Helikopterët që futën në sherr Berishën me SHBA dhe bunkeri i Imamit

0
34

TemA, 26 Korrik 2012

Pak ditë përpara se Berisha të dorëzonte në Pragë aplikimin për marrjen e statusit të vendit anëtar për në Bashkimin Europian, shkoi me urgjencë në Paris, ku e priti presidenti francez, Nikola Sarkozi. Pa tapet të kuq, pa ceremoni, thjesht një takim sa për të lëshuar një deklaratë për shtyp më pas. Berisha mori një mbështetje formale nga Sarkozi për aplikimin, kurse ky i fundit mori premtimin e Berishës se do blinte nga kompania Eurocopter disa helikopterë. Ndërkohë në Tiranë TV Klan për çudinë e të gjithëve kishte nisur të bënte reklamë për… kompaninë e helikopterëve Eurocopter.

Bëhet fjalë për prillin e vitit 2009. Shqipëria nuk e ka marrë ende statusin kandidat, kurse helikopterët u bënë mollë sherri mes Berishës dhe SHBA-ve, që kishin hyrë në garë për tenderin e helikopterëve. Madje edhe në dokumentet e Wikileaks u zbardh ky skandal i Berishës. Ndërkohë që u premtonte amerikanëve se do kishte procedura transparente në tender, ai e kishte dhënë tenderin tek francezët.

Sot e kësaj dite ende askush nuk di cila është kontrata me kompaninë Eurocopter, çfarë parashikon ajo, si është historia e një helikopteri VIP super të shtrenjtë, sa ka kushtuar ai? Ministria e Imamit nuk ka denjuar asnjëherë të zbardhë detaje për këtë histori. Dhe ta mendoni se bëhet fjalë për dhjetëra miliona euro.

Por gjërat rëndohen më shumë. Ndërkohë që dje nuk kishte agjenci e media ndërkombëtare që nuk raportonte për rrëzimin e helikopterëve, bunkeri i Imamit heshtte, sikur të mos ishte rrëzuar një helikopter i blerë nga Shqipëria. Aq më tepër që kishte dyshime se mund të kishte pilotë shqiptarë në trajnim.

Pse ky njeri e drejton këtë ministri si bunker dhe pse duhet që shqiptarët të shfletojnë mediat franceze për të marrë vesh ç’bëhet me paratë e tyre?

——————-

Rrëzohet në Francë helikopteri i porositur nga qeveria shqiptare

TemA, 26 Korrik 2012

Një helikopter i porositur nga qeveria shqiptare tek kompania Eurocopter, është rrëzuar në Francë gjatë provave, duke vrarë gjashtë persona.

Helikopteri i llojit Cougar i përkiste kompanisë Eurocopter dhe po kryente një fluturim testi, që përfshinte pilotët dhe inxhinierët.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të kufirit me Italinë të mërkurën dhe sipas burimeve mësohet se incidenti ka ndodhur në testin e fundit të provës në kanionet e Verdonit, në juglindje të Francës. Bëhet e ditur se ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, do të zhvillonte ceremoninë e helikopterëve, ku dy helikopterë të rinj të “Cougar” dhe një i “EC-145” do vinin në Rinas.

Stacioni radiofonik francez, Europa, tha se helikopteri “Cougar” ishte destinuar për ushtrinë shqiptare bashkë me një helikopter tjetër të tipit “EC-145”. Helikopteri parashikohej të përdorej nga ushtria për transportimin e personaliteteve, por dhe për nevoja të tjera të ushtrisë.