Hajdutë …si “Ne”!

0
66

Nga Mero Baze

Standardi më i ri që ka përqafuar qeveria shqiptare për të përballuar fushatën anti-korrupsion të opozitës është përpjekja për të krijuar një simetri qoftë dhe fallco në akuza. Të pafuqishëm për të kundërshtuar dhe shpjeguar shqiptarëve faktet e hidhura, që po publikohen përditë, për plaçkitjen e pasurisë kombëtare nga një tufë kunetërish, baxhanakësh, kushërinjsh dhe farefisni qeveritarësh, njerëzit e pushtetit kanë kaluar në pozita mbrojtëse, duke u shfajësuar se “edhe Ju”, pra ju të opozitës, jeni hajdutë si Ne.

I pari që e adoptoi këtë skemë ishte Sali Berisha. Duke qenë se ai është zyrtari i parë më i lartë i shtetit shqiptar që iu kap në vjedhje djali, vajza, gruaja, baxhanaku dhe gjithë farefisi i mbesave dhe gruas së tij, ai shpalli fushatën e “20 përqindëshit”, një sajim qesharak, që bazohet në vetë deklaratat e Berishës. Kështu vajza e Sali Berishës, Argita Malltezi, është e vetmja që deri më sot është kapur me presh në duar, duke i kërkuar një biznesmeni nga Lindja e Mesme 3 për qind “fee success”, për një projekt termocentrali në Portoromano, në tokën e klientit të vajzës së kryeministrit, Damir Fazlliç.

Vajza e tij është e vetmja pinjolle e një kryeministri në Shqipëri, që kërkon 3 për qind të vlerës së investimit për firmën e babait të vet. Djali i kryeministrit, është i përfshirë si sekser zyrtar në shumicën e bizneseve që kanë nevojë për firmën e qeverisë, duke u detyruar ta deklarojë dhe në deklaratën e pasurisë se ka bërë qindra- mijëra dollarë si ndërmjetësues. Gruaja e tij po ashtu është ende subjekti më i pahetuar në vend për mënyrën se si ka menaxhuar miliona euro që mbledh në ballot e bamirësisë, ndërkohë që qendrat e saj kundër autizmit, kanë çmime shumë më të kripura se spitalet analoge private jashtë Shqipërisë.

Nuk dua të zgjatem më tej me listën e njerëzve të afërt të kryeministrit, përfshirë në biznese dhe veprimtari si sekserë. Nën shembullin e tij kemi kunetërit, kunatat, vjehrrët, vjehrrat, kushërinjtë dhe të afërmit e gjithë ministrave që u janë turrur licencave dhe koncesioneve duke u futur ortakë me nga 20 deri 30 përqind në çdo biznes si gjobë e qenies së tyre në pushtet. Po botojmë sot disa kompani të kushëririt të ish-ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, i cili ka hyrë partner nga 20 deri 30 përqind në disa kompani, që kanë përfituar licenca dhe koncensione nga ministri Ruli. Nuk duam të themi automatikisht se Ruli e ka taksën 30 përqind, por shihet qartë se e gjithë kjo procedurë bie erë e praktikave korruptive tribale të qeverisë së Sali Berishës.

Përballë këtyre fakteve kokëforte, tani kemi një strategji mbrojtëse qesharake të qeverisë. Mbrojtja e tyre e vetme është, “edhe ju jeni hajdutë”. Ti u thua vajza e kryeministrit është seksere, dhe Berisha përgjigjet “edhe Tan Lepuri është sekser”. Ti thua kunati i ministres Bregu është mafioz, Berisha përgjigjet “edhe vëllai i Fatmir Xhafës është arrestuar një herë”. Ti u thua shqiptarëve që këta po ua japin gjithë licencat dhe koncesionet kunetërve, baxhanakëve dhe kushërinjve të parë, Berisha del thotë “po dhe ju i keni dhënë leje ndërtimi kunatit të Dash Pezës”.

Ti u thua shqiptarëve këta kanë privilegjuar bizneset serbe në Shqipëri dhe po financohen nga paratë publike, këta të thonë “edhe Ramiz Alia ka gisht në masakrën e Tivarit”. Ti u thua që motrat Vokshi kanë privatizuar nëntokën, tokën dhe ajrin e Shqipërisë, këta të thonë “dhe gruaja e një deputeti socialist ka punuar tek ministria e licencave”. E gjithë kjo panoramë tragji-komike, po përpiqet të paraqitet tani si mjedis i ndotur nga akuza reciproke. Kjo në fakt është shumë qesharake. E gjithë kjo, jo vetëm që nuk është një tablo reciproke mes dy palëve, por është një dorëzim pa kushte i shumicës për t’u mbrojtur nga akuzat për korrupsion.

Ata kanë pranuar tashmë se janë hajdutë, se i kanë bërë të gjitha ato që thuhen dhe janë në kërkim të bashkëfajtorëve. Si të paturpshëm që janë, nuk vrasin shumë mendje se çfarë kushtesh duhet të plotësojë një bashkëfajtor me dikë që merr pare për firmën e babait kryeministër, me një bashkëfajtor që privatizon për kunatin nëntokën, tokën dhe ajrin, me një ministër që u jep njerëzve të vet kasat fiskale, me një ministër tjetër që i jep djalit të xhaxhait licenca koncensionesh për plehra dhe energji. Nuk vrasin mendje fare së paku të gjejnë diçka të ngjashme. U intereson vetëm një fjali: “Hajdutë jeni edhe ju, … si Ne!”.