GRUSHT KORRUPSIONIT NË GUSHT?

0
35

Andrea Stefani

Kryeministri Berisha nuk e kish keq kur porositi qeverinë dhe administratën të sakrifikojnë pushimet për të luftuar korrupsionin. Sepse po iku qeveria me pushime, bashkë me të shkon për vakanca dhe korrupsioni dhe s’mbetet gjë për të luftuar. Por t’i lëmë shakatë. Kjo që po ndodh është tallja e radhës e mashtrimit berishist me “antikorrupsionin”. Diçka më shumë se 6 vjet më parë, Sali Berisha u rikthye në pushtet me betimin sublim se do të çrrënjoste korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Nuk qenë të pakët ata shqiptarë që besuan se Berisha ishte “dora e fortë”, “princi blu” që do të vriste me shpatë kuçedrën e korrupsionit dhe krimit.

Duket se një naivitet të tillë e nanurisën edhe ca “ndërkombëtarë”, megjithëse e dinin fort mirë se korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk mund të luftohet nga një individ, lider apo një Kryeministër, nëse nuk ekziston një sistem organesh aktive të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, të pavarura dhe të dedikuara ndaj misionit të tyre. E gjithë propaganda që përgatiti rikthimin e Berishës në pushtet në vitin 2005 qe një vulgaritet që jo vetëm nuk kish të bënte fare me mënyrën si funksionon një shtet ligjor, por ishte edhe një farsë e mekanizmit të sistemit tragjik komunist që lëvizte vetëm kur Enver Hoxha mprihte, kohë pas kohe, shpatën “për situatën”.

Sot, pas më shumë se 6 vjetësh, shohim frytet e hidhura të besimit të verbër se një autoritarist si Sali Berisha mund ta luftonte korrupsionin. U rifaktua se një pushtet që priret drejt sundimit absolutist, korrupton në mënyrë po absolute ngaqë e ka korrupsionin mjet të arritjes së sundimit. Sot shteti shqiptar është më i korruptuar se 6 vjet më parë dhe pushteti berishist jo vetëm e ka humbur përfundimisht betejën me korrupsionin, por është tashmë në anën e korrupsionit.

Gjë që e provojnë jo vetëm superskandalet që e kanë shoqëruar këtë pushtet, apo pasurimi galopant i pushtetarëve. Janë edhe deklarimet e “ndërkombëtarëve” mbi gjendjen alarmante të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Dhe prova më e fundit është fakti i hidhur që pas 6 vjetësh “luftë të suksesshme kundër korrupsionit” BE i ka vënë qeverisë “Berisha” si kusht për liberalizmin e vizave luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. A ka provë më të qartë dështimi se kjo?

* * *

Bashkimi Europian i kujton “kalorësit të antikorrupsionit” që ka 6 vjet në pushtet, se duhet të luftojë korrupsionin? Po ku shkuan premtimet, betimet, rrufetë dhe bubullimat “antikorrupsion” të Berishës? Rivalë të vjetër të akuzuar për korrupsion janë sot miq dhe aleatë të tij. Firma fantazma të akuzuara për korruptim kryeministrash janë sot partnere të qeverisë. Investime të nisura nga qeveritarë të djeshëm socialistë dhe të akuzuara si korruptive, inaugurohen sot me pompë nga qeveria që premtoi t’i çrrënjoste ato.

Duhet të jesh i verbër dhe të mos shohësh se Berisha të tjera tha dhe të tjera bëri. Dhe, në fakt, nuk ka provë më demaskuese për mashtrimin historik që Berisha ju ka bërë shqiptarëve, sesa vetë premtimet e tij për luftë kundër korrupsionit. Një nga objektivat kryesore të qeverisë “Berisha” në korrik 2005 ishte ai i “përkushtimit dhe përgjegjshmërisë se lartë në ushtrimin e pushtetit, çmontimit të sistemit të korrupsionit dhe monopoleve, luftës kundër fenomenit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve kriminale”.

A mos vallë beson ndokush se sistemi i korrupsionit dhe i monopoleve është çmontuar në Shqipëri? Po, janë vetëm të privilegjuarit e këtij pushteti dhe të gjithë ata që nuk kanë aftësi të mendojnë, por vetëm të besojnë bolshevikisht e verbërisht atë që ju thotë partia, lideri dhe qeveria. Dhe cila është gjendja e shtetit pas 6 vjet qeverisje “me duar të pastra”? Do ta përshkruajmë me fjalët e vetë Kryeministrit Berisha, duke cituar pjesë nga programi i qeverisë që ai shpalli në Kuvend 6 vjet më parë: “Dobësia e zbatimit të ligjit është një nga problemet më të mëdha me të cilin përballen sot shqiptarët.

Jo vetëm për shkak të paaftësisë për të kryer reforma, por veçanërisht për shkak të mungesës së vullnetit, si dhe për shkak të korruptimit dhe konfliktit të interesave në të gjitha nivelet, qeverisjet… kanë shkaktuar një rënie dramatike të forcës së shtetit për të zbatuar ligjin kudo dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë, e kanë sjellë Shqipërinë buzë shtetit të falimentuar. Për pasojë, krimet mbeten pa u ndëshkuar, të drejtat pronësore janë të pagarantuara, kufijtë e vendit janë porozë dhe lehtësisht të kalueshëm për trafiqet e trafikantët, korrupsioni u rrit në përmasa tepër të rrezikshme, duke u shndërruar në sistem, tregjet ranë nën kontrollin e monopoleve.

Një zbatim në këto nivele i ligjit ka sjellë pasoja mjaft negative për zhvillimin ekonomik, u ka ulur mundësinë shqiptarëve të gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, si dhe ka vonuar perspektivat e integrimit europian të vendit”. Askush nuk mund të bëjë edhe sot një pasqyrë më të saktë, më të plotë të mjerimit të shtetit ligjor dhe shkaqeve të këtij mjerimi, sesa ç’e ka bërë vetë Sali Berisha 6 vjet më parë.

* * *

A nuk mbetet dobësia e zbatimit të ligjit një nga problemet më të mëdha për shqiptarët, rikonfirmuar edhe nga testimet e perceptimit publik për 6 vjet me radhë, por edhe nga raportet e përvitshme të “progresit”? Kush beson sot se ligji zbatohet barabar para faktit se ka disa nivele zyrtarësh e ministrash që qëndrojnë mbi ligjin, edhe pse të akuzuar për afera korruptive të lidhura deri me trafiqe armësh? A nuk ishte një aferë e tillë edhe tragjedia e Gërdecit, autorët e së cilës vazhdojnë të qeverisin të imunizuar nga drejtësia?

Ku vajti premtimi i Berishës për heqjen dorë nga imuniteti të mazhorancës dhe se çdo hetim i prokurorisë për zyrtarë të korruptuar do gëzonte mbështetjen e qeverisë? Përse ministra si Mediu dhe Basha u strehuan turpshëm pas imuniteteve dhe “procedurave” duke shmangur turpshëm ballafaqimin me drejtësinë? Po le të kapim një tjetër argument. A mos vallë pas 6 vjetësh qeverisje të Berishës mund të thotë ndokush se të drejtat pronësore të qytetarëve janë të garantuara? Po të qe vërtet kështu, përse me dhjetëra pronarë shqiptarë do të kuturisnin në gjykatën e Strasburgut për të kërkuar të drejtën e mohuar të pronës?

Përse Avokati i Shtetit do t’i kërkonte kësaj gjykate që të mos jepte drejtësi (një hata e vërtetë kjo!) për pronarët, sepse shteti shqiptar nuk ka para për kompensim? Dhe a do kishim arritur në këtë gjendje nëse fondet e trojeve dhe tokave do të ishin përdorur drejtësisht për kompensimin e pronarëve dhe nuk do u shpërndaheshin me korrupsion e mashtrime hipotekore miqve dhe shokëve të qeverisë? A mund ta mohojë dot ndokush se, ekzakt sikundër pohonte Berisha 6 vjet më parë, “kufijtë e vendit janë porozë dhe lehtësisht të kalueshëm për trafikantët”?

Kjo shpjegon edhe pse sipas një raporti të hartuar nga ekspertët e Komisionit Europian, e të publikuar në muajin prill të këtij viti, Shqipëria vazhdon të përfaqësojë një vend origjine dhe një pikë transiti për produktet e kanabisit, emigracionin ilegal, trafikimin e heroinës, kokainës dhe armëve drejt Bashkimit Europian. A nuk është ky një dështim spektakolar për një qeveri që 6 vjet më parë premtoi luftë me përparësi dhe tolerancë zero ndaj trafiqeve. Po monopolet, mos vallë nuk ekzistojnë më ashtu sikundër u premtua? Çdo tregtar i rëndomtë shqiptar do të gajasej hidhur me një gënjeshtër të tillë. Po përse jemi më të korruptuar dhe më të trafikuar se në vitin 2005, aq sa një gjendje e tillë rrezikon të bëhet pengesë edhe për lëvizjen e lirë të shqiptarëve?

Për shkak të niveleve të ulëta të zbatimit të ligjit, nivele që, ashtu sikundër pohonte Berisha 6 vjet më parë, kanë “sjellë pasoja mjaft negative për zhvillimin ekonomik, u kanë ulur mundësinë shqiptarëve të gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë si edhe kanë vonuar perspektivat e integrimit europian të vendit”. Pohim që vazhdon të konfirmohet nga fakti që shqiptarët vazhdojnë të jenë ndër më të varfrit e Ballkanit, që ende nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes dhe me shanse gjithnjë e më të largëta integrimi me Europën. Dhe shkaku?

Prapë ajo gjë për të cilën dikur Berisha akuzonte qeverinë socialiste të Nanos: paaftësia e qeverisë për të kryer reforma, por veçanërisht mungesa e vullnetit për shkak të korruptimit dhe konfliktit të interesave në të gjitha nivelet e qeverisjes. Dhe nuk është një rastësi që pasi arriti në më shumë se një mandat qeverisjeje pikërisht atë që kish arritur Fatos Nano në dy mandate, sot Sali Berisha është puthur në një aleancë imorale me “padrinon” e djeshëm të korrupsionit.

Është një aleancë politike që denoncon puthjen e Berishës me korrupsionin. Prandaj tingëllojnë disi naive edhe sugjerimet që “ndërkombëtarët” i bëjnë qeverisë që të luftojë sot korrupsionin dhe krimin e organizuar. Prandaj janë qesharake edhe porositë që Berisha i jep qeverisë së tij për t’i dhënë një grusht korrupsionit në gusht. Sepse shihet qartë që qeveria “Berisha” nuk është më zgjidhja e problemit të korrupsionit në Shqipëri, por vetë problemi, vetë korrupsioni.