Nga Burim Breznica
Libri në formë ditari: “Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen Shqyptare te vjetit 1912” që paraqet shënimet e patriotit dhe dijetarit të shquar, Hasan Prishtina, sponsorizuar nga Drejtoria për Arsim, Kulturë dhe Rini e komunës së Prishtinës (2009) me të vërtetë është një broshurë apo libër ditar i veçantë, mbresëlënës dhe që mund të mësohet prej tij. Në këtë libër interesant, fillimisht jepen shkaqet historike, mënyra e organizimit dhe kryengritja e shqiptarëve kundër pushtuesit otoman të asaj kohe (fillimi i shekullit 20) e pandalur për liri si dhe vështirësitë në komunikimin ndërshqiptar të asaj kohe, përveç tjerash.
Përveç lobimit dhe angazhimeve të tij politike të parreshtura për të drejtat e shqiptarëve, tjetër argument i kontributit të madh të Hasan Prishtinës si atdhedashës i dëshmuar, si bujar dhe si vizionar është kur ai ndan fonde nga pasuria e tij private për të ndihmuar të rinjtë shqiptarë që të shkollohen në Normalen e Elbasanit (f. 48) dhe gjetkë. Në vitin 1912 kur bëhen përgatitjet për të filluar kryengritjen shqiptare të kohës, dhe duke pritur ndihmat e premtuara financiare dhe në armë nga udhëheqës të tjerë të lëvizjes por që në momentin e fundit nuk sigurohen, atëherë Hasan Prishtina shet mallin nga depot dhe pasuritë e tij personale për të financuar një kryengritje të tillë.
Ndërsa në parathënie të këtij libri të parë ditar që është botuar më 1921, në Shkodër, thuhet kështu: “Fitimin qi ka me u nxjerr prej kësaj broshure, kam me e kushtue për sigurim t’arsimit të fëmijëve jetima, veçmas në Kosovë, Shqipëri, Dibër dhe Çamëri”. Edhe pse një situatë tjetër ajo në të cilën ka jetuar Hasan Prishtina, mësimi që zyrtarë dhe funksionarë aktualë në institucione dhe në kompani publike (sigurisht ka shumë përjashtime) por edhe individë nga sektori privat mund të nxjerrin është esencial dhe shumë i rëndësishëm: atdhetarët, dijetarët dhe ata që punojnë sinqerisht për vendlindjen bëjnë gjithçka për ta zhvilluar, për ta forcuar dhe për ta përparuar vendin, dhe jo duke menduar për interesa të ngushta individuale apo grupore.
Siç pata shkruar në një analizë timen të mëhershme: institucionet, kudo në vendet demokratike, krijohen që të jenë në shërbim të qytetarëve, që të ndikojnë në përmirësimin e jetës së tyre dhe të ngrisin kualitetin e jetës, duke zhvilluar ekonominë dhe duke angazhuar ato kuadro që janë meritorë, të pakorruptuar e të dijshëm dhe jo njerëz jokompetent, joprofesional dhe të papërvojë, që fatkeqsisht ka të tillë në jetën politike, shoqërore, ekonomike etj. në Kosovën e pavarur, kuptohet me përjashtime.
Qytetarët e Kosovës meritojnë një të ardhme më të mirë, meritojnë qeverisje edhe më efikase, më transparente, meritojnë jetë më të mirë pas gjithë atyre sakrificave që kanë bërë në të kaluarën dhe puna e institucioneve është që të angazhohet maksimalisht në këtë drejtim përkundër kufizimeve të ndryshme financiare dhe shkaqeve të ndryshme, në shumë raste objektive. Modeli i patriotit dhe dijetarit Prishtina është një shembull vizionar dhe bujar për përfaqësues të institucioneve publike dhe atyre private dhe për qytetarët në Kosovë që duhet ndjekur tani më shumë se kurrë më parë, mendoj unë.







