“Heronjtë” e “vrarë” nga populli

0
89

Nga Mero Baze

Ka një keqkuptim nga njerëzit e mbetur në opozitë rreth mënyrës se si mund të ndezin zemërimin ndaj qeverisë. Për ditë të tëra po sorollaten rreth të njëjtës temë, e cila ka qenë e dështuar qysh në nisje një muaj më parë dhe që ka të bëj me heroizimin e disa prej figurave emblematike të korrupsionit të këtyre tetë viteve në pushtet. Pashë Arben Ristanin dhe Halimin që u munduan deri në prokurori për këtë punë dhe shikoj po ashtu komentet irrituese që ngjall përcaktimi si heronj, i atyre të cilët ua kishin sjellë njerëzve në majë të hundës këto tetë vite.

Gjëja e parë për të cilën duhet të ndajë mendjen opozita, është se kush do jenë heronjtë e saj në opozitë dhe drejtuesit e saj, kush do jenë ata që do t’i japin moral opozitës dhe të rikthejnë besimin tek ato 200 mijë vota që u janë arratisur nga elektorati tek koalicioni qeveritar. Ata kanë ikur për shkak të këtyre njerëzve. Në Vlorë, ku PD mori më pak vota se në vitin 1997, kur zgjedhjet i drejtoi praktikisht Zani Çaushi, njeriu më përgjegjës për ikjen e elektoratit mbeti Ristani, i vetmi turist i pafajshëm i fushatës, i cili njohu më shumë pronarë hotelesh se votues. Unë nuk besoj tani se kur demokratët e Vlorës shikojnë Ristanin të mbrojë kauzën e tyre, janë bërë pishman që nuk e votuan PD, përkundrazi, binden se kanë bërë mirë.

Unë e di se kur shikojnë Eduard Halimin demokratët në Durrës, që tenton t’u thotë se do rikthehen në pushtet bashkë me të, binden dhjetë herë më shumë që kanë bërë mirë që nuk kanë dalë të votojnë ose kanë votuar LSI dhe të tjerët më 23 qershor, qoftë dhe për faktin se dhe nëse kanë harruar si e ka fytyrën korrupsioni në administratë, ua kujton portreti i tij. Mjafton kthimi i hipotekave në zyra ku armiqve nuk u jepej as vërtetim prone dhe të tjerëve asnjë dokument pa paguar, për të mos u ikur rrëqethja e mishit nga portreti i tij.

Unë nuk e di sa demokratë qajnë për drejtorin e hipotekave, drejtorin e pronave, drejtorin e spitaleve, drejtorin e APP apo kë të doni të zgjidhni, por jam e sigurt se të vetmit që qajnë, janë ata që u mblidhnin gjobat në mbrëmje dhe jo ata që u paguanin gjoba çdo ditë. Dhe ata që u mblidhnin gjobat, janë këta që shikoni në Kuvend tashmë si ish- ministra opozitarë.

Për këtë arsye, shpallja e atyre që sollën fatkeqësinë e PD si heronj të saj, është jo vetëm regres për PD, por një kovë e ftohtë uji mbi çdo zjarr që mund të ndizet dhe rastësisht brenda opozitës. Ata duhet ta kuptojnë se rruga drejt pushtetit është e gjatë dhe deri atëherë, nëse mbahen gjallë portretet që të kujtojnë lemerinë e pushtetit më të korruptuar të historisë, PD jo vetëm që nuk do të ketë heronj opozitarë, por nuk do të ketë as ndonjë heroizëm rastësor.

Heronjtë e PD në opozitë nuk mund të jenë heronjtë e PD në pushtetin që u rrëzua. Heronjtë e këtij pushteti dikur ishin Shkëlzeni, Rrahmani, Delijorgji, Taçi, Ulaj, Ristani, Fazliçi, etj. Këta janë nejrëzit për të cilët Sali Berisha ka bërë beteja. Këta janë njerëzit për të cilët Sali Berisha ka ngritur shtetin në këmbë për t’i mbrojtur. Këta janë dhe heronjtë, të cilët i përmbysi shoqëria më 23 qershor. PD mund t’i marrë portretet e tyre dhe t’i bëjë buste në korridoret e saj të qetësojnë Lulzimin dhe Shkëlzenin, por populli opozitar nuk ngrihet jo më në këmbë, por nuk denjon as të lëvizë me nder nga vendi për ata.

Problemi i dytë që duhet të zgjidhë Lulëzim Basha në opozitë, përveç bashkëdrejtimit të opozitës me Berishën, është nëse do bëjë një opozitë mbështetur mbi vlerat e PD, apo duke i mbajtur peng demokratët tek ajo çfarë mund të ndodhë me shumicën dhe raportet PS- LSI. Nga mënyra se si sillet Basha me opozitën, duket sikur ai ka një plan që nuk ia tregon njeriu, boll mos ta shqetësojnë. Ai ikën të premteve mbasdite në Hollandë tek familja e tij, kthehet të hënën, lexon nja dy deklarata pa bukë gjatë javës, dhe ikën prapë në fundjavë. Njerëzit e tij përhapin versione afatshkurtra të rikthimit në pushtet përmes kombinimeve, duke treguar se nuk e kanë mendjen të bëjnë opozitë, por të shtyjnë kohën në opozitë. Ata që po ikin nga puna, janë më të qartë se Basha dhe kompania e tij se ka mbaruar një periudhë e karrierës së tyre që kanë punuar në shtet dhe do shikojnë punët e tyre. Ata e dinë mirë se nëse rikthehet një ditë PD në pushtet, nuk ka më vend dhe moshë për ta, ashtu siç nuk pati më 2005 për ata që qëndruan tetë vite në opozitë dhe u zëvendësuan nga shokët e Zenit e Gitës nga Kosova, që u printe Lulzim Basha.

Ndaj mos u tallni me fatin e tyre jo dhe aq të keq, dhe as me fatin e opozitës. Opozita ka nevojë nëse duhet të fillojë të formojë profilin e saj me njerëz të rinj dhe heronj që do lindin gjatë opozitës, apo me heronjtë e muzeut të Familjes, që janë ata që ndëshkoi populli më 23 qershor. Në vazhdoftë me ta, Lulzim Bashën e kanë zgjedhjen më të mirë për ciceron muzeu. Por nëse duan të bëjnë opozitën e re morale të Shqipërisë, së pari duhet të fshehin ata që i quajnë heronj. Ata janë të vetmit “heronj” në botë që janë viktima të urrejtjes popullore ndaj një regjimi të korruptuar, që po i jepte fund çdo lirie në këtë vend në emër të pushtetit të një familjeje. Kur njerëzit të harrojnë ato fytyra, mund të fillojnë të mendojnë për opozitën. Nëse dikush do t’i balsamosë me çdo kusht dhe t’i ruajë, mund ta bëjë. Por opozita nuk mund të kthehet në varrezë mumiesh dhe kryetari i saj s’mund të jetë një ciceron të vdekurish.