Hendeku që Berisha nuk do që ta fshehë

0
50

Nga Mero Baze, 21 Gusht 2012

Kur Berisha e përsërit një gjë disa here, e ka një hall. Ka tri ditë rresht, që nxjerr nga një deputet te vet të sulmojë Bahri Shaqirin, ish shefin e SHISH, i cili është drejtori më jetëgjatë i atij institucioni, falë këmbënguljes amerikane për të mos u larguar nga ajo detyrë. Shkarkimi befasishëm i tij prej Berishës, u pasua me një shprehje habie nga autoritet amerikane “për kohën dhe arsyet” dhe më pas me një supervlerësim nga ambasadori amerikan Arvizu, për punën e tij dhe porosinë që pasardhësi i emëruar prej Berishës, të sillet si ai.

Duket se ka mjaftuar pikërisht ky vlerësim i ambasadorit Arvizu dhe sidomos porosia e tij për Visho Ajazin, për ta futur Berishën në një luftë kundër këtij qëndrimi publik të qeverisë amerikane.

Për të tretën ditë rradhazi, një deputet i Partisë Demokratike, del njësoj si ajo çupëlina e PD-së, e cila lexon një deklaratë për imunitetin, duke lexuar tashmë një deklaratë kundër Bahri Shaqirit dhe mënyrës se si ai ka drejtuar SHISH.

Dhe, lista e të përzgjedhurve nuk është rastësore. I pari që u përdor në këtë fushatë ishte Genc Pollo, një njeri që Berisha e beson më pak se këmishën e vet. Duke dyshuar për ndonjë flirt të tij me diplomatët amerikanë, ai e nxorri atë të parin, për të shpallur qëndrimin e qeverisë kundër ambasadorit amerikan për këtë çështje.

Të dytin në radhë nxorri Enkelejd Alibeajn, një Haxhi që shkon në Mekë, dhe që në dosjet e SHISH rezulton si njeri i lidhur me qarqe të dyshimta myslimane në mes të viteve 90-të.

I treti në radhë ishte Tritan Shehu, i cili përdoret rregullisht për të thënë gjëra të pacipa, që nuk i merr përsipër askush nga PD-ja, edhe pse aty kanë ngelur shumë pak njerëz me cipë.

Dalja për të tretën ditë rresht e deputeteve të PD-së, për të deklaruar se Bahri Shaqiri e ka drejtuar SHISH keq, biles e ka politizuar atë, është një qëndrim i qartë kundër qëndrimit amerikan.

Bahri Shaqiri nuk është ndonjë njeri popullor në vend, biles atë e njohin shumë pak persona. Ai njihet vetëm si një shef shërbimi që ka qenë luajal maksimalisht me SHBA-në dhe që shpresojmë të ketë ndihmuar punët e tyre në Shqipëri dhe Ballkan. Por, askush nga opozita nuk ka ndonjë simpati të veçantë politike për të, qoftë dhe për arsyen e vetme se po të donte të ndihmonte opozitën, do të mjaftonin tabulatet e Shkëlzenit për medien, për të hedhur qeverinë për 5 minuta.

Sali Berisha e di mirë këtë nder që ai ia ka bërë jo nga dëshira, por nga korrektësia si njeri i depolitizuar, dhe që është një nga arsyet e mëdha përse Berisha e do me çdo kusht kontrollin mbi SHISH. Por, sulmi që Berisha vazhdon t’i bëjë edhe pasi është larguar, nuk ka të bëjë me të, por me nevojën që Berisha ka për të ndryshuar kursin e SHISH, dhe për të justifikuar pikërisht përfshirjen në politikë të tij.

Në këto kushte, debati nëse SHBA është dakord apo jo me ndryshimet në SHISH është qesharak dhe banal, dhe është pjesë e debateve që Berisha po nxit për ndryshimet në SHISH.

SHBA e kanë mbajtur Shaqirin në krye të SHSH duke gjetur gjuhën me qeverinë partnere të tyre deri në vitin 2005 dhe duke përdorur dualitetin President- Kryeministër qe nga viti 2005 deri më 2012. Në asnjë moment qeveria e SHBA-së dhe Berisha nuk kanë pasur ndonjë mirëkuptim për qëndrimin e Shaqirit në krye të SHISH. Dhe, kur dy qeveri nuk kanë mirëkuptim për një çështje për 7 vjet, nuk ka kuptim të thuhet që pasi njëra palë e ka bërë fakt të kyer, ekziston mirëkuptimi dhe i palës tjetër.

SHBA natyrisht nuk ka ndërmend të sjellë Flotën e Gjashtë në Adriatik për Bahri Shaqirin dhe as të nxjerrë terrorist ndërkombëtar Visho Ajazin. Në fund të fundit, të dy këta emra po lakohen jo për çfarë janë, por për atë se kush i ka mbështetur dhe i mbështet. SHBA thjeshtë kërkon ti thotë qeverisë shqiptare që dëshiron të njëjtën konfidencë dhe marredhënie që ka pasur me ish kryetarin e SHISH , dhe të njëjtin profil të kryetarit si ish kryetari.

Kjo nuk i ka pëlqyer Sali Berishës dhe ka tri ditë rresht që po ulëret me papagallët e vet, që Bahri Shaqiri ka qenë i politizuar, puçist, dhe që normalisht trashëgimia e tij duhet të hidhet poshtë.

Ky është vërtet një zhvillim real mes qeverisë së Berishës dhe qeverisë së SHBA-së, lidhur me SHISH. Është diferenca mes asaj si ka qenë SHISH dhe si e do SHBA, dhe asaj se si e do Berisha. Është hendek i thellë, të cilin Berisha çuditërisht nuk do që ta fshehë, por do të na e tregojë përditë.