Hakmarrja e ekonomisë ndaj politikës

0
51

Arben Malaj

Nga: ARBEN MALAJ

Vështirësitë e buxhetit për të ardhurat dhe për të përballuar pagesat, borxhet e rënda të përdorura për investime elektorale rritja e pagave përpara zgjedhjeve dhe pastaj reduktimin e shpërblimit për shtresat më të varfra të shoqërisë në fund të vitit, mund të jenë shenjat e para kur ekonomia fillon dhe hakmerret ndaj populizmit.

Nëse nuk do të ndërhyhet në momentin e duhur, pasojat mund të jenë më të rënda. Ekonomia “mori hak” ndaj politikës populiste të rritjes elektorale të pagave në Hungari, ekonomia po “merr hak”ndaj politikës greke që vonoi reformat e domosdoshme, ekonomia “mori hak” ndaj politikave fiskale dhe politikës së pagave në Irlande, Rumani, Islande, Latvia, Lituani etj. Në disa vende është kërkuar të ulen pagat dhe pensionet 10-20% dhe të rishikohet mundësia e rritjes së taksave.

Kur ne publikisht i kërkonim qeverisë të mos bënte populizëm elektoral me ritmet e rritjes ekonomike duke e deklaruar atë më të lartën në botë, të mos bënte populizëm me uljen drastike të taksave, të mos bënte fushatë me rritjen e pagave dhe të pensioneve, ishim të ndërgjegjshëm që një ditë ekonomia shqiptare mund të hakmerret.

Kriza kërcënon akoma ekonominë tonë. Ekonomia na i ka dhënë mesazhet e gjendjes së saj të renduar. Ato përfshijnë: rënien e rritjes ekonomike, rënien e të ardhurave në buxhet, rënien e importeve, rënien e eksporteve, rritjen e deficitit tregtar dhe të deficitit të bilancit të pagesave, rënien e dërgesave të emigrantëve, rënien e investimeve të huaja, vështirësitë dhe kostot e rënda të kredive, kostot e larta të borxhit të qeverisë dhe rritjen e varfërisë. Banka Botërore përllogarit se në 2009 rreth 30 mijë familje ose 100,000 vetë, i shtohen të varfërve.

Qeveria e përkeqësoi ekonominë. Në këtë situatë të vështirë çdo qeveri e përgjegjshme do të bënte dy veprime të menjëhershme: Së pari, do të kërkonte konsensus kombëtar për situatën e vështirë të vendit të saj, dhe së dyti, do të lehtësonte çdo vështirësi ndaj biznesit dhe konsumatorëve. Ndodhi e kundërta. Ambienti politik para dhe pas zgjedhjeve është tensionuar dhe po bëhet një risk i ri për biznesin. Qeveria injoroi çdo impakt negativ të krizës në ekonomi. Ajo nuk ofroi asnjë konsultim apo bashkëpunim me biznesin për këtë situatë, duke rritur abuzivitetin e administratës fiskale me çmimet, pagat e referencës dhe tatimet e parapaguara. Qeveria ka bllokuar pagimin e kompanive private duke rritur krizën e tyre dhe riskun e bankave që i kanë financuar. Ajo rriti gjobat dhe mbledhjen e borxheve të trashëguara në një vit të vështirë ekonomik.

Gjatë 2009-ës keqqeverisja dëmtoi biznesin. Në këtë vit u rrit korrupsioni, renditemi dhjetë vende më keq. Dhomat e tregtisë së vendeve të BE-së e vlerësuan të përkeqësuar ambientin për investime në Shqipëri, pra me pak investime të huaja në të ardhmen. U konstatua kapja e shtetit në privatizim dhe koncesione. U aplikua kapja e biznesit,qeveria u ofroi koncesione të rëndësishme të pasurive natyrore disa kompanive që nuk kishin kredibilitetin financiar e teknologjik për këto investime.

Në 2010-ën, përmirësim apo përkeqësim? Kjo është pyetja e çdo shqiptari, sepse situata politike në vend po acarohet dhe zgjidhja po vonohet, sepse buxheti i vitit 2010 me rritje ekonomike 6% është jo realist. Aktiviteti ekonomik tenton në rënie. Kemi më pak importe dhe më pak eksporte. Rënia e importeve është sinjal shumë shqetësues; tetori 2009, rreth 21% me pak importe se tetori 2008. Paraja jashtë banke është rritur me rreth 21%, kjo mund të sjellë rritje të kostos së parasë për financim të ekonomisë dhe biznesit. Kostoja e kredisë qeveritare me kushte të renda tregtare po rëndon buxhetin.

Kemi rritje të kostos së borxhit qeveritar. Vetëm në dy vitet 2008 dhe 2009 kjo kosto është rritur me rreth 280 milionë dollarë më shumë. Acarimi politik po sjell rritjen e kostove psikologjike mbi konsumatorin dhe investitorët. Kjo mund të sjellë më pak konsum, më pak investime, më pak rritje ekonomike, më shumë papunësi dhe varfëri. Mund të kemi më pak të ardhura në buxhet, më shumë risk për deficitin e borxhin publik dhe më shumë shpenzime për asistencë sociale.

V. Kostot shtesë në prag të 2010-ës. Mund të kemi rritje të impaktit negativ të krizës politike në ekonomi. Mund të fillojnë ethet elektorale dhe të kemi sërish keqpërdorim elektoral të buxhetit gjatë vitit 2010. Është rritur agresiviteti ndaj biznesit privat. Janë përkeqësuar marrëdhëniet me pushtetin vendor. Kemi përkeqësim ndaj biznesit të vogël. Do të ndjehen kostot shtesë të çmimeve të rritura të energjisë dhe çmimeve të tjera. Biznesi ndjen mungesën dhe kostot e rënda të kredive. Kostoja e kredive tregtare për investimet elektorale do të rrisë presionin mbi deficitin. Jo vonë, mund të jenë të detyrueshme shkurtime shpenzimesh sociale ose rishikim taksash.

VI. Në këtë ambient të rënduar politik, ekonomik dhe social, opozita jo vetëm sensibilizon publikun për pasojat e rënda që mund të ketë vendi, por përgatit dhe ofertën e saj publike, për të parandaluar çdo krize të ardhshme. Njëkohësisht, edhe vetë opozita në propozimet e saj duhet t’i ruhet hakmarrjes së ekonomisë. Ajo nuk mund të orientohet thjesht nga një fitore politike pavarësisht nga kostot ekonomike e sociale. Ajo mund të dështojë nëse propozimet e saj nuk respektojnë ligjet ekonomike.

Fillimisht shtrohet pyetja: A mund të kishim një paketë anti-krizë dhe cilët mund të ishin elementët e saj përbërës? Çdo element i paraqitur në këtë shkrim është një nxitje për diskutim dhe kurrsesi një propozim përfundimtar. Ndoshta disa elementë mund të ishin:
1. Ngrirje e rritjes së çdo takse, tatimi apo tarife, deri në gjetjen e zgjidhjes së krizës politike.
2. Bllokim i çdo ligji që rrit kostot e biznesit të vogël.
3. Bllokim i çdo ligji për pushtetin vendor që nuk gjen mirëkuptimin e tyre.
4. Ngrirje e mbledhjes së çdo detyrimi të prapambetur të biznesit.
5. Ngrirje për një vit të mbledhjes së kredive të këqija dhe ngrirje e interesave të interesave për këtë periudhë.
6. Ngritjen e një Agjencie Publike që ndihmon kredimarrësit e vegjël nga abuzimi i bankave.
7. Rritjen e fondeve për politika sociale, strehim, papunësi, paaftësi dhe asistence sociale.
8. Ndihmë e drejtpërdrejtë financiare për konsum të menjëhershëm për shtresat më të varfra.
9. Fonde më të mëdha për strehimin duke blerë në tregun privat.
10. Rinegocim të kredisë tregtare me interesat shumë të larta të dy viteve.
11. Diskutim për një amnisti fiskale për paratë gri dhe riatdhesim të parave të depozituara jashtë vendit. 12. Përgatitja e një Strategjie kombëtare (jo thjesht qeveritare)të luftës kundër parasë së zezë në ekonominë shqiptare.

Përvojat e vendeve të ndryshme tentojnë që paketa të tilla të miratohen nga ekipe ekspertësh jo partiakë dhe ekspertë të forcave politike, ku synohet një konsensus sa më i plotë.

Parakusht për çdo paketë, për strategji apo për çdo zgjidhje qoftë edhe me zgjedhje, mbetet ambienti politik në vend. Ne i kemi akoma të freskëta pasojat e hakmarrjes së ekonomisë ndaj politikës në krizën e viteve 1996-1997. Ne duhet të ndalim përkeqësimin që populizmi po i bën ekonomisë sonë, në rast të kundërt më vonë pasojat do të jenë më të rënda. Ne nuk mund të mos i shikojmë kostot e rënda të hakmarrjes së ekonomisë ndaj politikës në shumë vende të rajonit tonë.