Nga Mero Baze, 20 Janar 2012
Ne nuk ishim katër. Po të mos ishte Skënder Minxhozi që të na mblidhte për një foto të katërt bashkë, ndoshta s’do ishim bërë kurrë bashkë. Nuk ishim bashkë më 21 Janar. Filip Çakuli nuk ishte fare në Tiranë, pasi i kishte vdekur vjehrra në Divjakë. Sokol Balla ishte duke ndjekur protestat për llogari të vet, ndërsa Andi Bushati u ul në tavolinën time pak pasi në bulevard filluan krismat. Artan Hoxha, kamera dhe instinktet e tij gazetareske i bënë gjëmën Berishës, ishte me mua qysh në minutën e parë të protestës, në ballkonin e dy kullave binjake në katin e katërt, përballë zyrës së Berishës, por ai nuk është në listën e puçit.
Rudina Xhunga, së bashku me Dudajn, iu bashkua tavolinës kur plumbat u bënë më të frikshëm, ndërsa dhjetëra reporterë të rinj, të thuajse gjithë gazetave, ishin po aty në këmbë duke ndjekur atë çfarë ndodhte. Filmuam snajperat pa filluar të gjuajnë, dhe pastaj u mbështetëm tek kolona e betonit, që mund të priste plumbat, duke ndjekur TV. Telefonat na u bllokuan dhe për fatin tonë të keq nuk kishim as kë të njoftonim dhe as kush të na njoftonte. I vetmi personazh misterioz u shfaq në tavolinën tonë diku nga ora 3 mbasdite, një burrë i vjetër rreth të gjashtëdhjetave, devolli, i punësuar në polici tatimore, i angazhuar atë ditë nga Agim Shehu si roje për tavolinën e gazetarëve.
Ishte i veshur keq, me bukë me vete dhe i paqartë për punën që i kishin dhënë. E shikonte i çuditur Rudina Xhungën që e kish aq afër, ose Bushatin dhe qeshte me vete. Pastaj bënte prova fonetike të na shqiptonte emrat. E qetësuam se ne nuk i mbanim mëri dhe e ulëm mes nesh. Xhunga herë pas here ndikohej prej tij kur matej të ndërsehej me fjalë kundër plumbave, por nuk shkaktonte asnjë bezdi tek ne të tjerët. Po të rrinte dhe pak aty, ishim të sigurt se mund të kthehej në demonstrues.
Të parin që pashë duke u rrëzuar në tokë, edhe pse nuk qenkësh i vrari i parë, ishte Hekuran Deda, i cili u rrëzua nga tavolina ku ishin gazetarët. Mu duk sikur u rrëzua se e shtyu dikush, por në të vërtetë ishte qëlluar. Hodha sytë nga TV Klani. Për shkak se redaksia e TV Klanit ishte boshatisur dhe aty kishte mbetur vetëm Desada, që komentonte duke u përpjekur të kuptonte çfarë ndodhte, ai ishte ekrani nga i cili informoheshe më shumë. Shto dhe faktin që kamerat e tij ishin fokusuar tek dera e kryeministrisë, duke i mëshuar idesë se po sulmohej dhe po dhunohej policia, aty ngjarjet ndiqeshin më mirë, Top Channel e teproi në ekstrem duke mbajtur në studio komentatorë që ishin shumë herë më pak të dëgjueshëm se sa brutoja e ngjarjeve që po ndodhte. TV e tjera ishin me shkëputje nga sheshi.
Sapo pashë rrëzimin e Hekuran Dedës, ngrita sytë nga TV Klani dhe aty pashë një njeri që ishte rrëzuar, por jo tek vendi i Hekuranit. Diçka më lart afër derës. Desada as e kuptoi fare dhe vazhdoi të komentonte e qetë. Ishte e pabesueshme për të gjithë se ato që po shikonim ishin vrasje. Kur i ripamë më vonë në mbrëmje, dukej që vrasja tek dera kish ndodhur disa sekonda më parë se vrasja tek tavolina e gazetarëve, por gjithsesi nga e njëjta batare.
Nuk dija kë të pyesja nëse ishin vrasje apo plagosje. Me sytë nga rruga shiheshin pak çaste më vonë persona që transportonin të plagosur të tjerë. Një koleg i Vizion Plusit më tregoi si i rrëmbyen furgonin e transmetimit për të çuar në spital një nga viktimat, ndërsa shiheshin njerëz të plagosur dhe të trembur që po shpërndaheshin. Tentova t’i telefonoj disa herë Preç Zogajt, por nuk funksiononte telefoni. I nisa një SMS ku i thosha afërsisht se dikush mund të jetë vrarë. Ishim krejt të paqartë. Telefoni funksionoi me sms, por me thirrje jo. Pak më vonë Edi Rama doli në konferencë për shtyp.
Bëri thirrje të qetësoheshin dhe të ktheheshin në shtëpi. Nuk përmendi të vrarë, edhe pse vrasjet kishin ndodhur. As ai nuk dinte gjë. Ja përsërita thirrjen Zogajt, por pa sukses. Mu bë fiksim që kishin qëlluar njerëzit sipër kryeministrisë. Aty u shfaq dhe komandanti i Gardës dhe një bodigard i familjes Berisha, dhe disa tipa që mu fiksua se mund të kishin qëlluar. Disa orë më vonë rreth orës 20:00, Tom Doshi u kthye nga Spitali Ushtarak me një CD në dorë. Kishte marrë skanerin e Aleks Nikajt, të vrarit ende të pavdekur. Ishte qëlluar me një plumb që i hynte nga sipër poshtë. Ata tipat sipër tarracës mu kujtuan përsëri. Më vonë mësova se aty kish qenë dhe dikush nga Lezha, dhe kjo e komplikonte historinë duke menduar se mund të ishte dhe qitje selektive. Kështu ishte vrarë dhe Faik Myrtaj.
Në mbrëmje, kur Artanit i kërkova të më nxirrte prej kameras qitësin anash kryeministrisë, ata sipër tarracës dhe ata që ishin tek shkallët, ndryshoi gjithë historia. Artani, pasi më nisi fotot e para, mori i lumtur për zbulimin që kish bërë. Duke riparë gjithë filmimet e kameras, në të vërtetë kishte zbuluar kush kish vrarë. Fotot nuk bënin më punë. Instikti i tij prej gazetari kishte bërë histori.
* * *
Kjo ishte dinamika e ditës sime më parazitare të mundshme si gazetar. Në mbrëmje versioni i parë i Berishës ishte ai që kishte përgatitur kur kishte marrë vendimin për të vrarë. Kishte vendosur që të vriste dhe t’ia linte të vdekurit në kurriz opozitës. Dy mjekë të Spitalit Ushtarak u përfshinë të parët në një spirale manipulimi. Edhe pse janë mjekë që përgjigjen për jetën e njerëzve, folën para kamerave si ekspertë kriminalistike, duke folur për qitje nga afër, dhe plumba të çuditshëm.
Më pas foli Sokol Olldashi, i cili kishte informacionin e “sigurt” se një makinë e çoroditur që turma e lëshoi drejt derës, që rrinte vazhdimisht e hapur, kishte 40 kg dinamit. Pastaj doli Arben Imami, Ministri i Mbrojtjes, dhe simboli i trazirave të vitit 1997 në Jug të Shqipërisë. Foli për armë të sofistikuara të përdorura nga demonstruesit dhe vrasjet brenda llojit. Po plotësohej skenari i vrasjeve të bëra nga vetë opozita. Kur Artani më tha në telefon se duket qartë kush ka qëlluar dhe vrarë, e kisha të pamundur të mendoja se skenari B ishte “puçi”.
Sali Berisha e nisi zbatimin e tij qysh në datën 22 janar. Foli për pistoleta stilolaps, për çadra pistoletë, për thika me helm nga gjarpërinjtë e jugut, për plan të përbashkët president, kryeprokurore, lider opozite, SHISH… Një përrua psikik i neveritshëm dhe i padëgjueshëm deri në fund. Ishte i qartë në atë marrëzi që bënte. Prokuroria kishte mbërritur në oborr të kryeministrisë ku ishin 2800 gëzhoja armësh dhe plumbat kishin grirë kangjellat nga brenda, çka tregon se është qëlluar në lartësi të kokës së njerëzve dhe në drejtim të tyre. Serveri i kryeministrisë ishte fshirë, serveri i Gardës po ashtu, ndërsa oficerët e plagosur të Gardës u mbajtën në oborr të kryeministrisë. Sali Berisha kishte një frikë të fshehtë prej daljes së tyre jashtë gardhit. Jo se do të arrestoheshin, por se mund të flisnin.
Mund tu tregonin grave, vëllezërve, miqve të tyre. Ata u izoluan thuajse në gjendje pengu brenda mureve të ndërtesës, e cila u kthye në një super-ambulancë ku mjekohen të lënduarit që nuk duhet të dorëzoheshin. Thashethemet për episodet nga brenda ishin nga më të ndryshmet. Shquante një fabul mbi rezistencën e Ndre Prendit për të qëlluar dhe një njeri i afërt i Berishës që e kishte qëlluar me grusht tek syri, që dukej qartazi i nxirë nga një goditje. Prendi ishte mbi ndërtesë të kryeministrisë dhe zor se gurët arritën atje.
Sali Berisha kishte konsumuar ndërkohë bisedat me ambasadorin amerikan, të cilin e kishte kapur krejt në befasi kjo situatë. Për çdo kërkesë të ligjshme të tij si përfaqësues i një shteti të madh mik me Shqipërinë, Berisha kishte një kusht të vetin. Dhe mungesa e përvojës për të punuar me Sali Berishën, e shtyu ambasadorin të përfshihej në një histori të rëndë. Pranoi të negociohej arrestimi i gjashtë zyrtarëve të Gardës. Berisha kundërshtoi ndalimin e tyre, në një gjest flagrant që po të kishim një prokurori të pavarur duhet ta arrestonte. Unë e përjetova me gëzim informacionin, pasi mendova se këtë nuk do t’ia falte askush. As shqiptarët, as ndërkombëtarët. Në fakt ia falën të gjithë, dhe ai vazhdon të krenohet që ka kundërshtuar për shkak të shpikjeve të tij, një urdhër prokurorie, duke shkelur rëndë Kushtetutën për autoritetin e prokurorisë.
Të dielën në mbrëmje ai mblodhi parlamentin në një seancë urgjente tragjikomike. Deputetët e frustruar nga ideja se mund tu kishte ikur pushteti, filluan të flasin me zë të lartë dhe duarbosh për grusht shteti. Ilir Meta shkoi më tutje dhe i quajti kokëpalarë. U ngrit një Komision dhe në krye të tij u emërua Eduard Halimi. Detyra ishte e qartë: Të terrorizonte prokurorinë dhe të baltoste sa të mundej Presidentin, SHISH-in dhe median kritike me Berishën.
I njihja thuajse gjithë deputetët e Komisionit. Dy prej tyre pak më shumë se të tjerët. Genc Strazimiri, të cilit tashmë i ka mbetur në dorë ky Komision, dukej i frustruar, por dhe i gatshëm të binte në sy. Atë e njihja më mirë se të tjerët. Njihja raportet e mosbesimit të Berishës me të dhe telashet që i ishin krijuar si zëvendësministër i Brendshëm ngaqë kish denoncuar Kuliçin tek Berisha si njeri që lidhej me kriminelë në Fier dhe Durrës.
Prej atëherë Berisha i kishte prerë vështrimin, dhe ky ndoshta i dukej një rast i artë për tu riafruar me të. E kuptova që e kish marrë kështu këtë shans kur dëgjova që emrin tim si gazetar puçist e lexoi ai. Qesha për herë të parë kur mendova sa do ishte kënaqur Berisha duke e parë ta lexonte emrin tim. Perversiteti i tij në këto raste shkon larg. I shijon shumë përdorimi i atyre tek të cilët nuk beson. I shijon kur i shikon duke dhënë prova besimi.
Shkova në Rogner për një kafe për tu takuar me Andi Bushatin. Vendosëm ta merrnim me humor. Balla dhe Çakuli po ashtu. Vizion Plus kërkoi një koment, dhe i thashë pak a shumë se nuk kam tabulate, por atë që nuk ia tregoj gruas sime, nuk jam i gatshëm t’ia tregoj gruas së Berishës. Ishte pak e tepruar si deklaratë, por fakti që ai po e bënte këtë gjest ndaj meje në emër të sulmeve që unë i kisha bërë korrupsionit të familjes së tij, ishte logjike t’i tregoja kujt i duhej përbaltja ime. Gazetari qeshi dhe iku. Çakuli bëri një gjë më me humor. Një letër të hapur ku shpjegonte pse dështoi puçi, dhe si e kishim organizuar. Balla dhe Bushati e injoruan tërësisht.
Por ndërsa ne qeshnim, Perëndimi e kishte marr seriozisht. Në Bruksel u dukej skandal i madh që të na kërkoheshin tabulatet. I dërguari për krizën, Lajçak, ia kish kërkuar këtë nga Brukseli Berishës dhe ky ia kishte bërë të vështirë. Ne po na dërgonin sinjale se kjo punë do zgjidhej. Më vinte të plasja, pasi e dija që tabulatet tona nuk kishin asnjë rëndësi. Maksimumi i duheshin Berishës tablatet e Çakulit për të parë me kë kish folur ditët para transmetimit të videos së Ilir Metës. Ne të tjerët ishim për arsye krejt të tjera. Unë për hakmarrjet e tij primitive, Sokol Balla ngase quhej njeri i afërt i Ramës dhe gazetari kryesor i Top Channel-it, dhe Andi Bushati si një gazetar i pakompromentueshëm që stërmundohej dhe vazhdon akoma të jetë i paanshëm, një pozicion që Berisha e urren më shumë se sa atë të gazetarit armik.
Vendosëm të mos bëjmë asnjë kundërshtim për të shkuar në Komision. U konsultuam dhe për ato që do tu thoshim deputetëve. Nuk jam i sigurt nëse na e përgjuan atë bisedë, por të nesërmen e “të vetmit plan” që bëmë kundër pushtetit, na çliruan nga akuza dhe nuk pranuan të shkonim në Komision. Ishte dështimi ynë real. Deri atë ditë nuk kishim bërë asgjë. Atë ditë që vendosëm të bëjmë diçka, na e hoqëm mundësinë.
E keqja ishte më e madhe se kaq. Mosthirrja jonë, që ne e quanim dështim, po quhej si fitore e Perëndimit që na kishte shpëtuar nga Berisha. Në fakt Berisha kishte shpëtuar nga ne. Isha i vendosur që pak me humor dhe pak me cinizëm, të dëshmoja çfarë dija për aferat korruptive të Familjes dhe të “justifikoja” me to arsyen pse kjo qeveri duhej përmbysur qoftë dhe me dhunë, duke justifikuar kështu veten si “puçist”. Ishte një rast i artë që na u hoq nga duart falë miopisë së disa zyrtarëve perëndimorë, që u dukej sikur po na shpëtonin. Në fakt po shpëtonin Berishën.
Kishin shkëmbyer nxjerrjen tona nga skema e puçit me tolerimin e vrasjeve, kishin barazuar tabulatet e katër gazetarëve me jetët e katër të vrarëve nga Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, kishin zëvendësuar kuriozitetin e dy djemve të mi për lakimin e emrit në ekrane, me vajin e 8 fëmijëve jetimë që s’do t’i shikonin kurrë baballarët në shtëpi. Kishin falur dy herë Sali Berishën, një herë që po i toleronin vrasjet dhe sulmin ndaj institucioneve dhe herën e dytë që po na e hiqnin nga duart ne katër puçistëve, që së paku mund t’ia bënim “fytyrën si këpuca” siç ka qejf të thotë ai. Kishim dështuar të ushtronim të drejtën tonë si puçistë, përballë atyre që sapo shihnin kamerat, na fyenin dhe sapo iknin, na dërgonin sms se nuk kishin çfarë të bënin, kishin urdhër… Nuk kishte dështuar asnjë grusht shteti, kishim dështuar të ndalnim grushtin që Berisha po i jepte shtetit duke e marrë peng nga makthi i njeriut që kish vrarë.