Hapja e kutive, opozita: Sot protesta në Shkodër

0
56

TIRANE – PS-ja dhe koalicioni i partive të majta e të djathta ë bashkuar rreth saj pritet të protestojnë sot në Shkodër për hapjen e kutive. Pas Tiranës dhe Beratit, koalicioni që kërkon zbardhjen e votës së 28 qershorit do t’i drejtohet të djathtëve në pushtet nga qyteti i cili prej vitesh njihet si bastion i PD-së.

Nëpërmjet thirrjeve, parullave të shkruara pritet që edhe sot pasdite, jo vetëm shkodranët, por edhe socialistë e të tjerë simpatizantë të partive të këtij koalicioni të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit të mblidhen në qendër të qytetit. Pas protestave që Edi Rama dhe drejtues të tjerë të këtyre partive kanë paralajmëruar në çdo qytet të vendit, në 20 nëntor pritet që të organizohet një protestë më e madhe sërish në Tiranë. Kjo do të jetë, me sa duket, thirrja më e fortë që i bëhet kësaj qeverie për hapjen e kutive. Ndërkohë, vijon çdo ditë aksioni për mbledhjen e 20 mijë firmave që do të iniciojnë nismën ligjore në Parlament për hapjen e kutive.

Nga ana e tij Kryeministri Berisha e quan “të kundraligjshëm dhe që bie ndesh me Kushtetutën” kërkesën e Ramës për hapjen e kutive. Sipas Berishës, ai dhe maxhoranca “nuk kanë në dorë as edhe një mekanizëm të vetëm ligjor për plotësimin e saj”.

(s.g/BalkanWeb)