Grevistët, pozita dhe opozita

0
61

Nga Nard Ndoka,* 23.05.2010

Në këto ditë proteste dhe greve kam konstatuar me dhimbje të madhe se shqiptarët janë më të ashpër sot me njeri-tjetrin, se në kohën e diktaturës komuniste. Gjatë këtyre ditëve gjëmuan prononcimet në media me thënie, shpjegime e aludime nga me absurdet, si bllokmen, bllokqen, etj., etj. Nuk dëgjuam askund nga qeverisësit e këtij vendi, qoftë edhe formulimin më minimal njerëzor, në respekt të atyre bashkëqytetarëve që sakrifikuan shëndetin në një grevë urie. Në fund të fundit, ata ishin shqiptarë si çdokush prej nesh, ishin veç kësaj, njerëz prej mishi dhe gjaku, me të drejta të barabarta me gjithë ne të tjerët. Për të mos përsëritur këtu, që kërkesa e tyre dhe e opozitës së sotme, është një e drejtë që nuk ka shoqëri në botë që mund t’ia mohojë ndokujt.

Çfarëdo që të zbulojnë të gjitha kutitë e mbyllura po të hapen, çfarëdo që të dalë në dritë, sado e keqe të jete ajo, jam i bindur sot, se dëmi që ka sjellë ky mosrespekt publik për jetën e grevisteve është i pallogaritshëm. Goditja morale e shpirtërore që ka marrë ky popull nga sjellja antinjerëzore e këtyre tri javëve të fundit, gjithashtu është e pallogaritshme. Ne të gjithë do ta ndjejmë shijen e hidhur të këtij qëndrimi barbar ndaj jetës, shumë, shumë gjatë.

Atë që do të mbjellësh, atë edhe do të korrësh. Po mbolle ashpërsinë politike në një popull, ashpërsinë do të korrësh. Por kujt i bën mirë brenda Shqipërisë kjo gjë? Kujt i bën mirë kur thuhet me zë të lartë në tribuna, me siguri gati prej Perëndie, se transparenca e zgjedhjeve qenka antiligjore?! Ku është dëgjuar më parë ky absurditet, cila kushtetutë në botën demokratike ua ndalon shtetasve të vet këtë të drejtë?

E ndërkohë, cila mazhorancë mund të guxojë e t’i lejojë vetes të sillet kaq harbut me opozitën e popullit të vet? Opozita është garancia e funksionimit të demokracisë, shpresa politike e çdo qytetari. Nuk mund të ketë zhvillim politik dhe ekonomik pa respekt për opozitën, pa respekt për gjysmën e popullit tënd, pa respekt për jetën, pa respekt për sakrificën, pa respekt për lirinë!

Spektakli tragjik që pamë këto ditë në ekranet e blera qeveritare, është destruktiv dhe me pasoja të rënda. Edhe sikur veprimi i opozitës të jetë i gabuar, asnjë mazhorancë nuk ka të drejtë ta shndërrojë përgjigjen e saj në një shfaqje të përditshme dhune. E kundërta është e vërtetë. Mazhoranca ka detyrimin ta administroje situatën VETËM në interes të popullit dhe të demokracisë.

Faktori politik shqiptar u thirr në Strasburg për dialog e marrëveshje. Sa pa dinjitet tingëllon kjo situatë. Sa qesharake, që ne që flasim të njëjtën gjuhë, të na detyrojnë të huajt që ngatërresat tona t’i zgjidhim në anglisht. Sa turp të kesh një Kryeministër që nuk pranon të dialogojë në shqip, sa ironike të kesh një Kryeministër që gënjen me mirë në anglisht!

Kemi 20 vjet që rrekemi të besojmë, se ky kryeministri i sotëm duhet ta ketë kuptuar më në fund se paguhet për të qenë kryeministër i të gjithë vendit, pra edhe i atyre që nuk duan t’ia shohin fytyrën. Ai na dëshmon përditë që ne gabohemi rëndë. Na dëshmon që ai nuk ndryshon kurrë, nuk ndërgjegjësohet kurrë, me hir po veç me pahir. Ai nuk e do opozitën, ai nuk i do institucionet! Kjo do të thotë që ai e nuk e do vendin e vet. Vazhdimisht gënjen veten se opozitën mund ta asgjësojë dhe të emërojë një opozitë të veten.

Ç’ëndërr qesharake. Ky njeri përçarës, problematik, dhunues i demokracisë, i shtetit ligjor, i opozitës, madje edhe i vetë mazhorancës, nuk mund të jetë më njeriu që vendos për të gjithë shqiptarët. Ai nuk mundet ta kryejë këtë detyrim ligjor, e gjithë historia e tij politike është një luftë e vazhdueshme e këtij individi me këtë pamundësi të qartë të tij si njeri dhe si politikan.

Përballë tij, sot është një opozitë tjetër. Një opozitë e re, që tregoi gjatë këtyre muajve, se di e se mundet t’i dalë zot vetes dhe vendit. Opozita ka sot në krye një politikan që dëshmoi gjatë këtyre ditëve se është një garanci për të gjithë ne, të djathtë e të majtë, për t’i rezistuar bashkë me qytetarët e këtij vendi mafies politike të pavotuar që kërkon të sundojë vendin.

* Autori është Kryetar i Partisë Demokristiane të Shqipërisë