Halim Kosova, një portret i paautorizuar

0
20

Halim Kosova Mero Baze, DITA, 17 Prill 2015

Edhe pse duket një rishtar në politikë, në të vërtetë është një nga figurat intelektuale të Tiranës, që ka bashkëjetuar më gjatë se kushdo tjetër me politikën. E kam njohur nga afër në vitin 2003, kur Partia Demokratike i lakoi për herë të parë emrin si kandidat për garën e Tiranës kundër Edi Ramës.

Sa herë që PD-ja ishte në krizë për kandidat në Tiranë, Halim Kosova ishte emri i parë që përmendej, pastaj pasohej nga ai i Mond Lekës apo Mentor Petrelës.

Në të vërtetë asnjëherë nuk përfundonin, por Berisha e kishte aftësinë të mos dukej sikur nuk kishte njerëz. Kur e kam takuar më 2003, më bëri pështypje ekspozeja e tij e gjatë për punët në maternitet, disa projekte rehabilitimi me USAID, bashkëpunimi me Fatos Nanon si kryeministër etj.

Mu duk çudi që PD-ja e kishte llogaritur dhe si kandidat për Bashkinë e Tiranës, një njeri që ishte në punë të vet dhe shumë i angazhuar të merrej më shumë me projekte, sesa me mjekësi. Tepër korrekt në raportet njerëzore dhe i gjendshëm pranë njerëzve publik që kishin probleme me Maternitetin, ai u bë i njohur më shumë si mbikqyrës i shqetësimeve që shoqërojnë periudhën e lindjes dhe si i tillë është tepër popullor.

Nuk hyn tek mjekët e famshëm të lindjes, por tek menaxherët e njohur të maternitetit. Pas vitit 2003 raportet e tij me qeverinë, atëherë socialiste u forcuan dhe gjatë përplasjeve të Fatos Nanos me Alfred Moisiun, ai u përzgjodh si i preferuari i kryeministrit, përballë rivalitetit që prodhonte e bija e ish-Presidentit, po ashtu gjinekologe. Për herë të dytë, emri për Bashki i doli në vitin 2007, para se të kandidonte Sokol Olldashi.

Por sërish refuzoi në heshtje. Kulmi i afërsisë që Berisha dëshmoi për të ishte viti 2007, ndërsa negociohej për President të Republikës. Në pauzën mes refuzimit të emrit të Arian Zaimit dhe boshëllëkut që pasoi, Halim Kosova ishte emri që u përzgjodh për President nga Berisha në një qark të mbyllur.

Për një moment u duk se gjithçka u zgjidh. i vetmi që e kishte pranuar, por dhe që dukej se ishte i pasigurt për pranimin, ishte vet Sali Berisha. Unë pata një bisedë telefonike me Doktor Kosovën dhe dukej se ai e ndjente hezitimin e Berishës dhe donte të dinte shkakun.

I premtova se do pyesja. Në mendje më shkoi miqësia e tij me Fatos Nanon dhe dyshimet që Berisha kishte në këto raste, edhe pse me Fatos Nanon i kishte rregulluar punët shumë mirë. Por, Berisha më dha një arsye që për një moment m’u duk shumë jo bindëse. – Është ortak me Tom Doshin, – më tha. Ka investuar lekët tek industria e tij e ilaçeve. S’e bëj dot. M’u duk në fillim, si nga ato shpikjet e Berishës për të hequr qafe dikë dhe më erdhën në mend refuzimet e tij dy herë për Bashkinë.

Në të vërtetë as unë nuk ia thoja dot, pasi ishte diçka që Berisha herë dukej sikur e kishte informacion e herë paranojë. Më pas kur fola me Tom Doshin, u binda që kishin vërtetë një histori biznesi bashkë, por jo publike. Vetë Doshi kishte dhënë shenja tronditje për largimin nga PS-ja dhe po kërkonte hapësirë për të qenë luajalë me Berishën.

Disa ditë më vonë ai votoi Bamir Topin si President dhe historia e Doktor Halimit si kandidat i dështuar, u harrua. Por raportet e Halimit pas kësaj u forcuan ndjeshëm me PD-në, sidomos falë bashkëpunimit të tij me Ministren reale të Shëndetësisë në hije që kishte PD-ja, Liri Berishën.

I përfshirë në enturazhin e saj, në lobimet brenda sistemit shëndetësor, Doktor Halimi u bë pak nga pak sërish një figurë e afërt e PD-së. Në zgjedhjet e vitit 2011 nuk u propozua për kryetar edhe pse emri qarkulloi sa për forcë zakoni. Ai vazhdoi të ishte një nga njerëzit bashkëpunues me Liri Berishën brenda sistemit të shëndetësisë dhe i preferuari i pushtetit.

Në vitin 2013, kur LSI-ja doli nga koalicioni, Doktor Kosova, u propozua nga Berisha të ishte Ministër i Shëndetësisë, me premtimin bashkangjitur se do ishte deputet i PD-së në Tiranë. E pranoi edhe si shenjë luajaliteti ndaj Berishës. Për katër muaj ai drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe prej Shtatorit 2013 është deputet i opozitës. Profili i tij politik në Kuvend ka qenë i ulët dhe inaktiv.

Ai nuk është përfshirë në debatet politike në PD dhe as ka spikatur të bëjë skifterin apo pëllumbin në aspektin politik. Duket aktiv vetëm në Komisionet Parlamentare ku kërkohet ndonjë mendim teknik. Përzgjedhja e tij për të garuar për Tiranën, është një mënyrë për të mos djegur ndonjë figurë politike nga PD-ja.

Është një zgjedhje e zgjuar e Bashës dhe Berishës, për të tentuar votat jopolitike, me dikë që është e sigurtë që nuk të bën fushatë elektorale politike. Dhe ka qetësinë e duhur edhe nëse humbet, pasi ka ku të kthehet. Ndryshe nga të tjerët, që po nuk u dha punë Berisha, ngelen dhe pa bukë.