Heshtakët e LDK-së

0
26

Shefqet Dibrani

Nëse heshtja është ar, ajo nuk mund të jetë edhe avangardë e proceseve?!…

Një heshtje, apo më mirë me gjuhën e politikës, një oportunizëm shqetësues e ka pllakosur përgjithësisht LDK-në. Jo vetëm kryesinë qendrore, por ky shqetësim shtrihet gjithkund. Edhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, edhe tek delegatët e partisë pa dallim. Deputetet e LDK-së i kanë var veshët dhe miratojnë veprime antikushtetuese të Isa Mustafës. Tashmë të gjithë e kanë kuptuar se me Isa Mustafën do të dështojnë. Por pse po heshtin deri këtu askush nuk mund ta kuptojë?! Heshtja i ka marrë edhe degët e partisë dhe nëndegët e saj kudo në Kosovë. Askush nuk pipëtin, askush nuk bë zë, askush nuk po reagon edhe pse nga qielli shihet se punët nuk janë hiç mirë.
Deputetët e LDK-së duhet ta kenë të qartë se është demagogji imorale dhe jo njerëzore të kërkosh debat, dialog dhe biseda nga opozita në kohën kur LDK-ja ua ka mbyllur dyert e bisedave dhe të debatit Degëve të LDK-së në Zvicër dhe Gjermani, ndërsa zërat kundërshtues brenda partisë ose i ka korruptuar ose Isa Mustafa i ka bërë zapt, më keq e më zi se sa në sistemet diktatoriale.
Tashmë brenda LDK-së kultura e debatit është çështje e ndaluar, aty jepen vetëm urdhra për ndëshkime dhe për shkatërrimin masiv të partisë. Gjatë procesit zgjedhor në LDK, si askund tjetër është parë se si është lënduar procesi zgjedhor duke u bërë shkelje të mëdha të rregullores dhe statutit të partisë. Këtë avaz Isa Mustafa e ka vazhduar kudo dhe kurdo, madje ai nuk dëgjon për askë, madje as për KFOR e as për EULEX.
Tanimë po shihet se Isa Mustafa është një kuadër i dobët. Ai vetëm me shkathtësi e perfiditet iu ka kapërthur të gjitha instancave udhëheqëse në Kosovë. Isa Mustafa si duket i paska nënshkruar dokumentet pa i lexuar fare, sepse nëse i ka lexuar dhe nuk i ka marrë vesh është marre, është turp dhe është fyese për të si akademik dhe për Kosovën kë e ka kryeministër.
Dihet se Isa Mustafa vazhdimisht ka bërë shkelje të rënda procedurale, edhe me gradat e tij akademike që iu kanë kontestuar nga ulëset e parlamentit, por edhe me pozitat politike, ndonëse vazhdimisht ka ditur me i fshehur dhe maskuar veprimet e tij të dëmshme për proceset kur ai ka udhëhequr. Le ta kthejmë kokën prapa dhe t’ia bëjmë një retrospektivë të kaluarës së tij që nga Lidhjes Komuniste e deri tek ato në Qeverinë e Kosovës në Ekzl, veçmas ato në raport me Presidencën, QIK-un dhe sidomos në raport me Luftën, kurse vendimet e Isa Mustafës gjithmonë kanë rënë në kundërshtim me ligjet e kohës dhe me zhvillimet politike të kohës në fjalë.
E, LDK-ja heshti edhe herën e parë kur bëri shkelje të rënda kushtetuese, heshti kur humbi disa palë zgjedhje, heshti kur i bllokoi me VLAN-in për gjysmë viti institucionet e Kosovës, heshti kur e organizoi emigrimin masiv të qytetarëve të Kosovës. LDK-ja heshti edhe në rastin me rektorin e universitetit, dhe po hesht edhe tani kur Isa Mustafa ka nënshkruar marrëveshje në dëm të Kosovës duke e ulur autoritetin e tij prej teknokrati komunist në nivelin më degradues që e ka pasur ndonjë kryeministër i të gjitha vendeve të rajonit.
LDK me Isa Mustafën u bë shembulli më i keq i demokracisë kosovare. Tashmë LDK, nga një parti që ishte avangardë e proceseve, me kryetar Isa Mustafën dhe tyxharët e Llapit është bërë gazi i botës. Kjo që ka ndodhur në LDK, është shembulli më i keq i një partie me traditë 25 vjeçare. Tashmë edhe një herë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës i tregoi LDK-së se me Isa Mustafën kjo parti do të shkatërrohet tërësisht. E pse heshtin strukturat e LDK-së askush nuk mund ta thotë, por se po shkatërrohet LDK-ja këtë e thonë të gjithë.
E pse Gjykata Kushtetuese u detyrua t’i pezullojë përkohësisht marrëveshjet e Isa Mustafës pasi ishin të mira siç thoshte deri dje ai. Por e vërteta po del në pah, pasi ato qenkan të dyshimta dhe në dëm të Kosovës, Isa Mustafa duhej të jepte dorëheqje.
Edhe Ulrike Lunaçek, zëvendës presidentja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, u hamend për “zajednicën” e Isa Mustafës, prandaj ajo shtoi: “Nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se Marrëveshja mbi parimet e përgjithshëm për themelimin e Asociacionit është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, atëherë ajo duhet të rinegociohet”. Por kush brenda LDK-ja do të guxoj për ta kundërshtuar veprimin e zi të Isa Mustafës, këtë askush nuk mund ta thotë, por heshtja e tyre është e dhembshme dhe shqetësuese. Tashmë në LDK, ka vetëm heshtak dhe frikacak, as nuk ka ide sepse edhe ato i ka pushkatuar Isa Mustafa, në LDK kanë mbetur dy tre tyxhar që për hesapet e tyre janë duke e shkatërruar LDK-në dhe Kosovën.
Heshtja brenda LDK-së është edhe më e dhimbshme, edhe më tragjike se sa duket, por heshtja e atyre që i ka shtypur e injoruar Isa Mustafa është e dhembshme. Në këto rrethana që po kalon Kosova, kjo heshtje dhe kjo frikë kanë krijuar një lloj amullie e cila duket edhe më shqetësuese se sa që mund të kuptohet.
Në LDK që moti janë topitur iniciativat dhe është pushkatuar guximi. Të gjithë duan të bëhen dukat me heshtjen e tyre, në të kundërtën thuhet se janë duke pritur ta thyejë qafen Isa Mustafa, dhe pastaj ata të triumfojnë si heronj të demokracisë. Ku ta dimë ne, por heshtja deri në këtë shkallë nuk mund të justifikohet, prandaj është momenti i fundit që zërat kundërshtues, sidomos zërat e përjashtuar dhe ata që i ka shtypur dhe injoruar Isa Mustafa ta ngritin zërin e tyre dhe të krijojnë ekipin i cili për çdo ditë duhet t’i thotë Isa Mustafës dhe ekipit të tij se e kanë gabim.
Nëse e presin rrëzimin e Isa Mustafës, ata duhet ta dinë se në vend të tij do të vijnë ata që ia përgatitën terrenin për të ardhur në krye të LDK-së Isa Mustafa, madje pa qenë edhe anëtarë i LDK-së.
Këtë iniciativë duhet ta bëjnë grupe intelektualësh dhe kryetar degësh të cilën nuk janë të varur nga tuturizmi i Isa Mustafës dhe nga eskorta e tij që udhëhiqet nga Ismet Beqiri, prandaj duhet sa më shpejt të mobilizohen strukturat e partisë nëse duan ta shpëtojnë, jo vetëm LDK-në por tërë Kosovën. E nëse thuhet se “heshtja është ar”, heshtakët kurrë nuk mund të jenë edhe avangardë e proceseve?!…

St. Gallen, 14.11.2015.