Artan Mullaj, 26.09.2010
Është bërë zakon që heshtjen intelektuale disa e marrin për modesti, ndërsa publiku sheh, dëgjon edhe vlerëson gjithnjë e më pak njerëz të përkushtuar të shkencës dhe krijimit. Arsyeja është e thjeshtë. Në kohën tonë, shumë intelektualë kanë gjithnjë e më pak arsye të harxhojnë kohën e tyre me pasione që nuk shërbejnë për asgjë. Përkundrazi, çdo ditë e më shumë, studiuesit kanë arsye të ndihen inferiorë, jo për pasionet e shuara të tyre, por për furinë e sukseseve të njerëzve të zakonshëm që nuk bëjnë punë intelektuale, nuk kanë intelektin e tyre dhe nuk kanë mbrojtur doktorata e s’kanë tituj e grada, por jetojnë më mirë se ata.
Në Shqipëri, gjeografia e sukseseve ka një shpërndarje kaotike, ku vështirë të funksionojë ligji i shkakut dhe i pasojës, si dhe ligjet e tjera të jetës dhe të suksesit. Në këtë shpërndarje kuturu të pasurisë dhe përfitimeve, të cilat gjithashtu vijnë edhe ikin sipas ligjeve të panjohura, që sfidojnë kapitalizmin dhe të gjitha sistemet e tjera, suksesi nuk është i parashikueshëm dhe as i shpjegueshëm. Mbase kjo është arsyeja që intelekti nuk e ka ndihmuar komunitetin e intelektualëve të jetë në pararojën e atyre që ëndrrat i bëjnë realitet. Në një ekonomi informale, ku mbretëron kaotizmi dhe në një shoqëri ku intelektualët ngjajnë aq më mediokër sa më shumë synojnë të zhvillojnë natyrshëm ambiciet dhe idetë e veta, konform ligjeve, shanset nuk janë të mëdha për ata.
Sepse këta njerëz të mençur jetojnë në një vend ku suksesi është i kushtëzuar nga kuraja për të shkelur apo shpërfillur ligjet e shtetit. Prandaj ndjesia e inferioritetit dhe vetëdija se të kesh intelekt dhe të respektosh ligjet është pesë me hiç; në një vend ku e kundërta ofron më shumë dinamikë dhe shanse, intelektualët ndihen të strukur në realitetin pesimist të të kënaqurit me pak. Në vijim të këtij arsyetimi, roli i zbehtë i intelektualëve në një mision që mungon, (ky mision nuk është aq zhvillimi shkencor sa është vetëmbrojtja ndaj poshtërimit ekonomik që iu bën atyre konkurrenca e pasurisë së njerëzve të tjerë, shpesh të zakonshëm dhe sidomos mosvlerësimi barbar i aftësive dhe mundësive të tyre), iu ka ulur përtokë aksionet dhe kualitetin e klasës intelektuale në bursën e perceptimit. Kështu që kemi të bëjmë me ca tipa të urtë, spektatorë e të ndjeshëm, që nuk kanë as zell të ngopin shpirtin me xhelozinë për arritjet e të tjerëve.
Duken të zhgënjyer fort me qetësinë e tyre murgërore dhe me rrogat e turpit që shteti iu jep për mëshirën e kujtimeve të krijimeve dhe hulumtimeve që nuk bëhen kurrë. Shumica e tyre bëjnë sikur merren me shkencë dhe studime, bëjnë sikur përpiqen të shtojnë njohuritë dhe kualitetet e tyre, por në të vërtetë ëndërrojnë njëlloj si disa kolegë të tyre, të merren me politikë… Edhe pse shpesh supozohet që si mendimtarë, janë shumë të pastër për të funksionuar në mes të baltës dhe batakut, siç është zakonisht politika te ne, ajo ka qenë dhe është një joshje e fortë për mendjet e shquara. Sepse ato e kanë kuptuar qysh herët se politika ofron famë dhe pasuri, të surprizon me lavdi të pamerituar dhe me vlera që nuk i ke dhe të jep njohje publike që nuk ke guxuar ta imagjinosh më parë.
Politika është treguar dashamirëse me intelektualët e parë që kthyen sytë nga ajo për të shpëtuar nga robëria e pagesave mujore dhe për të qenë historikë. Dhe kishin të drejtë. Intelektualët e parë që bënë politikë sot janë krenarë që aftësitë e dikurshme intelektuale i kanë zëvendësuar me reflekse marketingu, për të fuqizuar më shumë bizneset që iu dha politika dhe abuzimet me të. Prandaj joshja e re e të tjerëve, që hezituan atëherë, është e natyrshme sipas logjikës “më mirë vonë se kurrë”, dhe kjo gjë shpjegon një gjallërim të interesit intelektual për të hyrë në politikë vitet e fundit. Ky gjallërim nganjëherë përfundon në babëzi. Nuk është e panjohur dhe nuk është e rastit që edhe titujt e lartë të shkencës dhe mendjet e ndritura, e synojnë vazhdimisht politikën, për të shkëmbyer lavdinë e paqenë të shkencës me altarin e karrierave të premtuara publike…
Por kjo babëzi e natyrshme e mendimtarëve të uritur dhe mediatorëve që shpesh banojnë në shtëpi me qira dhe shënojnë llogaritë e ditës nëpër lista, shndërrohet edhe në makth, dhe kjo ndodh jo për shkak se duke synuar politikën ata i kanë dhënë të shtyrën e fundit pasioneve të tyre për punën intelektuale, por sepse politika tashmë është e tejngopur dhe nuk ka vend për ata. Ndërkohë që politika është një hapësirë ku nuk ka ndershmëri dhe intelekti i brishtë përdoret për prodhime intrigash dhe kulisash, asaj i ka shteruar bujaria e dikurshme kur hapte këmbët për të gjithë. Brenda saj konkurrenca është rritur njëlloj si në bizneset e çoroditura të shqiptarëve dhe të hysh në politikë, suksesi dhe karriera në të, nuk është më diçka e lehtë dhe e sigurt.
Duke qenë se shumë nga të parët që nxituan të shijonin shpërblimet e saj qenë mediokrit, ata janë konsoliduar sot në klane partiake antiintelektuale që vështirë të çahen nga pretenduesit e rinj, duke i bërë thuaj të kota përpjekjet dhe kundërshtitë për kotësinë e tyre. Parulla për “dyer të hapura” të liderëve politikë sot ngjajnë apatike, siç janë të neveritshme gatimet me krimba dhe insekte që i servirin si supë të ngrohtë në Honolulu apo në Filipine. Sepse e vërteta është që partitë kanë ngritur kështjella pa dyer rreth tyre, ku mund të hyjnë vetëm servilët, besnikët dhe njerëzit e afërt të liderëve. Mungesa e “gjelbërimit” në listat e të preferuarve të rinj në klanet e politikës e vërteton këtë gjë. Kjo pengesë është natyrisht një dilemë e re e intelektualëve tanë të dëshpëruar nga mungesa e mundësive për të krijuar dhe përtharja e pasioneve që kanë.
Grupime të tjera intelektuale ia kanë dalë të ruajnë virgjërinë civile larg politikës, jo se nuk u joshën nga ajo, por se gjetën dyer të mbyllura. Një pjesë e tyre u morën me biznese dhe një pjesë e kësaj pjese u ambientua me harbutërinë e rrugës ku shitet dhe blihet marrëzi kuturu. Të tjerët emigruan në vende të huaja, për të ndotur fytyrat dhe shpirtin e tyre me baltën e shpërfilljes edhe racizmit. Aq më pak në Perëndim ka qenë e lehtë për ata të mbajnë ndezur pishtarin e pasioneve shkencore, pas punëve të rëndomta në ndërtim dhe në bujqësi, që iu duhet të bëjnë për të jetuar…
Në këtë mënyrë, intelektualët shqiptarë janë komuniteti i dytë pas emigrantëve, që shteti iu ka mohuar barbarisht sot të drejtën për të zhvilluar talentet e tyre dhe shpresën për t’u marrë seriozisht ndonjëherë me to.. Nëse misioni i tyre është ndërprerë, ironia vazhdon. Thelbi i kësaj ironie nuk ka të bëjë aq me verbërinë e administratës që gjen fonde për çudirat më të mëdha, por nuk është kurrë dashamirëse me investimet për shkencën dhe intelektualët krijues, duke e shpërfillur aq më keq atë si pasuri kombëtare.
Ironia e kësaj historie, që shpesh kalon në sarkazëm, nuk është pra vetëm paqja e keqe e shtetit, që e ka nivelin e intelektit të barabartë me atë të kafshëve eksperimentale, por është heshtja e frikshme e mediave. Si institucioni më përparimtar në vend, mediat shqiptare e kanë fshikulluar edhe ato dhe në mënyrën më të keqe intelektualitetin në vend, duke i kursyer dritat e saj për të. Vështirë të publikohen ndonjëherë talente të reja, studime, arritjet shkencore të intelektualëve tanë, por kuja është se nuk publikohet as mungesa e tyre, as fakti që ata nuk ekzistojnë, çka është një dramë e vërtetë.
Mbase ka një justifikim për median indiferente, që shqyhet e çirret për çdo hollësi politike të ditës dhe ky mund të quhet mungesë profesionaliteti, por asnjë gjë, që të rikthehemi prapë aty, nuk mund të përtypë sjelljen e shtetit ndaj intelektit. Ndërsa kjo është një kohë e dëshpëruar për shkencëtarët shqiptarë, që sot janë pemë degëthara pa fruta, shteti shpenzon lumë paratë publike për turizëm qeveritar, për fushata, për prapaskena dhe reklama të vrazhda, por nuk paguan programe studimesh dhe nuk stimulon shkencëtarët tanë, ndërsa rutina e zvetënimit të personalitetit vazhdon. Askush nuk mendon asnjëherë për këtë vrimë të zezë realiteti ku shpërfillet truri dhe shpresa për zhvillim tradicional të shoqërisë…
Nuk bëhen eksperimentime, nuk zhvillohen perspektiva tradicionale në mjekësi, s’ka hulumtime, as studime shkencore, as studime të sponsorizuara historike, gjeografike dhe arkeologjike; letërsia është një plazmë në zhdukje, rrallë e më rrallë dëgjon të shkruhet dhe ndonjë poezi, qoftë edhe mediokre, sa për sensualitet. Mbase ka, por askush nuk thotë dhe asnjë nuk përmend që aksh student bëri këtë zbulim, apo aksh shkencëtar botoi një studim dinjitoz në aksh organ prestigjioz… E vërteta është se në qiellin e shkencës shqiptare nuk ka as hënë e as yje, çka e bën sa një mal këtë problem dhe çka shpjegon edhe ndjesinë e përjetshme të inferioritetit të intelektualëve tanë…