Harbutë me paret tona

0
59


Nga Mero Baze

Gazeta Tema po boton sot një raport investigativ, i cili dëshmon qartazi disa parime mbi të cilat qeveriset sot Shqipëria. Një nga vëllezërit Frangaj dhe një nga këshilltarët e qeverisë, shkëmbejnë email-e, për paret publike, sikur t’i kishin mallin e tyre. Më tej akoma, në letërkëmbimin e tyre i konfirmojnë njëri- tjetrit se kështu kanë vepruar gjithmonë në Këshillin e Ministrave të Sali Berishës.
Shqetësimi i parë serioz që të lind kur ndesh në fakte të tilla, është guximi që Berisha ka për ta bërë këtë praktikë klientelizmi të shëmtuar, jo vetëm në sytë e medies, por dhe në kurriz të saj.

Lista e televizioneve që do të transmetojnë spotet e prodhuara nga familja e TV Klanit, janë të persekutuar në raport me bizneset e TV Klanit dhe më tej akoma janë jashtë liste televizione shumë më të rëndësishme dhe me ndikim se pronat e klientëve të Berishës. Fakti që Berisha nuk bën kujdes të duket transparent dhe “digjital” edhe në një prokurim që ka lidhje me medien, dëshmon për nj arrogancë të pafrenuar të pushtetit mbi paret e qytetarëve shqiptarë, që tani kanë vetëm një destinacion, klientët e Familjes.

Por përtej arrogancës së qeverisë dhe abuzimeve të saj me paret e publikut, duket se ka një përzierje shumë vulgare dhe të njerëzve të administratës në këtë korrupsion. Po të kesh nerva dhe të “shijosh” bisedat vulgare mes ish- zëdhënëses së kryeministrit, tani këshilltare e Ministrit Ksera dhe klientit të pushtetit të Berishës, e shikon se ata janë familjarë me njëri- tjetrin në histori të ngjashme më parë dhe ia lejojnë vetes të flasin dhe më fjalë pornografike për të ilustruar budallallëkun e shefave të tyre, në këtë rast ministrit që mund t’i bëhet pengesë. Mjafton të shikosh se sa lart e ndjen veten mbi Ministrin dhe Ministrinë zonja Meçani, kur i perifrazon ata si “katund” apo kur merr vlerësime nga bashkëbiseduesi i saj me terma pornografikë. Kjo është fytyra e vërtetë e pushtetit, pasi brenda tij janë këta njerëzit e Sali Berishës, kurse të tjerët, përfshi dhe Ministrat, janë thjeshtë njerëz që firmosin.

Ne po i botomë sot këto fakte duke respektuar parashikimin që kanë bërë vetë njerëzit e Berishës në media-planin e tyre, por ne do të shpresonim shumë që ky media-plan të anulohej dhe kjo fushatë të mos bëhej. Do të ishte në nderin e Top Channel ta hidhte poshtë këtë reklamë fyese, jo vetëm pse ka marrë sa një e treta e një stacioni të ri të familjes Frangaj vetëm që të justifikojë fitimet e tij, por mbi të gjitha sepse nuk ka pse përdoret si fasadë në një praktikë të konsoliduar jo-transparente të shpërndarjes së pareve publike. Meqë Berisha po bën festë për vizat, dhe meqë mendon se ajo festë e gjithë shqiptarëve, ai s’ka pse kufizohet vetëm tek televizionet e Familjes së tij dhe të injorojë tregun real televiziv në Shqipëri, i cili nuk është doemos sipas regjistrimit të kanaleve në pultin që gjendet mbi tavolinën e bukës së Familjes Berisha.

Ne shpresojmë shumë që ky botim të anulojë këtë fushatë dhe në shenjë respekti ndaj Ministrave të qeverisë Berisha, dhe në rastin konkret zotin Ksera, i cili trajtohet si një leckë prej dy njerëzve që vendosin se si do shpenzohen paret e shqiptarëve për propagandën e pushtetit të Berishës.
Në fund unë shpresoj që nëse ky shërbim prokurohet në këtë mënyrë dhe sipas këtij parashikimi që kanë bërë dyshja Meçani- Frangaj, atëherë prokuroria të hetojë procedurat e tenderimit dhe mënyrën se si qeveria ka prokuruar dhe shpenzime të tjera marramendëse gjatë vitit të fundit për koncerte, anti-mitingje dhe festa vulgare me cingijet e oborrit.

Ne shpresojmë po ashtu që sa herë që Berisha të flas për tenderat elektronikë të Shqipërisë si një nga praktikat më të mira botërore, kolegët tanë të medies t’i kërkojnë qoftë dhe një praktikë tenderi elektronik në shpërndarjen e së paku dhjetë milionë lekë reklamave dhe shpenzimeve për festa dhe koncerte pas zgjedhjeve të vitit 2009, në shenjë respekti për të vërtetën që po përpiqet të mbytet me zhurma reklamash primitive, nga harbutë që krekosen duke grabitur paret tona.