Haga liron dajën e Damir Fazlliç, krijoi njësitin më famëkeq në luftërat e Ballkanit

0
35

TemA, 30 Maj 2013

Stanishic dhe Simatovic

(E PERDITESUAR)- Ai është miku personal i kryeministrit Sali Berisha. E ka pranuar edhe vetë ky i fundit. Quhet Damir Fazlliç dhe trazon nëntokën e Ballkanit falë lidhjeve që i ka edhe prej dajës së tij, Jovica Stanishiç. Ky njihej edhe si njeriu i Millosheviçit në terren.

Sot Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish- Jugosllavi dha vendimin për Stanishiç dhe bashkëpunëtorin e tij, Franko Simatoviç.

Ai u lirua nga akuzat. Gjykatësi Alphons Orie tha se pavarësisht faktit se Stanishiç dhe Simatoviç kanë organizuar, furnizuar, financuar, mbështetur dhe drejtuar njësitin serb, mbështetja e tyre ishte e një natyre të përgjithshme dhe nuk kishte synim direkt kryerjen e krimeve të luftës, raporton BIRN.

Gjykatësi tha se prokuroria nuk provoio që këta të dy kanë shërbyer si një kanal që lidh të gjithë ata që janë të përfshirë në krime lufte në këtë periudhë.

Stanishiç ka qenë shefi i Shërbimit të Sigurisë Shtetërore në Ministrinë e Brendshme në kohën e Millosheviçit. Kurse Simatoviç ka qenë komandant i Njësitit të Operacioneve Speciale.

Siç raporton Balkan Insight, ky njësit njihej me emra të ndryshëm gjatë ekzistencës së tij në vitet 1991- 2003. Njëherë quheshin Ninxhat, më pas Akrepat, Tigrat e Arkanit, Beretat e Kuqe, etj.

Grupi i armatosur ka ndryshuar emrin disa herë, por gjithmonë i referoheshin si “Njësia” deri kur ekzistenca sekrete u bë publike në vitin 1996.

Anëtarët e këtij njësiti njiheshin për brutalitetin e tyre.

Uniformat e tyre përfshinin maska dhe emblema, që herë tregonin shqiponjat dhe herë ujqërit.

Anëtarë të këtij njësiti janë dënuar nga gjykata vendore, por asnjë prej komandantëve të tyre në terren nuk është përballur me gjyqin.

Komandanti i fundit i njësitit, Milorad Ulemek, i njohur si Legija, u dënua me 40 vite burg për rolin e tij në vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç. Dy ish- komandantë të tjerë, Zeljko Raznatoviç, i njohur si Arkani dhe Radovan Stojiçiç, i njohur si Bazha, u vranë në atentate mafioze në Beograd pas luftës.

Sipas prokurorisë së Hagës, njerëzit që organizonin, furnizonin, financonin, mbështesnin dhe drejtonin këtë njësit, ishin Stanishiç dhe Simatoviç.

Ideja për të krijuar një njësit special që do të mbronte serbët jashtë vendit erdhi nga ish- presidenti Millosheviç në vitin 1991, në mars, në prag të luftërave në ish- Jugosllavi.

Një muaj pas deklaratës së Millosheviç, Jovica Stanishiç, në atë kohë shef i sigurimit shtetëror, së bashku me Dragan Vasiljkoviç, i njohur si Kapiten Dragani, shkuan në Knin të Kroacisë për të nisur formimin e njësitit.

Kapiten Dragani është akuzuar më vonë për krime lufte nga Kroacia.

Stanishiç u pushua nga detyra e tij në vitin 1996. Pas nisjes së protestave kundër Millosheviç, Stanishiç u takua me liderët e opozitës në disa raste, duke ngritur dyshime për besnikërinë e tij.

Millosheviç po ashtu dyshonte se Stanishiç kishte lidhje me shërbimet e huaja sekrete, përfshi CIA-n, pasi ai bëri avokatinë e ndërhyrjes së komunitetit të huaj në Kosovë.

Njësiti ekzistoi deri në vitin 2003, kur u shpërbë për shkak se shumë anëtarë u përfshinë në vrasjen e kryeministrit serb, Xhinxhiç.

Po atë vit Haga ngriti padi ndaj Stanishiç dhe Simatoviç, duke i akuzuar për vrasje, persekutim për arsye politike, racore dhe fetare, deportim dhe veprime çnjerëzore.

Të dy u arrestuan dhe gjyqi nisi në vitin 2008./ep