Hapni telefonat e flisni lirisht, “Gestapo” e Berishës i uli antenat e përgjimit

0
43

Editorial

Nga: Përparim Halili

Hapni telefonat dhe flisni lirisht, sepse ra regjimi që përgjonte edhe telefonat e fëmijëve! Është krejt normale, që e bëjmë këtë thirrje, mbasi në 23 qershor 2013, përveç pushtetit të korruptuar e të kriminalizuar, shqiptarët shpëtuan edhe nga një makth i përbindshëm, siç ishte përgjimi i telefonave, i postës elektronike, i bisedave në kafene e zyra, madje dhe në autobusët urbanë.

Shpëtuan pronarët e mediave, gazetarët, intelektualët, biznesmenët, aktivistët, deputetët dhe drejtuesit e opozitës. Madje, prej përgjimit të regjimit “Berisha”, shpëtuan edhe vetë krerët e dyshimtë të qeverisë, të pushtetit e të PD. Shpëtoi nga përgjimi edhe vetë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Shpëtuan dhe diplomatët, rezidencat diplomatike dhe përfaqësuesit e tyre që vinin në Shqipëri.

Shpëtuan të gjithë, ata që regjimi tipik “GESTAPO” i Sali Berishës, i kishte piketuar si të dyshimtë e “armiq” të kreut të kupolës, të kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij. Hapni telefonat e flisni lirisht pa ankth, pa frikë, pa “kode”! Mos kini më frikë, sepse ditën që ra regjimi “GESTAPO” i Sali Berishës, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami i çmontoi pajisjet speciale, me të cilat përgjonte opozitën e mediat antiqeveritare, por dhe gjeneralët, administratën e ushtrisë, madje edhe kuzhinierët e kavalishencave ku relaksohej kupola dhe familja “Berisha”.

Hapni telefonat dhe flisni lirisht, sepse shefi i “GESTAPO-s” së përgjimeve në polici Agron Kuliçaj, po i mbath jashtë shtetit, për të shpëtuar “lëkurën” prej hakdhënies së ligjit dhe të atyre që u ka nxirë jetën e u ka rrjepur kuletën. Flisni lirisht, se edhe Visho Lika i SHISH, që zhvillonte këtë aktivitet prej “Esesi”, i ka mbyllur sinjalet e përgjimit, mbasi po bën gati valixhet për t’iu rikthyer emigrimit si në ’97-ën.

Psikoza e frikës prej “puçeve” dhe “zanati” i vjetër i survejimeve, spiunimeve e përgatitjes së dosjeve për kundërshtarët personalë e politikë, ka bërë Sali Berishën të ndërtojë një shtet “hafijesh”, duke ngritur një rrjet të përgjithshëm përgjimi të telefonave, banesave, bisedave në kafene, në zyra, në shkolla, parqe, udhëtim, spitale, dogana, tatime, zyra partish, qendra biznesesh, redaksi gazetash, aeroporte e deri në kopshtet e fëmijëve dhe azilet e pleqve.

Gjithçka në këto 8 vite, veçanërisht në 4 vitet e fundit, ishte nën përgjim të plotë të cilitdo që ishte skeduar si “armik”, ose kontingjent rekrutimi për shërbime. Çdo person, apo institucion i skeduar kishte 24 orë pranë “Çimkën” dhe spiunin e “GESTAPO-s” Berisha. Edhe brenda PD, ai kishte ngritur një “SHIK” personal që survejonte gjithçka e këdo, me vesh, sy e impiante përgjimi. Mbi bazën e përgjimeve, Sali Berisha prej 23 vitesh ka krijuar një “arkiv” me të dhëna për armiqtë dhe miqtë, duke regjistruar vendet, oraret dhe personat e takimit, bisedat telefonike, filmime, dokumente, inçizime.

Këtë praktikë prej shefi “GESTAPO”, Sali Berisha e ka bërë dhe në pushtetin e tij të viteve 1992-1997, duke përgjuar me spiunë rruge, me përgjime telefonash zyre, shtëpie e rruge, me “çimka” të vendosura poshtë tavolinave, në makina, portollampa, lavamane banjosh, në sahatë uji e dritash dhe goma makinash. Këtë gjë, ka bërë dhe në 8 vitet e pushtetit të tij të fundit. Ka mbledhur përgjime, i ka seleksionuar dhe mbi bazën e tyre, ka zbuluar “armiq” dashnore, afera korruptive, dhe nuk i ka çuar në drejtësi, por ka bërë presione mbi “viktimat”, duke i mbajtur nën kontroll për interesa të veta.

Shefat e zyrës së përgjimeve kanë qenë Agron Kuliçaj, Visho Lika, Arben Imami e Flamur Noka. Nuk mendojmë se “viktimë” e kësaj veprimtarie përgjuese të “SHIK-Berisha”, ka qenë dhe kryetarja e Kuvendit Topalli, ministrat Bode, Olldashi, Bregu, Pollo, Bumçi, apo Patozi e figura të tjera të PD, por dimë faktin, që paçka se dhe pasi shefi i “GESTAPO-s” së PD, Sali Berisha ka dhënë dorëheqjen, ata vazhdojnë t’i qëndrojnë “gati-tu” e të derdhin lot për të, madje dhe të kundërshtojnë kandidimin për kolltukun e tij.

Nuk e dimë nëse viktimë” e përgjimit, mund të jetë ish-deputeti i PS, Kastriot Islami, i cili lëpiu gjithë pështymën e hedhur në fytyrën e Berishës për 20 vite me rradhë dhe tani në “moshë të tretë”, u bë anëtar i ri i PD. Nuk dimë shumë gjëra të tjera, të ndyra e makabre që kanë ndodhur në këto 23 vite në strofullën “PD-Berisha”, por një gjë e dimë të sigurtë. Pas 23 qershorit, “GESTAPO” Berisha, i ka ulur antenat e përgjimeve. Prandaj, hapni telefonat dhe flisni lirshëm!