Grushti permanent i shtetit

0
36


Andrea Stefani, 26.01.2011

Ekziston një opinion mbizotërues se ai që rëndom quhet “grusht shteti” është thjesht një sulm me armë mbi godinën e një apo disa institucioneve, për të përmbysur Qeverinë duke e detyruar t’ja mbathë apo të dorëhiqet. Në fakt “grushti i shtetit” është shumë më i larmishëm se kaq. Kështu grushti i shtetit nuk është vetëm ai që kemi parë të realizuar nën lidershipin e Berishës në 14 shtator 1998. Sepse një grusht shteti mund të realizohet edhe pa sulme të armatosura mbi institucione madje, edhe nga vetë Qeveria. Pra kemi “grusht shteti” jo vetëm atëherë kur dikush përmbys me forcë një Qeveri, por edhe atëherë kur vetë Qeveria më anë të një dhune konstante mbi institucionet e shtetit, i deformon ato duke deformuar më në fund krejt frymën e shtetit.

Thënë shkurt, duke e shndërruar nga shtet demokratik-liberal me institucione të lira e të pavarura që balancojnë, kufizojnë e kontrollojnë njeri-tjetrin, në një shtet autokratik ku këto institucione ekzistojnë vetëm formalisht sepse në të vërtetë, nuk veprojnë më në bazë të Kushtetutës por në bazë të vullnetit të kreut të qeverisë. Ky është tipi i grushtit permanent të shtetit që Berisha ka më se 6 vjet që po e realizon në mënyrë graduale në Shqipëri. Sikundër Adolf Hitleri që pas dështimit të Puçit të Birrës hoqi dorë nga marrja e pushtetit me rrugë të armatosur, edhe Berisha pas dështimit të grushtit të armatosur në 14 shtator, vendosi ta realizojë atë pa armë dhe “institucionalisht”.

* * *

Kryeministri Berisha po përpiqet ta paraqesë demonstratën e 21 janarit si një grusht shteti me synimin e qartë që jo vetëm të justifikojë përdorimin jo legjitim të armëve si dhe demonstruesit e vrarë, por edhe që të mund të vazhdojë grushtin e tij permanent të shtetit. Berisha i kundërvihet Prokurorisë jo vetëm që të mbrojë ca gardistë por, mbi të gjitha, që të paralizojë, të nxjerrë jashtë loje si jo të besueshëm, një institucion ende të pavarur që ka nisur një hetim korrupsioni për Qeverinë. Një hetim për një skandal që sapo ka sjellë edhe dorëheqjen e zëvendëskryeministrit dhe që po u thellua, mund ta bëjë të pa shmangshëm rrëzimin edhe të vetë Kryeministrit.

Kjo është edhe arsyeja e vërtetë se përse Berisha e bën mizën buall dhe një demonstratë (dhuna e paligjshme e së cilës u shty, si rëndom jo pak demonstrata, deri tek gurët, shkopat dhe ndonjë shishe me benzinë), e etiketon në mënyrë të ekzagjeruar si puç apo grusht shteti. Tashmë ai kërkon që e gjithë vëmendja e politikës dhe opinionit të mbesë te ngjarja tragjike e 21 janarit dhe duke shfrytëzuar një vorbull të kreshpëruar shqetësimesh, frikërash dhe alarmesh, t’i japë një grusht dërrmues Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ Kombëtar (SHISH), këtyre dy institucioneve të tjera të shtetit që nuk i ka ende nën kontroll por që e rrezikojnë shumë pushtetin e tij të korruptuar për të vetmin shkak, se është tejet i korruptuar.

* * *

Por duke bërë këtë, Berisha po tregohet jo një shahist i zoti në politikë sepse po lëviz ushtarët në kuadrate të gabuara ku nuk i lejohet t’i lëvizë. Po shkel hapur rregullat e lojës të një shteti me pushtete të ndara. Dhe këto rregulla loje janë të shkruara në Kushtetutën e Republikës. Ndryshe nga deri më sot Berisha po shfaq hapur, edhe para ndërkombëtarëve, synimet dhe arrogancën e tij autokratike. Kjo shpjegon se përse edhe ambasadori i SHBA, Arvizu, doli dje në një konferencë shtypi në krah të kryeprokurores Rama. Sepse ndërsa manipulimin e zgjedhjeve të kaluara e maskoi me shumicën në KQZ si dhe me kapjen e padukshme të Kolegjit Zgjedhor, në rastin e bllokimit të urdhërndalimeve të Prokurorisë për 6 gardistët, Berisha po vepron hapur kundër ligjit dhe Kushtetutës duke vënë vullnetin e tij mbi to.

Por, në këtë rast, vullneti i Kryeministrit është haptazi i pa bazuar në ligj, pra nuk është një veto. Dhe si i tillë është një vullnet që tenton të dalë mbi ligjin dhe shtetin ligjor. Çudia është se ndërsa mburrte gardistët se mbrojtën shtetin ligjor, Berisha kërkon t’i mbrojë po këta gardistë duke dalë kundër shtetit ligjor. Eshtë qesharake dhe tragjike njëherazi të shohësh sesi një Kryeministër jep “argumente” në publik lidhur me gjoja lëshimin nga prokuroria të urdhrave për arrestimin e drejtuesve të Gardës “pa bërë as edhe një hetim”.

Para së gjithash Kryeministri nuk e di se çfarë hetimesh ka bërë apo nuk ka bërë Prokuroria. Kjo e fundit është një organ i pavarur nga Qeveria. Së dyti, edhe sikur Prokuroria të ketë vepruar e inspiruar jo nga ligji por politikisht sikundër akuzon Berisha, kjo është një çështje që nuk e ndan dot një kryeministër, por gjykata. Institucioni i gjykatës është ai që duhet të vendosë nëse ndalimi i dikujt është bërë me të drejtë apo pa të drejtë. Nëse do të qe Kryeministri ai që vlerëson drejtësinë apo padrejtësinë e vendimeve të organit të hetimit, kjo do të thoshte që Kryeministri të jetë jo vetëm kreu i ekzekutivit por edhe kreu i gjykatës.

Do të kishim jo një republikë me pushtete të ndara, por një shtet autokratik ku pushtetet janë të përqëndruara në dorën e kryeministrit. Dhe në fakt kjo duket se është dhe ëndrra e pafjetur Berishës, transformimi gradual i republikës në një demokraci vetëm në letër, në një shtet ku pushtetet janë të ndara përsëri vetëm në letër por ku realisht është ai, Kryeministri, që komandon gjithçka, që dikton se kush duhet të arrestohet dhe kush jo, kush duhet të dënohet dhe kush jo. Dhe duket shpreson (mjerisht jo fare pa shkak) se edhe BE e SHBA do ta pranojnë një shtet të tillë të përçudnuar për sa kohë që ruan një lloj stabiliteti politik edhe pse në kurriz të standarteve të lirisë dhe demokracisë.

Shkelja apo mungesa e këtyre të fundit mund të vazhdojë të justifikohet me fazën e tranzicionit, me procesin e integrimit që vërtet po zgjatet ca por që gjithsesi po progreson. Shkurt shpreson ta shtyjë në krye të një pushteti gjithnjë e më absolut sa të ketë ymër, i pa shqetësuar nga institucione të pavarura si prokuroria, SHISH apo media, që mund t’i nxjerrin të palarat e një korrupsioni që e gjithë bota e sheh dhe e pohon se është mjaft i përhapur. Për momentin Qeverinë e ka nën zap, Parlamentin po ashtu, administratën publike e ka mbushur me militantë duke e spastruar nga “armiqtë e klasës”, ka mjaft shërbëtorë në të gjitha shkallët e gjykatave, në media dhe shoqërinë civile, në biznes dhe në dhomat e tregtisë.

Presidenti i Republikës po i bën ca vickla por së shpejti i mbaron mandati dhe (në sajë të amendimeve që i janë bërë Kushtetutës më 21 prill 2008) do të ketë mundësi që vetëm me 71 vota deputetësh të shumicës, të zgjedhë President kë t’i dojë kokrra e qejfit nga oborrtarët e tij. Pas rreth një viti e gjysmë i mbaron mandati edhe Kryeprokurores (dhe kjo sipas amendimeve të Kushtetutës) ndaj do të ketë mundësi të emërojë Kryeprokuror një tip si ata prokurorët që i përdori dikur për të burgosur liderin e opozitës Fatos Nanon që sot e ka mik vetëm sepse nuk është më lideri i opozitës.

Atëherë ta shohin edhe opozitarët, që do kenë pranuar ndërkohë me syleshësi të heqin edhe imunitetet për të luftuar më me efektivitet (çfarë shakaje!) korrupsionin e qeverisë Berisha! Sepse do t’i ketë më nën hyqëm edhe gjykatat nga që Presidenti i Republikës (një Medvedev i caktuar prej putinistit Berisha) do të jetë edhe kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kështu i ka bërë Berisha planet që po i avancon me anë të grushteve që i jep shtetit vit pas viti, institucion pas institucioni.

Dhe ky dhunues e palodhur institucionesh ka gojë të akuzojë për dhunë kundër institucioneve, ka paturpësinë të dalë në “mbrojtje” të institucioneve që po ia u bën varrin! Prandaj themi se berishizmi është taktika e goditjes së pareshtur të shtetit nga pushteti deri sa shteti (që në fakt është masa e gjithë njerëzve dhe e institucioneve) të bjerë i pafuqishëm në këmbët e pushtetit. Ky është ai që e quajmë grushti permanent i pushtetit, i Qeverisë kundër shtetit. Dhe ose institucionet duhet të jenë të afta të bllokojnë grushtin e shtetit të pushtetit, ose këtë gjë duhet ta bëjë publiku. Natyrisht nëse ai ekziston. Sepse kur ai nuk ekziston si ka mundësi një shtet të jetë RESPUBLICA pra, një shtet ku “mbret” është publiku, populli dhe jo Kryeministri?