Hendeku ynë me perëndimin

0
37

Nga AFRIM KRASNIQI, 20 Dhjetor 2012

Një komision parlamentar amerikan hetoi për më shumë se dy muaj lidhur me sulmin e shtatorit kundër ambasadës amerikane në Libi, ku mbeti i vrarë edhe ambasadori amerikan. Ambasadori Stephens është ambasadori i parë amerikan i vrarë që pas rënies së Murit të Berlinit, dhe lidhja e datës së sulmit me përkujtimin e shtatorit 2001 i dha aktit terrorist një rëndësi dhe vëmendje maksimale. Komisioni u drejtua nga opozita e Presidentit Obama dhe në të morën pjesë eksponentë të secilës palë politike, ekspertë të pavarur, ushtarakë e diplomatë.

Sipas praktikës amerikane parlamentare puna e komisioneve hetimore bazohet në dy parime themelore: atë se amerikanët kanë të drejtë të dinë nëse paratë e tyre janë shpenzuar në mënyrën e duhur nga Uashingtoni, dhe së dyti, se amerikanët meritojnë një qeverisje efektive që punon për ta. Mbi këtë bazë tradita e komisioneve parlamentare dhe hetimore përbën një shembull klasik të shfrytëzimit të mekanizmave të demokracisë për përmirësimin e qeverisjes, sistemit politik dhe punës së institucioneve të rëndësishme që lidhen me mirëqeverisjen dhe sigurinë kombëtare. Komisioni mbi ngjarjen e Bengasit e dha konkluzionin e vet kritik duke arritur në përfundimin se siguria në misionin diplomatik në Bengazi ishte tmerrësisht e pamjaftueshme. VOA raporton se Komisioni ka vlerësuar se “dështimet sistematike dhe mangësitë e menaxhimit” në nivel të lartë brenda dy byrove të Departamentit të Shtetit çuan në një sjellje të sigurisë që ishte e pamjaftueshme për t’u marrë me sulmin në vendin e ngjarjes. Më tej jepen detaje, rekomandime dhe përfundime teknike, të cilat plotësojnë tërësisht objektin e punës dhe qëllimin afatgjatë të komisionit.

Ajo që e bën të veçantë këtë praktikë amerikane është cilësia e hetimit parlamentar dhe reagimi i ekzekutivit dhe institucioneve të tjera të përfshira ndaj konkluzioneve të tij. Konkretisht, sekretaria amerikane e shtetit, Klinton, deklaroi menjëherë se është dakord me vlerësimet e komisionit dhe u angazhua se DASH ishte duke punuar për të përmirësuar sigurinë në objektet diplomatike.

Kjo është tradita amerikane. Të tillë traditë gjendet edhe në Britani, në Gjermani, në Francë, në vendet skandinave, madje edhe në Itali, Greqi, Slloveni, Kroaci apo vende të tjera rreth rajonit tonë. Është një përkthim i përkryer i punës së organit ligjvënës në kontrollin e ekzekutivit dhe respektimin maksimal për interesat e qytetarëve amerikanë apo të vendeve respektive. Është një traditë që ne e lexojmë nëpër librat e shkencave politike, ua mësojmë studentëve, e përdorim në retorikën profesionale, por që për ne, mbetet ende një “mollë e ndalueme”, siç shkruante Migjeni.

Në kontrast të thellë me praktikën demokratike, amerikane dhe perëndimore, ekzistojnë modele formale demokratike siç është modeli shqiptar, ku nocione të tilla të sjelljes parlamentare dhe ekzekutive janë ende të pakonceptueshme. Parlamenti shqiptar ka ngritur mbi 50 komisione hetimore gjatë ekzistencës së tij 22 vjeçare, shumica për skandale politike të ditës ose nevoja elektorale, por ende asnjë prej tyre nuk ka prodhuar një raport konsensual, të pranuar nga ekzekutivi dhe me dobi publike e institucionale. Kjo vjen për dy arsye: e para sepse komisionet hetimore janë përdorur kryesisht për qëllime politike afatshkurtra të ditës dhe e dyta objekti dhe aktiviteti i tyre ka qenë gjithnjë nën mesataren profesionale të logjikës dhe reagimit institucional.

Konkretisht në parlamentin shqiptar, pra në parlamentin e një vendi anëtar në NATO dhe që pretendon ftesën e anëtarësimit në BE, ekzistojnë prej muajsh dy komisione parlamentare funksionale: komisioni për hetimin e grushtit të shtetit (2011) dhe komisioni për hetimin e masakrës së Tivarit (2011). Janë dy komisione thellësisht politike, të iniciuara nga mazhoranca dhe jo nga opozita (tradicionalisht komisionet hetimore i inicon opozita), me objekte e përfundime të parashkruara, i pari për të provuar se kryetari i shtetit, kryeprokurori, shefi i shërbimit sekret, etj, kanë realizuar grusht shteti ndaj kryeministrit, dhe i dyti për ti mbyllur gojën Ramiz Alisë, ish udhëheqësit të fundit komunist, një lojtar kryesor në nisjen e karrierës politike të kryeministrit aktual.

Dy komisionet zhvilluan disa séanca paraprake, ngritën grupe ekspertësh, paralajmëruan hetime masive, dhe në fund, e shtynë disa herë afatin e aktivitetit të tyre pa arritur ende të bëjnë një seancë reale hetimi dhe pa pasur ende asnjë rezultat konkret. Komisioni i “grushtit të shtetit” i atakuar ashpër nga SHBA dhe BE, bëri disa séanca, ku anëtarët e Byrosë Politike të partisë në pushtet bënë deklarime ekstreme kundër drejtuesve të institucioneve kushtetuese, folën për skenarë dhe dhanë detaje të elementëve të grushtit të shtetit dhe krimeve të rënda, por dëshmitë e tyre, thellësisht spekulative, të paprovuara, të pavërteta dhe denigruese, jo vetëm nuk dhanë rezultat, por nuk u përdorën as nga prokuroria në procesin hetimor. Në çdo vend të botës demokratike kur një kryeministër apo ministër thotë se pati të dhëna se u përdorën armë speciale, pati makina me eksplozivë, pati atentate të përgatitura, etj, ata thirren në prokurori dhe kërkohen prova, ndryshe merren të pandehur për fshehje krimi, pengim të drejtësisë ose mashtrim të opinionit publik. As prokuroria dhe as gjykata nuk reaguan, kurse koha provoi se “provat” e tyre ishin qesharake, fiktive dhe vrasësit u provuan të ishin drejtues të Gardës besnike familjare dhe qeveritare.

E njëjta logjikë edhe me komisionin për Tivarin. Sa ishte gjallë R.Alia nuk u bënë hetime, kurse kur vdiq e njëjta mazhorancë që ngriti komisionin kundër tij, i bëri ceremonial zyrtar dhe e përcolli si kryetar shteti!!. Në dy rastet komisionet vazhdojnë, deputetët e tyre marrin pagesa ekstra, parlamenti shtyn afatet e aktivitetit të tyre, kur ndërkohë ato ekzistojnë në letër, objekti i tyre pranohet gjerësisht si abuzues dhe antikushtetues dhe përfundimi i tyre dihet, – mbyllje pa raport, pa konkluzione, pa dobi institucione e publike. I vetmi rezultat ishte fushata denigruese ndaj palëve të akuzuara, përdorimi i komisioneve për qëllime politike të ditës, si dhe shfrytëzimi i tyre për karrierë personale nga deputët që u vunë në krye të tyre.

Nga ana tjetër, parlamenti shqiptar vijon të jetë i vetmi parlament në NATO që refuzon vazhdimisht ngritjen e komisioneve hetimore për aktivitete të dyshuara të Ministrisë së Mbrojtës dhe shërbimit sekret, – institucione tërësisht jashtë kontrollit parlamentar dhe për pasojë, jashtë kontrollit formal kushtetues.

Nëse qytetarët shqiptarë dëgjojnë drejtuesit e parlamentit të flasin për suksese dhe për sukses, të numërojnë ekspozitat provinciale apo bezet e kuqe të vendosen në fasadën e ndërtesës, rrugët turistike rreth botës apo ceremonitë formale të detyrueshme çdo fundjavë me nxënës, gra apo punonjës të ardhur me ardhur, kriteri i vetëm I vlerësimit të një parlamenti është e kundërta: aftësia e tij për ushtrimin e funksionit ligjvënës, për detyrimin kushtetues të kontrollit të ekzekutivit dhe për luajtjen e rolit frymëzues të tempullit të demokracisë dhe sovranitetit qytetar. Parlamenti ynë nuk i ka përmbushur asnjë prej këtyre funksioneve bazë. Ai sillet, funksionon dhe ekziston si një miting elektoral i 140 njerëzve me kostume të shtrenjta, si paradhomë direkte e kryeministrit, si ndërmarrje private e spikeres së parlamentit dhe si një institucion, i cili provokon e prodhon konflikt social e politik sa herë që mblidhet.

Ndërkohë që të njëjtit deputetë si dhe qytetarët shqiptarë adhurojnë seancat parlamentare, dëgjimore ose funksionale të parlamenteve perëndimore e amerikane, ta janë të privuar të kenë parlamentin e tyre funksional, të besueshëm dhe transparent. Kjo është një diferencë e madhe midis modelit politik që prodhoi klasa politike provinciale e trashëguar nga komunizmi dhe modelit politik që presin shqiptarët, kërkon kushtetuta jonë dhe ka nevojë vendi në përballimin e sfidave të mëdha të mirëqeverisjes dhe demokracisë funksionale. Një sistem politik që prodhon retorikë të dhunshme, forcon liderit partiak dhe dobëson institucionet, është produkt i një sistemi zgjedhor e partiak jo demokratik, jo përfaqësues dhe abuzues, si dhe i një shoqërie me defekte në formim demokratik, të paaftë të imponojë rregulla demokratike ndaj atyre që u marrin votat për t’i qeverisur.

Një hendek i madh moral, ekonomik, social, në sjellje e mentalitet, që na mban peng të modeleve të 20 viteve më parë, për shkak të paaftësisë tonë për të menduar, sjellë dhe reaguar si qytetarë të lirë dhe evropian. Ky është problemi madhor për shoqërinë e shtetin shqiptar, shumë më i madh sesa dy tre ligje, më i rëndësishëm sesa karriera e një individi, se një palë zgjedhje apo se lajmi se një 70 vjeçar ka hapur llogari në facebook. Përvoja të tilla amerikane janë një leksion që duhet lexuar, kuptuar dhe luftuar për ta jetësuar edhe në nahijen tonë, ku brezat e vjetër janë mësuar me nënshtrimet ndaj pushteteve dhe ku dy breza të rinjsh po humbin aspiratat e rinisë së tyre në pritje të Godosë që nuk ekziston.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 20 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)