Nga Intervistë me Mustafa Nanon, 20 nëntor 2011
1-Dita e Çlirimit: 28 apo 29 nëntori?
S’kam ide. Dhe nuk është se më ha meraku shumë për data. Por nisja e sherrit për këtë punë pa u sqaruar e saktësuar më parë prej historianëve ka qenë një punë e poshtër.
2-Shenjat e cilit pushtues duken më qartë në fizionominë sociale shqiptare?
Në fizionominë sociale, po thoni? Po të turqve, sigurisht. Kanë qëndruar gjatë, shumë gjatë, në këto anë.
3-Kur themi ‘qytet’ në kuptimin ‘polis’, cili prej vendbanimeve shqiptare e meriton këtë emërtim?
Nëse me polis kuptojmë polis, asnjë qytet.
4-WikiLeaks, mirë apo keq?
Më shumë mirë se sa keq.
5-Gegnishtja apo standardi?
Kështu si e shtroni, e kam përgjigjen të lehtë fare: standardi.
6-Shqipëri etnike, apo kështu si jemi mjafton?
Me Shqipëri etnike kuptoni një shtet të përbashkët për të gjithë shqiptarët? Jo, faleminderit. Sikur ta kisha unë në dorë këtë gjë, do bëja çmos ta pengoja hë për hë. Do ishte një entitet jo eficient. Dhe më e bukura është se s’ka nevojë ta pengosh. Është thjesht i pamundur. Hë për hë, thashë.
7-A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?
Nëse me Shqipëri kuptoni Republikën e Shqipërisë, jo.
8-A ka patur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?
Keni edhe më mbrapa pyetje të tilla me humor?
9-Si do i përshkruanit gjurmët në histori të Ahmet Zogut, Enver Hoxhës, Sali Berishës…
Në këtë këtë rast, po të isha piktor, do gjendesha i sulmuar nga asosacjoni i një zhgarravine. Por edhe pa qenë piktor, është e njëjta gjë.
10-Ballist, legalist, partizan apo asnjanës?
Legalist, por në kuptimin politiko-kulturor të termit.
11-A ishte Partia Komuniste Shqiptare vepër e jugosllavëve?
Jugosllavët ndikuan bajagi, por ishte në logjikën e lëvizjeve komuniste, që kjo të ndodhte. Në këtë kuptim, më bën më shumë përshtypje ndarja nga jugosllavët në fund, se sa subordinimi ndaj tyre në fillim.
12-Në rrafsh simbolik, si do e shpjegonit Hamza Kastriotin?
Ai është një nga personazhet historikë, që më bëhet njësh me ethosin shqiptar. Ka dhe të tjerë, sigurisht, që Shqipëria duket sikur i ka nxjerrë nga rropullitë.
13-Po Mbretëreshën Geraldinë?
Ka shkëlqyer me mungesën e vet. Nuk e di nëse do të shkëlqente me praninë.
14-Partizani, Tirana, Dinamo, Vllaznia apo Besa?
Kam qenë tifoz me Partizanin. Prej Panajot Panos, të cilin e kam parë me sytë e mij në dy vitet e fundit. Dhe e mbaj mend si luante.
15-A është frymëzuese figura e Krishtit?
S’do mend. Tok me atë të Muhametit. Janë bërë luftra pa fund ne emër të këtyre figurave. Dhe vazhdojnë të bëhen.
16-Nëse do i përballnit si simbole fetare, historike, sociale por edhe kulturore, cili ka ndikuar më shumë historinë e njerëzimit, Krishti apo Muhameti?
Më duket se Krishti, por jo për shkak të dominimit të perëndimit në pjesën më të madhe të historisë. Krishtërimi është vetëm një pjesë e qytetërimit perëndimor.
17-Bestytnitë; i njihni, i sundoni apo u sundojnë?
Të gjithë kemi momentet tona bestyte.
18-Si do e përkufizonit Haxhi Qamilin?
E përfytyroj shpesh si grua, si kryetare parlamenti.
19-A është Gjergj Kastrioti mishërimi i pragmatizmit dhe njëkohësisht indiferencës fetare të shqiptarëve?
E dini? Po vë re që shqiptarët e sotëm nuk janë dhe aq indiferentë. Kohët e fundit po vihet re një eksitim i fortë fetar këtej nga anët tona.
20-‘Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë’…premtim romantik apo përshkruese e rolit të Diasporës në jetën e Shqipërisë?
Diaspora ka luajtur një rol në fillim të shekullit të shkuar. Por tani e shoh të shushatur, të çoroditur, të çorganizuar. Dhe më mire që është kështu. Edhe një diasporë vitale do na duhej neve!
21-Feja e shqiptarit është shqiptaria! A është një kredo e tejkaluar?
Jo, përkundrazi, mendoj se duhet ta riaktualizojmë e kontekstualizojmë këtë kredo, por jo domosdoshëmrisht në kurriz të feve. Do doja që shqiptarët të ndiheshin shqiptarë më së pari, e pastaj myslimanë apo të krishterë.
22- Për këtë diell!, Për ideal të Partisë! Për nder të familjes; Për Shqipëri apo, për Zotin?
“Për këtë dhé e për këtë qiell”, është më mirë. Megjithëse, pjesa e dytë e be-së, të çon prapë atje, në qiell.
23-Tradita dhe folklori shqiptar njohin pritën dhe jo duelin. Pse?
S’më kish shkuar mendja. Në fakt, nuk më duket gjithnjë kështu. Edhe dueli njihet. Gjergj Elez Alia në duel ka dalë. Me bajlozin. Por pusia, ndoshta keni të drejtë, duhet të jetë më e pranishme si mise-en-scène folklorike. Pusia na shkon ne shqiptarëve më shumë se dueli.
24-A është Kanuni libri më pak i lexuar dhe më shumë i interpretuar ndër shqiptarë?
Me siguri, po.
25-A keni menduar ndonjëherë ‘ky vend nuk bëhet’?
Jo, shprehja “ky vend nuk bëhet” nuk më pëlqen. Por mendoj gjithnjë ashtu si Berlusconi mendon ndonjëherë për vendin e vet, dmth që “ky është vend muti”, gjë që në thelb mund të jetë e njëjta gjë.
26-Kur dëgjoni ‘o sa mirë me qenë shqiptar!’ sikletoseni apo rrëqetheni?
Jooooo, emocione të tilla të skajshme provoj në situata të tjera. Slogane të tilla më lënë indiferentë. Fare indiferentë. Mund t’më ngacmonin, ndoshta, në një situatë të ndezur luftarake.
27-Poet Kombëtar: Fishta apo Naimi? Pse?
S’e di ç’dmth poet kombëtar.
28-Ç’do të thotë për ju ‘e djathtë’ dhe, a ekziston e djathta shqiptare?
Nuk ka në Shqipëria as parti të djathtë, as parti të majtë. Ka tek-tuk njerëz të majtë e të djathtë.
29-A shihni vazhdimësi të PPSH-së në PSSH?
Jo. Një optikë të tillë të thjeshtëzuar ka rrezik të mos e kam pasur as në vitin 1991.
30- 1913, 1939, 1944, 1997…cilin do konsideronit ‘Vit të mbrapshtë’?
Për mua çdo vit që ka shkuar është i mbrapshtë. Përfundim trishtues? Po, e di, por ja që kështu e mendoj. Shpresoj që vitet që do vinë të jenë të ndryshëm.
31- Ka një alarm rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?
Do mbijetojë, por mundësitë për të bërë biznes me të do të jenë më të vogla.
32-Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?
S’kam ndonjë pyetje të tillë. Ose kam vazhdimisht.
33-Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?
Shihni përgjigjen nr. 32.
Marrë nga revista Mapo. Intervistoi Alfred Lela.