorin, se sa opozitën që nuk po flet për të. Por opozita duhet të flasë për parimin dhe rrezikun që ka një shoqëri, ku media detyrohet të heshtë për një krim.

Të gjithë e mbajmë mend Sali Berishën dy vjet më parë kur vdiq i ndjeri Dritan Hoxha, çfarë bëri për të vënë në dukje “krimin” e medies që anashkaloi vdekjen e shoqërueses së tij në makinë. Për të gjithë ata që e kanë harruar, po u citoj deklaratën e partisë së tij që thoshte se … “PD, si parti e fjalës së lirë, që nxori vendin nga censura dhe terri informativ më i egër komunist, e konsideron heshtjen, fshehjen apo censurën totale nga ‘Top Media’ dhe të disa simotrave të saj, të lajmit të vdekjes tragjike të bashkëpunëtores së tyre,… si një akt primitiv, çnjerëzor e të pashembullt. PD-ja u kujton këtyre censorëve të rinj se vdekja e një njeriu në një shoqëri të lirë nuk mund të jetë kurrë sekret. Vdekjen e një njeriu mund ta mbajnë sekret vetëm diktaturat më mizore dhe shpellat e Al Kapones”.

Sot këtë krim të shëmtuar po e mban sekret “Familja” në pushtet. Po ja lë në dorë kolegëve të mi të quajnë “diktaturë mizore” ose “Shpellë e Al Kapones”… si të dojë Doktori.