Nga: KIÇO BLUSHI
Ndodhi ajo që pakkush e priste. Zoti Fyle erdhi në Tiranë një natë para protokollit zyrtar, fjeti në kryeqytet, u takua të nesërmen me trojkën e ambasadorëve fuqiplotë dhe pastaj edhe me dy deshinjtë (krerët) e këtushëm partiakë, dhe… dhe habitërisht iku ashtu si erdhi: pa dhënë asnjë deklaratë shpresëmirë. Kureshtja ndër ne nuk ishte e vogël. Zoti Fyle erdhi e iku dhe nuk përmendi as tri ligjet e mallkuara që medemek e kanë penguar integrimin dhe futjen tonë në BE, as qëndrimin refraktar dhe antikombëtar të opozitës (sipas Berishës), as kokëfortësinë e pozitës për të bërë atë që i pëlqen të bëjë me forcën 70 plus 1 të kartonëve në KQZ, në Kolegjin Zgjedhor dhe në Kuvendin e Jozefinës, madje nuk u dha as edhe një përgjigje “diplomatike” për pyetjen retorike që na shtroi vetë zoti Fyle një ditë më parë: Ç’duhet bërë që askush të mos i kundërshtojë zgjedhjet e pritshme të 23 qershorit?
Sa më sipër duket e habitshme dhe e pabesueshme për një funksionar tepër të lartë të BE-së, i njeriut që për qytetarët e këtushëm ballkanikë, të cilët edhe kur flenë sytë i mbajnë nga Evropa, ka krijuar përshtypjen se është i plotfuqishëm po aq sa Shën Pjetri që kishte në dorë çelësat e parajsës, përkatësisht të BE-së… Por ja që “Shën Pjetri” i BE-së erdhi dhe iku dhe nuk guxoi të shqiptojë as edhe një deklaratë sadopak të qartë, edhe pse shumica e qytetarëve, e opinionit publik, – i cili ende nuk ka vdekur, – po edhe i qarqeve politike, mezi prisnin që kësaj here zoti Fyle do të “ndante shapin nga sheqeri”… Por kjo nuk ndodhi. Është hera e parë që një funksionar i nivelit kaq të lartë të ikë pa u shprehur, qoftë edhe me një gjuhë “diplomatike”, të pazbërthyeshme e të pakuptueshme dhe nga profesionistët e nëntekstit.
Ç’ka ndodhur, pra, realisht në bisedimet dypalëshe të zotit Fyle në Tiranë? Askush nuk jep një shpjegim. Me sa duket hë për hë nuk do të ketë edhe në ditët që do të vijnë një përgjigje sadopak të kënaqshme jo vetëm për shumicën, por edhe për pakicën… Afërmendsh askush këtu nuk e beson dot që zoti Fyle ka pasur frikë të prononcohet si ata jo pak dëshmitarë që tremben nga kriminelët për të pohuar të vërtetën para gjykatës.
Nuk e beson njeri që Komisioneri i lartë nuk u deklarua për bisedimet kokë më kokë se ka frikë mos i zemërohet Berisha apo Rama. Apo se mos të dy këta, po të lëshonte pa dashje ndonjë deklaratë të pakujdesshme, apo edhe “negative” kundër njërit apo tjetrit, do t’i zemëroheshin dhe paskëtaj do të ankoheshin në nivelet më larta të BE-së se, me gjasë, Komisioneri Fyle kishte shkelur standardet e demokracisë perëndimore meqë, para zgjedhjeve, kishte “mbajtur njërën anë” në dëm të palës tjetër?… Jo, jo, këtë nuk e beson njeri këtu, madje jam i bindur që as vetë zoti Fyle nuk e ka pasur këtë merak e këtë frikë!
Po atëherë përse zoti Fyle heshti, kur edhe ai e dinte, se për shkak të ngërçeve, kulturës së munguar të konsensusit, sherreve dhe grindjeve të pasosura të klasës politike, vizita e tij pritej me shumë interes? Hamendja e parë që të vjen në këtë rast është: Me sa duket zoti Fyle kësaj here ka dështuar, gjë që nuk e ka pritur… Po përse dështoi? Pyetja tjetër: Dështoi ai personalisht apo dështoi BE-ja?
Dështoi BE-ja dhe investimi i saj mbi njëzetvjeçar apo dështoi Shqipëria politike dhe ne shqiptarët që përfaqësohemi nga një pari e papërgjegjshme politike? Domethënë, dështoi ai si Komisioner i lartë, që nuk ka ditur të negociojë me bajlozët tanë dhe nuk e gjeti dot gjuhën e kompromisit e të dialogut, meqë nuk e njeh terrenin ballkanik, posaçërisht atë shqiptar, apo misioni diplomatik që përfaqësohet nga zoti Sekui?… Dhe, tekefundit: kush është ai/ata që ia mundësoi/uan dështimin?
* * *
Këto pyetje mezi e presin një përgjigje sadopak të shkoqur, sigurisht, jo vetëm nga ne qytetarët shqiptarë. Sepse nuk mund të besohet që zoti Fyle të jetë trembur nga “bomba e nacionalizmit” e kurdisur së fundi nga Berisha, nga rreziku i shpërthimit të saj nëpër “pesë klonimet në rajon”, ndaj edhe ka heshtur, për të gjetur në ditët e mëpastajme një përgjigje më të saktë, më të konsultuar e më institucionale në Bruksel që kjo “bombë” të mos pëlcasë… Jo, se zoti Fyle me siguri që e ka ditur, pa shkelur në Tiranë, këtë ethe nacionaliste dhe mundësitë e një rreziku potencial për destabilizim të rajonit, prandaj heshtja e pazakontë e tij, edhe në rast të një supozimi të tillë, ngjan e habitshme dhe, pse jo, edhe e pabesueshme.
* * *
Meqë zoti Fyle nuk i dha dot një përgjigje pyetjes dramatike që shtroi vetë ai, një natë para mbërritjes në Tiranë, nëpërmjet “Twitter”- it të tij “Ç’duhet bërë me Tiranën që pas 23 qershorit askush të mos i kundërshtojë zgjedhjet”, si ka ndodhur rëndom në këto 22 vite, atëherë dilema automatikisht bëhet edhe më dramatike: Përse erdhi në Tiranë zoti Fyle dhe përse dështoi? Se për heshtjen e tij nuk gjejmë dot një tjetër shpjegim.
Ja pra përse heshtja e zotit Fyle flet shumë e prandaj e kërkon domosdo një përgjigje… Se, po qe se do të vazhdohet të heshtet, si po heshtet, jo vetëm nga qeveria, po edhe nga misioni i BE-së në Tiranë, atëherë del vetvetiu përfundimi, që edhe me heshtje “diplomatike” neve na thuhet se nëpërmjet zotit Fyle, si përfaqësuesi më i lartë i BE-së, BE-ja, pra dhe Brukseli, na e kanë hequr vizën… Ky përfundim do të thotë se ata tashmë janë bindur që me ne shqiptarët “nuk ia vlen të merresh”, d.m.th. le të mbetemi ashtu si kemi pas qenë tejemot dhe si jemi aktualisht: të mbyllur në një “tenxhere me presion”, derisa të ziejmë dhe të bëhemi medemek gati për një demokraci funksionale…
Por edhe kjo pandehmë ogurzezë nuk qëndron. (Në fakt nuk na pëlqen ta besojmë). Duke qenë se ne shqiptarët e kemi dashur dhe ëndërruar në shekuj Evropën, nuk është faji ynë që këtë ëndërr për anëtarësim në BE na e bëri të mundshme dhe të pritshme vetë Brukseli, duke na premtuar demokracinë, mirëqenien dhe statusin e vendit kandidat, status që nuk po na jepet, ndoshta me të drejtë, sigurisht jo vetëm për “tri ligjet” e përfolura, të cilat nuk po i voton opozita, por edhe pse ne si shoqëri nuk jemi bërë akoma evropianë të mirëfilltë, sigurisht jo vetëm ekonomikisht.
E pra, sa më sipër e bën edhe më të pakuptueshme e të pashpjegueshme mungesën e përgjigjes së shumëpritur, kur ne, më tepër se kurrë kishim nevojë, por edhe shpresë se do të sqaroheshim më në fund nga avokatët e paanshëm ndërkombëtarë se kush është fajtori që ne kemi mbetur kaq prapa në standardet demokratike dhe, si rezultat, edhe jashtë dyerve të Evropës.
Justifikimi se një gjë e tillë nuk mund të thuhet para zgjedhjeve parlamentare, se me gjasë ka për të ndikuar apriori në rezultatin e zgjedhjeve të ardhme është, pa asnjë dyshim, ku e ku më i dëmshëm se një mefshtësi diplomatike e qarqeve të burokratizuara të Brukselit, pasi na e largon aspiratën tonë evropiane edhe më tëhu. Por edhe sepse faturën e dështimit të demokracisë, jo vetëm për ne, por edhe për Brukselin, nesër do ta bëjë edhe më të kushtueshme!
A thua nuk e di dhe nuk e kupton këtë të vërtetë zoti Fyle?
(er.nu/GSH/BalkanWeb)