Nga: Neki Babamusta, Londër
27 Shkurt 2012
Fitorja e Demokracisë rilindi vlerat e larta fetare
Historikisht, të gjitha vlerat fetare të popullit shqiptar, kanë qenë dhe janë nderi dhe lavdia e kombit tonë. Në momentet më kulmore, predikuesit e shenjtë të Kuranit dhe të Biblës, me fjalën e Zotit, kanë qenë vizionarët e patriotizmës shqiptare, në luftën për liri, pavarësi dhe gjuhën e bukur shqipe.
Harmonia fetare e popullit tonë, është shembull frymëzimi për mbarë popujt e botës, gjë që na bën të ndihemi krenarë.
Pas rënies së diktaturës komuniste, në vitet e Demokracisë (mars 1992) e drejta për të qenë i lirë dhe për të besuar, e mohuar për gjysëm shekulli, u bë realitet. Entuziazmohesh kur dëgjon e sheh, se në kohën e demokracisë, janë akorduar fonde të mëdha financiare për ndërtim kulte fetare si xhami, kisha, teqe, etj. Kështu demokracia, mori kuptim funksional, sepse liritë fetare dhe ato politike, kanë të njëjtin mision madhor: lumturinë, harmoninë, dhe paqe për krijesën më të bukur të Zotit – njeriun!
Haxhi Xhaferr Shkodra, besimtari i parë në Shqipëri që veshi uniformën e Islamit, në fillimin e proçeseve demokratike
Në foto: Haxhi Xhaferr Shkodra
Të parët e Haxhi Xhaferrit jetonin në trevën e Shkodrës, princeshë kryelartë e Arbërit, simbol lirie dhe patriotizmi. Prindërit e Haxhi Xhaferrit u ngulën në Kavajë 100 vite më parë. Nga të parët e tij, Haxhi Xhaferri trashëgoi vlerat e larta të Islamit në të mirë të shqiptarizmës.
Propaganda komuniste nuk i honepste idetë filozofike të Islamit dhe të Biblës për paqe dhe vëllazërim. Diktatura komuniste filloi persekutimin e figurave të larta fetare me burgime, pushkatime dhe shkatërrimin e ndërtesave fetare, ndonëse ishin monumente kulture.
Haxhi Xhaferrit iu ndalua predikimi për Islamizmin. Për këtë është thirrur shumë herë nga organet e Sigurimit të shtetit, me kërcënimin për ta burgosur.
Familja e Haxhi Xhaferrit ra në mjerim të plotë, sepse i mohuan jo vetëm dritën e diturisë, por edhe të drejtën për të punuar. Si njeri me vullnet të hekurt, ai i rezistoi vullkanit të komunizmit. Ndonëse ishte i detyruar të paraqitej disa herë në degën e Punëve të Brendshme, Haxhi Xhaferri nuk iu nëshkrua persekutimit të kuq, sepse besonte në rrezatimin e Islamizmit. Haxhi Xhaferri ishte nxënës besnik i legjendarit Hafis Ali Korça, i Haxhi Isuf Kazazit, i të paharruarit Hafiz Sabri Koçit, nga Shkodra që predikonte në Kavajë, gjithashtu edhe i Hoxhë Leçinit, duke ndjekur udhët e tyre.
Në foto: Fidainjtë e parësisë së Devollit nën kryesin e Hafiz Ali Korçës
Që në agim, me karrocën e tij, furnizonte dyqanet me arkat me qumësht. I pikëllonte zemra kur shihte në rradhë grumbuj njerëzish, të ngritur në mesnatë për një shishe qumësht. Ndonëse edhe familja e tij me katër fëmijë jetonte në varfëri, Haxhi Xhaferri, u dërgonte shishen e qumështit në shtëpi të moshuarve, të sëmurëve, duke sakrifikuar në shumë raste edhe pagën e tij minimale. Kjo ndodhte sepse Haxhi Xhaferri kishte thithur në qumështin e nënës humanizmin.
Haxhi Xhaferri është njeri me inteligjencë të jashtëzakonshme dhe autodidakt. Në predikimet e tij vazhdon të përhapë në Kavajë dhe rrethina e fshatëra idetë e Islamit për vëllazërim, paqe e tolerancë. “Përpara Zotit,”- thotë Haxhi Xhaferri, “myslimanët, të krishterët, katolikët, janë të barabartë.” Me oratorinë e tij, ai të bën për vete dhe të imponon respekt.
Feja dhe shkenca janë për Haxhi Xhaferrin dy kështjella me arkitekturë, me rrezatim për një jetë më të mirë.
Haxhi Xhaferrin e kam pasur nxënësin tim në shkollën e mbrëmjes, në gjimnaz. Në korrikun e vitit 1963 kur Haxhi Xhaferri po jete provimin e maturës “Historia e Shqipërisë”, e ngacmova me shaka duke e pyetur:
– A rrotullohet bota?
– Po, – më tha!
– Po a nuk mund të kemi frikë, se mos boshti i tokës shtrembërohet dhe ne mos përfundojmë në oqean?
– Jo, mësuesi im, – më tha. Mos ki frikë se nuk rrokulliset bota…, por ju mësuesi im nguliti mirë këmbët në tokë, sepse ndryshe as varri nuk të qas. Ndërsa ata që kanë pësuar lajthitje mendore, me siguri do i përpijnë valët e oqeanit. (Haxhiu e kishte fjalën për regjimin komunist).
I hodha një buzëqeshje me shikim ngazëllues, duke i shprehur mirënjohjen time për një talent, shkëlqimi i të cilit nuk i pëlqente diktaturës. Kjo sepse veprimtaria e Haxhi Xhaferrit për vite me rradhë, ka goditur speciet e degraduara të komunizmit, duke i krahasuar me sputnikët që rrotulloheshin kot në orbitë, sepse kishin prishur mendjet njerëzore.
Bollshevizma po jep shpirt në strofullën e vet
Janar 1990: Fillimi i proçeseve demokratike. Fantazma komuniste po jetonte çastet e fundit. Në Kavajë vinin anëtarët e Byrosë Politike dhe çirreshin: Po na ikën pushteti! Po na rrëshqet parajsa komuniste. Populli përgjigjej: Ju erdhi fundi! Poshtë diktatura!
Nga fundi i janarit të vitit 1990, engjëjt trokitën në dyert e kavajasve. Haxhi Xhaferri, veshur me uniformën e Islamit drejtoi një turmë të madhe njerëzish me lutje e këngë fetare. Mijëra njerëz, sytë e të cilëve rrezatonin shpresë, u drejtuan për në vendin e shenjtë, xhaminë kubelie 500-vjeçare, që diktatura komuniste e kishte shembur në marsin e 1967-tës. Mbi shkallët e gurta të kësaj rrënoje (sot e ndërtuar nga fondacioni “Vëllezërit Averiku”), u ndje këmbushëm zëri i ëmbël i Haxhi Xhaferr Shkodrës, ku foli: “Me shpresën e Zotit, bolshevizma po merr fund! Të ruajmë qetësinë dhe të mos vëllavritemi, sepse bie në kundërshtim me parimet e Islamit!” Pas faljes njerëzit u shpërndanë në grupe, me optimizëm për të ardhmen.
Në foto: Falja e Bajramit
Haxhi Xhaferri ka bërë studime plotësuese islamike në universitetin e Kairos. Disponon një biplotekë shumë të pasur.
Në shtator 1993, me iniciativën e Haxhi Xhaferrit, shkolla e mesme “medrese” e Kavajës iu dha emri “Hafiz Ali Korça”. Haxhi Xhaferri u bë drejtori i parë i saj. Në këtë shkollë, përveç lëndëve fetare, mësohen disa gjuhë të huaja, dhe jepen lëndë shkencore. Nxënësit e saj, që kanë vazhduar studimet brënda dhe jashtë vendit, i kanë dhënë shkollës një vend të nderuar.
Në foto: Medreseja e parë në Kavajë
Në foto: Panairi Shkencor në Medresenë e Kavajës (2011)
Në vitin 1995, Haxhi Xhaferri improvizoi në minaret oxhakun e kompleksit të fabrikës së tullave. Me energjinë e një të riu, ngjitej lart, pas hekurave ku përhapte islamin për ditët e faljes dhe të Ramazanit.
Në vitin 1998-99 kur kriminelët serb përzunë me forcë mbi 800,000 shqiptarë, Haxhi Xhaferri iu drejtua bashkëqytetarëve të vet: “Shkjau serb po na vret vëllezërit tanë shqiptarë në Kosovë. Po u djeg shtëpitë, po vret fëmitë në barkun e nënës. Në shikimin e refugjatëve të shqiptarëve të Kosovës lexohet barbaria e kanibalëve serb. Prandaj ju drejtohem ju besimtarë të Islamit, dhe të krishterë, që çdo shtëpi në qytet dhe në fshat të bëhet vatër bujarije, sepse ne jemi me ta me trup, me zemër me gjak!” Ai ndihmoi në sistemimin e shumë familjeve shqiptare nga Kosova në Kavajë.
Haxhi Xhaferri si humanist shpërndan ndihma ekonomike dhe financiare për familje me të ardhura të pakta. Ai ka ndihmuar edhe nxënës për të vazhduar studime brenda dhe jashtë vendit me fondacionin e tij, në degët ku dëshirojnë ata. Në raste mortore, Haxhi Xhaferri është i pari që shkon dhe bën shërbime falas në çdo kohë.
Edhe sot që eshtë tek të 80-tat, ai predikon me pasion si dikur. Për këtë arsye është bërë njeri shumë i dashur dhe respektuar në popullin e trevës së Kavajës. Haxhi Xhaferri së bashku me gruan e tij besnike dhe të nderuar, nga fisi “Lilamani” i Kavajës, kanë rritur dhe edukuar katër fëmijë. Djemtë e tij, të shkolluar dhe me punën e tyre në emigracion kanë arritur të ngrejnë një fabrikë tullash në Kavajë, ku janë punësuar dhjetëra njerëz.
Në vitin 1993, ish presidenti i Republikës z. Sali Berisha, për meritën fetare në shërbim të patriotizmit dhe për harmoni fetare i akordon Haxhi Xhaferr Shkodrës, dokoratën e lartë të Patriotit.