Hamallaj, rikthehen skenat e ‘97-ës

1
102

DURRES/ OERD ULQINI, 02.07.2010

Protestë në Hamallaj, Durrës

Rikthehen skenat e vitit ’97. Pas më shumë se një dekade, policia sulmohet me zjarr nga qytetarët, jo gjatë protestave të fajdeve në Lushnjë, por në zonën turistike të Hamallajt në Durrës. Shishe benzine, copa betoni, gurë e shkopinj. Rreth 250 vetë janë ngritur në luftë ndaj aksionit të planifikuar dje nga Inspektorati Ndërtimor. Viktima të kësaj përplasjeje kanë qenë forcat e policisë së Durrësit dhe ato të FNSH-së së Shkodrës, të cilat për arsye sigurie do të shoqëronin aksionin e prishjes së 150 ndërtime në këtë zonë, (shtëpi, bare e restorante).

Jelekët antigoditje dhe skafandrat kanë shpëtuar nga vdekja e sigurt punonjësit specialë, të cilët kanë marrë plagë të shumta. Disa prej tyre përfunduan në urgjencën e Durrësit, pas më shumë se 1 orë përleshjeje me banorët, ndërsa tre u transportuan në Spitalin Ushtarak. Të plagosur kanë mbetur edhe 10 banorë të zonës. Skenat e frikshme u regjistruan në orët e para të ditës së djeshme. Pak orë pas mesnatës mësohet se makineritë e rënda të Ndërtimorëve, të shoqëruara nga dhjetëra inspektorë të tyre, efektiva të Policisë së Shtetit, të pyjores, të pushtetit vendor e agjentë civilë kanë rrethuar bregdetin e Hamallajt në të cilin pas viteve ’90 kanë “mbirë” më shumë se 150 ndërtime.

Por situata degradoi papritur, duke u shndërruar në një përleshje të përgjakshme. Të parët që kanë reaguar ashpër kanë qenë banorët, të cilët rreshtuan në “llogore” fëmijët e vegjël të tyre, duke i përdorur si “mburojë njerëzore”. Më pas, në rrugë kanë dalë qindra vetë, burra, gra e pleq, të gjithë të armatosur me mjete rrethanore, të organizuar ndaj aksionit të Ndërtimorëve. Ata bllokuan rrugët hyrëse në Hamallaj, përfshirë edhe urën, duke u zënë pritë në këtë mënyrë fadromave dhe policisë. Përballë kësaj skene kanë dalë në ballë forcat e policisë speciale të ardhura nga Shkodra.

Brenda pak minutash gjendja ka precipituar dhe në rrugë kanë vërshuar të tjerë persona. Prej tyre kanë nisur të vërshojnë copa të mëdhenj gurësh e shkopinjsh në drejtim të policisë. Fillimisht, punonjësit e rendit kanë reaguar me shkopinj gome, por shumë shpejt janë rrethuar nga banorët, pa pasur asnjë mundësi që të ndalin dhunën për 1 orë. Tre prej tyre kanë pësuar djegie nga shishet me benzinë që u hidheshin nga protestuesit. Në ato momente janë dëgjuar edhe krisma armësh, por pa u lënduar njeri prej tyre.

Përballë kësaj gjendjeje janë tërhequr, duke dalë nga fshati punonjësit e policisë, kamionët e Inspektoratit, të ngarkuar me fadroma si dhe forcat e Ndërtimores, bashkë me kreun e tyre, Gjergj Bojaxhi. Aksioni i djeshëm shënonte ditën e shtatë të tij në Gjirin e Lalëzit. Ai ishte zhvilluar pa probleme në Rodon, Ishëm dhe “Shën Pjetër”, por ngeci në Hamallaj dhe Hidrovor, zona këto të cilat janë populluar më së shumti pas viteve ’90-të, nga familje të ardhura nga veriu e verilindja si dhe disa të përmbytura nga liqeni i Fierzës.

Drejtori Gjergji Bojaxhi në krye të inspektorëve mbërriti paradite në Hamallaj të Durrësit për të prishur mbi 150 ndërtime pa leje në zonë. Pas reagimeve të paparashikuara të komunitetit, Ndërtimorja me urdhër të Bojaxhiut që ndodhej në vendngjarje pezulloi menjëherë aksionin.

Policia arreston 7 protestues

Menjëherë pasi u njoftua për përleshjen në Hamallaj, forca të shumta policie kanë mbërritur në vend. Fshatrat e Hamallajt, Hidrovorit dhe Perlatit i janë nënshtruar një shtetrrethimi policor, në të cilin postblloqe të shumta kanë nisur kontrollet rrufe për armëmbajtje pa leje. Në orët e pasdites, policia e Durrësit deklaroi se janë arrestuar 7 persona, si organizatorët e protestës së dhunshme. Sipas deklaratës zyrtare pohohet se: Alfret Kukaj, 26 vjeç, Pjetër Kaci, 65 vjeç, Avni Rustemaj, 45 vjeç, Edmir Osmanaj, 32 vjeç, Mentor Çekrezi, 27 vjeç, Abedin Rustemaj, 38 vjeç dhe Agim Rustemaj, 52 vjeç janë vënë në pranga, ndërsa në hetim janë të tjerë persona. Të arrestuarit janë me origjinë nga Kukësi e Tropoja, të vendosur në zonën e Hamallajt dhe përreth saj.

Policia konfirmon se janë lënduar 10 punonjës të policisë, por tre prej tyre, efektivë të FNSH-së janë më rëndë. K.Kodra, N.Lezha dhe B.Vatakshi po marrin ndihmën mjekësore në Spitalin Ushtarak. Nuk përjashtohet fakti që të tjerë persona të arrestohen me akuzën e protestës së dhunshme dhe goditjen për shkak të detyrës të policëve.

Kryebashkiaku: Prishen vetëm hotele
Fshatrat e ndezur nga përleshjet Hidrovor dhe Hamallaj bëjnë pjesë brenda territorit të vijës së verdhë të Bashkisë së Sukthit. Kryetari i kësaj bashkie, Hyrjan Hasani, ka qenë në terren në mbështetje të forcave të rendit, në përpjekje për të bindur qytetarët e njësisë së tij administrative, por ka qenë e kotë. Komuniteti nuk i është bindur as qytetarit të parë të tyre, Hyrjan Hasanit. “Qytetarët e mi nuk deshën të hapnin rrugën. Nuk gjeta mirëkuptim. Doja të negocioja për të zgjidhur situatën, por qe e kotë”, tha Hasani për gazetën.

Kryebashkiaku i Sukthit thotë se 45 shtëpitë e Hamallajt dhe Hidrovorit që janë në proces legalizimi nuk do të cenohen nga aksioni. “Inspektorati i Ndërtimit kishte objektiv vetëm lokalet dhe hotelet që janë ndërtuar në kundërshtim të hapur me urbanistikën dhe nuk janë taksapagues”. Sipas Hasanit, kjo zonë është studiuar dy herë dhe në dy masterplane, (i Qeverisë Nano në 2004 dhe i së djathtës në 2009), në të cilat është përcaktuar se këto objekte bien ndesh me ligjin urbanistik.

Banorët: Policia na provokoi
Banorët e Hamallajt akuzojnë policinë për ushtrim dhune. Madje ata pretendojnë se ka qenë policia e para, ajo që ka provokuar nxehjen e gjakrave. Sipas tyre, përveç shkopinjve të gomës, policia ka qëlluar me armë, me granata tymuese dhe gaz lotsjellës. Banorët shprehen se shtëpitë janë përfshirë në proces legalizimi dhe se do të japin jetën për të mos lejuar prishjen. “Kemi qëndruar gjithë natën zgjuar, pasi e dinim se do të vinin për të na shembur, por jemi të vendosur ta mbrojmë pronën me jetë.

Na kanë mashtruar, pasi kemi paguar këstet për legalizim, madje na kanë premtuar për tapitë edhe nëpër fushata, por tani duan të na lenë në mes të rrugës. Ne këtë nuk do ta lejojmë”, thotë Ndue Gjera, një banor i mbërritur në Hamallaj në vitet ’90-të nga veriu i Shqipërisë. Sipas banorëve, në shënjestër të fadromave kanë qenë shtëpi banimi, të ngritura me gjak dhe sakrificat e një jete dhe jo hotele pa leje. Ata thonë se vetëm 3-4 janë hotele, ndërsa të tjerat shtëpi.

Bojaxhi: Aksioni do të vazhdojë
Ngjarja e djeshme duket se nuk do të ndalë aksionin e Inspektoratit Ndërtimor në zonën e plazhit në Durrës. Gjatë prononcimit publik të kreut të tij, Gjergj Bojaxhi, pas përplasjes mes banorëve dhe forcave mbështetëse të aksionit në Hamallaj, është bërë e ditur se aksioni do të vazhdojë. Sipas tij, bllokimi i urës bëri që forcat e Inspektoratit të mos ndërhyjnë për të realizuar qëllimin në këtë zonë. Ndërkohë shtoi se do të veprohet në të gjithë objektet e ndërtuara pa leje në vend.

1 COMMENT

  1. po mjaft me keto gjera… mendoni ju lutem x njerezit e thjesht… x ato qe nuk kan lekë… x ato qe flejnë pa ngrenë… me mirë ishim para 25 vjetesh… turp t’ju vijë…

Comments are closed.