GJYQTARËT SI HANXHARË TË IMORALITETIT KUNDËR LIRISË SË MEDIAS?

0
64

Andrea Stefani

Andrea Stefani

Një nga të këqijat më të mëdha që nuk e lë të përparojë Shqipërinë është mungesa e një klase gjyqtarësh me integritet dhe të dedikuar ndaj drejtësisë. Sot ka një opinion shumë të përhapur, i provuar edhe nga testime publike, se në Shqipëri nuk ka drejtësi. Dhe ndër fajtorët kryesorë për një gjendje të tillë të mjeruar të punëve janë jo pak gjyqtarë, që jo vetëm nuk u rezistojnë dot presioneve apo joshjeve të politikës, por as edhe tundimeve personale për ta shndërruar të drejtën në të padrejtë dhe të padrejtën në të drejtë. Vendimet e padrejta të disa gjykatësve janë bërë kështu shkaku i jo pak të këqijave.

Jo vetëm në jetët personale të qytetarëve, që rendin më pas, pas vetëgjyqësisë, por edhe në jetën e shtetit. Kështu kriza e fundit që po përjetojmë e ka burimin, ndër të tjera, edhe te një vendim i Kolegjit Zgjedhor jo në përputhje me të drejtën dhe ligjin, por sipas interesit të partisë në pushtet. Sikur Kolegji Zgjedhor të kish zbatuar vërtet ligjin dhe jo direktivat e Sali Berishës, sot vendi nuk do të qe në batakun e krizës më të gjatë të tranzicionit. E megjithatë, gjyqtarët e Kolegjit nuk e humbën rastin të fshehin braktisjen e integritetit profesional pas sofizmave juridikë lidhur me termin “vota të caktuara”.

Por nuk e kanë një shans të tillë tre gjyqtarët që së fundi vendosën të ndëshkojnë me 400 mijë euro gjobë emisionin “Fiks Fare” vetëm dhe vetëm pse guxoi të denoncojë abuzimin imoral me postin të një ish-ministri si Ylli Pango. Ky është rasti kur një trupë gjykuese jo vetëm ka guxuar të dalë hapur dhe pa asnjë sofizëm kundër moralit civil dhe profesional, por të shkojë më tej, të hakmerret në emër të një zyrtari të korruptuar, duke goditur lirinë e medias me një hanxhar prej 400 mijë eurosh gjobë.

* * *

Përpjekja mjerane e ministrit 60-vjeçar Pango për të shtënë në dorë një vajzë duke i ofruar punë në ministri, pra duke abuzuar me postin, qe aq evidente sa edhe vetë Kryeministri Berisha, që në fakt rrezikonte një kosto të madhe politike para zgjedhjeve që po afronin, nuk e mori dot në mbrojtje. Madje pikërisht për të minimizuar koston politike përballë imoralitetit ministrit të faktuar nga “Fiks Fare”, Berisha i kërkoi Pangos dorëheqjen nga posti, gjë që nuk e bëri me aq urgjencë as për Fatmir Mediun pas tragjedisë së Gërdecit.

Jo më pak e ashpër u tregua kundrejt ish-ministrit edhe Jozefina Topalli, e cila e cilësoi gjithçka që kish denoncuar “Fiksi” një goditje kundër “moralit të Partisë Demokratike”. Dhe tani është dita që Berisha, Topalli dhe të tjerë të dalin dhe të mbrojnë përsëri “moralin e PD”. Këtë herë kundër vendimit të gjyqtarëve si Agim Bendo, Bledar Abdullai dhe Majlinda Dogga, që e shpallën të pafajshme gjithçka ata kishin denoncuar si imorale në skandalin “Pango” dhe të fajshme e të ndëshkueshme rreptë me 400 mijë euro, median që denoncoi imoralitetin dhe abuzivizmin zyrtar.

* * *

Vendimi i tre gjyqtarëve të skandalit “Pango” duhet të përbëjë një alarm për çdo qytetar të këtij vendi që vuan kalvarin e padrejtësisë në gjykatat shqiptare. Duhet të jetë një alarm edhe për të gjithë qytetarët e tjerë që vërtet nuk rropaten sot në korridoret e ngushta të “drejtësisë”, por që nuk është thënë të mos e kenë një fat të tillë të zi nesër. Vendimi skandaloz mbi skandalin seksual të Pangos duhet të jetë kambana e alarmit se drejtësia po kalbëzohet me shpejtësi, duke u shndërruar tashmë jo vetëm në një punishte ku ligjësohet padrejtësia, por edhe një lavatriçe e imoralitetit publik.

Vendimi i Bendos, Abdullait dhe Doggës është, as më shumë dhe as më pak, një sfidë, një sulm ndaj moralit publik. “Fiks Fare” me anë të një investigimi të guximshëm dhe shumë profesional, i faktoi publikut sesi ministri e tërhoqi një vajzë me joshje për vend pune nga zyra në një prej apartamenteve të tij luksoze (gjynah që nuk investiguan edhe ku i gjeti tërë ato para për gjithë atë luks) dhe atje u përpoq edhe ta zhvishte për t’i parë nëse nudoja e saj bënte për “vendin e punës”.

Pra Pango, edhe pse në shtëpi, po punonte jashtë orarit (e ku është këtu privatësia e dhunuar e pretenduar nga gjykatësit?) dhe publiku mësoi se një ndër detyrat e ministrit të Berishës paska qenë të testojë nëse nudoja e vajzave të reja bën apo jo për panair ndërkombëtar! Vërtet që verifikimi i nudove është një ndër detyrat e Pangos? Nëse po le të na e thonë. Por, për momentin, na duket se testimi i nudove të femrave mund të jetë atribut i sherifit Shariar në përrallat e një mijë e një netëve dhe jo e një ministri të një qeverie në një republikë demokratike. Dhe as mund të bëhet fjalë për privatësi!

* * *

“Argumenti” kryesor në pretencën e gjykatësve kundër “Fiks Fare” dhe në mbrojtje të Pangos, thotë se gazetarët kishin xhiruar brenda apartamentit të ministrit pa i marrë leje atij. E çdo të ndodhte sikur “Fiksi” të mos kish realizuar një penetrim të tillë në privatësinë e mekanizmit të imoralitetit ministror? Pango mund të kish vazhduar me vajza të tjera, me viktima të tjera. Dhe ato, për të qenë të vëmendshme ndaj moralit dhe shëndeti që sjell ai në shoqëri, çdo qytetar duhet t’i llogarisë si vajzat dhe motrat e tij. Edhe gjykatësit në fjalë duhet të gjykonin problemin nga një këndshikim i tillë.

Sepse në shtyp janë denoncuar edhe raste nga të tjera vajza që janë gjendur të kërcënuara nga rrjeta e merimangës seksuale që ish-ministri e kish shtrirë nga zyra, në apartamentet e tij e deri në panaire apo aktivitete ndërkombëtare. E si, ta tolerojmë dhunën seksuale si abuzim me postin, sepse nuk duhet dhunuar jeta private e një ministri? Një publik normal nuk mund të lejojë që jeta private e një zyrtari të jetë mburojë e abuzimeve të tij me postin. Ministri ka në dorë të punësojë vajza, por duhet t’i punësojë për të mirën publike, të dikasterit që drejton.

Dhe e mira publike nga njëra anë dhe qejfet apo kënaqësitë seksuale të një ministri janë gjëra krejt të ndryshme. Në emër të së mirës publike gazetarët kanë të drejtë të fusin kamerat e tyre edhe në qoshet më intime të banesës së ministrit kur ai fut atje vajza, të cilave u premton t’i punësojë, ta xhirojnë kur u premton të tregojë ato kthinat e shtëpisë, kur orvatet t’i zhveshë me zor, me qëllimin që t’i “pangosë”, madje edhe kur duart i ngatërrohen në ato “dreq mbërtheckash”.

Sepse kjo nuk është fare dhunim i privatësisë së një qytetari po denoncim i abuzimit dhe imoralitetit të një ofiqari. Ndaj investigimi që ka bërë “Fiks Fare” jo vetëm nuk duhet ndëshkuar, por duhet dekoruar. Dhe ashtu si imoraliteti i një ministri nuk mund të mbrohet nën maskën e “privatësisë” ashtu edhe vendimi i disa gjyqtarëve në mbrojtje të imoralitetit nuk mund të maskohet nën “pavarësinë”. Sepse do të qe një orvatje e rrezikshme për ta pavarësuar drejtësinë nga morali publik.

Do të qe gjithashtu një përpjekje për të përdorur drejtësinë kundër lirisë që ka media për t’ia çjerrë maskën korrupsionit dhe imoralitetit të fshehtë zyrtar. Prandaj themi se vendimi i shqiptuar nga Agim Bendo kundër emisionit “Fiks Fare” është i gabuar, pra nuk është fare fiks. Pas tij nuk mund të mos shtrohet me alarm pyetja: Gjykatësit kundër moralit të shoqërisë dhe lirisë së medias? Vështirë të besosh se mund të ketë alarm më të madh se ky për një shtet.