“Harrimi” i drejtësisë!

0
38

Rexhep Meidani

Rexhep Meidani, 07.01.2010

Të mos bëhemi pjesë të “harresës!

Po bëhet si tepër i zakonshëm justifikimi i vonesës së Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave për në hapësirën Shengen. Ndërkohë, shumë më e pranueshme është për të pohuar se në këtë proces shumë shpejt do të përfshihemi, madje se s’bën, edhe ne!

Akoma më të çuditshme janë argumentet me “histori të kaluara”, sidomos kur krahasimi bëhet me Serbinë, që ka kryer, gjatë dekadës së fund-shekullit, gjakderdhjet nga më mizoret në territore të tilla si Bosnja e Kosova. Aq sa Serbia ka nisur sulmin e ri diplomatik. Bile, u harrua fare nga politika pikërisht kjo histori, siç u harrua ajo edhe nga vetë Evropa demokratike.

Aq më tepër që ende nuk u janë kërkuar falje popullsive të këtyre territoreve, viktima të pafajshme të politikës së pastrimit etnik e gjenocidit të Serbisë së Millosheviçit. Dhe, ndërkohë vazhdojnë proceset gjyqësore të lidhura me to në dy gjykata ndërkombëtare, ku dhe “përzihen” palët!…

Loja serbe me “drejtësi”

Sulmi “diplomatik” serb ka arritur kulmin e vet kohët e fundit. Sidomos pas hapjes së “portave të Shengenit”!

Kështu, pas kërkesës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, asaj për dënimin e gjenocidit kroat mbi popullsinë serbe, Presidenti serb Tadiç u ka kërkuar autoriteteve ndërkombëtare organizimin e vizitës së tij në Kosovë (Presidenti serb ka qenë për herë të fundit në Kosovë në 17 prill 2009, gjatë vizitës në manastirin e Deçanit, me rastin e Pashkëve Ortodokse.

Kjo vizitë u mundësua nëpërmjet Zyrës së Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Piter Feith, dhe miratimit të institucioneve të Kosovës.

Veçse, këta të fundit, në prononcimet e tyre, nënvizuan se nëse presidenti serb do të bënte çfarëdo deklarimi politik, që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do t’i ndalohej hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në kapacitet privat apo zyrtar. Tamam siç është rasti aktual!)…

1. Sipas zyrës së shtypit të presidenti serb, Boris Tadiç do të vizitojë Kosovën pa lejen e autoriteteve kosovare.

Pra, krejt ndryshe nga ajo e presidentit kroat, Stipe Mesiç, që do të vizitojë Kosovën me ftesë të presidentit kosovar, Fatmir Sejdiu, duket se Tadiç dëshiron të sfidojë këto autoritete kosovare, duke mos kërkuar lejen e tyre.

Sipas mediave serbe, Tadiçi ka kërkuar leje për vizitën tek autoritetet ndërkombëtare, të cilat, më pas, kërkesën thuhet se ua kanë përcjellë institucioneve kosovare.

Por, në adresë të institucioneve nuk ka arritur një kërkesë e tillë, të paktën kështu thotë zëdhënësja e MPJ-së të Kosovës, Albana Beqiri. Ndërsa, zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se Tadiç nuk duhet të japë deklarata që nxisin reagime, madje pohon se “ne, parimisht, kurrë nuk kemi qenë kundër që kryetarë të vendeve të tjera të vinë dhe ta vizitojnë Kosovën. Mirëpo, (ata) të sillen konform rregullave, të mos japin deklarata të pamatura, që nxisin reaksione të padëshiruara ndër qytetarët e vendit”…

Sido që të jetë, autoritetet e rendit kanë bërë të ditur se nëse institucionet e Kosovës lejojnë vizitën e Tadiçit, do të ofrojnë siguri. Pa një leje të tillë, atij nuk do t’i lejohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës, ka njoftuar Policia e Kosovës.

2. Disa ditë pasi është ftuar zyrtarisht në Tiranë, presidenti serb, Boris Tadiç, në një paraqitje në televizionin shtetëror të Serbisë, ka përsëritur qëndrimin kundër pavarësisë së Kosovës, paralelisht me përcaktimin e vendit të tij për t’u integruar në strukturat euroatlantike (!).

I pyetur se çfarë është më e rëndësishme për vendin e tij, hyrja në Bashkimin Evropian, ose Kosova, zoti Tadiç ka thënë se Serbia do të hyjë në BE pa hequr dorë asnjëherë nga Kosova. Dhe e gjitha kjo kur Beogradi nuk ka kërkuar ende falje zyrtarisht për krimet në Kosovë…

3. Serbia dorëzoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë padinë kundër Kroacisë për gjenocid ndaj serbëve nga viti 1991 deri në vitin 1995 (së bashku me një aneks të krimeve të Shtetit të Pavarur të Kroacisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore). Serbia ka vendosur të ndërmarrë këtë hap, sepse Kroacia para 10 vitesh kishte paditur Serbinë për gjenocid. ë proces.

Lidhur me këtë aktpadi, presidenti kroat në largim Stipe Mesiç deklaroi se Serbia do ta ketë shumë vështirë që para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë të dëshmojë se ndaj serbëve është kryer gjenocid.

“Asnjë ushtar kroat nuk e kaloi kufirin e Serbisë, asnjë ushtar nuk vrau asnjë në Serbi, nuk dogji asnjë shtëpi dhe nuk bombardoi asnjë qytet”, tha Mesiç, duke komentuar paralajmërimin e qeverisë serbe për ngritjen e kundra-akuzës ndaj Kroacisë.

“Para së gjithash, interesi i Millosheviçit ishte që serbët nga Kroacia të shkonin në Serbi, prandaj edhe e pastroi Kosovën nga shqiptarët, që atje t’i vendoste serbët nga Kroacia”, u tha presidenti kroat gazetarëve në Vjenë…

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – ICJ

ICJ-ja është organi i parë juridik i OKB-së, që e filloi punën në vitin 1946 si pasuese e Gjykatës së Përhershme të Drejtësisë Ndërkombëtare, të shpërndarë më 1946. Statuti i saj është dhe dokumenti bazë i konstituimit, funksionimit e rregullimit të kësaj gjykate botërore.

Si i tillë, ky statut mund të ndryshojë njëlloj si Karta, pra vetëm me dy të tretat të votave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe ratifikimit të këtyre ndryshimeve (amendamenteve) nga dy të tretat e vendeve anëtare.

Vetë ICJ-ja përbëhet nga 15 gjykatës, të zgjedhur për një mandat 9 vjeçar nga Asambleja e Përgjithshme e KS-ja. Ata, “pavarësisht kombësive të tyre duhet të jenë midis personave me karakter të lartë moral” (neni 2), që ose kanë kualifikimin e duhur për zyrat më të larta juridike në vendet e tyre ose janë të njohur si juristë të shquar në lidhje me ligjin ndërkombëtar.

Sipas nenit 31 të statutit, në rastin e grindjeve apo situatave të diskutueshme, është e mundur dhe pjesëmarrja e gjykatësve ad hoc, të zgjedhur nga palët në gjykim, duke e bërë kështu trupën gjykuese të përbërë prej 17 anëtarësh. Krahas plenumit të plotë të gjykatës, ndeshen vitet e fundit dhe funksionimet me dhoma apo me trupa gjyqësore më të vogla prej 3-5 gjykatësish në dëgjimin e çështjeve.

ICJ-ja dhe Kosova

Aktualisht, kjo gjykatë po shqyrton kërkesën e Serbisë ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo kërkesë u miratua në Asamblenë e Përgjithshme e OKB-së, në shtator 2008. Nga 192 anëtarë të OKB-së, 77 votuan në favor të kësaj kërkese 6 kundra, 74 abstenuan dhe 35 vende nuk morën fare pjesë në proces.

Në 17 tetor 2008, ICJ-ja formuloi Urdhrin e aplikimit të kësaj kërkese, në të cilin ajo vendosi që OKB-ja dhe shtetet anëtare, krahas institucioneve të Kosovës, të furnizonin të gjitha informacionet e domosdoshme për këtë gjykatë.

Data 17 prill 2009 u përcaktua koha kufi brenda të cilës mund t’i paraqiteshin kësaj gjykate deklarime të shkruara mbi këtë çështje; data 17 korriku 2009 u caktua dhe koha kufi brenda të cilës shtetet dhe organizatat që kishin paraqitur deklarimet e shkruara, mund të shtonin komente të shkruara mbi deklarimet e tjera, përpara fillimit të dëgjimit.

Në 8 dhjetor 2009, në një nga seancat e fundit dëgjimore, përfaqësuesi amerikan Harold Koh, duke iu drejtuar ICJ-së, theksoi se deklarimi i pavarësisë së Kosovës ishte i vetmi opsion i vlefshëm pas ushtrimit të politikës së pastrimit etnik në këtë rajon të Ballkanit. Për Koh, shkëputja ishte vullneti i popullit të Kosovës, pas dështimit të diskutimeve për arritjen e një zgjidhjeje politike.

Sipas tij, Kosova, me këtë shpallje pavarësie, as nuk ka cenuar ligjin ndërkombëtar, as nuk ka kërkuar ndonjë opinion nga gjykata.

Bile, ligji ndërkombëtar as nuk i ndalon, as nuk i autorizon deklaratat e pavarësisë, por varet nga vendet anëtare t’i pranojnë apo t’i hedhin poshtë deklarata të tilla Për më tepër, thekson Koh, ky deklarim gati unanim i popullit të Kosovës “ka sjellë stabilitetin e nevojshëm në Ballkan, duke i ofruar të gjithë popujve të rajonit një të ardhme evropiane”, duke mbyllur librin e asaj që quhej Jugosllavi.

Për ShBA-në, Kosova është tashmë një shtet i pavarur, madje të dy këto shtete, Serbia dhe Kosova, kanë një perspektivë të përbashkët, atë të integrimit evropian. Së fundi, çdo vendim i gjykatës nuk është detyrues, por Serbia në këtë mënyrë thjesht përpiqet të pengojë një njohje të mëtejshme të shtetit të Kosovës.

Përfaqësuesi rus në atë seancë pretendoi përpara gjykatës se njohja e shtetit të Kosovës do të shpërhapte një sinjal të gabuar për të gjithë lëvizjes separatiste kudo në botë.

Për më tepër, nëpërmjet tij, Rusia e Putinit, shpalosi edhe njëherë standardet dyfishe, aspak demokratike. Ajo, nga njëra anë, e ka shtypur me egërsi lëvizjen çeçene për pavarësi, kurse nga ana tjetër ka njohur shkëputjen e rajoneve të Abkhazisë dhe të Osetisë Jugore nga Gjeorgjia si shtete të pavarura…

Gjykata Penale Ndërkombëtare- ICC

Në vitin 2002, e nisi veprimtarinë e saj dhe ICC-ja. Ajo është gjykata e parë ndërkombëtare e përhershme për të ndjekur e gjykuar individë, që kryejnë krime të rënda ndaj ligjit ndërkombëtar, përfshirë krimet e luftës dhe gjenocidin.

Ajo, nga ana funksionale, është e pavarur nga OKB-ja, në pikëpamje të personelit dhe financimit. Megjithatë, në OKB, janë mbajtur shumë mbledhje të trupës udhëheqëse të kësaj gjykate, d.m.th. të asamblesë së vendeve, që kanë miratuar Statutin e Romës, si bazament të kësaj iniciative ndërkombëtare

Për krahasim, në tabelën pranë pasqyrohen skematikisht veçoritë e këtyre dy gjykatave ndërkombëtare.

KETU KA NJE TABELE !!!!!!!!!!

Tribunali për ish-Jugosllavinë

Edhe pas krijimit të ICC-së, kanë vazhduar funksionimin e tyre Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë – ICTY dhe ai për Ruandën – ICTR. Le të qëndrojmë tek rasti i parë: ICTY-ja është një gjykatë e veçantë ad-hoc e OKB-së për dënimin e krimeve të kryera gjatë luftërave të fundit në ish-Jugosllavi.

Ideja për krijimin e kësaj gjykate u hodh fillimisht nga ministri i jashtëm gjerman Kinkel dhe u miratua me rezolutën 827 të KS-së, në 25 maj 1993. Në juridiksionin e saj, u përcaktuan katër grupe krimesh si: shkeljet e rënda të Konventave të Gjenevës të vitit 1949, dhunimi i ligjit të luftës, gjenocidi dhe krimi kundër njerëzimit.

Por, sipas juridiksionit të kësaj gjykate, mund të ndiqeshin e gjykoheshin vetëm individë të veçantë, dhe jo organizata e qeveri. Si maksimum i dënimit përcaktohej aty dënimi i përjetshëm.

Po ashtu, akuza më e fundit e deklaruar prej kësaj gjykate i takon datës 15 mars 2004, ndërsa, objektivi i gjykatës është përfundimi i të gjithë gjyqeve të nisura deri në fund të vitit 2009 dhe i të gjitha apelimeve deri në fund të vitit 2010.

Vlen të theksohet se ICTY-ja është një gjykatë me status të përkohshëm, pra dhe krejt e ndryshme nga ICC-ja apo ICJ-ja, që i kanë selitë po në Hagë, por kanë një status të përhershëm dhe juridiksione të ndryshme.

Për më tepër, ICTY-ja është krijuar sipas kapitullit VII të Kartës së OKB-së me një rezolutë të KS-së dhe jo të Asamblesë së Përgjithshme. Mbi këtë gjoja fakt mbështetej bile Sllobodan Millosheviçi kur refuzonte gjykimin dhe deklaronte se gjykata nuk kishte autoritet legal për ta gjykuar atë, sepse nuk ishte krijuar sipas një miratimi të gjerë ndërkombëtar…

Tribunalët ushtarakë

Zanafilla e kësaj praktike është pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu, për të dënuar krimet naziste u zhvilluan gjyqet e Nurembergut (Gjermani), në periudhën 1945-46, kundër drejtuesve më të lartë të udhëheqjes politike, ushtarake e ekonomike të Gjermanisë naziste. Më i rëndësishmi midis tyre ishte ai i 22 kriminelëve kryesorë të luftës përpara Tribunalit Ushtarak Ndërkombëtar – IMT, nga 21 nëntor 1945 deri në 1 tetor 1946.

Në gjyqet pasuese u përfshinë krimet e rënda të mjekëve nazistë, gjykatësve, etj. Në mënyrë të ngjashme, në maj 1946, e filloi veprimtarinë e tij dhe Tribunali Ushtarak i Tokios për të penalizuar e gjykuar krimet e drejtuesve kryesorë të perandorisë japoneze. Aty u gjykuan 3 grupe krimesh: “klasa A” (krime kundër paqes), “klasa B” (krime lufte) dhe “klasa C” (krime kundër njerëzimit), të kryera gjatë luftës.

Të përfshirë në klasën A të krimeve u akuzuan dhe u dënuan 28 drejtues të lartë politikë e ushtarakë, ndërsa në grupin e dytë dhe të tretë numri i tyre kapi shifrën e 5700 personave. Nuk përfshihen aty gjykimet e krimeve japoneze të kryera në gjyqet e zhvilluara në Kinë (sidomos në Mançuri) dhe Kore.

Po ashtu, në tribunalin e Tokios, mbështetur në këto tri kategori, nuk u nis ndonjë ndjekje penale ndaj perandorit japonez Hirohito dhe anëtarëve të tjerë të familjes perandorake, përfshirë dhe princin Asaka (që konsiderohej drejtpërdrejt i implikuar, si komandant i trupave japoneze, në masakrën e Nankinit, në dhjetor 1937)…

Mjaftojnë këto shembuj impenjimesh, përpjekjesh dhe shpalosje përgjegjësish në dekada për të ndjerë shqetësimin njerëzor ndërkombëtar, kërkesën e dëshirën, etjen për drejtësi e gjykim.

Sidomos, në shekullin e 20-të dhe atë të 21-të, ky ka qenë e mbetet meraku në rritje i botës demokratike për ngjarje e procese, që kanë cenuar paqen e stabilitetin, sigurinë njerëzore e progresin. Bile, duket e çuditshme se si sot, për interesa politike praktike, pse jo dhe financiare (të brendshme dhe të jashtme), harrohet kjo e vërtetë e madhe apo dhe pjesëza të vogla të saj!

Pjesë e kësaj politike është dhe ajo e BE-së që nga një anë njeh Kosovën si shtet të pavarur (në 27 vende anëtare e njohin atë 22) dhe nga ana tjetër, p.sh., Eurostat (zyra evropiane për statistikat) si një institucion i Komisionit Europian (me seli në Luksemburg) vazhdon të punojë me hartën prej 7 rajonesh të Serbisë, një ndër të cilët është dhe Kosova!…

Drejtësia synon të mishërojë në mendim e veprim, fjalë e sjellje, moralin hapësinor-kohor, paanësinë e transparencës bazuar në ligj, etikën e arsyen, ndershmërinë e barazinë! Por, jo deri deklarimet 180 gradësh të pseudo-politikës dhe modeluesve të shëmtuar të saj! Kjo vlen si për politikën ndërkombëtare, në përgjithësi, ashtu dhe atë shqiptare, në veçanti.

Në rastin e fundit, ngërçi shqiptar i sotëm shpalos jo vetëm moskuptimin e drejtësisë, por ushqen e gjallon akuza të llojllojshme, lojëra demagogjike dhe “përbetime të përmallshme”, përfshirë dhe “harrime”, mallkime e fyerje të djeshme apo të sotme ndaj vetë drejtësisë.

A mund të vazhdohet kështu?! Duket e pamundur, deri e rrezikshme; madje, edhe pse “drejtësia e vonuar është një drejtësi e mohuar”, për ekuilibrin politik e social të vendit ja vlen, qoftë dhe përkohësisht, kjo lloj drejtësie e vonuar, përkundrejt mospërfilljeve teatrale apo sulmeve personale të qëllimshme, nga njëra anë, apo gjoja ftesave publike për ndërprerje bojkoti (që duken më shumë për ta nxitur më tej këtë bojkot, sesa për ta përfunduar atë!), nga ana tjetër.

Dhe, ndërkohë, nuk ka pse të mos kuptohet “harresa” e këtij qëndrimi, pse jo dhe “remords” e politikës evropiane! Bile, pa nevojën e kërkimit të krahasimeve apo justifikimeve të llojllojshme për vendosjen tonë fundore në procesin e liberalizimit të vizave!

Dhe, mbi të gjitha, për të mos lejuar në kuadër të politikës shqiptare, brenda trojeve shqiptare, asnjë veprim të papjekur mirë, që mund të përdoret si një “atu” në kurriz të Kosovës dhe popullit të saj, apo aq më keq si një pseudo-modernitet për hir të kolltukut të pushtetit personal të kujtdo qoftë ai!…