Nga Xhevdet Shehu, 22 Gusht 2013
Dje, si gazetar dhe qytetar i këtij vendi kam përjetuar një emocion të papërshkrueshëm, kur pas më shumë se 22 vjetësh në demokraci, lexova mesazhin e Kryetares aktuale të Kuvendit, ende në detyrë. Dikush mund të thotë që shoqja Jozefina Topalli ka ikur për lesh? Joooo. Unë për vete u mallëngjeva shumë. Lotët më ikën çurg dhe m’u kujtuan o shokë kohët e lavdishme kur ishim kështjellë e pamposhtur në brigjet e Adriatikut dhe hidhnim valle në gojën e ujkut. Më në fund thashë, doli një burrneshë dhe ia theu hundët me fakte dhe brinjët me argumenta imperializmit amerikan.
Zonja Topalli në Facebook nuk i la kusur ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Po more, po. Ambasadori paska bërë një gabim të tmerrshëm, një gabim të pafalshëm, një gabim historik. Si more ambasador, paske guxuar të krahasosh 23 qershorin e këtij viti me 22 marsin e lavdishëm të vitit 1992 kur demokratikasit e Saliut ardhën për herë të parë në pushtet?
E vrava mendjen gjatë dhe u binda plotësisht se Jozefina Topalli ka të drejtë, ndërsa zoti Arvizu ka gabuar në mënyrë të pashmangshme si të gjithë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara që kanë ardhur në Tiranë pas përmbysjes së diktaturës komuniste. Më në fund u binda se ambasadorët amerikanë janë armiq të Shqipërisë. Ata, (sidomos këta dy të fundit), i kanë sjellë një dëm të pallogaritshëm atdheut tonë të shtrenjtë demokratikas. Më poshtë po paraqes disa argumente në favor të zonjës Topalli dhe natyrisht në disfavor të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, pavarësisht nga risku se qeveria në ikje e Doktor Berishës mund të më heqë statusin e gazetarit, ashtu si ushtarakëve që do dalin të protestojnë për SHQUP-in, domethënë mund të më shpallë person non grata në vendin tim. Megjithatë unë po e bëj këtë dhe ‘le të bëhet kiameti’ pas kësaj, siç i pëlqen Doktorit të shprehet pas ikjes së tij.
E para, ambasadori i Shteteve të Bashkuara e ka kryekëput gabim kur thotë se zgjedhjet e 23 qershorit ishin historike si ato të 22 marsit 1992. Si mund të bëhet ky krahasim? Këtu jam plotësisht në një mendje me zonjën Topalli, pasi nëse atëherë u përmbys diktatura e Ramiz Alisë, pasi Enver Hoxha kishte vdekur nja shtatë vjet më parë, më 23 qershor u përmbys Sali Berisha, Skënderbeu i Shqipërisë, burri më i madh i kombit, i pazëvendësueshmi, atij që edhe kur pjerdh i mbahen pordhët shënim, lideri, pra historik i Partisë Demokratikase.
E dyta, ambasadori Arvizu gaboi gjatë fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit dhe nuk doli në asnjë miting të PD-së përkrah Sali Berishës dhe të ngrinte dy gishtat përpjetë edhe ai. E kishim harruar thuajse fare këtë fakt dhe na e kujtoi një diplomat shumë i shquar sikurse është Kreshnik-Kreshnik-Kreshnik Çollaku, zv.ministri për punët e jashtme në ikje i qeverisë Berisha. Shumë mirë bëri zonja Topalli dhe zoti Kreshniku që na e kujtuan këtë, sepse në fakt në zgjedhjet e 23 qershorit Shqipëria rrezikohej nga kthimi në pushtet i neobllokmenëve të tipit Edi Rama. Legjendari Sali Berisha mund ta ndalte këtë rrezik po të kishte në krah ambasadorin Arvizu. Por ambasadori Arvizu nuk doli nëpër mitingje dhe këtu gaboi rëndë. Nuk e nuhati trendin e zhvillimeve dhe kjo ishte e pafalshme. Dhe ja ku jemi: me një qeveri neokomuniste dhe bllokmenësh të rinj me Edvin Kristaq Ramën në krye!
E treta, ambasadori Arvizu është treguar krejtësisht jo vizionar me deklaratën e tij të pardjeshme në Jalë. Miop, e quajti zonja Jozefinë me të drejtë. Pse? Sepse nuk i ka dëgjuar paralajmërimet shumë serioze që ka bërë ish-kryetari i PD-së dhe Kryeministri në ikje, pra dora vetë Sali Berisha se do të bëjë një opozitë shumë të fortë duke filluar që nga shtatori, për të rrëzuar sa më shpejt qeverinë e panisur të Edi Ramës. Të mos e nuhasësh dhe parandiesh riardhjen në pushtet të Berishës e të PD-së në qeverisje dhe të Jozefinës si kryetare e ardhshme e parlamentit, kjo është jo vetëm miopi, por është për të vënë kujen, kur kjo miopi manifestohet nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E katërta, ambasadori Arvizu është falsifikator i historisë. Kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme për një ambasador, sikurse e heq veten. Jam dakord me shoqen parafolëse Jozi se ky ambasador i pacipë duhet përgjigjet para gjykatave tona të pavarura për falsifikimin e historisë sonë të lavdishme, sidomos asaj demokratikase. Në fakt, unë duke qenë shumë i emocionuar nga mesazhi i zonjës Topalli, nuk e kam marrë vesh ende se çfarë ka falsifikuar ky ambasadori amerikan, por duke qenë se i besoj shumë zonjës Topalli, nuk e vë aspak në dyshim se diçka ka shkelur ambasadori dhe për këtë duhet të dënohet!
E pesta lidhet pashmangshmërisht me katër gabimet e rënda që rendita më sipër të ambasadorit Arvizu. Sipas Kryetares në detyrë të Kuvendit dhe sipas zv/ministrit të jashtëm në ikje, ambasadori Arvizu duhet të shpallet armik kllase dhe të ndëshkohet si i tillë. Zonja Topalli përmend Brezhnjevin, Reiz Malilen e të tjerë. Pra, është e qartë që kemi një grup armiqësor kundër Doktorit, madje me shtrirje planetare. Po të bëjmë një hamendësim të vogël, komploti është ideuar në Uashington, është miratuar në Moskë dhe është zbatuar në Tiranë. A nuk ju kujtohet se si gjoja rastësisht ndonjë vit e ca më parë ishte pikërisht ky ambasador që i dha zjarr lëvizjes ‘Vepro Tani!” E, çfarë ishte në thelb ajo lëvizje? Ngrihuni, o njerëz, merrni pjesë në votime dhe përmbysni Skënderbeun e Shqipërisë! E shikoni pra sa keq ka punuar ky ambasador?
Ky komplot i ka sjellë një dëm të pallogaritshëm Shqipërisë demokratikase. Po si nuk u preke ndopak more zoti ambasador nga lotët e Berishës në ditën e dorëheqjes si kryetar i PD-së? Kjo është kriminale! Atëherë, ndërgjegjësohuni o njerëz! Le të fillojmë një gjyq special kundër armikut të kllasës Aleksandër dhe në emër të popullit ti bëjmë një gjyq special mu në mes të Tiranës. Hë më të lumte o shoqja Jozefinë!







