Godo: Për krizën, takim Rama-Berisha

0
40

Sabri Godo

Shekulli Online, 05.01.2010

TIRANË – Presidenti i Nderit në Partinë Republikane, Sabri Godo, thekson se kriza politike në vend ka arritur pikun e saj e për pasojë ajo mund të zgjidhet në javët në vazhdim. Sipas Godos, duhet që liderët e partive kryesore të ulen në tryezën e bisedimeve për të gjetur gjuhën e dialogut. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Godo vë në dukje se secila palë politike duhet të lëshojë nga qëndrimi i saj për të arritur në një marrëveshje midis tyre. Godo nuk la jashtë kësaj skeme edhe Presidentin e Republikës, Bamir Topin, duke mos u pajtuar me qëndrimin që ai ka mbajtur deri më tani, pasi, sipas tij, ai duhet të luajë rolin që i përket për zgjidhjen e kësaj situate politike.

Sipas Godos, Presidenti Topi duhet të marrë përgjegjësitë e tij dhe të ndikojë te forcat politike që t’i nënshtrohen bisedimeve me njëra – tjetrën. Në të kundërt, sipas Godos, nëse vazhdon kjo gjendje, ajo do të ketë pasoja të mëdha për vendin, si në planin politik, në atë ekonomik, por edhe për proceset integruese të Shqipërisë. Duke folur për mungesën e demokracisë së brendshme në partitë politike shqiptare, Godo u shpreh veçanërisht për Partinë Demokratike se në të nuk ka demokraci të brendshme e për më tepër situata në selinë blu i ngjan një situate gjysmë primitive.

Z. Godo, kanë kaluar 6 muaj që nga zgjedhjet e 28 Qershorit, por akoma nuk është gjetur një zgjidhje midis forcave kryesore politike për kalimin e krizës politike, si mendoni sa e mundshme është zgjidhja e kësaj situate në një kohë kur mazhoranca nuk lëshon nga qëndrimi i saj dhe opozita do të rinisë protestat për hapjen e kutive të votimit?

Unë mendoj se do të ketë një zgjidhje dhe do të marrë fund kjo gjendje që është e dëmshme, e papranueshme, si në plan të brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Them që, pasi arriti kulmin e saj, kjo tani do të vijë duke rënë dhe them se do të gjendet një rrugë që opozita të kthehet në Parlament. Duke qenë kjo një domosdoshmëri, palët nuk kanë si t’i mënjanohen, ndaj të ulen dhe të bëjnë marrëveshje. Kjo tani, sipas meje, është një kërkesë e përgjithshme e shqiptarëve që nuk janë militantë të inkuadruar në parti, është një mendim i përgjithshëm i komunitetit botëror që ka të bëjë me ne dhe këtë fakt ne nuk kemi si ta mohojmë apo të bëjmë sikur nuk e shohim. Prandaj, them që tani u thanë të gjitha dhe erdhi koha që të shkëmbehen mendime dhe të arrihet në një ujdi. Çdo zgjatje e kësaj do të ishte me të vërtetë krejt e papranueshme.

Cila mund të jetë formula e zgjidhjes së kësaj situate politike?

Duhet të dish se si e mendojnë ata që kryesojnë palët. Ata e dinë se në çfarë pikash mund të çedojnë. Kështu që, mua më duket se hapi i parë që duhet bërë është nisja e një tryeze. Rrugët e komunikimit gjithnjë ekzistojnë, të arrihet në mbajtjen e një tryeze ose në takimin e dy liderëve. Të dy palët kanë thënë aty nga fundi i vitit se janë të gatshëm për bisedime. Tani dikush duhet të bëjë hapin e parë, të bëjë ftesën.

A mund të ketë një zgjidhje të ndërmjetme që mund të kënaqë të dyja forcat politike?

Sigurisht që mund të ketë. Asnjëra nga palët nuk mund të kënaqet plotësisht, sepse duhet të çedojë diçka në favor të palës tjetër. Kur bën marrëveshje duhen dy palë, ashtu edhe për të bërë luftë. Kështu që, secila nga palët duhet të shikojë se ku duhet të lëshojë rrugë për t’u afruar me palën tjetër, për të arritur në këtë marrëveshje. Unë e quaj të pashmangshme.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, thekson se nuk mund të ndërhyjë për të zgjidhur krizën politike, pasi kjo, sipas tij, varet nga vullneti i partive politike, por ky vullnet ende nuk është konkretizuar. Si do ta vlerësonit qëndrimin e Presidentit dhe a është momenti i duhur që ai të ndërhyjë për të zgjidhur këtë situatë?

Unë e kam konsideruar presidentin Topi një mik, por nuk mund të pajtohem me qëndrimin e tij të kohëve të fundit. Nuk vlen qëndrimi as kështu, as ashtu. Nuk dua të them që ai duhet të përkrahë njërën palë, por ai duhet të thotë fjalën e tij si president, siç bëjnë tërë presidentët në botë, kur ka probleme politike në vend. Të “lash duart” është gjëja më e thjeshtë dhe më e kollajshme. Të shikosh komoditetin tënd, të jesh në ujdi me të gjithë. Ky nuk është një qëndrim prej presidenti. Ai duhet të marrë përgjegjësitë e veta, të dalë e t’u thotë palëve që “kjo gjendje nuk mund të vazhdojë kështu dhe ju duhet t’u nënshtroheni bisedimeve. Pretendimi i tij se duke qenë president nuk i takon të ngatërrohet me punët e partive politike në grindjet e tyre nuk qëndron, sepse partitë politike janë ato që drejtojnë jetën e vendit. Në qoftë se ai nuk merret me ato, me kë do të merret?

Kështu që, unë i bëj një ftesë presidentit dhe të dalë përpara dhe të thotë qartë mendimin e tij, se palët duhet të bisedojnë, si dhe të shfaqë mendimin e tij për pasojat që ka një gjendje e tillë, t’u thotë shqiptarëve se çfarë vjen nga e gjitha kjo, cilat janë dëmet që realisht pëson ky vend; në fushën e politikës së jashtme, të gjendjes së brendshme dhe të zhvillimit ekonomik, që doemos pengohet. Investitorët rrinë duke vrojtuar. Sepse askush nuk shkon që të vërë paratë në një bankë të dyshimtë. Pyetja e parë që bën një investitor kur shkon diku, është; a ka stabilitet politik? Në këtë gjendje që jemi ne, nuk mund të themi që kemi stabilitet politik që kërkohet në bazë të normativave ndërkombëtare dhe të standardeve të demokracisë, duhet të funksionojë pozita dhe opozita në Parlament.

A mendoni se mazhoranca do t’i nënshtrohet një dialogu me opozitën për plotësimin e kërkesës së saj për hapjen e kutive të votimit, apo zgjidhja e vetme do të jetë thjesht kthimi i opozitës në Parlament?

Unë nuk merrem me punën e kutive. Unë them vetëm një gjë, asnjëra nga palët nuk duhet të vërë kushte paraprake që “bëj këtë, pastaj bisedojmë”. Kjo nuk është mënyrë e të bërit politikë.

Cilat do të jenë pasojat për vendin nëse vazhdon kjo krizë politike, veçanërisht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian?

Doemos. Në qoftë se kjo do të vazhdojë ose do të shkojë edhe më tej, do të acarohet, do të marrë zhvillime të tjera negative, është e sigurt që komuniteti evropian do të ecë me shumë rezerva ndaj nesh. Nuk mund të pranojë një vend anëtar të NATO-s të integrohet në Evropë në kushte të tilla. Në mos tjetër do të shtyhen afatet. Ky është përfundimi i parë, rrjedhoja e parë negative, përveç të tjerave që përmenda më lart.

Lidhur me Kuvendin e IX të Partisë Demokratike, a mund të quhet normal ky Kongres, ku mungoi diskutimi për funksionimin e partisë, si dhe nuk u zhvillua asnjë analizë për zgjedhjet e Qershorit?

Për mua nuk është normale. Për mua duhet të ketë debate, mund të ketë vota pro dhe vota kundër. Por, kjo varet shumë nga situata dhe nga gjendja e vetë partisë. Secila parti “ha atë supë që gatuan vetë”. Partia Demokratike ka zgjedhur këtë rrugë. Për sa i takon faktit që Berisha u zgjodh në mënyrë unanime, them që këto kanë ndodhur edhe në partitë në Perëndim. Ka pasur një lider të vetëm që është pranuar nga e gjithë anëtarësia dhe që është votuar me aklamacion. Ka ndodhur edhe një gjë e tillë. Nuk është i pari rast.

Për sa i përket prurjeve në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, a është normale që emrat me kontribute në këtë parti janë zëvendësuar me figura krejt të panjohura që nuk njihen për ndonjë meritë të veçantë?

Unë jam gjithnjë për atë, për të tërhequr njerëz të rinj, që të vihen në një farë prove. Mbajtja e një kuadri stabël për tërë kohën, vetëm e vetëm se janë të vjetër, vetëm e vetëm se kanë qenë në ditët e para, ajo e mban partinë në një gjendje të mjeruar. Duhet të ketë qarkullim vetëm atëherë një parti mund të ripërtërihet. Mua nuk më shkakton ndonjë keqardhje, që në ndonjë parti lihet jashtë një nga ata që mund të quhen veteranë. Unë shoh që të njëjtët njerëz sillen në krye edhe të Partisë Socialiste. Të njëjtët njerëz kanë 20 vjet që janë edhe në partitë e dyta e të treta, të njëjtat figura. Kjo nuk flet për një zhvillim të mirë të partive politike në Shqipëri, duhet të ketë ripërtëritje.

A mund të flitet për demokraci të brendshme në Partinë Demokratike, duke parë mënyrën sesi po operon ajo?

Në asnjë nga partitë politike shqiptare nuk ka një demokraci të brendshme të plotë. Në Partinë Demokratike nuk mund të thuhet se ka demokraci të brendshme dhe drejtuesit e saj duhet të mendojnë për këtë gjë, pasi kjo i ngjan një situate gjysmë-primitive. Si partitë e mëdha po ashtu edhe partitë e vogla, që të gjitha ngjajnë njëlloj dhe ky është një lloj trashëgimi i keq nga e kaluara. Ne nuk mund të themi se kemi dalë shëndoshë nga komunizmi. Ajo që ke jetuar më parë për inerci lë diçka te ty, vepron në mënyrë të pandërgjegjshme. Ne e kemi këtë ndikim. Ne ende nuk kemi parti politike të mirëfillta të standardeve evropiane.

Mënyra sesi po funksionon Partia Demokratike, a mendohet se do të ketë pasoja për spektrin e djathtë në zgjedhjet e ardhshme lokale?

Mbase mund të ketë zhvillime pozitive. Mbetet ta shohim.

Gjatë ditëve të fundit, në disa qytete veriperëndimore të vendit ka pasur përmbytje si pasojë e hapjes së digave të hidrocentraleve. A kemi të bëjmë me një papërgjegjësi në këtë rast kur nuk është marrë asnjë masë për parandalimin e përmbytjeve?

Gjatë gjithë kohës asnjeri nuk ka menduar seriozisht. Mund të jenë bërë edhe plane, por askush nuk është marrë me ekzekutimin dhe zbatimin e tyre, në mënyrë që të ndërtohen prita mbrojtëse, së paku për sa i takon bregdetit, që të mos ndodhë gjithnjë që baticat të përmbysin tokat e Lezhës. Kjo është një përgjegjësi që u takon të gjitha partive që kanë qeverisur deri më tani në Shqipëri. Për sa i takon situatës së krijuar atje, lidhur me hidrocentralet, unë mund të them këtë, rreziku i digave vjen në momentin dhe atëherë rreziku është baras me katastrofën kur uji arrin në nivelin e sipërm të murit, fillon të derdhet mbi murin e digës, ajo sjell shkatërrimin e digës dhe shkatërrimi i digave të Drinit do të thotë të ngrihet një dallgë 14 metra e lartë që mund të merrte jetën e mijërave njerëzve dhe që do të shuhej vetëm në kanalin e Otrantos.

Këto të dhëna unë i kam nga konstruktorët e parë të hidrocentraleve në Shqipëri. Dua të them që është me të vërtetë një rrezik kërcënues dhe qeveria ka bërë shumë mirë që u del punëve përpara dhe duhet zgjedhur njëra nga të dyja; ose me të vërtetë të vëmë në rrezik jetën e dhjetëra e mijërave njerëzve dhe shkatërrimin e një pjese të vendit ose të lëshojmë ujin e tepërt të hidrocentraleve dhe të përmbyten disa zona me kusht që të sigurohet jeta e personave, me kusht që në ato zona që rrezikohen njerëzit të shpërngulen. Qeveria i ka dalë me seriozitet kësaj pune dhe opozita do të bënte mirë të bashkohej me përpjekjet e qeverisë, pasi është një problem kombëtar dhe është një shumë serioze.