Guximi qytetar dhe liria politike

0
47

nga Bardhyl Mahmuti, 12 Prill 2010

Duke e konsideruar veten si trashëgimtare e vlerave të Greqisë antike dhe duke u identifikuar me këto vlera, historianët e mendimit politik të perëndimit një vëmendje të veçantë i kushtojnë reformave politikë që mundësuan kalimin nga qeverisja tiranike në atë demokratike. Përshkrimi i funksionimit të institucioneve të shtetit të Athinës zen një vend të rëndësishëm në këtë qasje. Përkundër vërejtjeve që i bëhen të drejtave të kufizuara demokratike në atë kohë, që nuk përfshinin femrat dhe skllevërit, theks i veçantë në këtë përshkrim lidhet me numrin e pjesëmarrësve në këto institucione.

Bardhyl Mahmuti

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të sjell për lexuesin funksionimin e këtyre institucioneve. Do të kufizohem qëllimisht vetëm në një shembull: në Kuvendin Popullor (Eklesia). Në këtë organ ku nxirreshin ligjet, zgjidheshin përfaqësuesit e institucioneve tjera etj. Ligjet votoheshin në prezencë të rreth 5000-6000 qytetarësh. Çdo qytetar kishte të drejtë të propozojë ligje dhe të përpiqet të bind shumicën e të pranishmëve që ta mbështesin.

Të gjitha ata që nuk pajtoheshin me propozim ligjin kundërshtonin hapur dhe sillnin argumentet e tyre. Askush nuk kishte frikë që të shprehte mendimet e veta. Nuk kishte frike nga përshtypja se tjetrit mund t’i mbetej hatri nëse nuk e mbështeste. Votohej haptas pa pasur asnjë frikë! Zgjedhja e përfaqësuesve për institucionet tjera bëhej publikisht, me votë të hapur. Madje, në disa raste përdorej edhe tërheqja e shortit për të emëruar ndonjërin në postet kuçe! Fakti se çdo qytetar mund të kërkonte publikisht dhe në çdo kohë shkarkimin e përfaqësuesit të caktuar të institucioneve që nuk përmbushte zotimet e dhëna krijoi një përgjegjësi të madhe qytetare.

Veprimi praktik ishte njësi matëse për çdo përfaqësues të institucioneve. Mos përmbushja e angazhimeve që lidhen me funksionin e caktuar kishte reagimin e menjëhershëm: kërkesën publike për largimin e tij. Askujt nuk i vinte “turp” t’i marrë publikisht mandatin përfaqësuesit që e kishte mbështetur më parë dhe që nuk kishte respektuar angazhimet e veta në interes të qytetarëve!

Ky guxim i qytetarëve krijoi një formë të komunikimit ku konfrontimi i ideve zhvilloi mendimin filozofik dhe format tjera të mendimit që shumë shekuj më vonë, në periudhën e Rilindjes kombëtare, perëndimi do të identifikohet me këto vlera dhe do t’i vendosë në themelet e ndërtimit të epokës së re. Fatkeqësisht, robërimi shpirtëror gjatë një periudhe të gjatë historike, që tejkalon periudhën e mesjetës, bëri që ku guxim qytetar të humbet peshën që e kishte. Vendin e debateve dhe konfrontimeve të ideve zuri nënshtrimi total ndaj bartësve të institucioneve të asaj kohe.

Raportet shoqërore u përmbysën deri në atë shkallë sa edhe nën gijotinë të dëgjohen britmat e viktimave të tiranisë: Rroftë Mbreti! Mund të ilustrohet me shembuj të shumtë ku njerëzit lidhen verbërisht pas “liderit”, edhe në rastet kur lideri vepron në kundërshtim të plotë me interesat e adhuruesve të vet! I lë të lirë lexuesit ta ilustrojë me shembujt që atij i duken më domethënës.

Konkluzioni do të jetë i njëjtë: Robërimi shpirtëror ndaj liderit është aq i madh sa qytetari i lirë i demokracisë antike, 2500 vjet më parë, nuk do të kishte mundur ta imagjinojë! Për derisa te popujt tjerë robërimi shpirtëror është instaluar përmes formave të ndryshme, te shqiptarët “dhënia e besës” ka shërbyer, në këtë dukuri, si mekanizëm robërimi. Shprehja e njohur popullore “Lopa lidhet për brirësh e burri për fjale!” është domethënëse në këtë kuptim. Për shqiptarin, dhënia e fjalës një lideri, një partie etj. është bërë pengesë për lirinë e tij shpirtërore.

Edhe në rastet e kur sheh se partia apo lideri pas të cilit “është lidhur” vepron në kundërshtim të plotë me interesat e tij dhe në kundërshtim me premtimet elektorale ai shtrëngohet, me vuajtje të mëdha shpirtërore, të arsyetojë të pa arsyeshmen! Dalja nga kjo situatë paradoksale kërkon një guxim të madh qytetar. Kërkon vetëdijesim se nuk është turp t’i kthehet shpina atij që nuk ka turp të na gënjej për interesa të ngushta personale apo grupore. Problemet tona janë politike dhe duhet të zgjidhen me mjete politike. Lirinë politike mund ta realizojnë vetëm njerëzit që shpirtërisht janë të lirë!

Pa ringjalljen e guximit qytetar të gjitha ushtritë çlirimtare së bashku nuk mund ta çlirojnë shpirtin e robëruar. Megjithatë, çlirimi shpirtëror është i mundshëm. Nuk kërkon të bëjmë asgjë kundër atyre që keqpërdorën besimin e popullit. Mjafton të mos bëjmë asgjë për ta! Mjafton të mos ua japim besimin më!

Metamorfoza e Presidentit Obama

Sergio Romano

Kundërshtarët e reformës të vendosur për hakmarrje në nëntor

Shtetet e Bashkuara ka disa javë që kanë një President të ri, ose të paktën një mishërim disi ndryshe të personit të zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë në nëntor të vitit 2008. Obama sot paraqitet më pak intelektual, më pak pajtues dhe më pak i gatshëm të ofrojnë dorën e tij për kundërshtarin. Ai është bërë i vrazhdë dhe agresiv. Ka anuluar samitin tradicional midis SHBA-ve dhe Bashkimit Europian. Ka ndërprerë një bisedë me kryeministrin Izraelit, vetëm për të shkuar në një drekë. Ai ka pasur biseda telefonike me liderët e tjerë politikë, të cilët thirrën “të qarët” (termi i preferuar nga diplomacia kur ka për të përshkruar një përplasje politike në mes njerëzve të cilët kanë mendime të ndryshme).

Mbi të gjitha ka zhgënjyer votuesit e tij ambientalistë, duke dhënë leje për fillim-shpimin e puseve të reja të naftës në zonat e mbrojtura, çka edhe paraardhësi i tij presidenti Bush nuk kishte guxuar ta bënte. A është Obama i vërtetë, ky që ka hequr devizën liberale me të cilën është paraqitur shoqërisë në vend? Apo kemi të bëjmë me një fazë kalimtare të diktuar nga rrethanat?

Është e mundur që origjina e kësaj metamorfoze të jetë pasoja e udhëtimit të gjatë të reformës së “kujdesit shëndetësor” nëpërmjet Kongresit. Ka qenë një kohë kur dukej se beteja dukej e humbur. Por presidenti Obama arriti të kthejë rrjedhën e ngjarjeve, duke fshirë çdo përpjekje tjetër për çështje të tjera, dhe i është përkushtuar tërësisht çështjes që kishte më shumë përzemër.

Në fund Ai fitoi, në saje edhe të mbështetjes përcaktuese të spikeres Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, dhe falë një serie negociatash që e kanë dobësuar rëndë qëllimin e projektit origjinal të tij. Gjithsesi nuk është arritur të goditet fronti solid republikan, dhe tashmë kundërshtarët e shumtë të reformës (të miratuar) janë të vendosur për hakmarrje në zgjedhjet e nëntorit, kur amerikanët votojnë për zëvendësimin e pjesshëm të Kongresit.

Nuk është e mjaftueshme. Obama e di se neo-konservatorët kanë dalë tashmë nga hija dhe janë duke organizuar një sulm vdekjeprurës mbi politikën e tij të jashtme. Do t’i kujtojnë, me një kënaqësi të qartë, se nisma e tij ndërkombëtare nuk kanë pasur ndonjë efekt të madh. Operacionet ushtarake në Afganistan kanë prodhuar disa suksese, por nuk kanë goditur kurrë në zemër të krerëve talebanë. Në Pakistan dhe Irak terrorizmi vazhdon të mbjellë terror dhe viktima. Në Iran regjimit nuk është më i kërcënuar nga opozita dhe tani vazhdon të ndjekë një politikë bërthamore që Amerika e konsideron të patolerueshme.

Por, kapitulli më i dhimbshëm i politikës së jashtme të përuruar nga Presidenti mbetet Izraeli. Po kështu Neo-konservatorët republikanë akuzojnë presidentin Obama se ka tradhtuar mikun e tij më të mirë në Lindjen e Mesme. Kurse liberalët e akuzojnë atë se nuk ka qenë aq sa duhet energjik me një qeveri izraelite, që ka refuzuar sistematikisht në fushën e vendbanimeve, kërkesat e Uashingtonit.

Në vend që të luftonte për t’u mbrojtur, Obama ka vendosur të kundërsulmojë me shpresën e një arkëtimi të sukseseve, çka do t’i mundësonte atij të përballej në pozicionet më të mira në testin zgjedhor të nëntorit. Ai ka nënshkruar në Pragë me presidentit rus Dmitri Medvedev një traktat për kufizimin e armëve bërthamore. Do të përpiqet të bindë Kinën dhe Rusinë për të pranuar një paketë të sanksioneve kundër Iranit. Do të vazhdojë të ushtrojë një presion mbi Izraelin që të bëjë një marrëveshje me Sirinë. Por ka shumë probabilitete që faktori vendimtar, nga ku varet rezultati i zgjedhjeve të nëntorit, të jetë gjendja e ekonomisë.

Nëse sinjalet e mira do të konfirmohen, Presidenti do të ketë një shans të mirë për të dalë nga zgjedhjet me kokën lart. Nëse shërimi do të jetë i brishtë dhe ekonomia nuk do të bëjë hapa para, atëherë asnjë sukses ndërkombëtar s’mund të mbulojë faktin se republikanët do të kenë shumicën në kongres.

Revista italiane “Panorama”