“Grekët më vranë babanë e më burgosën nënën, gjermanët më dogjën shtëpinë”

0
62

Nuri Dragoj, 22/07/2011

Kanë kaluar 70 vjet nga tragjedia e familjes Hysa, por Enveri mban mend gjithçka. Njëlloj si 70 vjet më parë, kur ishte 9 vjeç. Atëherë, kur përballë kishte urinë, errësirën dhe luftën, e cila i kishte rrënuar ekonomikisht. Familjes i kishte mbetur një dhi e vetme për të përballuar urinë. Atje, në fshatin Limar të Përmetit, ishte vendosur fronti grek. Ishte dhjetori i vitit 1940, kur pushtuesit italo-grekë, që përlesheshin me njëri-tjetrin, në tokën shqiptare, kishin gjetur gjithmonë pjesën më të ndershme e më të pafajshme të popullsisë civile, për të treguar “trimëritë” e tyre, me anë të kalibrave të topave apo markave të reja të aeroplanëve bombardues.

Sot, në epokën moderne të integrimit, asnjë seancë gjyqësore e Hagës, nuk mund të japë dot drejtësinë e munguar të 70 viteve për familjen Hysa dhe asnjë perëndi klasike, nuk mund të rikthejë në jetë babanë e Enverit, Ademin, i cili ka vdekur prej torturave, në burgun e Kalasë së Gjirokastrës, pikërisht, më 30 janar të vitit 1941, Adem Hysa ishte një njeri i ndershëm dhe një patriot i spikatur. Babai i tij kishte dhënë kontributin e vet, në vitet 1912-1920, në mbështetje të pavarësisë së vendit. Dy vëllezërit, Myslim Tare Hysa dhe Adem Tare Hysa, për shkak të vështirësive ekonomike, në vitin 1908, emigruan në SHBA, ku punuan deri në vitin 1924, kohë në të cilën u kthyen në Shqipëri.

Gjatë kohës së qëndrimit në SHBA, së bashku me shokë të tjerë, morën pjesë në themelimin e shoqatës shqiptare “Vatra”, duke dhënë ndihmesën e tyre të çmuar në ecurinë e saj. Ata, gjithashtu, ndihmuan aktivitetin patriotik të Fan Nolit. Punuan me përkushtim dhe dhanë ndihmën e tyre modeste e financiare edhe për daljen e gazetës “Dielli”, duke hyrë në histori si dy atdhetarë të devotshëm për çështjen shqiptare. Fan Noli, gjatë një fjalimi të vet, në vitin 1937, i përmend vëllezërit Hysa, si “atdhetarë të vërtetë”.

Në vitin 1940, fshati i tyre u kthye në një shesh lufte. Në përshkrimet e historive për luftërat botërore, të cilat kanë shkaktuar miliona viktima në të gjithë botën, rasti i Adem Hysës, babait të Enverit dhe gjysh i Roland Hysës, është i paprecedentë, ndonëse jo i vetëm… Ato ditë të dhjetorit të vitit 1940, ushtria greke kishte hyrë në fshat dhe kishte ndërtuar llogore lufte. Ushtria italiane bombardonte me topa artilerie gjatë natës dhe me anë të avionëve gjatë ditës. Predhat binin fare afër fshatit. Por ato ditë kishin marrë informata, se ushtarët grekë, i kishin lënë llogoret dhe strehoheshin nëpër familje. Pra, për këtë arsye, civilët iknin nga shtëpia në orët e para të mëngjesit dhe strehoheshin nëpër shpella deri pasdite vonë…

NATA E TMERRIT
“Data shënonte 2 dhjetorin e vitit 1940. Në orën 04:30, të mëngjesit, u dha sinjali i bombardimit”. Kështu e nis rrëfimin e tij, për natën e tmerrit, 79-vjeçari Enver Hysa. Fshati ishte në terr. Bukën e hanin me racion, ndërsa mishin ua kishte rrëmbyer lufta. Enveri tregon: Në errësirën e madhe, ne fëmijët e vegjël kishim nevojë për pak dritë, që të gjenim e vishnim opingat, apo rrobat e trupit, në mënyrë që të përballonim acarin që frynte ngado. Dhe më tej, vijon: Bombat apo predhat e artilerisë u dëgjuan fillimisht në malin e Dhëmbelit, më pas kodrave të Malëshovës dhe në orën 4 e 30 të mëngjesit, në afërsi të fshatit tonë.

Zhurma që ato krijonin, në atë natë dimri të errët, ishte e frikshme. Kur u dëgjua zhurmë afër shtëpive, unë bërtita fort nga frika. Ishim në errësirë. Bashkë me motrën time, Ervehenë, donin të dilnim se na folën prindërit, por nuk po gjenim opingat. Pastaj kërkuam dritë. Motra ndezi një kandil të sajuar me gomën e opingave, sa për të gjetur këpucët dhe rrobat. Vetëm një minutë ndriçim. Por kjo na kushtoi shumë. Sepse menjëherë aty erdhën dy ushtarakë grekë, shoqëruar nga një bashkëfshatari ynë, që quhej Jorgo. Pasi kishin dëgjuar britmat e mia dhe konstatuan dritën e kandilit tonë, ata nisën operacionin e goditjes së tmerrshme ndaj familjes Hysa.

Kaluan kthesën pranë shtëpisë dhe të tre u ndodhën përballë banesës. Trokitën fortë në portë. Shqiptari me emrin Jorgo, shërbente si përkthyes, por kuptohej menjëherë, që ishte nën presionin e ushtarakëve grekë. Pas trokitjes, babai hapi derën. Ai, ende nuk i kishte veshur opingat dhe gjendej i zbathur. Grekët e pyetën, duke e kërcënuar, ndërsa Jorgua përkthente:

– Kush e ndezi dritën? – ishte pyetja e tyre kërcënuese.
Babai i sqaroi me zë të butë, se ishin fëmijët që kërkonin opingat në terrin e natës dhe për t’i gjetur ato, ndezën kandilin vetëm për disa sekonda. Pyetja e dytë ishte edhe më kërcënuese, sepse ata i thanë:

“Nuk e shikoni se ç’po bëhet jashtë?”. Pas kësaj, nuk pritën përgjigje, por e morën përpara. Madje, morën me vete edhe nënën, së bashku me babanë, në një gjendje arresti. Në atë kohë, në fshat ndodhej dhe një kushëri i yni, i cili quhej Riza. Në fakt, Rizai ishte oficer i xhandarmërisë, në Tiranë, por ato ditë kishte mbërritur në fshat për disa ditë pushim. Aty e pat zënë lufta. Ai dinte greqisht dhe nëna i thirri Rizait, në çastin që po i nxirrnin nga shtëpia: O Riza, o Riza! Tjetri u përgjigj nga shtëpia e vet dhe nëna i tha: Hajde fol pak në greqisht, me këta, për të sqaruar hallin që kemi.

Dhe Rizai doli, me një veshje ta rastit, ku dukeshin shenjat e uniformës së xhandarmërisë. Ai u drejtua nga ushtarakët grekë, duke u thënë: Lërini, mos i merrni këta njerëz, se janë të pafajshëm e të urtë! Ata nuk kanë bërë asgjë. Por ushtarët grekë, pasi e panë me qillota, u interesuan dhe morën si përgjigje, se ai ishte oficer i xhandarmërisë. Prandaj e arrestuan edhe atë, duke bërë një lidhje të verbër, sipas së cilës, kjo ngjarje e kandilit, ishte organizuar nga Rizai, për t’u dhënë shenjë italianëve, që të bombardonin.

Të tre i futën në një shtëpi, i lidhën dhe i torturuan. Në atë shtëpi, prindërit e mi u torturuan dhe u rrahën barbarisht, duke u kërkuar që të tregonin gjoja, se kush i kishte udhëzuar që të ndiznin dritën e kandilit. Por ata nuk kishin se çfarë të tregonin, pasi shkaku ishte nevoja, halli, fëmija”. Më tej vazhdon: Të nesërmen, unë 9 vjeç dhe motra 13 vjeçe, shkuam në shtëpinë e Todhes, për të treguar të vërtetën dhe për të lehtësuar pozitën e prindërve tanë.

Atje, i folëm Josifit, të cilit motra i tregoi të vërtetën. Ai hyri brenda, duke u thënë grekëve dhe Todhes: Lirojeni atë çiftin, se kanë ardhur fëmijët e tyre, djali dhe vajza, që të thonë të vërtetën. Sepse dritën e ndezën ata, për të gjetur opingat, që nuk shiheshin mes errësirës. Por, një toger grek iu përgjigj: Shih punën tënde! Largohu! Ndezja e dritës është bërë me qëllim. Janë të lidhur me Rizain, ai i ka shtyrë, se u shërben italianëve! Todhja u zu ngushtë. Desh t’i thosh diçka togerit grek, t’i tregonte se bashkëfshatarët e tij nuk ishin fajtorë, por ushtaraku grek i bëri shënjë të mbyllte gojën. Ishte luftë, – vijon ai.

T R A U M A
“Pas tri ditësh, të mbushura me tortura të tmerrshme, prindërit e mi i transferuan nga shtëpia e Todhes, në një shtëpi tjetër, në Malëshovë, e cila shërbente, gjithashtu, si bazë e komandës greke. Rrugën e bënë në këmbë, të lidhur me zinxhirë. Babain e kishin lidhur bashkë me Rizain, ndërsa nënën e kishin mbërthyer me hekura vetëm… Përveç torturave të tjera, babait i kishin thyer të dhjetë gishtërinjtë, duke i gjuajtur periodikisht me qytën e armës. Kjo torturë ia kishte thyer zemrën nënës, e cila rënkonte në shpirt, por nuk e jepte veten para shërbëtorëve të grekut”.

Enveri vijon të rrëfejë: Pas 5 ditësh, një nuse e dajës, (Qazimit), që quhej Sade, na udhëzoi të shkonim në Malëshovë, për të takuar prindërit. Merrni edhe dhinë që kini me qumësht, për t’ua dhënë grekëve, në këmbim të lirimit të prindërve,- na tha ajo. Dhe ashtu bëmë. Ajo dhi mbante gjithë familjen tonë, por ne e sakrifikuam, duke menduar për fatin e prindërve… Udhëtuam disa orë dhe më në fund, duke pyetur, mbërritëm në bazën e grekëve, që ndodhej në familjen Laskaj. Atje ishte një toger i zbulimit grek. Te dera bënte roje një ushtar. I thamë arsyen e ardhjes sonë dhe i treguam edhe për dhinë që donim t’ua jepnim atyre.

– Duam të takojmë komandantin, – i tha motra ime 13-vjeçare.
– Perimene dhio lepta, – tha ushtari dhe u fut brenda. Ai u kthye tek ne, mori dhinë e futi brenda, në bodrum, sipas urdhrit që i kishin dhënë. Pastaj, na tha të prisnim.

Pesë minuta më vonë erdhi përsëri dhe na lejoi të hynim. Kaluam në një korridor të gjatë dhe hymë në një dhomë. Aty, një oficer grek shkruante në makinë shkrimi. Ndërsa një tjetër, që dinte shqip bënte përkthyesin.

NE BURGUN E GJIROKASTRES
“Urrejtja e grekëve nuk mbaroi me kaq. Dy ditë më pas, prindërit tanë i dërguan drejt burgut të sigurisë, në Kalanë e Gjirokastrës”, – rrëfen i biri i Ademit, bashkëkohës në ngjarje. “Përsëri në këmbë, përsëri të lidhur me zinxhirë, ndërkohë që babai ishte pa këpucë. Rrugës, i kishte zënë nata në fshatin Erind dhe qenë gdhirë atje. Pa mbulesa. Por me roje te koka. Pastaj, në 5 të mëngjesit, patën kaluar lumin e Viroit, në mes të ngricës.

Përsëri të lidhur, por këtë radhë, nënën e kishin lidhur së bashku me babanë, ndërsa Rizain, së bashku me një kushëri tjetër. Kur mbërritën në burgun e Kalasë së Gjirokastrës, nënën e çuan tek gratë, ndërsa babain e lidhën me një zinxhir me Rizain dhe një kushëri tjetër dhe i futën në burgun e burrave. Kishte dhe të burgosur të tjerë, sidomos nga zona e Labërisë. Ishte data 12 dhjetor i vitit 1940. Komanda greke paraqiti para fshatit një listë me rreth 24 myslimanë, burra të mirë, punëtorë e të ditur dhe që kishin influencë në fshat. Në këtë listë futën dhe hoxhën e fshatit, Xhaferr Çarçanin, një burrë i nderuar, i ati i Dule e Ali Çarçanit. Kishin shënuar dhe kunatin e Sejfulla Malëshovës, Hajdarin, e disa të tjerë. Të gjithë këta i dërguan të nesërmen në burgun e Gjirokastrës, shoqëruar me 5-6 ushtarë të armatosur. I akuzuan si antigrekë, – shton Enveri.

G J E M A
“Në datën 30 janar të vitit 1941, në krye të muajit, babai vdiq në burg nga torturat. Para se të vdiste, atë e rrojti vëllai i tij, të cilin e sollën nga qelia tjetër, për shkak se Ademin do e nxirrnin para një hetuesi grek, që vinte nga Janina. Atë ditë kishte dalë dielli. Babai ishte zgjatur mbi hekurat e frëngjisë së burgut dhe kishte thënë: Ah sa diell i bukur!. Në këtë moment, u këput, ra në tokë dhe u shua menjëherë. Pas kësaj, dy punëtorë të komunales e varrosën në varrezat myslimane të lagjes “Dunavat”, në Gjirokastër. Në banesën e fundit e përcollën nëna ime, xhaxhai dhe një kushëri tjetër. Ata të dy vazhdonin të ishin të lidhur edhe gjatë aktit të varrimit, ndërsa nënës ia kishin hequr prangat,- thotë Enveri.

FATI I NENES
Më në fund eksperti, apo hetuesi i Janinës, mbërriti në kalanë e Gjirokastrës. Të nesërmen thirrën nënën time, për ta pyetur dhe ndofta për ta liruar, meqë i shoqi vdiq. Të gjithë e dinin, që ajo ishte krejt e pafajshme, njëlloj si im atë, të cilit ia kishin nxirë jetën. Kështu, hetuesi i Janinës e mori në pyetje nënën, duke i thënë:

– Përse vdiq yt shoq?
Ajo iu përgjigj:
– Nga torturat, zotëri!
– Kush ia bëri torturat? – e pyeti hetuesi grek.
– Juve, – ju përgjigj nëna, pa iu dridhur syri. Kjo e revoltoi shumë grekun dhe menjëherë thirri ushtarët duke u thënë: Merreni dhe mbajeni në burg! Dhe ashtu u bë. Më vonë, nënën e internuan në burgun e sigurisë së lartë, në Greqi. Pikërisht, në burgun e Pirgolis, afër Patras, së bashku me shumë të pafajshëm të tjerë.

Hanin 30 gram bukë në ditë me nga tre kokrra ullinj. Kushtet ishin mjaft të vështira. Në burg, para syve të tyre, vdiq Sheme Toshe, kushëriri i parë i babait. Thanë që ishte me plevit. Kjo torturë sfilitëse vazhdoi për 4 muaj. Më 22 prill të vitit 1941, ushtria gjermane hyri në Selanik dhe ushtria greke mori urdhër të tërhiqej nga Shqipëria. Sinjali i tërheqjes së grekëve dhe paniku që krijoi gjermani, bëri që burgu të hapet. Dolën gjithë të burgosurit.

Pastaj, për dhjetë ditë udhëtuan më këmbë, pa bukë dhe në kushte rraskapitëse. Sidoqoftë, kur mbërritën në fshat, pritja e tyre ishte tepër prekëse. Të gjithë ishin bërë kockë e lëkurë. Unë dola bashkë me motrat. Nëna ime ishte në krye, pastaj vinte i dyti hoxha i fshatit e kështu me radhë. Motra ime e vogël, 2 vjeçare, nuk e njohu nënën dhe nuk i afrohej. Por nëna e përfshiu në krahët e saj, e puthi, shtrëngoi fortë dhe qau me lot. Qamë edhe ne nga gëzimi. Atëherë rrinim te shtëpia e dajës, Qazim Llanaj quhej. Nëna donte shihte shtëpinë. Ajo ishte lartë në kodër. Nuk iu durua dhe e pa. Mbeti një çast si e shushatur.

Shtëpia ishte plaçkitur tërësisht nga ushtria e huaj. Qau sërish. Pastaj e mori vetën dhe tha me zë të ulët: O zot, të qofsha falë! Të paktën më le gjallë fëmijët. Dhe kjo nuk ishte pak, – përfundon ai. Por e keqja nuk do të mbaronte me kaq. Me ikjen e grekëve dhe italianëve, erdhën gjermanët. Me vdekjen e Ademit, fëmijët i mori nën kujdestari vëllai i Zymbyles. Nuk kishte kush i ushqente. Pasi doli Zymbylja nga burgu, mori fëmijët dhe shkoi në Vlorë. U vu në kërkim të ndonjë pune, madje punësoi dhe djalin 14 vjeçar.

Ndërkohë forcat gjermane kalojnë dhe nëpër fshatin Limar. Duke parë se në banesën e tyre nuk kishte njeri, gjermahnët i vunë zjarrin, duke menduar se ishte shtëpi partizanësh, që kishin dalë në mal. Të nesërmen kishim mbetur vetëm rrënojat dhe tymi i zi, fjollat e të cilit vazhdonin të ngriheshin lartë. Familjet e dy vëllezërve Myslim dhe Adem Hysa mbetën pa strehë. Lajmi vajti deri në Vlorë. Zymbylja u trondit sërish, por ngushëllohej me faktin që kishte fëmijët gjallë. “Ky ishte vetëm një fragment nga tragjedia e fatit tonë të përbashkët”, – pohon Enveri.