Preç Zogaj, 02.02.2011
“Dëshmia” e Berishës në Komisionin Hetimor pritej të shënonte një moment kulmor të denoncimit prej tij, të të ashtuquajturit grusht shteti të 21 janarit. Ata që deri dje mendonin se “ka diçka” në turfullimin e kryeministrit, prisnin prej tij të tregonte të dhëna dhe t’i gozhdonte puçistët jo më me fuqinë e fantazisë, por të provave të pakundërshtueshme.
Seanca dëgjimore ishte momenti i tij. E gjithë kjo edhe për faktin se, ndërsa e ka injoruar Prokurorinë, Komisioni Hetimor parlamentar, edhe pse i njëanshëm, mbetej aula e vetme ku ky kryeministër mund të deponojë në mbështetje të akuzave të rënda, që ka ngritur kundër opozitës, Presidentit të Republikës, Prokurores së Përgjithshme dhe disa gazetarëve antiqeveritarë.
Në mos në Komisionin Hetimor, ku tjetër?
Nuk pata rastin ta dëgjojë të plotë dëshminë e Berishës, por e lexova të nesërmen në një gazetë të përditshme afër qeverisë.
Nuk ishte dëshmi, por një fjalim i gjatë dhe i përsëritur. Vetë séanca dëgjimore ishte një parodi më vete e hetimit parlamentar, ku hetimi vë karrocën para kalit. Por kishte një moment shumë domethënës, që po e citojë. Deputeti Dashnor Sula pyet: “Zoti kryeministër, Ju në këtë sallë dëgjimore shpjeguat dhe deklaruat se keni prova të plota , përsa i përket të ashtuquajturit “Grusht Shteti”.
A jeni në gjendje që para këtij komisioni të mund t’i kemi ne ato prova, pasi përmendët te Tajvani një makinë me tritol dhe me kallashnikovë. Kur do t’ia paraqitni Komisionit dhe kur do t’ia paraqitni Prokurorisë. Ju në deklaratën tuaj thatë se segmente të caktuara të institucioneve të Republikës kanë qenë pjesëmarrëse në këtë puç.
Duke qenë se organi i prokurorisë nuk ka filluar një procedim të tillë dhe duke pasur gjithë këto prova, atëherë përse policia nuk ndalon dhe arreston nxitësit, organizatorët dhe ekzekutorët e grushtit të shtetit në bazë të nenit 251 të Kodit të Procedurës penale”?
Përgjigjet Berisha: “Së pari kanë qenë apo jo të implikuar, kjo ju takon ju, unë këtu vij për të paraqitur ato çka di në një ngjarje. Por se cila është shkalla e implikimit dhe cili është realiteti, i takon këtij komisioni hetimor parlamentar…”
Përgjigje normale, që konstaton me gjithë ç’ka thënë e do të vazhdojë të thotë kryeministri për ngjarjet e 21 janarit. Pasi i ka akuzuar “puçistët” ditë me radhë dhe pasi e ka lëmuar sipas qejfit fanitjen e tij të grushtit të shtetit, Berisha papritur bën një kthesë njëqind e tetëdhjetë gradë përballë pyetjes se parë relativisht profesionale që një deputet i partisë së tij ia bën i motivuar nga kredoja e profesionit.
Është e lehtë të merret me mend se si do të thërrmoheshin akuzat prej bude të kreut të qeverisë përballë organit të specializuar të akuzës. Ndërkaq, Berisha e anashkalon dhe sigurisht e lë të zhgënjyer deputetin e tij në lidhje me paraqitjen e fakteve.
“Faktet” që kërkon deputeti janë tretur në eter për konsum propagandistik. Kryeministri thotë me tej se Prokurorja e Përgjithshme kishte ngarkuar një grup prokurorësh ta arrestonin. Çështja duket shumë serioze. Lajmi do të ishte një skupë i vërtetë.
Po kush janë këta prokurorë që janë ngarkuar të arrestojnë kryeministrin? Si quhen? A iu dhanë emrat e tyre komisionit hetimor? Sigurisht që jo.
Dhe nuk iu dhanë për një arsye të thjeshtë: sepse me sa duket nuk ekzistojnë. Berisha e di se po të përmendë emra, do të përballet menjëherë me reagimin e tyre ligjor.
“Grushti i shtetit” nuk mbrohet me fakte dhe prova, por me hamendje , me opinione dhe sajime. Ai ose besohet, ose nuk besohet. Por nuk provohet. Ky është një rast shumë i veçantë kur publiku mund të shohë se si pas njëzet vjetësh mendësia e vjetër e partisë-shtet vihet në skenën politike jo si pjesë teatrale, por si qëndrim i shumicës qeverisëse.
Por “tabloja sinoptike ” është e destinuar të mbetet teatrale kësaj radhe për arsye se pas dy dekadash e më shumë vendi nuk ka një presidencë dhe një president si të kohës së Haxhi Lleshit, apo një prokurori dhe kryeprokuror si të kohës së Rrapi Minos; vendi sot ka një kushtetutë demokratike, një opozitë të fuqishme dhe një opinion publik të kultivuar . Po “çirret” Brukseli duke na kujtuar se pushtetet në demokraci janë të ndara.
Në një anë Europa është duke i thënë Berishës të mos pengojë hetimin e Prokurorisë. Në anë tjetër, duke përsëritur një parim elementar të sistemit demokratik, siç është ndarja e pushteteve, Europa është duke përqeshur njësimin e qeverisë me mbarë shtetin. Ekzekutivi në demokraci është vetëm njëri prej pushteteve.
Në sistemin që kemi zgjedhur dhe në familjen politike euroatlantike ku jetojmë, as opozita nuk i bën dot grusht shteti qeverisë, as qeveria nuk u bën dot grusht shteti institucioneve të tjera. Kjo e qeverisë është padyshim në kufijtë e dëshirës dhe blofit, por kur zgjat shumë edhe shakasë më të kripur i del lezeti.
E di shumë mirë Berisha se asnjë politikan i opozitës nuk e ka çuar e nuk e çon nëpër mend të shkojë të ulet pa votë dhe pa legjitimitet në karrigen e tij apo të ministrave të tij. Shqiptarët, edhe ata që nuk e kanë ditur, e kanë mësuar që nga 14 shtatori i vitit 1998 se marrja e ndërtesave nuk është marrje pushteti, por një aventurë me zarar.
Kjo është arsyeja kryesore që demonstruesit e 21 janarit 2011, përfshirë edhe ata që u përleshen me policinë, nuk e kaluan vijën e kuqe kur policia u tërhoq. Ata thjesht donin të nxirrnin jashtë dufin, zemërimin, revoltën apo pakënaqësinë e tyre kundër korrupsionit qeveritar para ndërtesës së kryeministrisë.
Disa të tjerë, që janë filmuar e ndaluar nga policia, thjesht u përfshinë në një reaksion zinxhir goditjesh e kundërgoditjesh në përballjen e tyre me uniformat dhe sidomos me makinat ujëhedhëse e gazhedhëse të policisë. Janë skena të padëshiruara sigurisht, që i kemi parë disa herë në Shqipëri gjatë njëzet vjetëve të tranzicionit demokratik. I shohim vazhdimisht në Perëndim. Policia prandaj trajnohet. Që t’i frenojë e prapësojë me profesionalizëm.
E përsërisim se reja e bujshme në dinamikën e demonstratës së 21 janarit është përdorimi i armëve të zjarrit nga garda e Republikës , vrasja e tre demonstruesve dhe plagosja e disa ta tjerëve në harkun e pak minutave, jashtë gardhit të kryeministrisë, kur demonstrata po shpërndahej.
Vrasjet në këto kushte demaskojnë një krim të kryer me gjakftohtësi kundër jetës së personave të pafajshëm. Ka qenë e arsyeshme që prokuroria, duke mos injoruar asnjë padi apo indicie tjetër në lidhje me veprimet antiligjore që janë shënuar në demonstratë, të fokusohej me përparësi te vrasjet e qytetarëve.
Hetimi paralel i Komisionit Hetimor Parlamentar nuk po merret pothuajse fare me vrasjet. Sigurisht, ai nuk është ngritur për të bërë transparencën e vrasjeve, por për të mbushur me fjalë boshe invencionin e grushtit të shtetit. Apo më saktë për të tentuar një “grusht pushteti” mbi të vërtetën e vrasjeve tragjike. Që nuk mund të mos dështojë.