HAJREDIN ISUFI: “FEJA DHE FLAMURI” – Dom Nikollë Kaçorri – (Pjesa – 1)

0
52

(Shënime kritike nga Daniel Gàzulli)

1. PARATHANJA

Libri i Hajredin Isufit “FEJA DHE FLAMURI” ka tre vjet që asht botue, por megjithate ka kalue pothuej në heshtje.
E pra, në llojin e vet, atë të letersisë historike dokumentare, ky libër i ka të rrallë shokët.
Historiani Hajredin Isufi na ka sjellë një shembull të studimit të historisë të qëmtueme ndër arkiva me përkushtim e dashuni. Ai do të mbetet një liber model që ndriçon shumë skuta të errta të historisë sonë të fillimit të shek. XX. Kushdo që do të ulet me hartue Historinë e Shqipnisë për këte periudhë, nuk mund të mos ketë në të djathtë të tryezës së tij të punës këte libër shumë të vlefshëm, i historisë siç asht, jo si e kanë masakrue pseodohistorianë të ideologjizuem apo edhe të pamoral, jo rrallë edhe antishqiptarë.
Pasqyrimi i jetës, e sidomos veprimtarisë së Imzot Kaçorrit, nëpërmjet dokumentave origjinalë, asht një kontribut shumë i randësishëm jo vetëm për ndriçimin e kësaj figure, por të vetë historisë sonë të asaj periudhe.
Libri paraprihet nga një parathanje e shkrueme poaq me pasion e përgjegjësi shkencore nga Prof. Dr. Shaban Sinani.
Pikërisht për këte parathanje do të doja të thoja dy fjalë. Ma vonë do të dëshiroja t’i paraqisja lexuesit vepren e Hajeredin Isufit në kandvështrime të ndryshme kohore.

* * *

Prof. Dr. Shaban Sinani nuk e fillon me pompozitet, siç ndeshim random, parathanjen e tij. Ai natyrëshëm e me sinqeritet na thotë se “Emri i Dom Nikollë Kaçorrit më ka shoqëruar qysh nga fëmijëria. Kënga popullore që i kishin ngritur bashkëvendësit e tij në Lurë, prej së cilës mbaja mend gjithnjë vargjet “Dom Nikolla, shqipe malit / n’krah të djathtë të Ismail Qemalit”, për një kohë të gjatë ishte i vetmi njoftim historik rreth figurës së tij”. E ma tej vazhdon se “… ishte dhe s’ishte nënkryetar i qeverisë së parë kombëtare, ishte dhe s’ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit …”.
Sa i përket thanjes së Prof. Sinanit se “nuk ishte veshja klerikale ajo që i bënte hije rolit të tij”, por “… një pëshpërimë tinzare ..”, nuk jam krejt i një mendje, por le të lamë të rrjedhë bukur parathanjen plot mirënjohje të Profesorit për këte figurë madhore të histroisë sonë kombëtare.
Thotë Prof. Sinani: “Dom Nikollë Kaçorri kishte bashkuar në vetvete të gjitha vetitë më të mira të atdhetarëve shqiptarë të periudhës së Rilindjes dhe të kohës pas saj. Jo rastësisht qe gjendur në kuvendin e shpalljes së pavarvsisë në Vlorë më 1912. Jo rastësisht dhe aspak si klerik qe zgjedhur prej I. Qemalit në krahun e tij të djathtë”.

Ma tej Profesori shtjellon me argumente përse kjo “jo rastësisht”. Duke arrijtur në përfundimin se “Ai ishte i së njëjtës gjedhe me mendimtarët dhe veprimtarët e periudhës romantike, tek të cilët është vështirë të njësosh se cila është parësore e cila dytësore. Iluministi dhe misionari, kleriku dhe dijetari, kryengritësi dhe paqëtuesi ishte e vështirë të veçoheshin e të përshkruheshin tek ai”.
Atëherë, si shpjegohet që ai “… ishte dhe s’ishte nënkryetar i qeverisë së parë kombëtare, ishte dhe s’ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit …”, sa kohë që “Me mendimin dhe veprimin e Dom Nikollë Kaçorrit lidhen nisma, zhvillime, protagonistë, ngjarje, procese historike, fare pak të studjuara në shkencën historiografike shqiptare”? Ai, në “rolin e një rabini … meshtarë dhe mësues njëherësh, prift dhe mësues i shqipes …”, Ai, pra, pjesëmarrës në ato zhvillime të vrullëshme, deri edhe në “një akademi shqiptare kushtuar çështjes së alfabetit qysh në vitin 1902”, apo “Konferencen gjuhësore të peshkopëve për njësimin e shqipes …” , frymëzues, organizator, armator e udhëheqës në Kryengritjen e Kurbinit, mbi të gjitha protagonist i dorës së parë në Shpalljen e Pavarësisë, harrohet qëllimshëm nga “… thjesht një vullnet i mbrapshtë përbaltjeje”.
Këtë, me gjithë vullnetin e mirë, pra këtë “ …vullnet të mbrapshtë përbaltjeje”, Prof Sinani nuk arrin ta shpjegoj si duhet, prandaj, ndoshta, mendimi i tij shumë i respektueshëm se “nuk ishte veshja klerikale ajo që i bënte hije rolit të tij”, mendoj se çalon. Vullneti i mbrapshtë i lanjes në harresë të njenes prej figurave ma të panjollë të të gjithë historisë sonë kombëtare qendron pikërisht tel veladoni, që Ai mbajti me nder e përkushtim deri sa ndrroi jetë në dhè të huej.
Kjo mungesë nuk ia ulë aspak vlerat parathanjes së shkelqyeshme të Prof. Sinanit, i cili me ndershmëni prej hisoriani shkencëtar, e jo sharlatan – si shumë para tij -, thekson se si ato pëshpërimat e mbrapshta për të varrosë këte figurë madhore kishin vetëm paragjykim ideologjik, sa kohë që “… relacionet e tyre (Austro-Hungarisë – shënimi i imi, DG) e denoncojnë si klerik të pabindur, që nxit veprime që prekin barazpeshat delikate midis dy kryeqyteteve perandorake”, e se, megjithate, “… Dom Nikollë Kaçorri arriti të trondisë jetën e sulltanit dhe të ndërkombëtarizojë përmes një kryengritjeje lokale çështjen shqiptare”. Pra, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdishme, por me ndershmëni intelektuale, Prof. Sinani na sjell në dritë të diellit se “pëshpërimat e mbrapshta” nuk mund të kishin zanafillë tjetër, veç asaj ideologjike, sa e hoqen nga çdo vepër arti që nga Monumenti i Pavarësisë, ku ishte në variantin maket; e thanë ndrysh, figura e tij madhore u sakrifue për hir të veladonit, ashtu si edhe Luigj Gurakuqi “i paveladon”.
Në vijim Prof. Sinani shtjellon shkurt, por i shkëputun tashma nga çdo trysni, rolin e Imzot Kaçorrit në Kongresin e Manastirit, në atë të Elbasanit e të Dibrës, në themelimin e Klubit patriotik të Durrësit, ashtu edhe shumë veprimtarive të tjera ku ai ishte protagonist i dorës së parë, tue analizue me kompetencë shkencore arrestimin e dënimin nga Turqia në vitin 1911, por mbi të gjitha tue cilësue se ai proces gjyqësor ishte i jashtëzakonshëm e se “Mbrojtja që i bëri vetes, … është njëherësh një apologji e çështjes shqiptare jashtë kuadrit perandorak”.
Mbasi vlerëson nalt (ashtu si e meriton plotësisht) punën aq të përkushtueme e shkencore të autorit Hajredin Isufi, arrin në konstatimin shumë të drejtë se tue u mbështetë ma shumë në arkivat e hueja, ndërkohë që janë të pastudjueme arkivat tona – siç asht rasti i dokumetacionit origjinal që ka sjellë autori -, “është një provë se historia e popullit shqiptar njihet shumë pak, kryesisht në vija të përgjithëshme”. Ja përse shënova ma nalt se “Kushdo që do të ulet me hartue Historinë e Shqipnisë për këte periudhë, nuk mund të mos ketë në të djathtë të tryezës së tij të punës këte libër shumë të vlefshëm ….”. “Një histori e Shqipërisë, si na e dëshmon edhe monografia e Hajredin Isufit, – thekson Prof. Sinani – nuk mund të rishkruhet duke u mbështetur gjithë në ato burime që dihen, gjithë në po ato dokumente që janë këshilluar deri më sot”; si të thuesh, ja ku e keni historinë, tek këto dukumenta origjinale mbi veprimtarinë e Imzot Kaçorrit, palcë e historisë sonë kombëtare të para një shekulli, “që e ka shkruar me veprim historinë e jetës së vet”.
Sepse, siç e përfundon parathanjen e tij Prof. Dr. Shaban Sinai, Dom Nikollë Kaçorri ishte “një vijues i traditës së herëshme të klerikëve shqiptarë, të cilët e nisën rrugën e veprimit të tyre “en së dashunit botës sanë”, për hir të dashurisë për këtë vend, për këte botë, për Arbërin dhe dheun e tij, për shqipen dhe hijeshinë e saj, për viset shqiptare që i krahasojnë me vendet e lashta biblike, për lirinë e bashkatdhetarëve. Në gjuhën e tyre “të vetët” qenë dhe mbetën gjithnjë vëllezërit e një gjaku, të një gjuhe dhe besimi kurrë s’u bë shkas për t’i kuptuar ndryshe … Ky është një tipar themelor në historinë e Kishës Shqiptare dhe të klerikëve të saj, të cilët iluminizmi dhe idetë përparimtare përgjithësisht i udhëhoqën në veprim laik dhe doktrina kurrë nuk i pengoi të ngriheshin në lartësinë që i kërkonte historia”.
Në ato naltësi, në pikën ma të naltë të historisë sonë kombtare, rri mrekullisht Imzot Nikollë Kaçorri, i mënjanuem nga politika, por kurrë i harruem nga populli i tij për të cilin u flijue.

(vijon)