Nga Vicky Leandros, 11 Shkurt 2012
Ky është shkrimi që këngëtarja e njohur greke, Vicky Leandros ka përgatitur për gazetën gjermane Bild
Pas përjetimeve të mia në Athinë, në kokë më nguliten imazhe, që nuk largohen më. Një prej tyre është ai i Marias, 8 vjeç, që u ul në prehrin tim në fshatin e fëmijëve SOS.
Ajo qeshte dhe lozte me mua. Prindërit e kishin dorëzuar atë dhe dy motrat e saj sepse thjesht kriza kishte bërë që të mos kishin më para për të blerë ushqim për fëmijët e tyre.
Nuk e kisha besuar kurrë që Greqia ime do vinte deri në këtë pikë.
Kisha muaj që nuk kisha qenë në Greqi. Udhëtova drejt Athinës me gazetën Bild- dhe rrëfimet e njerëzve më kanë tronditur.
Është ora 15:00 e pasdites dhe unë po ec në sheshin Omonia, një pjesë e qytetit në zemër të Athinës. Më kujtohet pikërisht se si gjatë Lojërave Olimpike në vitin 2004, ulesha këtu në diell dhe pija kafe.
Vendi ishte në humor. Tani në sheshin Omonia shoh përdorues droge që bëjnë hapur injeksionet. Dhe të pastrehë. Gjithandej të pastrehë. Diçka e tillë nuk shihej më parë.
Një polic më tregon se sa e pasigurt është bërë situata në rrugë dhe se si është rritur numri i vetëvrasjeve. Njerëzit janë të dëshpëruar. Në një kishë në rrugën Sofokliu ndihmoj për të shpërndarë ushqim, qindra njerëz janë në radhë.
Prifti Janis Lambrou më thotë se çdo ditë bëhen gjithmonë e më shumë. U shoh fytyrat e tyre, ato shprehin falënderim. Njëkohësisht më vjen turp. Ne grekët jemi popull krenar.
Gjithçka këto ditë rrotullohet rreth miliardave të reja dhe masave të kursimit. Në sheshin Sintagma ndjej atmosferën e ngarkuar në mesin e protestuesve, e cila është drejtuar kundër gjithë elitës politike.
I kuptoj protestat paqësore. Por anarkistët që djegin flamurin gjerman dhe hedhin gurë më zemërojnë. Kuptoj se shumica e grekëve i dënojnë akte të tilla.
Ndërsa mbaj në dorë një gazetë, ku është shkruar sërish për Gjermaninë ‘e keqe’, pranë një stacioni autobusi më afrohen shumë njerëz. Pensionisti Vasil, 65 vjeç, më njeh e më thotë: “Vicky, i thuaj Merkelit se nuk mund të kursejmë më. Jemi përtokë”. Pensioni i tij është shkurtuar nga 900 në 600 euro.
Dhe shumë të rinj nuk shohin më të ardhme. Studenti 26 vjeçar Evangelos më tregoi se si mendon të emigrojë- kështu edhe shumë miq të tij. Si mund të gjejnë një punë kur niveli i papunësisë tek të rinjtë ka shkuar në 50 përqind?
Gëzimi për jetën – që e kam dashur aq shumë në këtë qytet – është zhdukur.