Greqia, një shembull si duhet sjellë me Berishën!

0
52

Nga Mero Baze, 30 Shtator 2013

Ka disa lajme pozitive nga Greqia, të cilat jo vetëm duhet të na bëjnë krenarë për fqinjin tonë, por duhet të na nxisin të ecim nën shembullin e tyre.

Lajmi i parë i rëndësishëm është arrestimi i gjithë drejtuesve të partisë neo-naziste Agimi i Artë me një akuzë të artikuluar qartë për krijimin e një organizate kriminale, e cila rezulton se ka ushtruar dhunë dhe ka shkaktuar vdekje të qytetarëve. Drejtësia e një vendi të Bashkimit Evropian nuk ka dëshmuar asnjë kompleks nga paragjykimi që mund të ketë dikush lidhur me krimin kolektiv dhe qëndrimin ndaj një partie politike kriminale.

Lajmi i dytë pozitiv është se një prokuror në Athinë ka kërkuar dënim me burg për ish- konsullin e Greqisë në Korçë, i cili iu referua Korçës si Vorio-Epir. Prokurori ka argumentuar se konsulli i Greqisë në Korçë, ka përdorur një term nacionalist që fyen vendin fqinj, ndërkohë që duhet t’i referohet Korçës si qytet i Shqipërisë jugore.

Rëndësia e këtyre lajmeve ka të bëjë me faktin se një vend fqinj, i cili është i zhytur në spiralen e problemeve financiare dhe politike, gjen mundësinë të shpalosë vlerat e tij perëndimore, kundër nacionalistëve dhe neo-nazistëve, pa asnjë paragjykim. Për këtë shqiptarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe mirënjohës që drejtësia greke jep një shembull dinjiteti me referencë perëndimore për fenomene që kanë shëmtuar imazhin e Greqisë.

E rëndësishme në gjithë këtë histori është se pesha e paragjykimit që mund të rezistojë në opinion ndaj faktit se shkatërrimi i Agimit të Artë mund të duket hakmarrje politike, nuk është përfillur në raport me peshën e krimit që mbart aktiviteti i asaj partie. Prokuroria ka provuar se vrasja e një këngëtari grek është vepër e tyre dhe dyshohet se dhe katër qytetarë të tjerë janë viktima të vendimit të tyre për t’i eliminuar.

Në një paralele me Shqipërinë, arrestimi dhe dënimi i Sali Berishës për vrasjet e 21 Janarit, dhe sidomos përpjekjet e tij për të prishur provat dhe për të prodhuar një skemë fallco të arsyeve përse ka vrarë, nuk duhet të stepin prokurorinë t’i vërë prangat.

Vrasjet politike të 21 Janarit, të bëra me qetësi nga ish- Kryeministri, janë hetuar nga prokuroria shqiptare dhe nga FBI, dhe rezultojnë vrasje të bëra nga ish- Garda e Kryeministrit dhe njerëz të besuar të tij. Asnjë hetim, as ai shqiptar, as ai ndërkombëtar, nuk provon asnjë fije dhe asnjë gjurmë të ndonjë “puçi” në emër të të cilit Berisha pretendon se ka vrarë. Në këtë rast, qoftë dhe nga përsëritja dy ditë më parë e Berishës e arsyetimit që 21 Janari ka qenë një puç shteti, mund të shërbejë si indice për prokurorinë të thërrasë si të pandehur për njollosje të hetimeve dhe përpjekje për të fshehur krimin.

Si një qytetar i këtij vendi, Sali Berisha është i detyruar t’i referohet hetimeve zyrtare dhe fakteve që i ka pasur vetë në dorë t’i zbulojë për ngjarjet e 21 Janarit. Deri tani, nga gjithë thikat me helm dhe çadrat pistoletë, ne kemi parë vetëm gjuhën e helmët të Berishës dhe pistoletën e gardistit të tij që ka vrarë. Qoftë dhe për këtë arsye, ndaj tij duhet të nisë epoka e hetimit dhe dënimit për vrasjet.

Ndaj tij nuk duhet kufizuar në një padi, në një çështje dhe një krim. Ndaj tij duhen ngritur ndoshta qindra padi, sa herë ai ka shkelur ligjin, sa herë ka detyruar qeverinë të firmosë kolektivisht vendime klienteliste, sa herë ka vrarë, sa herë ka diskriminuar biznesin, sa herë ka firmosur për klientët e vajzës, sa herë ka hedhur firmën për biznese të djalit, sa herë ka dhënë pare për bizneset e gruas, sa herë që ai është sjellë si pronar i këtij shteti duke bërë çfarë ka dashur.

Shembulli i Greqisë, që po fut në burg një parti të tërë politike për një vrasje, është shembull i qartë kur pesha e paragjykimit nuk përfillet para peshës së krimit që ka kryer ajo organizatë. Me këtë kriter Sali Berisha, në kurriz të cilit janë së paku 30 të vrarë për shkak të pushtetit të Familjes së tij, duhet të shkojë çdo ditë në dyert e prokurorisë. Nën drejtimin e Sali Berishës, qeveria shqiptare ka vepruar si organizatë kriminale, pasi ka ekzekutuar dhe është lavdëruar me vrasjet e 21 Janarit dhe më pas ka prishur zyrtarisht çdo provë duke refuzuar dhe dorëzimin e gardistëve të kërkuar nga prokuroria.

Ai, dhe gjithë qeveria e tij që ka pranuar këtë skemë, meritojnë të shkojnë një nga një me duar të lidhura në qelitë e burgut, pa përfillur faktin se ata tani nuk quhen më kriminelë, por opozitarë. Dhe më tej akoma, po duke u nisur nga shembulli grek i dënimit të konsullit të tyre në Korçë, ndaj tij duhet të ngrihet mes të tjerash akuzë edhe për faktin që ai demonstratën e 21 Janarit e quan puç shteti dhe ka vënë nën akuzë Presidentin, kryeprokurorin, kryetarin e SHISH dhe gazetarët për këtë çështje.

Mbledhja e sotme e qeverisë ishte një hap i duhur dhe i vendosur për të rikthyer ligjshmërinë e shkelur me këmbë pas 23 qershorit nga kryeministri i mundur. Por Greqia po na jep një shembull të qartë të triumfit të drejtësisë ndaj kujtdo që privatisht apo kolektivisht vret dhe akuzon në këtë vend, me shpresë se do ta mbrojë fakti që vendimet i ka marrë kolektivisht dhe akuzat i ka si imunitet.