Nga: KICO BLUSHI
TIRANE- Zor se mund të gjesh në Shqipëri një rrugë të vetme që të jetë pa gropa, pa rrëshqitje dheu, pa rrënim, pa pluhur, pa shkatërrim në tejembanësi. Po të mos kishin aq shumë gropa rrugët tona, nuk do të bëhej aq shumë politikë e propagandë nëpër fushatat zgjedhore! Rrugët e vjetra e të reja, ruralet e urbanet, të porsa asfaltuarat e të harruarat, me tender e pa tender, sheshet e sidomos hyrje-daljet e të gjitha fshatrave e qyteteve, mjerisht edhe autostradat, edhe superstradat, edhe Rruga ende papërfunduar e Kombit, të gjitha këto udhë janë përfshirë tashmë në procesin e atij që ne e quajmë tranzicion, duke mos mundur gjithsesi t’i shpëtojnë dot mësymjes gjithëpërfshirëse të rrënimit, të gropave e të pllangave – arnave të asfaltit… Kësisoj, gropat e rrugëve tona, në mënyrë të pavetëdijshme pasqyrojnë me fanatizëm të ardhmen tonë nëpërmjet legjendës së Rozafës: asfaltohen ditën që të gropëzohen natën dhe anasjelltas!
Nuk ka gjë më shprehëse e më kuptimplotë në rrugëtimin e në jetën tonë të përditshme, se sa gropat e kudondodhura që ndjekin njëra-tjetrën si dele të bindura. Sidomos kur ecën me makinë, gropat e pafundme ta sjellin në majë të hundës, ndoshta edhe më përkeqazi se daljet e përnatshme të liderëve nëpër ekrane. Por, po t’i vështrosh hollë-hollë gropat e vendit tim, mund të them se ne nuk na ka hije të ankohemi e të mërzitemi aq shumë me to, pasi në të vërtetë nuk na e kanë fajin gropat e rrugëve të shkatërruara si t’i kenë pas ngrënë qentë; këtë absurditet e them i bindur sepse, më mirë se çdo gjë tjetër, edhe se debatet, polemikat, fjalimet e premtimet elektorale janë gropat tona të panumërta e të pasosura ato që na rrëfejnë se si janë bërë, por edhe se si do të përfundojnë në rrush e kumbulla investimet, d.m.th premtimet, paratë dhe financat tona publike.
Gropat janë xhepi i shumicës të miliarderëve tanë, janë fytyra e vërtetë e qeverisjes dhe e ndërtimit të kapitalizmit tonë ngadhënjimtar “me forcat tona”; tekefundit janë edhe shprehja më figurative e më domethënëse e rrugës tonë të gjatë e të vështirë drejt Evropës…E sigurt ama, është që të gjithë ne shpresojmë të shkojmë në Evropë bashkë me gropat (me gjuhën e zonjës J., me xhelet) e rrugëve tona!
Besoj se nuk mund të mohohet fakti që sot për sot nuk mund të gjesh në cilindo cep të Shqipërisë as edhe një rrugë të vetme, e cila pasi të ketë përfunduar e të jetë përuruar me bujë, të mos jetë bërë pas disa ditësh apo fatmirësisht, pas disa muajsh, me gropa e me pllanga, përndryshe me arna asfaltimesh të dështuara, të cilat, e sigurt është se edhe ato nuk do të mund t’i rezistojnë dot shiut të verës, e as vrapit të pelës. Ja përse nuk e teproj po të them se gropat kanë qenë e kanë mbetur pasqyra jonë më e përpiktë e gjindjes sonë.
Kështu, sa hyn në Shqipëri, n’daç nga veriu, n’daç nga jugu, n’daç nga lart, n’daç nga poshtë, nuk lipset të takohesh me njerëzit që të kuptosh se si jetohet këtej; nuk duhet të hysh e të dalësh nëpër zyra për të mbaruar ndonjë punë pa u përshëndetur më së pari me gropat që të përgatisin shpirtërisht se sa e mundimshme do të jetë rruga që ke nisur; nuk mund të ecësh normalisht pa qenë i detyruar të vuash e të bësh zigzage edhe kur udha është e drejtë; nuk është e nevojshme të kërkosh të dhëna e shifra të sakta nga INSTAT-i, sepse janë gropat dhe vetëm gropat ato që edhe pa ndihmën e një përkthyesi të thekur, edhe pa statistika zyrtare, të mundësojnë të kuptosh se në këtë vend nuk ka as edhe një pikë rëndësie pyetja se kush qeveris, se kush është kryeministër apo kryebashkiak, se në ç’nivel është ekonomia, paqja, mirëkuptimi e sidomos mirëqenia jonë që nuk njeh as kriza, as ngërç e as ngecje… Gjuha e gropave tona, edhe pse memece, është kuptimplotë.
Ja pra, përse gropat tona kanë meritën e padiskutueshme, pasi na ndihmojnë, më shumë se tabelat e qarkullimit e policët e trafikut, se na detyrojnë të mos e shtojmë shpejtësinë, të bëjmë kujdes e të mbrojmë kokën, duke ecur drejt së ardhmes si breshka, duke mbetur më të fundit e Ballkanit, d.m.th, të vazhdojmë të jetojmë si arnautë të denjë të Haxhi Qamilit të ndjerë, edhe kur jemi të detyruar të ecim me shpejtësi autostrade…
Gropat e kudondodhura janë dëshmia më kokëfortë që provon se sa seriozisht shihet në këtë cep të Ballkanit Perëndimor ëndrra me sy hapur për të hyrë sa më shpejt e sa më lehtë në Evropë; e ndërkohë edhe se si merret apo nuk merret vesh pushteti qendror me atë lokal, pozita me opozitën, katundari me qytetarin, si dhe në ç’raport janë të zgjedhurit me zgjedhësit, liria me anarkinë, demokracia me ligjin, semaforët me vijat e bardha… Gropat tona kanë lidhje direkte dhe indirekte me premtimet për të marrë sa më shpejt të drejtën për të udhëtuar nëpër Evropë pa viza, d.m.th, për të ikur sa më shpejt nga ky vend i rrëmbushur tejembanë me gropa që nuk sosen kurrë!
Ndaj, po t’i vështrosh me këtë sy gropat tona të dashtuna, natyrisht bashkë me plehrat dhe pluhurin, mund të kuptohet lehtë se sa normalisht funksionon demokracia, në ç’nivel është raporti i njeriut me mjedisin, si dhe sa të aftë jemi ne të bashkëjetojmë në komunitet pa ndihmën e administratës publike, përndryshe të gropave që ia hapim aq kollaj e me zell në mos vetes, njëri-tjetrit…
Këto të dhëna mjaftojnë, besoj, që për gropat tona të pasosura e të pafundme që nuk na ndahen kurrë nga ecja, në të mirë e as në të keq, në halle e në gëzime, ne duhet të kemi më shumë respekt e dashuri, natyrisht shumë më tepër se ç’lipset të kemi për të zgjedhurit e për qeveritarët tanë të lartë që nuk dinë të rreshtin kurrë së premtuari…
Sepse, gropat shqiptare, ndryshe nga gropat e vendeve të tjera, na japin mundësinë dhe lehtësinë të kuptojmë se si punon administrata, se sa e korruptuar është ajo, se sa të ndërgjegjshëm, të përgjegjshëm e të ndershëm janë ministrat, kryebashkiakët, nëpunësit, supervizorët dhe specialistët, firmat private dhe tenderbërësit. Gropat na tregojnë me një çiltërsi të admirueshme se tek ne nuk lipset të ketë as Prokurori të Përgjithshme, as gjykata, as media e as Kontroll të Shtetit, as opinion publik, as Kuvend, as debate të zjarrta analistësh, as kontroll qeveritar e as hetim parlamentar për të kuptuar se si dhe sa punohet në Shqipëri në dobi dhe në interes të publikut.
Prandaj, nëse ka një gjë të sinqertë e samëska domethënëse në këtë vend, pa asnjë dyshim këto janë gropat dhe vetëm gropat tona të lavdishme që na kanë dalë më se një herë borxhit të kuptojmë cilët jemi në të vërtetë e përse jemi këta që jemi! Sepse, vetëm gropat janë në gjendje të bëjnë pluhur e hi, pa kurrfarë propagande e anshmëri partiake, çdo lloj gënjeshtre e mashtrimi.
Por ne ende nuk e kuptojmë dot gjuhën e gropave!
Ndoshta për këtë arsye edhe kur duam të mallkojmë dikë me shpirt, ne shqiptarët themi: të bëfsha gropën! Dihet se ky mallkim që na ka shoqëruar në të gjitha kohërat e sistemet. Ne themi, “të bëfsha gropën” e nuk themi, “të hapsha varrin”, pasi kjo shprehje e mirëfilltë e mendësisë sonë që nuk buron vetëm nga gjendja e rrugëve tona, po nga që konceptin e gropës, ne tashmë e përfytyrojmë si një vdekje; gropa gjykohet pra, si një objekt që është bërë pjesë integrale e organizmit, e jetës dhe sidomos e marrëdhënieve me botën e me njëri-tjetrin.
Prandaj, në metaforën e gropës nuk e përdorim kurrë ndaj atyre që mbjellin e shkaktojnë gropa, kundër atyre që vjedhin tenderat e rrugëve, kundër atyre që na gënjejnë e na mashtrojnë dhe që edhe asfaltin dinë ta kthejnë në allishverish, duke vjedhur e groposur financat publike.
Por, mallkimin e lashtë “të bëfsha gropën”, ne nuk e drejtojmë asnjëherë kundër atyre që historikisht na kanë bërë gropën, po kundër atyre që nuk na vijnë pas avazit, kundër atyre që nuk na pëlqejnë, kundër atyre që nuk e duan kryetarin tonë të fisit apo të partisë, kundër atyre që nuk janë “me ne”… Gropën ja hap shqiptari shqiptarit, pa e ditur që ja ka hapur edhe vetes! Për këtë arsye, gropat mbeten përherë gropa e ne jemi këta që jemi: qytetarë të dorës së fundit, të destinuar të ecim nga njëra gropë tek tjetra!
Parë me këtë sy, nuk gaboj po të them se ne preferojmë të zgjedhim e të votojmë bash ata drejtues që nuk ndahen dot nga gropat e moralit tonë anadollak, sepse gropën e tjetrit e kemi bërë simbol, siguri e mbështetje për pushtetin vetjak; sepse vetëm sistemi i pafundmë i gropave të shoqërisë u jep liderëve tanë garanci dhe motivim për të mbajtur sa më gjatë pushtetin; sepse edhe me luftën e gënjeshtërt që po bëhet vitet e fundit kundër gropave, ata do të mund të na gënjejnë me premtime; sepse vetëm me ndihmën e gropës së pambyllur të Gërdecit apo edhe të Rrugës së Kombit ata do të kenë mundësi të pafundme na e bëjnë sistematikisht… gropën!
Kjo dukuri e kahershme e gropave tona politike, historike, morale e sociale, mund të thuhet se tek ne është bërë tejet e vështirë të shkulet e akoma më e zorshme të gjendet qoftë edhe një institucion shtetëror, i varur e i pavarur, që të mos ketë brenda vetes gropa të kësollojta, ku shembet e groposet kollaj edhe e vërteta, edhe drejtësia. Madje edhe shteti, edhe pushtetet tona, në të gjitha nivelet nuk kanë mundur t’u shpëtojnë dot hapjes së gropave “institucionale”, ku varroset e muroset përditë Ligji dhe Drejtësia, morali dhe nderi, përkushtimi dhe përgjegjësia e administratës publike.
Tashmë dihet se tek ne, politikë e zgjuar quhet kur një lider e një parti di të hapë sa më shumë gropa të tilla, ku pozita ja bën gropën opozitës dhe anasjelltas, sepse… sepse aq më kollaj (besohet) se mund të fitohet e mund të mbahet gjatë ky lloj pushteti i pakufizuar i gropave tona kombëtare.
Kështu pra, në vitet ’97-’98 shteti ynë u bë një gropë e madhe, një krater i frikshëm i shkaktuar pas një bombe të paparë dhe të pashembullt sociale e politike. Por, pyetja është kjo: Sa gropa të tilla kanë zhdukur njëherë e përgjithmonë qeveritë dhe liderët tanë nga rruga dhe aspirata jonë drejt Evropës?!
(GSH/BalkanWeb)