Shekulli, 08.04.2011
Dje në Shekulli u botuan disa detaje nga dy vendime të gjykatave komuniste, për Hysen Shoshorin, asaj të rrethit të Tiranës që e dënoi me vdekje dhe më pas edhe të Plenumit të Gjykatës së Lartë që e dënoi me 25 vjet burg.
Sot kemi siguruar faksimilet e këtyre dy vendimeve që japin një pamje të zymtë të asaj çfarë ndodhi me një njeri që kundërshtonte komunizmin dhe mbi të gjitha, arrinte deri aty sa bënte thirrje për eliminimin e drejtuesve më të lartë komunistë të kohës, Enver Hoxha e Mehmet Shehu.
Z.Shoshori ka akuzuar se një nga dëshmitarët e shumtë që kanë hapur varrin e tij “legal” ka qenë dhe kryeministri i vendit Sali Berisha, atëherë gjithashtu anëtar i Partisë së Punës. Vetë Berisha e ka mohuar një gjë të tillë, madje ai ka vënë në dyshim deri dhe dënimin apo ekzistencën fizike të akuzatorit të tij të sotëm.
Në fotot shoqëruese janë faksimilet nga dy proceset e shkurt-marsit të vitit 1975. Vendimi i gjykatës së Tiranës është tetë faqe. I shkruar me makinë shkrimi dhe i firmosur nga kryetari i trupit gjykues dhe dy ndihmësit e tij. I firmosur dhe nga prokurorja e çështjes dhe sekretari i gjykatës.
Të pandehurit janë dy: Hysen Shoshori dhe Ramiz Vladi, i pari i datëlindjes 15 maj 1934, lindur në Prezë e banues në Tiranë, punëtor në uzinën e artilerisë, i martuar me dy fëmijë, i arrestuar më 29 gusht 1974.
Shoshori akuzohej për vepra terroriste, agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe për të mos e mbyllur këtu, i ishte veshur dhe akuza për vjedhje të pasurisë socialiste. Kurse bashkëvuajtësi i tij Vladi akuzohej për moskallëzim të krimit.
Prokurorja e çështjes Elisabeta Haxhinasto kërkoi shpalljen fajtor të Shoshorit për të gjitha veprat penale, me të cilat akuzohej dhe dënimin e tij me vdekje, kurse për Vladin pesë vjet burg.
“Gjatë gjykimit u provua se i pandehuri Shoshori ka kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës… veprimtarinë e tij armiqësore e ka filluar që nga viti 1967 dhe e ka vazhduar deri më 29 gusht 1974 kur u kap duke shpërndarë fletushka me përmbajtje armiqësore kundër Partisë së Punës, pushtetit popullor dhe udhëheqësve të shtetit”, – shkruhet në vendim.
Sipas procesverbalit Shoshori i ka ndarë mendimet e tij kundër pushtetit me Vladin, të cilit i ka thënë: “Populli po vuan, nuk ka liri, ka diktaturë. Ai i ka lavdëruar sistemin kapitalist dhe revizionist”.
Vendimi saktëson se gjykata ka mundur të mbledhë gjithsej 277 trakte të cilat “kanë përmbajtje nga më të poshtrat dhe shpifje nga më të poshtrat. Kërkohej hapja e kufirit e bëhej thirrje për t´u ngritur kundër pushtetit.”
“Në fletushkat e ndara më 22 janar 1968 ka shtyrë persona të tjerë për të kryer vepra terroriste kundër udhëheqësve të partisë dhe pushtetit duke u shprehur se…”Ai njeri që ka një armë dhe nuk shtie në udhëheqësit kryesorë dhe levave të tyre të këshillave të lagjeve, është i lig, është frikacak, është servil”.
Sipas vendimit të gjykatës së Tiranës, të datës 10 shkurt 1975, vërtetohet se Shoshori ka pranuar se ka vepruar me ndërgjegje të plotë: “…duke pasur për qëllim që traktet t´i lexonin njerëzit që populli të bëhej sa më i pakënaqur nga Partia dhe të ngrihej për të shpëtuar nga kthetrat e diktatorëve…”, – shkruhet në këtë vendim.
Me një guxim që edhe sot ngjan i jashtëzakonshëm, ai arrinte deri aty sa të shkruante: “…ai njeri që ka një armë dhe nuk shtie në udhëheqësit kryesorë dhe në levat e tyre si të këshillave të lagjeve… është i lig, është frikacak, është servil…” Ky trakt mban datën 22 janar 1968.
Gjyqi e dënoi Shoshorin me pushkatim.
Gjykata vërente se “…me veprimtarinë e tij shumë të theksuar kriminale prej një armiku të tërbuar kundër popullit shqiptar dhe socializmit e ka vënë veten e tij jashtë shoqërisë dhe çmohet se një dënim i zakonshëm nuk mund të ndikojë në edukimin e tij”.
Ndaj, për këto arsye, vendoset: “Ta deklarojë fajtor për krimin e agjitacionit dhe propagandës… dhe e dënon me dhjetë vjet heqje lirie. Ta deklarojë fajtor për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste… dhe ta dënojë me vdekje me pushkatim. Ta deklarojë të pafajshëm për krimin e veprës terroriste”.
Kundër këtij vendimi kishte vetëm një afat prej pesë ditësh për të bërë ankimim. Nga ky moment, Shoshori dërgohet në qelitë e burgut të vjetër, që sot njihet me emrin burgu 313 në pritje të pushkatimit.
Plenumi i Gjykatës së Lartë
Një muaj më vonë, më 13 mars 1975 nis procesi i dytë ndaj tij. Ishte ankuar dhe prokurori i çështjes që këmbëngulte se Shoshori duhej të dënohej me vdekje për krimin e terrorizmit dhe jo të akteve të vjedhjes. Aranit Çela, atëherë kryetar i gjykatës së lartë nis procesin dhe në fund të ditës jepet dhe vendimi.
Plenumi vërente se “…krimi i përvetësimit të pasurisë socialiste është vepër me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, por pasojat e rrjedhura prej tij nuk janë të asaj shkalle që për të pandehurin të zbatohej dënimi me vdekje”.
Dhe më pas, me 19 firma, gjykatësit vendosin lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së Tiranës, ndërsa për “vjedhjen” Shoshori i shpëtonte plumbit dhe do të dënohej me 15 vjet burg. Gjithsej, … “duke bërë bashkimin e dënimeve, i gjykuari Hysen Shoshori të dënohet me 25 vjet heqje të lirisë”, firmos Aranit Çela.
Këtu mbaroi llogaria e Shoshorit me gjykatësit dhe për të nisi kalvari i vuajtjeve në Spaç, Burrel e Sarandë, prej nga ishte nga të fundit të burgosur politikë të liruar në marsin e vitit 1991.
Pas 16 vjetësh në qeli, pa u vizituar kurrë nga të afërmit e tij, në 17 mars 1991, Shoshori do të kthehej sërish në Tiranë. Krejt i vetëm.
Një qytetar, Bardhi Metaj ka treguar vite më pas se si e takoi Shoshorin në një autobus që vinte nga |Saranda në Tiranë.
“Ishte 17 marsi i 1991-shit, krejt rastësisht, në mbrëmje, hipa në një autobus që sillte të burgosurit e fundit nga Saranda në Tiranë. Isha me gjithë bashkëshorten time, Fatmirën, kur rastësia na uli pranë Hysenit. Nuk e kisha njohur kurrë më parë, por kisha dëgjuar diçka për të”, – thotë Metaj, edhe vetë i rritur jetim, me një baba të pushkatuar nga komunistët që kur ai kishte qenë foshnje.
“Insistoi ime shoqe. Ajo më tha se Hyseni nuk kishte ku të shkonte dhe ne e morëm në shtëpi. Ai ngjante si Zhan Valzhani tek “Të mjerët”, luajtur nga Zhan Gabeni. Më pas, Shoshori largohet nga miqtë e tij të rinj dhe vendoset për ca kohë te të motrat. Dhe më tej akoma, shkon të banojë te një tjetër mik i tij. Ende në 2009-ën nuk kishte një banesë të vetën.