Hamdi Haklaj: Çfarë duhet të presë Berisha (PJESA IV – AUDIO)

0
42

Mira Kazhani – INTERVISTE, 21 Nëntor 2014

Kjo është pjesa e fundit e kësaj interviste të gjatë me Hamdi Haklajn, vëllanë e madh të një familjeje që është përgjysmuar nga një konflikt i përgjakshëm. Haklajt akuzojnë se përballë tyre kanë pasur Sali Berishën, bashkëpatriotin tropojan që pas vitit 1991 drejtoi shtetin shqiptar për periudha të gjata kohore. Por kanë patur edhe Azem Hajdarin, tropojanin tjetër, raportet me të cilin kanë kaluar nëpër shumë dritëhije, por gjithsesi ndryshe nga Berisha, komunikimi nuk ka munguar. Megjithatë, si për Hajdarin, ashtu dhe për Berishën, përgjatë kësaj interviste nuk kanë munguar akuzat se ata kanë bërë lojën e shërbimeve serbe apo të Sigurimit të Shtetit, janë marrë me trafiqe, kontrabanda dhe korrupsion, dhe se konflikti mes të dyve, në fund të fundit, ishte një përplasje brenda llojit. Padyshim, Berisha rezultoi më i rafinuar, më me përvojë dhe arriti ta shndërrojë në “hero” Azemin pasi krijoi makinacionin për ta hequr qafe me duart e të tjerëve. Ajo që bie në sy në këtë prononcim të rrallë të Hamdi Haklajt, është ndërkaq edhe rikthimi në vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër, ku sipas tij viktimat janë shkaktuar nga njerëz brenda turmës së protestuesve, me synim që të derdhet gjak, të acarohet situata dhe të bëhet më i kollajtë ndërrimi i duarve të pushtetit. Më pas Berisha nuk e kishte për gjë të bëjë heronj ata që u vranë dhe të luajë me figurën e tyre. Ashtu siç tentoi të heqë qafe edhe ata që dinin shumë për punët e tij, siç është rasti i të intervistuarit tjetër të DITA-s, Izet Haxhisë.

Në këtë pikë, e shohim me vend të bëjmë një përmbledhje të vogël për të ndihmuar lexuesin, lidhur me kullën e Haklajve në Kërnajë të Tropojës, për të cilën pyetet edhe Hamdiu. Pas largimit të Haklajve jashtë vendit, kulla iu la për ruajtje disa të afërmve, që jetonin aty dhe kujdeseshin. Por sërish presionet me telefon e deri tek sulmet nga njerëz të panjohur nuk pushuan, për të detyruar familjen Selimvrada të braktiste ndërtesën. Mesnatën e 24 korrikut 2006, Kulla e Haklajve u godit tre herë me antitank duke i shkaktuar dëme serioze në çati. Mbrëmjen e të dielës së 13 gushtit 2006 pesë persona të armatosur dogjën kullën shekullore. Kjo ishte hera e dytë që digjej kulla 200 vjeçare e Haklajve. Për herë të parë ajo ishte djegur nga ushtria Austro-Hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore. Më 16 shtator 2006, e njëjta komando vendosi që ta mësynte dhe njëherë kullën e Haklajve, këtë radhë për t’i larë hesapet përfundimisht. E minuan atë me 70 kilogram eksploziv. Vatrat e eksplozivit ishin lidhur në seri por në momentin e shpërthimit disa nga lidhjet janë shkëputur prej tronditjes, duke lënë pa aktivizuar afro 40 kilogram lëndë plasëse. Gjithsesi, u rrafshua më shumë se 70 përqind e kullës dhe fortifikimeve të saj.

Vijon nga dje

Mira Kazhani: Si është e mundur që ju jeni kaq i sigurtë që Sali Berisha ishte urdhëruesi i vrasjes së vëllait tuaj Shkëlqimit dhe më pas të vëllezërve të tjerë, dhe thoni që vendosët nga ana tjetër të mos hakmerreni ndaj tij?

Hamdi Haklaj: Më duket se ju sqarova më lart. Në ato thënie mirë ju thashë që Sali Berisha ishte i njohur si lider dhe nëse do i ndodhte ndonjë gjë Sali Berishës… ne nuk i bënim gjë Sali Berishës prapa krahëve, se do të dilnim tradhtarë.

Mira Kazhani: Pra po thoni që nuk mbrojtët Sali Berishën, por pozicionin që ai përfaqësonte?

Hamdi Haklaj: Ne nuk mbrojtën Sali Berishën dhe as liderin e PD, po mbrojtëm veten. Nuk deshëm me u quajt tradhtarë. Sepse ka akoma njerëz që i besojnë. Po dhe në atë kohë kishte shumë njerëz që i besonin.

Mira Kazhani: Si është e mundur që Azem Hajdari, 10 ditë përpara 12 shtatorit i dërgon një letër Fatmirit, vëllait tuaj. I jep besimin babës tuaj Muharremit se nuk kishte të bënte me atë vrasje, dhe papritur shfaqet si bashkëpunëtor me liderin e PD, zotin Berisha?

Hamdi Haklaj: Ne e njihnim Azemin. Ai ka qenë prapaskenist! Por nuk ishim të sigurtë nëse Azemi kish marrë pjesë ose jo. Më mirë me thënë, nëse e ka organizue ose jo, sepse urdhrin e ka lëshue Saliu, kjo dihet. Në kasetë ka qenë e qartë që “e du të gjallë ose të vdekun”, kështu ka lyp ai në Tropojë dhe më vonë ka urdhëru edhe vrasjen.

Mira Kazhani: A jeni përpjekur ju të hakmerreni me njerëzit, që ndoshta i keni verifikuar se janë organizuar nga Sali Berisha? Gjithmonë nëse ka qenë kështu si thoni ju.

Hamdi Haklaj: Jo, nuk jemi përpjek!

Mira Kazhani: Pse nuk thuhet emri i personit që ishte atë ditë në PD, të cilin kërkonte të takonte Fatmiri?

Hamdi Haklaj: Sepse nuk ju intereson. Ndoshta me u bë gjyqi, e themi. Po nuk i intereson kujt ai emër. Ai nuk është njeri i panjohur. Nuk është se po bëhet gjyqi… kot sa me bë ndonjë debat… këto që po them kanë të bëjnë me njerëz të pafajshëm që janë impliku. Dhe po ju them që autori është vllau jem. Haxhiajt dhe Mulosmani janë të pafajshëm në këtë ngjarje! Janë dënu vetëm se i ka interesu Sali Berishës. Këto rrenat që thonë, ka bashkëpunu e majta dhe e djathta nuk qëndrojnë. Ai ka qenë shtet brenda shtetit dhe Fatos Nano nuk di që është kriminel, sikur Saliu, por një pijanec ka qenë.

Mira Kazhani: Fakti që Jaho Mulosmani është i dënuar i përjetshëm, është se ai akuzohet se ka qenë bashkëpunëtor në një vrasje të organizuar.

Hamdi Haklaj: Nuk ka patur asnjë organizim. Unë jua sqarova, nuk ka shkuar vëllai im atë natë për të vra askënd!

Mira Kazhani: Zonja Hajdari, e veja e Azem Hajdarit në bisedën që kam patur me të në verë, më tha se ajo vrasje është gjykuar nga një prokurore e huaj. Ajo më tha se për këtë dosje nuk kishte asnjë dyshim, është vetë në sistemin e drejtësisë, ajo është gjyqtare dhe beson se ekspertiza çoi në një vrasje të organizuar. Dhe i vetmi pretendim i zonjës Hajdari është që ajo vrasje të quhet politike.

Hamdi Haklaj: Po çfarë ekspertizë është bë, kur nuk është bërë autopsia e njerëzve? Ata njerëz janë vra në Tiranë, nuk u vranë në Afganistan. Çfarë ekspertizë u bë? Çfarë ekspertize ju bë shokut të Fatmirit që ai atë e ka vra gabimisht. Çfarë ekspertize ju ka ba Azem Hajdarit, Çfarë ekspertizë ju ka ba Çerës. Askund nuk del. Nuk ka gjykatë në botë. E di ka qenë një norvegjeze dhe nuk them që ajo nuk ka qenë e aftë. Nuk di çfarë me thënë. Këta kanë vendos ça kanë dasht vetë.

Mira Kazhani: Ju po thoni se i është servirur drejtësisë një material i retushuar, i reduktuar…

Hamdi Haklaj: Drejtësia, nëqoftëse nuk ka qenë e korruptuar, ka qenë nën tutelë. Nuk ka mundësi që të gjykohet një person pa ju bë ekzaminimi i personit që ka vdek. Duhet të përcaktohet shkaku pse ka vdek personi. Nuk bën vaki në botë që të vdesë dikush e të mos i bëhet asnjë lloj ekspertimi. Ku shkoi telefoni i Azemit? Kush i mori shenjat e gishtave të gëzhojave? Janë të gjitha faktet që flasin, por normalisht ai që ka pushtetin thotë çka don e bën çka don. Ti ke media, unë s’kam media. Ti flet çka don e unë s’të mund dot ty. Ata janë vetë Kadiu e vetë shkopi!

Mira Kazhani: Një tjetër diskutim; qëndrimi i makinës atë ditë para selisë së PD. Ka disa që pyesin, pse duhet të qëndronin patjetër para selisë kur mund ta takonin diku tjetër në Tiranë? Pse duhet të qëndronte aty makina me orë?

Hamdi Haklaj: Po si ka mundësi që qenka e rrezikshme që makina të qëndrojë aty me orë? Ata kanë qëndruar aty me orë por nuk shkuan me i hy njeriut në zyrë, apo në kafe, me i hy njeriut në kafe…

Mira Kazhani: Ju më thatë diçka shumë interesante Hamdi, që edhe pse zoti Berisha e dinte në atë kohë që vrasja e Azemit u krye nga Fatmiri, ai sërish nuk u arrestua nga drejtësia për këtë vrasje! Dhe ju thoni se Berisha e kishte frikë…

Hamdi Haklaj: Po, është fakt që Berisha ka frikë dhe shumë. Berisha është njeri dhe ka frikë. Sepse nuk jemi vetëm ne që na ka vra. Po Berisha ka vra me mijëra njerëz në Shqipëri. Nuk po them veç me mosveprimet, por me veprimet e tij ka vrarë. Dhe ka vrarë me mijëra të tjerë me mosveprime. Por ka vrarë me mijëra me veprimet dhe porositë e tij.

Mira Kazhani: Nëse unë ju kam ndjekur mirë e drejt, ju thatë sonte se heronjtë e demokracisë si Arben Broci dhe Azem Hajdari qenkan krijuar nga Berisha?

Hamdi Haklaj: Arben Broci, për mendimin tim është hero demokracie, por vrasja siç kam dëgjue… di për Azemin konkretisht, por nuk e di për atë konrektisht. Kam ndigju në Shkodër se organizimi i vrasjes është bërë prej Berishës dhe Azem Hajdarit dhe ai ngatërresën e ka pas me Pjetër Arbnorin.

Mira Kazhani: A besoni se do të hapet kjo dosje, besoni se do zbardhet dosja Hajdari, ndoshta edhe dosja Tropoja, por meqenëse sot folëm më së shumti për çështjen Hajdari?

Hamdi Haklaj: Normalisht është për me u hap, por njëherë nuk ma merr mendja se ka kush e hap.

Mira Kazhani: Nëse del dikush që do e hapë, ju do e jepni kontributin tuaj, do të depononi qoftë edhe nga vendi ku jetoni në azil politik?

Hamdi Haklaj: Jam krejt i gatshëm! Dhe këto që ju thashë, jam krejt i gatshëm t’i deponoj para një gjykate. Nuk ka asnjë dyshim që ka qenë Sali Berisha organizatori. Ai është organizatori, sepse ai ka qenë shumë shumë i shqetësuar pas takimit të babës krye më krye me Azemin. Ka qenë shumë i shqetësuar se çka i ka thanë Azemi.

Mira Kazhani: Ju e keni kasetën?

Hamdi Haklaj: Po.

Mira Kazhani: Ju nuk keni ndërmend të zbardhni diçka më shumë nga ajo kasetë. Diçka që nuk dihet, e kam fjalën?

Hamdi Haklaj: Nuk kemi arsye t’i themi. Sepse nuk zgjidhim gjë. Ajo dosje normalisht duhet me u hap. Nuk ka pse quhet ndonjë vrasje e shekullit, pavarësisht është deputet apo është një person që plagoset në parlament. Një person që rrahet me njerëz, përplaset me policinë, e në vendin e vrasjes vritet me pistoletë me silenciator në dorë, nuk e kuptoj çka është ajo vrasja e shekullit. Çfarë demokracie ka ardh në Shqipëri që qenka shpall “hero i demokracisë”? Në Shqipëri ka ardh fashizmi, jo demokracia. Pas ‘91 në Shqipëri ka ardh fashizmi. Komunizmi paska qenë lule.

Mira Kazhani: Tani që kanë kaluar shumë vite, çfarë mendoni për Azemin. Më thatë se e kishit me pikëpyetje në ato kohë, nëse kishte gisht në vrasjen e vëllait tuaj ose jo. Tani?

Hamdi Haklaj: Asnjë pikëpyetje nuk kemi, se Azemi nuk duhet të kishte pranuar me ardh aty, derisa Azemi kish deklaru se ishte i gatshëm të vinte ku të dojë Fatmiri. Fatmiri e ka pas të drejtën me e thirrë edhe në Tropojë, edhe në Tiranë. Kështu që s’ka pas kurrfarë arsyeje. Nëqoftëse Saliu, nuk e di por nëse Saliu nuk iu ka treguar që është Fatmiri në makinë… Mund të ketë bërë Saliu kurth… nuk e di aty çka i ka thanë… Po Azemin nuk ka qenë as duke e prit kush, as duke e vra kush. Ndoshta pas fjalëve që kishim thanë, gjithçka mund të kish ndodh. Unë personalisht kam fol disa herë me Izet Haxhinë për Saliun, dhe kurrë Izet Haxhia nuk ka pranu me thënë se Saliu është fajtor. Gjithmonë Izet Haxhia e ka mbrojt. Por besnikët, Berisha ka mundësi që ka qenë i interesum me i eleminu. Ata vllazrit, të dy. Izet Haxhia ka jetu brenda shtëpisë së Berishës dhe i ka dit shumë nga poshtërsitë që ai ka ba. Mafia nuk bën gjë tjetër, këtë punë bën mafia. Eliminojnë njëri-tjetrin për mbijetesë. Saliu e ka dit që Fatmiri është në Tiranë. Ne nuk kemi patur asgjë kundër Partisë Demokratike. Edhe sot kam miq në PD. Nuk e urrej tjetrin për bindje politike.

Mira Kazhani: Ka një perceptim në Shqipëri prej disa vitesh Hamdi, nuk e di nëse e keni dëgjuar që zoti Berisha mban antiplumb vitet e fundit, për shkak të një hakmarrjeje të mundshme të Haklajve? Është si një legjendë urbane. Një thashethem tavolinash. Ju keni ndonjë reagim?

Hamdi Haklaj: Shumë njerëz që ka mbajt Berisha ose që i mban, nuk e di kë mban tash, por ata që ka mbajt Berisha rreth vetes kanë manipulu për të përfitu për vete, duke i thënë Berishës bëj kujdes këtu, ruhu aty, për me i tregu që për ty jemi shumë të gatshëm dhe se ty të duam shumë. Shumë njerëz kanë manipulu, ma merr mendja me të. Ne nuk kemi bërë asnjëherë, as vëllai im Fatmiri, asnjëherë një tentativë kundër Saliut. Ata edhe natën e 12 shtatorit, kanë shkuar e kanë qëndru në makinë, madje kanë qenë të rrezikuar. Ata nuk kanë shku as të mbuluar. E dinin që do i njihnin. Në PD kishte shumë tropojanë.

Mira Kazhani: Çfarë uron me zemër Hamdi. Për çfarë lutesh më shumë. Ndonjëherë kur e urrejmë dikë që na ka bërë keq, i urojmë edhe më të keqen. Kur e mendon, çfarë reflektimi ke?

Hamdi Haklaj: Nuk po të kuptoj për kë e ke fjalën? Për ndonjë person apo në përgjithësi?

Mira Kazhani: Çfarë uroni për Sali Berishën? Po të pyes më troç.

Hamdi Haklaj: Thjesht të përgjigjet para gjykatës. Nuk uroj asnjë të keqe edhe me e pas në gjumë nuk i bëj asgjë. Uroj vetëm të përgjigjet para një gjykate të pavarur dhe jo para gjykatave të atij. Të përgjigjet para një gjykate të pavarur për të gjitha ato që u ka bërë shqiptarëve edhe neve.

Mira Kazhani: Si mendon se do ta presë ai këtë intervistë?

Hamdi Haklaj: Hiç nuk jam i interesuar si e pret Saliu intervistën. Saliut nuk i bëjnë përshtypje intervistat. Ato që thonë se del me antiplumb, janë problem të tij. Ai e din që është i lym në gjak. Nuk është i lym vetëm në gjakun tonë. Unë e kam ndjek televizionin me rastin e 11 janarit dhe me ta thënë të drejtën, jo një kryeministër, po asnjë rrugaç i rrugave nuk kishte ba si ai me dalë në dritare, me kqyr, e me zbardh dhëmbët pas xhamit tuj pa publikun jashtë. Ata kishin sulmu muret, asgjë tjetër. E zëmë se i prishën ata mure…. Nuk pashë asnjë mjet aty, as tanke as autoblinda nga ata.

Mira Kazhani: A keni menduar të shkruani një libër?

Hamdi Haklaj: Nuk jam shumë i dhënë për shkrime dhe nuk kam ndonjë mendim të shkruj gjë.

Mira Kazhani: E mendon Tropojën, kullën në fshat?

Hamdi Haklaj: Normal që e mendoj, (pushon pak) ndoshta jo më rrallë se çdo orë. (krijohet heshtje)

Mira Kazhani: Nuk dua t’ju bëj pyetje personale dhe nuk dua të lëndoj më thënë të drejtën. Kështu që po zhvendosem nga Tropoja. I ndiqni zhvillimet në Tiranë? E kam fjalën i lexoni çdo ditë gazetat online etj, mjete informimi? E dini çfarë ndodh aktualisht në Shqipëri?

Hamdi Haklaj: Çdo ditë! Për Shqipërinë dhe Kosovën i dëgjoj lajmet paralelisht çdo ditë.

Mira Kazhani: Vura re që ju kish lënë mbresa vizita e Kryeministrit Rama në Beograd dhe paralelisht, u kujtova që Haklajt kanë dhënë kontribut në luftën e Kosovës dhe përmendeni këtu si patriot.

Hamdi Haklaj: Po nuk kemi bërë ndonjë gjë më shumë sesa të tjerët. Nuk e kam kuptu këtë kur u thërrasin kosovarë, ata janë shqiptarë të Kosovës siç janë shqiptarët e Çamërisë, apo shqiptarë ata të Shkodrës, sepse fatkeqësisht shqiptarët janë shpërnda në shumë shtete. Pastaj Kosova është veç një pjesë e vogël e tokës shqiptare. Pjesa më e madhe e Serbisë deri para 110 vjetësh ka qenë tokë shqiptare. Me largimin e turkut i kanë çpopullue serbët disa katunde shqiptare.

Mira Kazhani: Faleminderit Hamdi Haklaj që pranuat të flisnit. Uroj që gjithashtu mos t’ju kem lënduar me ndonjë pyetje. Puna ime është të intervistoj, të pyes, të çoj përgjigje tek lexuesit. Uroj që sonte të kem qenë vetëm një urë për këtë intervistë, e cila shpresoj t’u shërbejë mbi të gjitha shqiptarëve që duan të dinë, mbi të shkuarën e tyre dhe vitet e tranzicionit. Drejtësia do bëjë të sajën. Të vërtetën e plotë e dini ju, e kanë dosjet brenda, e ka drejtësia. Kur vjen fjala këtu kjo nuk është një çështje që i përket gazetarisë. Ju falenderoj sinqerisht që ju pranuat të flisnit.

Hamdi Haklaj: Faleminderit juve Mira. Kalofsh një natë të mirë. E të fala kush është për të fala. Natën e mirë!