
Arben Malaj, 23.05.2010
Greva e urisë u mbyll ndërsa kriza politike vazhdon. Zgjatja e krizës politike në vend do të sillte ngrirjen e çdo hapi konkret drejt liberalizimit të vizave dhe statusit të vendit kandidat. Letra e fundit, drejtuar Kryeministrit dhe liderit të opozitës, e ardhur nga krerët e …grupimeve kryesore politike në Parlamentin evropian, është rasti më mirë për të shpresuar në kontributin pozitiv të elitës së vendit tonë. Ka një dallim thelbësor midis artistëve profesionistë dhe elitave. Historia njerëzore është mirënjohëse ndaj personaliteteve inspiruese që kanë promovuar lirinë, solidaritetin dhe humanizmin si vlerat më të mira njerëzore. Tek greva e urisë nuk duhej vlerësuar forma e protestës por thelbi i saj, kërkesa për transparencën e votës, që është jetike për demokracinë.
Anëtarësia në Evropën e Bashkuar nuk është një ngjarje artistike festive, nuk është një datë e caktuar e një koncerti elektoral, nuk është një destinacion turizmi politik. Evropa e Bashkuar është një tërësi vlerash, për të cilat edhe sot elitat luftojnë për t’i përmirësuar.
Greva e urisë nuk është mjeti më i mirë i protestës popullore. Edhe pse është paqësore, nga pikëpamja humane, ajo është një mjet radikal. Por, pas dështimit tonë gati një-vjeçar për t’ju kthyer nomalitetit politik, ajo mbeti e vetmja rrugë për të sensibilizuar çdo faktor shoqëror dhe politik jo vetëm në vend.
E vërteta është që edhe elita jonë u sensibilizua, pavarësisht debatit për kontributin konkret.
Ndoshta mund të jetë aktual për një pjesë të elitës sonë, mesazhi filozofik i Volterit se: “Është e rrezikshme të jesh në anën e drejtë kur Qeveria është gabim”.
Nuk dua të paragjykoj asnjë, nuk dua të paragjykoj as kontekstin e rrethanave në të cilat filozofi i madh e ka thënë dhe kujt i është drejtuar. Një gjë e besoj, si avokat i të drejtave civile, Volteri nuk e ka thënë për të justifikuar frikën, por për të inspiruar kurajon.
Misioni i elitës përherë do të jetë i domosdoshëm dhe i rëndësishëm. Kudo e ardhmja ka paqartësitë e zhvillimit të saj, risqet dhe përmasat e krizave janë rritur, kostot e pasigurive po rriten, sfidat e çdo vendi bëhen më të vështira.
Sukseset janë të pamundura në një ambient të acaruar politik, ekstremet politike po synojnë më shumë influencë. Populizmi po bëhet mbisundues në konkurrimet politike, diktaturat “paqësore” mund të rrezikojnë demokracitë e brishta.
Duhet t’i arrijmë kompromiset dhe konsensusin kombëtar për standardet moderne të së ardhmes sonë evropiane. Ndaj nuk duhet nxitur urrejtja midis politikanëve të vendit, midis votuesve të partive politike, aq më pak midis përfaqësuesve të elitës së vendit tonë dhe brenda komunitetit të biznesit. Elita duhet ta nxisë ambicjen e popullit të saj për më shumë demokraci, për më shumë liri, për më shumë mirëqenie.
Elita mund dhe duhet të jetë amortizuese e agresivitetit politik, kontribuese e rigjetjes së balancave të politikës dhe prioriteteve kombëtare për sfidat historike të vendit te tyre.
Greva e urisë mbaroi, kriza politike vazhdon akoma, tani është momenti më i mirë që elita e vendit nuk duhet të heshtë. Ky është misioni me të cilin ndikohet në drejtimin e duhur opinioni publik – misioni qe Ludwig von Mises, kërkon tek elitat.
“Ne jemi bërë të mençur, jo nga kujtesa e së shkuarës, por nga përgjegjësia për të ardhmen tonë”, do të konkludonte qindra vjet më parë – George Bernard Shaw.








Eshte e vertete, sepse e shkuara ka vetem nje vlere, ajo si sherben si mesim per te ardhmen, e cila do te jete ashtu si ne do ta ndertojme.
Por, qe e ardhmja te ndertohet kerkon burra. “Ata qe frikesohen nga ajo qe i rrethon nuk mendojne per ndryshim, sado te mjerueshme qe te jene kushtet e tyre. Njerezit qe sulen ne sipermarje te nje ndryshimi te madh, zakonishte ndjejne se kane ne zoterim nje pushtet te parezistueshem”.
Zoti Arben, apo shoku Arben sepse nuk e di se kur je Arbeni dhe kur je Arben Malaj, ju flisni per elita, per populizem, per urrejtje ndaj politikaneve, per agresivitet politik, pastaj justifikoheni per greven e urise.
Une personalisht nuk kuptova asnje gje nga ato qe ju thoni. Por nje gje arrita te kuptoj: ju kerkoni te jeni i besueshem.
Besueshmeria ka te beje me dimensionet sociale te te besuarit. Shkalla ne te cilen besimi apo mosbesimi duket bindes, lidhet direkt me “strukturen e besueshmerise” se tij; qe eshte grupi apo komuniteti, i cili siguron mbeshtetjen sociale apo psikologjike per ate besim. Nese struktura mbeshtetse eshte e forte, eshte e lehte per ta besuar, nese struktura mbeshtetse eshte e dobet, eshte e veshtire per ta besuar.
Shqetsimi per besueshmerine (nje problem intelektual) dhe neglizhenca ndaj saj (gjithashtu nje problem me dimensione sociale) eshte tipik per kohen e sotme.
Humbja e besueshmerise eshte humbje e realitetit.
Sipas meje, ju dhe struktura e juaj duhet ta analizoni kete: A jeni te besueshem?
Sot ka njerez te uritur, jo vetem per buke, ata nuk duan teori: ata duan realitet.
Zoti Arben ! Ka ardhur koha qe vuajtjet e te varferve mos te kthehen ne objekte manipulimi, taktike, dinakerie, per te arritur konsensusin elektoral.
E gjithe bota drejtohet nga perandoria e parase, zemra e se ciles eshte spekullimi financiar, ju i njihni mire keto probleme, si konsulent financiar qe jeni.
Politika dhe berja e politikave duhet t’i pergjigjen kerkesave te njerezve, para se gjithash kerkesave te jetes, te jetes per te gjithe. Nuk duhet te kemi frike te ndryshojme boten, duke filluar nga vetja, te sfidojme cinizmin dhe zhgenjimin.
Comments are closed.